Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Një Shën Valentin për Kosovën në Chicago
E shtune, 15.02.2025, 07:57 PM
NJË SHËN VALENTIN
PËR
KOSOVËN
NË
CHICAGO…
Në qendër të metropolit të Chicago-s
u ngrit Flamuri i Kosovës
në prag të ditës së pavarësisë së saj.
Shkuam dhe ne. Dhe sot ështe Shën Valentini i
dashurisë…
Nga
Visar Zhiti
Gjetëm
aty nga Komuniteti shqiptar i Illinois-it, “të mrekullueshmit” - siç i quan
presidenti tyre, preshevari Edon Shaqiri, kishte përfaqësues nga shoqata të
ndryshme, etj, por dhe nga Konsulata e Republikës së Kosovës, ja, kartvizitat
që na dhanë, shefi Drilon Zogaj dhe sekretari i parë Fatmir Rrahmanaj.
Në
“Daley Plaza” era dimërore valëviste lart tre flamujtë e bukur: të SHBA-ve, të
Kosovës dhe të qytetit të Chicagos,
kurse në shesh hovte skulptura e famshme e Pablo Picasso-s, që ia dhuroi
qytetit në vitin 1967, - kur Kosova ishte në robëri, - ajo vepër ka pas
ngjallur aq debate për abstraksionin e saj dhe kuptueshmërinë, po është vetë realiteti shpesh ashtu…
Por
unë shoh prapë Flamurin e Kosovës mes atij amerikan dhe të Chicagos dhe kuptoj
më shumë domosdoshmërinë e drejtësisë dhe rregullit. Koha e popujve vjen…
Kur
po pinin kafetë, jo se ishim shumë, shumica të rinj të bukur, të gjatë si djali
ynë, me ato flokë të dendura dhe estetikë, ja, dikush kishte luftuar në Kosovë,
një tjetër shërbente në polici në Chicago tani, në Bankë një tjetër, Liridona
në biznesin aty, - e di ç’do të thotë emri yt? - e pyeta, - po, e di, -
buzëqeshi, inxhinier ky tjetri pranë meje dhe vërtet ishim nga të gjitha
trevat, nga dy republikat shqiptare në Ballkan, e Shqipërisë dhe e Kosovës, nga
Mali i Zi e Maqedonia e Veriut, - e Jugut për ne, - çam je ti?… ja, që ishim
nga të gjitha Shqipëritë, - do të thoshte poeti ynë Ali Podrimja. Na thirri
Flamuri i ri i Kosovës. Edoni kishte marrë me vete dhe librin tim me poezi, i
porsa ribotuar në SHBA, ku është dhe poezia “Si shk-oh-et në Kosovë”, ku foljen
e kam ndarë me viza në mes se kam ndërkallur një pasthirrmë -oh- që në anglisht
nuk e ka ruajtur dot sikur vetëm në shqip psherëtihet…
Gjithsesi
sot patëm një ditë dashurie, një Shën Valentin për Kosovën.