Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Rilindja Demokratike...
E marte, 07.01.2025, 07:55 PM
RILINDJA DEMOKRATIKE…
- Isha dhe unë te të parët -
Nga
Visar Zhiti
RD
- britmë lirie, mendim ndryshe i beftë, vizion, emocion i Shqipërisë, që
vendosi të ndryshonte, - kështu po e shikonim dhe besuam aq sa dinim…
33
vjet më parë,
në
5 janar 1991 doli numri i parë i gazetës së parë opozitare, që u lejua mbas një
nate të gjatë diktature, më të egrës në Europë.
Ata
që e deshën atë gazetë shtoheshin gjithnjë e më shumë, u bë një popull që e
priste, mbanin radhën për ta marë, e shpërndanin, e ruanin…
Mblodhi
ajo rreth vetes gazetarë të përzgjedhur, guximtarë, të caktuar, ëndërrimtarë,
idealistë, të mashtruar dhe mashtues, bashkëpunëtorë, mjeshtra të shkrimit,
poetë, të dënuar, ish të burgosur, karrieristë, nga Blloku, dështakë, përçarës,
do të ishim bashkë, redaksi e demokracisë, e kaosit, e zhgënjimeve, do të
pasuroheshin, do të varfëroheshin edhe më, do të vdisnin, do të martoheshin, do
të bëheshin deputetë, ministra, diplomatê, do të përjashtoheshin, do të iknin,
do të dezertonin, do të mërgonin, do të ndërronin kryeredaktor prapë, nga ata
të dikurshmit, ish komunistë, do të dekoroheshin në festat e përvjetorëve të
gazetës, shpesh ata që bënë më pak, kur gazeta s’do të shitej si dikur, kur do
ta shanin rregullisht, etj, etj, por gjithsesi mbetet e para, gazeta e
ndryshimit të madh.
Dhe
po (ri)zbulonim Vitet ‘30 të shekullit të kaluar, atë pluralizëm mendimi e
gazetarie të begatë, perëndimore si kurrë ndonjëherë.
Po
ndryshimi me kë po bëhej tani? Me ata që bënë dhe diktaturën? Rëndësi ka
ndryshimi, thoshim…
Nuk
po bëhemi ne si ata, po thosha, ata po bëhen si ne… demokratë…
Dhe
ëndërronim të bënim një Shqipëri më të mirë…
Ndërkaq
kujtoj kur fillova punë si gazetar në “RD”, gazeta e parë opozitare. Kisha dalë
nga burgu e punoja si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnje, kisha
refuzuar serish me vendosmëri bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe
përndjekja po mpakej, nisën të më flisnin dhe nga ata të njohur që s’më flisnin
për arsye politike dhe ushtronin me zell luftën e tyre të klasave dhe, për
çudi, s’po më flisnin ndoca nga ata që më kishin folur, siç duket më donin
ashtu, përherë të goditur, - mendoja dhe buzëqeshja trishtueshëm.
Në
RD” e nisa me poezi, ashtu siç e kisha lënë, “Dordolecët” - një ironi, pastaj
nxora shkrimin “Koha bën njerëz dhe njerëzit bëjnë kohë”, etj, etj.
Po
shkëlqenin emra në gazetarinë e re shqiptare. Vërshoi mendim i ri qytetar,
kultura, por edhe revanshi i Realizmit Socialist, i Socializmit Real në fakt.
Po aq sa ishte kohë ndyshimesh, dukej dhe si kohë konvertimesh…
Kur
po dënohej atëhere vejusha e diktatorit, e shikoja si metaforë të
diktaturës-vejushe, më shqetësonte dhe botova në dy faqe gazete në “RD”
artikullin “Nexhmije Hoxha është dënuar me shekuj”. Diktatura-vejane…
Në
kohën e krizës së gazetës “RD”dhe jo vetëm të saj, përgatisja faqet letrare, po
kështu botoja çdo të diel nga një poezi në gazetën pranë, “TemA”, po
mirëpriteshin, edhe në gazetën “55” botoja, etj, doja shtypin opozitar, por
shpesh mbetesha pa punë nga ndërprerjet, gjithsesi vazhdova, isha mësuar, unë
kisha shkruar fshehurazi dhe në burg…
Po,
në burg, aty ishin të parët, ata që deshën një Shqipëri tjetër, të lirë, të
begatë, euroatlantike, që u ngritën në revolta brenda telave me gjemba,
shpalosën Flamurin me shqiponjën dy krenore pa yll e i ridënuan e i vranë…
Studentët
e dhjetorit do të vinin kurorën e fitores…
Dhe
do ta thosha këtë.
Do
kështu do të vijoja të botoja më së shumti në të përditshmet shqiptare, që nga
“Koha jonë” e “Sot” te “Liberale” e “Dita”, “Telegraf” e “Mapo” e “Shekulli” e
“Fjala”, etj, te “Gazeta Shqiptare” e deri te “Panorama”, në të përjavshmen
“Nacional”, te revista letrare “illz”, te gazeta më e re “ExLibris”, po dhe në
Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, në Mal të Zi, etj, në media në
diasporë, në Itali, te arbëreshët, në Zvicër në “Voal”, te “Revista letrare”,
në Rumani te “Albanica”, në Mbretërinë e Bashkuar te “Fjala e lirë”, në SHBA
“Dielli” dhe “Illyria”, te revista e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë “Pena”,
te “Peizazhet e fjalës” së mençur dhe të bukur…
Sa
i lirë shtypi? Sa shtypës? Sa opozitar? Nuk e kam fjalën për ato media
kulturore që kanë pronar shkrimtarët e tyre e na gjenden, por për ato gazeta
social-politike të partive dhe oligarkëve. Sa informim japin dhe sa të vërteta
sjellin, kur informimi është i njëanshëm dhe të vërtetat jo të duhurat? Kur
duket se përbashkuese është e keqja për të gjithë…
33
vjet “RD” - shyp opozitar dhe pozitar, nëse mund të themi. Ishim të tyret dhe
ne e ata a ishin po aq dhe tanët? - kemi të drejtë të pyesim. Se është
permanent pushteti që i duhet bërë ballë.
Rëndësi
vërtet kishte ndryshimi, por si? Edhe kjo ka rëndësi po aq shumë…
Më
jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet, - thoshim se
kishte thënë një diktator i kuq dhe unë botova atëhere në “RD”, që më jepni një
gazetë dhe të shikoni po nuk ngrita një shtet. Po a ta jep kush atë gazetë?
Duhet ta krijosh vetë, së pari brenda vetes. Është liria e gjithsecilit. Që
mund të kishim bërë më shumë, por edhe më mirë…
Opozita
është prapë në rrugë, me liderin e saj të mbyllur me detyrim, të ngujuar në
shtëpi, që sheh nga dritarja ashtu si mbështetësit e tij edhe çarjen. Festë
s’mund të ketë…
Opozita
është pushteti moral i një vendi, kështu thoshim. Shprishja e saj është
shprishje e moralit… Që vjen dhe nga brenda, jo vetëm nga jashtë saj. Ashtu si
liria edhe ajo së pari është e brendshme. Të ndërgjegjësohet sërish dhe të
bashkohet sërish, jo vetëm si lëvizje, por si frymë, arritja të mos jetë tjetër
nga nisja si ideal, me synim atdheun dhe jo pushtetin, drejtësinë si pronë dhe
pronën si drejtësi, me strategji të rifitojë aleatët e natyrshëm euroatlantikë,
vetveten së pari, me yll polar një Rilindje Demokratike…
Urim
apo mision?
Visar Zhiti, janar 2024