E premte, 21.03.2025, 01:26 PM (GMT)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Në Ditën e Veteranëve Amerikanë

E shtune, 16.11.2024, 06:50 PM


NË DITËN E VETERANËVE AMERIKANË

Nga Visar Zhiti

“Happy Veterans Day!…” -

na kishin shkruar…

Dhe kisha parë ç’kishte në murin e FB të Ambasadës së SHBA në Tiranë:

“Sot (11-11-2024) është Dita e Veteranëve në Shtetet e Bashkuara, një ditë për të nderuar dhe kujtuar burrat dhe gratë që i shërbyen Kombit tonë në Forcat e Armatosura të SHBA. Ne në Ambasadën e SHBA në Tiranë duam të falënderojmë të gjithë veteranët e përkushtuar për shërbimin dhe sakrificën e tyre, përfshirë shumë kolegë që shërbejnë në Ambasadë. Guximi, përkushtimi dhe udhëheqja e tyre e kanë bërë botën tonë një vend më të mirë!”.

Bukur!

Dhe unë ndërmend sërish Mr. James Schlegel, veteranin amerikan të luftës në Vietnam.

E njohëm gjatë pelegrinazhit në Tokën e Shenjtë dhe u takuam më pas dhe në Chicago…

Nuk më dukej i moshuar ashtu i mbajtur mirë, i ngadaltë, por i fuqishëm, gjithë shëndet, me flokët e bardhë, të prera shkurt, fliste pak, por miqësohëshe menjëherë. Jo se na tha gjë për vete, por e kuptuam nga që kishte vënë atë ditë në gjoks një shenjë si një lloj matrikulle, “Veteran i Vietnamit”. Ishte si sot, festë, teksa endeshim rrugëve me kalldrëm të Jeruzalemit dhe ai çapitej i kapur prej dore me të shoqen e tij, një zonjë e vërtetë, po sa e përzemërt!

- Keni luftuar në Vietnam? - e pyeta Mr. James-in me një lloj habie. Për herë të parë shikoja një veteran të asaj lufte, varret e tyre - po, i kisha parë dhe më parë, madje kisha shkruar dhe një poezi në Memorialin e   të rënëve në Uashington.

- Po, - tha qetë Mr. James.

- A keni qenë më pas lufte në Vietnam?

- Jo, por do të shkoj… - buzëqeshi.

Desha t’i thosha se kur isha fëmijë në Shqipëri gjithmonë lajmet e jashtme të Radio-Tiranës fillonin me Vietnamin, luftë këtu e atje, xhungël, orizore, bombardime, robër të zbathur… dhe ja, tani isha pranë një luftëfari të vërtetë të Vietnamit, të gjallë.

- Ju shkruani? - më pyeti duke picëruar sytë?

- Po.

- E çfarë shkruani?

- Tani për ju… - i thashë dhe e mbylla bllokun.

I kërkova të bënim një foto bashkë. Pranoi menjëhere. Pastaj, një herë tjetër, kur ai me të shoqen e tij të përzemërt po ecnin të kapur dorë më dorë si zakonisht, ne u ndodhëm pas tyre, i fotografova prapë. Më prekte pamja e tyre gjithë dhëmbshuri të bukur ndaj njëri-tjetrit e përkujdes. A t’i pyesja kur ishin njohur, para apo pas Vietnamit? Kur u dashuruan? Mos vallë kur ai luftonte andej, në xhungël, moçalishteve me gjarprinj, ajo e priste gjithë merak? Ishin të martuar atëhere apo do të martoheshin së shpejti? Dhe ai erdhi…

“Guximi, përkushtimi dhe udhëheqja e tyre e kanë bërë botën tonë një vend më të mirë!” - lexova edhe një herë ç’shkruante Ambasada e SHBA në Tiranë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx