Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Kadare, autografi i fundit që më dha
E marte, 28.01.2025, 07:05 PM
KADARE,
AUTOGRAFI
I FUNDIT
QË
MË DHA…
Nga
Visar Zhiti
Me
kë ishte Kadare?
Në
librin e tij të fundit “Kur sunduesit grinden” ai na tregoi që ishte lart, te
sunduesit si Pasternaku në Rusi, kur Stalini flakte gulagëve Mandelshtamët dhe
Enveri në Shqipëri pushkatonte poetë. Po me kë ishte Kadare? Me veprën e tij së
pari? Po vepra?
Unë
kam shkruar që sipas meje ai ishte me Mandelshtamin… e vrarë.
Në
kujtim të Kadaresë, në ditëlindjen e tij sot, risjell shkrimin tim për esenë e
gjatë, “Kur sunduesit grinden”, ka qenë botuar dhe në gazetën “Exlibris”, që ai
e shfletonte çdo fundjavë…
MBRESË NGA LEXIMI I PARË
I VEPRËS SË FUNDIT TË
KADARESË
“Kur sunduesit grinden”
3
minuta bisedë, madje në telefon, tre çerek shekulli më parë dhe larg në një
tjetër vend, ka zgjedhur shkrimtari Kadare për të shtjelluar në veprën e tij më
të fundit, “Kur sunduesit grinden”, që s’është thjeshtë roman, as memuaristikë,
as sprovë, as kritikë, as…, por të gjitha këto së bashku, një vepër e veçantë
marramëndëse, e tij dhe e pangjashme, me një sharm shqetësues.
3
minuta bisedë mes dy sunduesve, Stalinit dhe Pasternakut, i pari mbi një vend
të madh dhe ndër më gjakatarët e historisë njerëzore, kurse i dyti, sipas
Kadaresë, sundues i shpirtrave njerëzorë të atij vendi, të së njëjtës kohë, pra
shkrimtar i madh.
Çfarë
u bisedua në ato 3 minuta të famshme, që përthithën aq shumë vëmendje e
vazhdojnë të përthithin? Stalini merr në telefon Pasternakun dhe e pyet për një
shokun e tij të arrestuar, poet dhe ai sa ai, Mandelshtami, dhe Pasternaku i
hutuar pak a shumë i përgjigjet se ne/ata jemi/janë të ndryshëm, gati
s’njiheshin, dukej sikur donte të thoshte a e tha dhe diktatori si i zemëruar
ia kthen se nuk mbrohen shokët kështu dhe ia mbylli telefonin, duke u hapur pas
kësaj komentime të pafundme gjithandej, variante të bisedës së pakët, që gati s’mund të quhet
e tillë, e pa përfundurar, me hamendësime që do të vazhdonin dhe sot e kësaj
dite, siç na siguron Kadare duke u futur dhe vetë, si atij që i takon, në ato
përsiatje tani.
Vërtet
Stalini donte të mbronte Mandelshtamin nga Stalini? A mundej dot Pasternaku?
3
minuta dhe treshja infernale: diktatori & shkrimtari i njohur & i pa
pranishmi - shkaktari i bisedës. Po ç’ishte ky? Poet i porsa arrestuar që do të
përfundonte burgjeve dhe harrimeve, do e vrisnin a do të vriste veten, e njëjta
gjë, por që a do të mund të rikthehej fantazmë.
Dhe
tek të tre këta, autori i këtij libri, sovranshëm, që kërkon të shtjellojë, të
ribëjë tufanin.
PËRZGJEDHJA E ABSURDIT
VRASTAR
SI ALIBI ABSURDIT:
Gati
një shekull sundim i perandorisë komuniste, pothuaj gjithë shekulli XX në një
hapësirë të pa masë dy kontinentëshe, Europë dhe Azi, por dhe përtej oqeanit,
në Amerikë, me 100 milionë viktima në të gjithë botën, sipas statistikave, me
pushkatime e burgje e çmendje lemerisëse, baltë internimesh e zhdukje mizore,
terror dhe frikë dhe uri, ankth, punë rraskapitëse e luftë, fitore të mëdha që
janë ndërkohë dhe humbejet më të mëdha, entuziazëm që duket si një marrëzi
kolektive, monumente dhe fabrika të zymta, klasë punëtore dhe artistë të
trallisur, që duhet të jenë shërbëtore të tyre, konflikte dhe letërsi të
detyruar të Realizmit Socialist, lumturi dhunuese e paqenë kurrë lumturi, etj,
etj, dhe midis miliarda rënkimeve e britmave të gojëve të çaplyera dhe plagëve,
fyteve të prera, mallkimeve, pëshpërimave, përbetimeve, të folurit nën zë, me
vete, të gulçeve me dheun përsipër, grindjeve me gardianë, policë, redaktorë e
sekretarë e mes vetë të persekutuarve, mes vëllezërve Abelë e Kainë, atit dhe
birit dhe vetes, etj, etj, etj, që po t’i mblidhje nëpër burgje e kampe
internimesh si kohë, mund të bënin shekuj, mijëvjeçarë dhe befas Kadareja, si
trillan fantast që është, në këtë zallamahi botërore, zgjedh sfidueshëm vetëm
tre minuta bisedë, as të vendit të tij e as të gjuhës së tij.
Aty
jo vetëm që ndihet, por sipas tij, është shumëçkaja, nuklea, një mister kundër
mistereve. Si shkrimtar i pa shoq, i intereson qendra, të cilën e fikson vetë,
nga aty ku zanafillojnë ato që do të ndodhnin gjithandej, mes shteteve dhe
njerëzve, fikshën dhe jo fikshën, sepse kemi të bëjmë dhe me realitetin tjetër,
atë të shkrimtarëve, deri dhe të vetmitarëve të tyre e më tej, përfshi
adulterët, more dhe shtratin bashkëshortor a arkëmortet e jo llogoret e kanalet
e dënimeve në ferr, prangat dhe plagët e pushkatimeve.
Kadare
zgjodhi si vend të veprës më të fundit duke iu rikthyer sërisht, Moskën,
kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik, ku dhe ka qenë student, në fakt dëshmitar.
Po kështu Kadaresë duket se i ka interesuar gjithmonë e larta, lartësitë, pa shkuar te qielli, aq sa mund të mbikqyrësh zotërueshëm shumëçka dhe zgjodhi tani kështjellën, Kremlinin me Stalinin brenda si një murg të rrezikshëm dhe pak më tej një apartament të Moskës, me Pasternakun brenda, “inxhinierin e shpirtrave”.
Nga
gjithë ajo truallnajë trallisëse euro-aziatike e perandorisë komuniste,
Kadaresë i mjafton tani fare, fare pak, aq sa ç’është afëria mes dy banesave të
tyre, që, të para nga sateliti lart, do të përbënin, jo vetëm ato, por e gjithë
Moska, veçse një pikël të vetme mbi zhguall të globit, Dhe mes miliarda e
miliarda bisedave njerëzore të pafund, qoftë dhe të një dite, thashethemeve dhe
intrigave globale, ofshamave të popujve që duket sikur ato i kanë krijuar retë
përsipër tyre, Kadare, sipas llogjikës noprane të shkrimtarisë, siç e pamë,
zgjedh vetëm tre minuta bisedë, një kampion të ajërt, ato pak fjalë të
sikletshme që shkëmbyn mes tyre Stalini e Pasternaku, me telefon tre çerek
shekulli më parë.
I
mjaftjon kjo. Një marrëzi gjeniale për një shkrimtar, e prapshtë ndërkaq,
ndërsa për lexuesin habitëse në mënjanësinë e saj, ankthëruese gjithsesi gjatë
leximit, por që kanë përftuar një vepër letrare çudane, të papërsëritshme, e
karuseltë, torturuese në rrotullimin e saj, me personazhë realë, që takohen,
duan, ndahen, përloten, vdesin, harrohen.
Nxitoj
të them atë që do të duhej të thuhej e para, vepra i shërben copërlueshëm
kujtesës njerëzore, më të paktës - asaj elitare, në fund të fundit gjithë atij
mekanizmi sa të ngadaltë e të përpiktë, po aq dhe ndëshkues, qoftë dhe në
ndërgjegje, ndërkohë paqtues duke ngulmuar t’i vërë gjërat e kësaj bote në
vendet e tyre, ato që do t’i duheshin, teksa harresa është djallëzisht
katastrofike.
Me takt acarues nën një qetësi të kadifenjtë, sa ç’ia kërkon estetika e veprës, Kadare tek e vogla ndrydh të madhen, vetë hatanë nga drama e përbotshme. Te minimumi vë maksimunin, pra është autor i minimakseve, do të thosha duke huazuar një kompozitë të huaj. Vepra i ngjan një hetimi lodhës, ku lodhja këtu është e palodhshme, ku nga e rëndomta shkohet te sublimja, me atë magjinë kadareane, herë herë me seriozitet të zymtë e më pas me ironi groteske. E qeshura është plagosëse. Një libër i vështirë-rrokshëm, i ngjan shakujve të erës te poemat homerike, te “Odisea”, që kanë të ndrydhur erë brenda, më të pa përfshirshmen, më të pa përshkrueshmen dhe çmitikisht i është dale, shakulli është hapur duke përplasur erë fytyrave, me qëllim, që duket sikur ky është dhe qëllimi artistik, se prandaj është krijimi dhe e më pastajmja...
PARALELIZMAT VRASTARE
janë
kuptimplote, autori diku nga fillimi kujton dhe vetë telefonatën e diktatorit
Hoxha me vetë Kadarenë, të cilin do ta përgëzonte për një poemë të tij dhe unë,
nga emocioni i leximit e jo vetëm, marr të drejtën ta vazhdoj ose ta ribëj
bisedën. Edhe Enver Hoxha e mori në telefon Kadarenë në fakt për ta pyetur se
ç’mendim kishte, jo për kolegët shkrimtarë, që i çuan burgjeve, as për poetët
që do të pushkatonin, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, as për
Havzi Nelën, që e varën etj, ai s’donte mendim për ta, por, më djallëzisht akoma,
se ç’mendim kishte Kadare për Kadarenë që do të shkruante “Ura me tre harqe”,
“Pallati i ëndrrave”, Koncerti…”, etj. Dhe Kadareja do të jetë hutuar, por që
të mbronte veten e ardhshme, duhej të hutonte disi diktatorin, më djallëzisht
akoma, me lëvdatën e mynxyrshme. Dhe Hoxha ka vazhduar: që të të mbroj, më
mbështet… pa ia thënë kaq troç, duke e lënë të nënkuptuar si goditjet pas
buzëqeshjeve tiranike. Të thoshte “jo” Kadareja, ishte tmerrësisht e
rrezikshme, ishte fundi, por dhe “po”-ja, kishte po aq rrezikun e mëvonshëm,
post-hoxhist. Të ketë guxuar ta ketë mbyllur telefonin Kadareja, gjoja nga
tronditja apo që nuk ka parë mirë, dhe pa dashje… dhe…
Përgjigjen
e dha koha dhe vepra kadareane. Enver Hoxha u kundërshtua… dhe vepra më e
fundit e Kadaresë vazhdon dhe pasi e mbaron së lexuari, me atë shtysën
misterioze e të brendshme të saj.
KRERËT QË S’JANË:
Nën
ndikimin e asosacionit të ideve po më nëpërmendej një version shtesë i krerëve
të veprës, kjo është magjia e saj, që vazhdon te lexuesi, i katërmbedhjeti,
p.sh., me një grua sërisht, jo në Moskë, por në Tiranë, një nënë, imja, që ndal
Kadarenë dhe i lutet për djalin që ia kanë arrestuar ngaqë donte të shkruante
poezi dhe përgjigjja e Kadaresë dhe letra prekëse e Tij nga Parisi më pas dhe
falenderimi im edhe tani, pas 27 vitesh.
Autori
përmend burgun e Petro Markos, unë shtoj dhe burgosjen e djalit të atij, poet
dhe ai dhe sakrificat e përçudnuara të nënës, Safos për ta liruar me doemos si
version të pesëmbëdhjetë.
I
kthehem dhe një herë librit që kemi. Diktatori gjakatar Stalini i telefonoi
shkrimtarit më të njohur të vendit, Pasternakut, dhe e pyet nëse dëshiron ta
ndihmojë një kolegun e tij, mik, që po e dënonte vetë Stalini dhe Pasternaku i
hutuar nuk e mbron dot nga ai që po ia ofron ndihmën vrastare. Paradoks
tragjik. Çelës për të hapur e gjykuar gjithë marrëdhënien, realen, të dukshmen
mes diktaturës e shkrimtarit të saj. U zbut kështu sundimtari gjakatar apo
kërkon bashkëpunëtor, sundimtarin tjetër, të ndryshëm nga vetja, atë të
shpirtrave që ai nuk e beson, shkrimtarin?
NDËRSA I TRETI,
nuklea
e asaj bisede të mallkuar, Mandelshtami, është i pa qenë, ashtu duan ta bëjnë
me mjete sa më barbare, e kanë arrestuar dhe po e nxjerrin nga realiteti, po e
çojnë në tjetër kundër-realitet, në atë jo për të gjithë, por për një pakicë të
shenjuarish, të përzgjedhurish që një djall e di se për ç’arsye, po e mbyllin
në burg, në vdekje më pas, që ishte fare afër me burgun, mjafton të kaloje
telat me gjëmba e nuk dilje i lirë në realitetin e lënë, por rrëzoheshe
përfundimisht në humnerat e Hadit.
Mandelshtamët
donin t’i zhbënin. Ata nxirreshin nga beteja ashtu si dhe nga jeta prej
sundimtarit të parë, Stalinit, pa u mbrojtur dot nga sundimtari tjetër,
Paternaku. Që më pas të ktheheshin si fantazmë, por më të fortë se më parë, kur
të përmbyesej, më saktë kur përmbysja t’ia linte vendin një gjendjeje normale,
afërsisht, a që tentohej drejt saj deri sa dhe ajo vetë të bëhej për t’u
përmbysur.
Kufoma
e Stalinit do të nxirrej nga mauzoleu e do të digjej, por dhe kufoma prej
bronzi e Enver Hoxhës do të shkulej nga piedestali e do të copërlohej. Ata
s’duhej të ishin lejuar të bënin aq sa bënë, gjëmën e përgjithshme…
Po
Pasternaku? Që s’e mbrojti dot shokun, gjysmën e vetes? Apo duke qenë si
njëlloj tjetër sundimtari, gjysmën tjetër e kishte peng te Stalini? Që të
mbronte veten që s’ishte as Stalin e as Mandelshtam, por një nevojë urgjente e
kohës. Dhe mbase duhet ta mësojmë veten që të mos t’i kërkojmë tjetrit më
shumë, por aq, të bënte më mirë atë që mund të bëhej. Se heshtja nuk është
letërsi.
TË JESH ME ATË, KUR AI
S’ËSHTË?
E
Kadareja? Ai është me Mandelshtamin në mugesë* në këtë libër-apologji.
Në
fund të fundit gjithkushi do të mund ta dëshmojë veten e vet, nuk e bën askush
tjetër. Dhe vetja është te tjetri dhe tjetri te vetja. Stalini prijëtar me krimet e veta, Pasternaku me librat e
tij, me poezinë, që mbetet dhe Mandelshtami me zhdukjen po aq shumë se sa me
veprën që mundi të shkruajë, me poezinë që mbetet dhe te ky, por dhe me atë që
nuk mundi të shkruajë, që s’e lane e që s’dihet nën ç’shakull homerik është
futur. Dhe vazhdoj me fjalët përmbyllëse të Kadaresë, “Osip Mandelshtami as ka
qenë, as do të jetë ndonjëherë i vetuar në largësinë e vet. Dhe këtu
qëndron, me sa duket, ajo që, për të
shmangur fjalën e bujshme ‘pavdekësi’, do ta kishim më lehtë dhe më natyrshëm
për mandelshtamin dhe për të gjithë të ngjashmit e tij, fjalën ‘pafundësi’”.
EPILOGU - DREJTËSI
Fundi
është pafundësia. Edhe ky libër sikur do të na mësojë dhe me këtë. Por, që para
se të jetë e parrokshme dhe universale, le të bëhet dhe ngushëllim i shenjtë,
drejtësi patjetër, pse jo e shenjtë dhe kjo.
Kërkesa
e autorit, bërë botuesit për mundesinë e një botimi tjetër të plotësuar të
këtij libri, edhe pse ndokujt i ka krijuar gjendje keqardhjeje, madje dhe
mërzie, unë e gjej si një shenjëz letrare të gjetur, së pari autori është i
sinqertë me lexuesin, por dhe një lloj
“ftese në studio”-n e Tij, ndërkaq mendoj se libri mjafton si i tillë, e ka
dhënë veten, me një lloj pengu, që e bën të pa shtershëm merakun e bukur, se
tek e fundit prandaj bëhet dhe një libër tjetër, vetë letërsia deri në
“pafundësi”.
——————
*) Shtesë e mëpastajme:
Mandelshtami poet s’është e njëjta gjë me “Mandelshtamin në mungesë”, kur kjo
mungesë është burg, vrasje, zhdukje gjakatare, harrim…