E merkure, 30.04.2025, 04:37 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Në Kalendarin e Atjonit - 8or

E diele, 20.10.2024, 06:54 PM


NË KALENDARIN E ATJONIT

Nga Visar Zhiti

- 8or -

Kështu do ta shkruante muajin e ri siç u pëlqen të rinjve, që i përzjejnë  numrat me shkronjat dhe në një fjalë, po edhe ndjesitë me guximin, siç përzjen ngjyrat vjeshta e dytë - siç do ta quante gjyshi i tij tetorin.

Në Kalendarin e Atjonit, poshtë datave si dritare në radhë, është dhe thënia e tij, e marë nga libri “Për atë që dua(m)”:

- Kur padrejtësia e përgjithshme bëhet rrugë,

rezistenca

është detyrë! -

E shkruar në anglisht dhe italisht me shqipen në mes. Të trondit kjo thënie siç do të jetë tronditur dhe ai, student, në moshën e dashurive të para dhe  befas ndeshet me padrejtësinë, jo vetëm të lexuar, por dhe të përgjithshme, o Zot! - dhe parapëlqen këtë përgjigje, tashmë historike, me intesitet aktiv: të rezistosh! Të qëndrosh! Dhe e bëri të tijën si porosi e “credo”. Aq i ri…

Ndërsa piktura në kalendar është një kolazh i bukur me një kornizë në mur, e ka dhe në Albumin e tij dhe po e tregoj prapë, e punoi kur ishim kthyer nga një vizitë e gjatë në SHBA. Eda kishte marë lule me vete nga shtëpia e prindërve dhe, kur nisën të thaheshin, po ndjente keqardhje dhe nuk do të donte t’i flakte.

- I rregulloj unë, - i tha Atjoni i vogël dhe i ngjiti petalet në një fletë dhe nisi të hedhë ngjyra mbi to, i përzjente me gishtrinjtë e llangosur, me frymëzim dhe kujdes, sajoi një si muzg kujtimesh me të kuqerremtën e agimeve, me një si blu ujërash në anë a qiejsh, mbase ashtu i pa nga dritarja e avionit, ky është tetori që na dha, të fuqishëm si toka dhe urojmë të jetë sa më i gëzuar për të gjithë, tashmë që fleta e kalendarit u kthye.

Ditë e re, punë e re, shpresë e re, guxim i ri me po atë dashuri, por sa më shumë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx