Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Helmi i para 60 vjetëve - Tragjedia e letrave shqipe me tragjedianin e parë
E hene, 17.03.2025, 09:51 PM
HELMI
I PARA 60 VJETËVE...
TRAGJEDIA
E LETRAVE SHQIPE
ME
TRAGJEDIANIN E PARË
Nga
Visar Zhiti
Bëhen
60 vjet nga vdekja e mistershme e shkrimtarit tonë klasik, Etëhem Haxhiademi,
që krijoi letërsi moderne në vitet ‘30 të shekullit XX. Solli poezi dhe
tragjedinë e epërme në letrat shqipe, në nivel evropian, vonë, por ashtu ishte
fati, historia... Vonë ishte e gjithë Shqipëria jonë.
Shkroi
7 tragjedi të shkëlqyera. E teta është e pashkruar, është ajo që ndodhi me atë,
me jetën dhe veprën e tij. Ia ndaloi diktatura e pas Luftës së Dytë Botërore,
që i futi letrat shqipe në morsën e torturës së Realizmit Socialist. Dhe, ashtu
siç vrau e burgosi shumë shkrimtarë e artistë, Etëhem Haxhiademin e vdes në
burg. Bashkë me të vdiqën dhe ato që do të mund të shkruheshin prej dorës së
tij të mermermertë, hyjnore. Edhe kjo është një tjetër tragjedi.
Kaluan
60 vjet, kur ajo portë burgu nuk u çel dot dhe ai nuk doli prej andej as i
vdekur...
Tashmë
perandoria komuniste ka rënë. Shqipëria dhe letrat e saj iu hapën botës
euroatlantike dhe kulturës perëndimore.
Emri
i Etëhem Haxhiademit e shkundi pluhurin mortor të harresës. Për tragjeditë e
tij, vlerën e tyre të patjetërsueshme, na lajmëruan studiues të shquar të
epokës së lirisë së fjalës, si Aurel Plasari. Vepra u ringjall, erdhi sërish e
plotë dhe bukur nga Enti Botues “Poeteka” dhe po shkruanim në nderim të
korifeut klasik, shpesh dhe me adhurim.
Po
ku është varri i tragjedianit Etëhem Haxhiademi? Statujat? Rrugët me emrin e
tij? Bibliotekat? Teatrot? Skenat me heronjtë e tij? Katedrat, tekstet
akademike dhe universitare me studimet e veprës së tij madhore? Apo kanë mbetur
të zëna, siç i la Realizmi Socialist, dhe muzeumet do të jenë veç dëshmi e
diktaturës, si Bunk’Art 1 e 2 apo Shtëpia me Gjethe e Sigurimit të Shtetit dhe
e të përzgjedhurish?
Por
është dhe institucioni kombëtar i kujtesës tjetër, makineritë e së cilës
punojnë të sigurta dhe me madhështi të pazhurmët.
Sot
dua të nderojmë shkrimtarin Etëhem Haxhiademi, poet klasik dhe tragjedianin e
vetëm të epërm të letrave shqipe.
Në
librin studimor Kartela të Realizmit të Dënuar, për letërsinë shqipe që erdhi
nga burgjet dhe internimet apo arratia nëpër botë, është dhe kartela e
dhimbshme me emrin Et’hem Haxhiademi. Ndërsa në Antologjinë e të vrarëve me
titull Lajmëtarët e Europës, ku kam përmbledhur poetë dhe shkrimtarë të
pushkatuar nga regjimi i ashpër diktatorial ose që vdiqën burgjeve, pushkatim i
ngadaltë ishte dhe ky. Dhe nuk besoj se ka një popull tjetër një antologji të
tillë gjaku, ku janë dhe fletët drithëruese për martirin Etëhem Haxhiademi. Po
i risjell... Fëshfërijnë apo psherëtijnë?
KARTELA
TRAGJIKE
Et’hem
Haxhiademi:
Dënohet
me vdekje, pastaj ia kthejnë me burg...
Pak
ditë para lirimit – atak në zemër. Kështu thanë. Vdiq.
Por
do të ketë qenë sulm në zemër. Vrasje...
Ishte
viti 1965.
Shqipëria
ishte ndarë tashmë nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ishte drama e madhe, çarja
botërore – këtë duhej të pasqyronte letërsia! – porosiste Partia. Dhe kishte
filluar miqësinë me Kinën e madhe – ja temat e Realizmit Socialist, happy end-i
i saj rozë.
Ç’qe
shkruar më parë, s’vlente më, sidomos ato para Çlirimit. U dukeshin myk... Pa
le tragjeditë e harruara të Et’hem Haxhiademit, të largëta dhe të huaja, madje
të dëmshme...
E
Et’hem Haxhiademi?
Në
burg...
Nuk
duhej të dilte prej andej. Madje ai s’duhej të ishte fare, të ndjehej i
paqenë... Ai dhe shokët e tij...
Kot
e falën, kur e dënuan me vdekje...
Po
vdekje është dhe burgu.
Po
ja që i erdhi dita e lirimit. Kaluan 18 vjet...
Po
s’ka për të dalë, jo.
Në
një nga tragjeditë e tij, ai e kishte profetizuar rrënimin...
* * *
“Kam
le n’Elbasan më 8 mars 1902, – tregon për vete ai. – Im at, Emin Haxhiademi,
aktiviteti patriotik i të cilit fillon qysh më 1877, domethënë përpara
Kongresit të Prizrenit, njihet si bashkëpunëtor i ngushtë i Kristoforidhit dhe
i dyti patriot, mbas atij, në vjetërsi në këtë qytet.”
Babai
i mësoi shqipen e i jepte libra shqip, të ndaluara, mezi gjendeshin, se vendi
ishte ende në Perandorinë Osmane. Kishin një odë plot me libra. Të varfër ishin
librat shqip, por mua më pasuruan, – vazhdon tregimin ai.
E
magjepsi drama “Besa” e Sami Frashërit. Ndërkaq, babai e kishte futur të
mbaronte Normalen e Elbasanit, themelues i së cilës kishte qenë dhe vetë. Në
moshën 14-vjeçare vendos të shkruajë edhe ai një dramë ashtu. Mbyllet në
shtëpi, nuk shkon as në shkollë.
–
Eh, digje, – i thotë i ati buzagaz, – por jo dëshirën për të shkruar.
E
çojnë në Leçe, në Itali, por provimet u bënë shumë të vështira për shqiptarët
atje, sepse kishte ndodhur Lufta e Vlorës e 1920-ës. Italianët ishin mundur,
ishin hedhur në det, – thoshte populli...
Et’hem
Haxhiademi ishte i vetmi sfidues. Madje, iu fut përkthimit të “Bukolikeve” të
Virgjilit, mësoi latinishten dhe e dha në hekzametër në shqip, siç nuk e kishin
bërë as shkrimtarë të njohur. Madje, asgjë nuk kishin sjellë më parë nga veprat
latinisht.
Dhe
iku në Austri për t’u diplomuar atje. Nisi të lexojë tragjedianët grekë në
latinisht dhe gjermanisht.
Në
Berlin, më 1924, prindërit, kundër dëshirës së tij, duan që të diplomohet në
Juridik. Nuk u ndahet leximeve, e thërriste antikiteti, bashkëpunonte me
revista në Elbasan dhe Berlin.
Ndjehej
i dashuruar. Të gjitha gratë e bukura, mitike, dilnin nga kryeveprat botërore
dhe bashkoheshin te njëra, shkëlqenin. Takimet me të, shëtitjet, bisedat, të
qeshurat, puthjet e mbushnin me jetë dhe kohë të pajetuara, nga ato që kishin
ikur dhe nga ato që do të vinin. Kjo ishte e tashmja e tij.
Po
e Shqipërisë? Pse është kaq vonë vendi im? Dhe rijeton të kaluarën e vet, kur
me të kaluarën e tij ishte në kohë dhe e ardhmja dukej se do të ishte normale,
si e gjithë Europa. Dashuria është e pakohë dhe e gjithkohshme.
Papritmas
i vdes ajo që dashuronte dhe ai shkruan për të elegjinë “Galatës”.
Tragjedia
i bëhet pjesë e jetës. “Fryma ime e të jetuarit”, – do t’i shkruante Lasgush
Poradecit më vonë.
Pasi
përfundon tragjedinë “Ulisi” nën shëmbëlltyrën e Eskilit, dy vjet më vonë, më
1926, shkruan tragjedinë “Akili” në Vjenë. “Kolos është dhe Shekspiri,” –
thoshte, dhe punonte mbi skrivani që ta universalizonte gjithnjë e më shumë
veprën e vet.
Endej
nëpër Vjenë, i ri, i fuqishëm. I duhet shkuar tragjedisë brenda që të kuptohet
atdheu, vetja...
Vjen
në Shqipëri në vitin 1927. Emërohet nënprefekt në Lushnjë. Shikonte shtëpinë ku
u mbajt kongresi shpëtimtar, mbushej me himnin e tij së brendshmi dhe, pas një
viti, shkruan tragjedinë “Aleksandri”.
Iu
bënë tre tragjeditë; i boton në Tiranë më 1931. Dhe
pastaj kalon me punë në Berat, akt tjetër tragjedie. Shkruante... Në
Gjirokastër, akt tjetër; kryesekretar i prefekturës, viti 1933. Edhe Mbreti
kishte simpati për Et’hemin, thoshin, për kulturën e tij.
Mbreti?
Nga doli? Pas perdes së teatrit? Dhe përfundon tragjedinë “Pirua” (1934). Pas
një viti, tjetër tragjedi: “Skënderbeu” (1935).
Duhen
thirrur heronjtë, prijësit, ata që bënë histori, që bënë kombin. Tragjeditë
janë tempujt e tyre...
Tjetër
tragjedi vitin tjetër: “Diomedi” (1936), kur përzihen mitologjia greke e ilire.
Ndjente thika në shpirt, po e çanin, dhe shkruan “Abeli” në prag të pushtimit
(1938). ?Duhet ribërë Shqipëria e lashtë dhe ajo
mesjetare; aristokracia e saj, kalorësia, kryekalorësat. I duhej mitologjia biblike, antikiteti, heronjtë – edhe
tanët – pasionet e përjetshme, intrigat, përplasjet ideologjike. Me to mund të
ribësh botën, të edukosh. Familja... fillesa... e bukura e estetikës
klasiçiste... Të pasurohet letërsia shqipe, se pasurojmë shpirtin. Duke
themeluar tragjedinë, do ta pakësojmë në jetë.
Të
mësojmë nga mynxyra, për të nxjerrë dritë!
Gjatë
pushtimit fashist italian, teksa nuk i pranonte kompromiset me pushtuesin, por
as luftën vëllavrasëse – patriot dhe europian në vetvete – ngaqë kultura nuk
është pushtim, por çlirim, me simpati për Ballin Kombëtar, botoi librin me
poezi “Lyra”. Aty janë poemat “Nimfat
e Shkumbinit”, ku gjahtarët vrasin këngën e tyre. Janë elegjitë e dashurisë:
“Galatea”, ajo për Nënën – “Nata e zezë” – që e kishte dashur aq shumë, më
shumë se gjithçka në botë, të gjallë dhe të vdekur. Ja, dhe për Naim Frashërin,
këngëtarin hyjnor, etj.
Lira
e Et’hem Haxhiademit e mbushi mjedisin me tinguj të argjendtë.
Pasi mbaroi Lufta e Dytë
Botërore, i përvishet punëve, atyre që lidheshin me kulturën. Është themelues
në Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë dhe kryetar për degën e Elbasanit, por
regjimin e ri nuk e miratonte dot... dhe e arrestojnë.
Viti
1946. Tani po vinin në skenën reale të jetës një tjetër tragjedi, me
kryepersonazh autorin, Et’hem Haxhiademi. Shkaqe politike. E kaluara e
tragjedive po përsëritej. I konfiskojnë librat e bibliotekës së tij dhe gjithë
dorëshkrimet.
Fitimtarët
e mbyllin Et’hem Haxhiademin në burgun e Burrelit. Si skenë epilogu: mesjetë.
Roje, tortura, dyer. Dhe atje përkthente. Sigurisht që botoheshin me emra të
tjerë. Ose kanë humbur më vonë.
I
heshtur mes atyre mureve, dinjitoz dhe i zymtë. I trembeshin kulturës së tij të
gjerë. Shkruan në burg romanin Jeta e njeriut dhe dramën Koha e premtueme, që
kishte shumë dëshirë ta luante me të burgosurit, sepse teatri është jetë dhe
jeta teatër dhe...
Ku
janë ato tani, ku? Tragjeditë edhe harrohen, edhe vdesin, por edhe vidhen...
Mbas
18 vjetësh burg, po i vinte dita e lirimit dhe ai ishte ende në gjendje, i
fortë intelektualisht, në kulmin e përvojës së shkrimtarit. 63 vjeçar, dinte
gjithçka nga terri i ferrit. Jo, ai nuk duhej të dilte. Dhe ashtu u bë, por ka
mbetur enigmë se si u krye vrasja.
Ndërkaq,
e kishin marrë mallkimin e pafalshëm të Haxhiademit, vazhdimisht i tanishëm:
Qofsh
i mallkue, i poshtun,
ti
për jetë,
prej
nesh edhe prej Zotit të vërtetë.
Zemra
e jote kurrë mos paftë gëzime,
n'mjerimin
tand ne gjetshim
ngushëllime.
Ti,
qi na dhe për pleqëni këtë tmerr,
të
biftë n'vend t'grunit
n'arën
tande ferr.
Jo
vetëm ti, por dhe fëmijët tuëj
mëninë
e madhe paçin të gjithkuëj,
paçin
bashkë me urrejtjen e njerzís,
mallkimet
e Krijuësit të Gjithsís.
Ashtu
si prej Eskilit dhe Sofokliut kujtesa botërore dhe fati ruajti nga shtatë
tragjedi prej secilit, edhe shqiptarët kanë 7 tragjedi nga tragjiku i tyre i
vetëm, Et’hem Haxhiademi.
Aleluja!
Vepra
tragjike e tij tashmë i tejkaloi tragjeditë e realiteteve të mëpasme, edhe të
harresën mortore si të tillë. Tashmë ajo është jo vetëm letërsi e gjallë, por
dhe kompleks monumental i Kujtesës Kombëtare, dëshmi e historisë dhe kulturës
së një populli.