Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Statuja e Pjetër Arbnorit apo trashëgimia e madhërishme që la pas?
E diele, 19.01.2025, 08:05 PM
STATUJA E PJETËR ARBNORIT APO TRASHËGIMIA E MADHËRISHME QË LA PAS?
-Kur
sot ai do të ishte 90 vjeç -
Nga
Visar Zhiti
E
dëshirueshme shumë, po dhe gëzueshëm normale do të kishte qenë që familja e
Pjetër Arbnorit dhe miqtë, por dhe Shqipëria sot, të sillnin tortën e
ditëlindjes së tij me qirinjtë me numrin 90 që do të tregonin moshën dhe ai në
krye t’u frynte për t’i shuar mes haresë dhe brohërimave dhe të ngrinte gotën e
verës si bashkëshort dhe prind dhe gjysh, por dhe si bashkëvuajtës i lartë në
burgjet e rënda të një diktature barbare, si deputet më pas dhe kryeparlamentar
dinjitoz por dhe si shkrimtar i veçantë.
Po
ai iku i qetë dhe me një heshtje të mistershme 19 vjet më parë duke i lënë të
gjitha, edhe për të mos shqetësuar, por në rregull me veten dhe botë…
RIKTHIMI I STATUJTË
Rikthimi
si statujë i Pjetër Arbnorit para Parlamentit që udhëhoqi si Kryetari i parë i
tij në Shqipërinë postdiktatoriale, pluraliste dhe demokratike ishte ngjarje me
rëndësi, do të thosha, por jo se erdhi fryma e tij, s’ishte ringjallje,
pavarësisht se në zemrën e familjes së tij ai është përherë si dhe te miqtë,
bashkëvuajtësit dhe bashkëpunëtorët…
Edhe
si statujë prapë Pjetër Arbnori është më i mënjanuari, për të mos thënë më “i
persekutuari” i statujave aty përreth, pas lulishteve në rruginën ku rojet me
armë nuk i lejojnë kalimtarët, përveçse deputetët, i vendosur para murit të
ngrehinës së Parlamentit, që duket e ulët dhe fare e mpakur, jo vetëm pse në
krah të saj është ngritur xhamia më e madhe në Ballkan, por dhe prej cilëlisë
së deputetëve brenda.
Statuja
e Pjetër Arbnorit u duhej, por jo më Pjetër Arbnori dhe çuditërisht atë e
sollën jo bashkëpunëtorët e tij, partia e tij, por kundërshtarët, ata të
partisë, që kur ishte e vetme, e burgosi.
Tashmë
në bronz, statujë, gjithsesi na (ri)kujton atë se sa njeri ai ishte, e kundërta
e bronzit, shumë njerëzor, ndërkohë dëshmitar dhe kundërshtar i paepur i së
keqes, qendrestar në burgje dhe triumfator për të gjithë bashkëvuajtësit e tij.
E
sulmuan, e përfolën? Po. E deshën dhe e nderuan? Po, dhe më shumë…
E
krahësuan me Nelson Mandelën, e ka patur më të vështirë se ai, them unë.
Mandelës i thoshin që po të ndërronte mendim e qendrimet, e lironin nga burgu.
Me të burgosurit shqiptarë nuk kishte tolerime të tilla dhe ishin të ndaluara
rreptësisht idetë.
Václav
Havel në burg kishte makinë shkrimi në dhomën ku e mbanin mbyllur, për të
burgosurit shqiptarë kishte vetëm makina torturash dhe punonin si skllevër
kampeve, në miniera të tmerrshme, etj, etj.
* * *
Pjetër
Arbnori është një dukuri, mund të themi. Sa e veçantë, po aq dhe shembëlltyrë.
Erdhi nga terri i thellë i dënimeve dhe u bë i njohur në postdiktaturë, në
tranzicionin e vështirë, që s’mbaron, teksa i ishte bashkuar lëvizjes për
demokraci duke u bërë dhe lider i urtë. Ashtu mbeti, dinjitoz, me luftë të
brendshme, jo revolucionar, që besoj se nuk e honepste më, por ai shkaktonte
dhe shamatë përreth, jo vetëm nga opozita e tij. I ngadaltë, po i sigurtë. I
dijshëm, pa shumë fjalë, por dhe polemist dhe orator. Edhe shkrimtar Dha më
shumë se ç’mori. Donin më shumë prej tij, por aq ishin mundësitë. Realitetit i
dha praninë emblematike tonën. Donin të harrohej, befas kur s’pritej, u kthye i
statujtë. Që edhe ajo përflitej. Ai përsëri hesht, shumë e më shumë.
Na
ka lënë disa libra për të cilat një studiues në Itali, Prof. Giuseppe
Gradilone, kur ishte Drejtor i Katedrës së Albanalogjisë në Universitetin “La
Sapienza” në Romë shkruante se Arbnorin nuk e çoi letërsia në liri, por
robëria, burgu e çoi atë te letërsia.
29
vjet burg. Më shumë se mosha e shkrimtarit, bashkëqytetarit të tij, Migjenit.
Qendresa
e Arbnorit, fati i tij, lartësimi dhe ndihmesa, të harruarit dhe rikthimi janë
me interes, vërtet përbëjnë një dukuri, ku më shumë se sa Arbnorin, kuptojmë
kohën, ecurinë e saj dhe të tjerët, ata që bëjnë kohë dhe si. Dhe me Arbnorin
kuptohet Shqipëria e sotme, demokracia e saj, mes traumave dhe shpresave,
mashtrimeve dhe arritjeve, humbjeve dhe harresës, lirisë dhe kaosit në dyert e
mbyllura të Europës.
Ai,
Arbnori, është pjesë e historisë bashkëkohore ashtu si mes atyre që e njohën
dhe punuan, që e deshën dhe e sulmuan, atëhere dhe prapë që i përballi
urtësisht në gjallje dhe ende më urtësisht i statujtë.
Statuja
e tij ashtu e mënjanuar, që sikur është bërë më shumë për të mos u dukur se sa
për t’u dukur, prapë thotë dhe shqetëson kujtesën, jo vetëm parlamentare, të
akademisë aty pranë, të rojeve me armë, të partisë së tij, që proteston, do të
meritojë atë fitore kur kishte në gjirin e saj Pjetër Arbnorin, - e deshën apo
u duhej (?!) - Arbnori shqetëson gjithsesi pushtetin, qoftë dhe me atë thënien
anekdodike që “socialistët nuk janë socialistë, por specialistë”, pra mungonë
idealet, etj, etj, por në fund të fundit Arbnori bëri që të bashkohen
simbolikisht përballë statujës së tij.
Por
më shumë se sa statuja, Shqipërisë i duhet Fryma e bashkëvuajtësve të Pjetër
Arbnorit, idealet e tyre dhe ëndrra, sepse dhe kundërshtarët e tyre janë të
detyruaf dhe kanê interes atë Shqipëri për të cilën ata u persekutuan, por
qendruan, u martirizuan, por triumfoi ideali i tyre dhe kryeministri tani mund
ta thotë me zë të plotë se cilët ishin në anën e drejtë të historisë. Kurrsesi
ata që sollën tiraninë. Prandaj dhe u desh dhe s’u pengua metamorfoza e tyre
antikafkiane…
ARBNORI-NJERI, NJËRI NGA
NE
…e
njoha dhe punova me atë, do të doja të thosha diçka, grimca ndodhish, që mendoj
se shpjegojnë më përtej. Më thërrasin qendresa dhe dëshpërimi i tij i fundmë,
triumfi dhe zhgënjimet, urtësia e tij thërret po aq shumë.
Së
pari emrin “Pjetër Arbori” e dëgjova në burgun e Spaçit, ma tha këngëtari
Sherif Merdani… atje në Burrelin e zymtë, muretrashë është dhe ai… di shumë, i
urtë…
Emri
i tij më kumboi mirë, sikur bashkohej e shenjta me arbëroren. E si mund të
futej në burg ai emër? Shkruante dhe përkthente, thoshin. Tregimeve dhe
romaneve të tij u vinte emër shkrimtari të huaj, sikur ishin përkthime. Me emër
tjetër ai ishte regjistruar dhe në universitet, sepse nuk i lejoheshin studimet
e larta për shkak të biografisë, ia kishin pushkatuar babanë. Pastaj dhe atë e
dënuam me pushkatim se donte të themelonte një parti tjetër, klandestine,
demokratike. Pushkatimin ia kthyen në burgim të përjetshëm..
Me
emër tjetër universiteti, pastaj parti tjetër e fshehtë dhe me emër tjetër
romanet e tij në burg, të gjitha për të mos u tjetêrsuar si njeri së brendshmi.
Por
s’ishin tjetër qëndresa e tij në një jetë pa jetë, guximi i të qenit sa më njeri
dhe në ferr, kur s’lejohej, mbrojta e vetes, ngjitja e copave të thyera,
dinjiteti i natyrshëm, grevat e urisë në burg dhe në parlament, drejtimi i tij
me urtësi të hekurt, përballjet me sulmet e egra të kundërshtrve dhe diabolike
të të vetëve.
* * *
Dua
të risjell këtu copëza rrëfimesh domethënëse, i nxora nga harresa. Njeëra është
te burgologjia ime “Rrugët e ferrit”.
1.
DUHANI I PJETRIT…
Burrë
i ditur në Burrel (në burg), thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo,
ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, ka
vlera.
-
Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap atë 1 kg
duhan që më ka ardhur nga shtëpia, - u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet.
Vërtet
ç’ujëvarë drite, një tuberkuloz i florinjtë dergjej në frëngji! Kurse hëna
s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret ciklopike. Drita e hënës sikur
gurgullonte nga ajo copë nate përtej.
U
përzgjodh juria (me të burgosur). U mblodhën poezitë, copa letre, copa lëkure,
shpirti… ca ishin gati, dikush po donte të përshtaste një tjetër a të bënte të
re. Dhe si më e bukura u zgjodh ajo e kolonjarit Luan Burimi. Po ky e ka
poezinë në mbiemër. Në emër ka luftën. Ngjan pak me të Alfred De Myse. Jo, jo,
është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Është stili i tij
kështu. Urime, Luan! E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në
burg!
Asnjë
gazetë nuk do të shkruajë, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë,
ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për
komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, pará, studio, udhëtime jashtë
shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por as një mërmërimë. Të
paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që
s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni…
2.
Më
pas, kur ra perandoria komuniste e Shqipëria mori tjetër udhë, do të na
ndodhnin gjëra që as guxonim t’i ëndërronim.
Ja,
Pjetër Arbnori do të vendosej si kryeparlamentar pikërisht në zyrën e
diktatorit Enver Hoxha, në ngrehinën ku kishte qenë Komiteti Qendror i PPSH-së
e shndrruar tashmë në Kryesi të Kuvendit.
Në
burgologjinë time të dytë “Ferri i çarë”, e rrëfej këtë, përjetim imi:
PJETRI NË ZYRËN E
ENVERIT
Kur
hyra për herë të pa rë në zyrën e Diktatorit në ngrehinën e Komitetit Qendror,
pata ankth dhe një frikë të tjetërllojtë, të mistershme. Kujtova se do të
kapërceja mbi kufoma për të mbërritur në atë derë. Trokita. Ja, ja, nga kjo
zyrë i vinin mynxyrat Shqipërisë. Shandani në tavan po më dukej si kokë e
prerë, e kapur nga flokët e përgjakur. E pabesueshme.
Në
poltronën e tij qe ulur Kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit, Pjetër Arbnori,
mbas 29 vjetësh burg. Prapë me rojë ai, dikur e ruanin si të burgosur, tani…
“Pse,
nuk u pushkatua ki? – pyeti fantazma e Enver Hoxhës. – Apo u kthie këtu pas
vdekjes së vet, fantazmë si unë? Kot ia falëm atë dreq jete, na paska dashur të
themelojë parti tjetër ki, është dhe katolik, do të më kenë mashtruar, vetëm
tradhtarë kam pasur përreth, jo bashkëpunëtorë.”
–
Dua të punojmë bashkë, – më tha Pjetër Arbnori, – merru me bibliotekën dhe
shtypin këtu. Pranon?
–
A nuk është e tmerrshme?… – e në vend të thosha “zoti”, desh mërmërita: – Shën
Pjetër.
Pashë
në tryezën e tij telefonat. M’u dukën si mjete torture.
–
Nuk di t’i përdor, – më tha, – sidomos këta të brendshmit. Butonat kanë ende
emrat e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të ministrave të pushkatuar. S’dihej
a u telefononte dhe atyre, i thërriste të vrarë. Poshtë ndërtesës është
labirinti, bodrumet dhe kanalet e nëndheshme. Të çojnë nëpër vilat e gjithë
udhëheqjes. Në punë do të vish me kravatë.
Ndërsa
po më përcillte, vura re se i tërhiqte si zvarrë këpucët e bardha, “ngaqë ka
mbajtur gjatë vargonj ndër këmbë, – mendova, – dhe vazhdimisht ka ecur me
shapka burgu.”
–
Dëgjo, po të duash, zbrit me ashensorin e Enver Hoxhës, del më shpejt, – dhe më
shtrëngoi duart.
Kur
u mbyllën dyert, m’u duk se isha në një dhomë të ngushtë nga ku do të
shpërthente gazi i vdekjes. Nëpër pasqyra më fanitej Enveri. Jo kaq pranë tij,
o Zot! Ashensori po zbriste për në ferr.
3.
PARA SE TA BËNIN STATUJË
DHE MË PAS
Nga
të qenit simbol i vuajtjes dhe i qendresës në diktaturë dhe deri sa u bë
statujë në demokraci është në mes koha e Pjetër Arbnorit – njeri. Meqënëse ai i
mbart dhe i bashkon këto dy kohë, le ta quajmë dhe ne atë “demokraturë”, me të
gjitha kuptimet që i japin asaj...
Kam
ndjesinë se, e përsëris, që ta kuptojnë se e kemi kuptuar dhe e dinim, në fund
të fundit më shumë janë dashur simboli dhe statujat e martirëve, të të
pushkatuarve, atyre që vdiqën burgjeve dhe i përndoqën gjithë jetën, gjatë
gjithë regjimit mizor që sundoi gjysmë shekulli e vazhdon ndryshe, se shpirti i
tyre, idealet dhe porositë, fryma e te përndekurve, e them shpesh, ajo është
era që solli ndryshimet dhe rruga për t’u bashkuar me kulturën EuroAtlantike.
Dukuri
kësisoj kanë dhe kohë të tjera, dhe
vende të tjerë, besoj, por jo kaq të rëndomtësuar deri në mosmirënjohje e
pabesi sa tani në vendin tonë.
Besoj
se njerëz si Pjetri kuptonin ç’po ndodhte si promotorë të demokracisë dhe u
vunë me shpirt në ndihmë të ndryshimeve, e kapnin veten që edhe po përdoreshin,
por më e rëndësishmja se tërheqja ishte dhënia e moralit të tyre kohës, e të
drejtës, bashkëpunimi me kundërshtarët, me të konvertuarit, s’kishte kusht
tjetër, kjo bëhej për Shqipërinë.
*
* *
Arbnorin
unë e pashë të ishte i qetë, gjë që e bënte të dukej si me shumë heshtje, me
një si tis trishtimi të pandarë, edhe kur buzëqeshte sokratisht.
Shef
i shkëlqyer, thoshim. I palodhur. I drejtë. Si kryeparlamentari i parë në
demokraci, në ngrehinën e Kryesisë kishte dhe punonjës të së kaluarës, kur aty
ishte Komitetit Qendror i PPSH-së, që frika po u dilte shpejt nga ne. Pjetër
Arbnori jo vetëm që nuk bëri luftë klase, por kur dilnin delegacione apo grupe
jashtë shtetit, kujdesej vetë që t’u vinte radha të gjithëve dhe atyre që
kishin 10 apo 20 vjet punë e nuk kishin dalë kurrë jashtë me Enverin.
Arbnori
u përball. Përgjigjej rrallë ose fare. Kujtoj kur e sulmoi një herë deputeti
Azem Hajdari. Kishte filluar shpërdorimi i dosjeve, i atyre që kishin mbetur
pas djegieve. Në media unë dola në mbrojtje të Pjetrit, jo vetëm si
bashkëvuajtës i tij, se ne ishim vetë dosjet e gjalla, por në mbrojtje të së
vërtetës. Azemi më erdhi në zyrë gjithë përzemërsi, jo vetëm që më dha të
drejtë, por dhe më përgëzoi. Ishte rrezatimi i Pjetrit, që lëshonte mirësi.
Drejtpeshues dinjitoz i çështjeve. Mbaj mend që vizitoi në burg dhe vejushën e
diktatorit, Nexhmie Hoxhën, të dënuar për shpërdorim të fondeve shtetërore në
Bllok dhe jo të shpërdorimit të pushtetit, të rrënimit të Shqipërisë, të
izolimit të saj, të vrasjeve dhe persekutimit gjeneral.
Kushtet
e burgut te vejushës së diktatorit ishin ku e ku sa herë më të mira, madje
luksoze, po të krahësosheshin me ato të Pjetrit dhe të të gjithë burgosurve
shqiptarë të regjimit të asaj.
Pjetri
takonte me shumë dëshirë Shenjtoren Nënë Tereza, kur vinte në Tiranë, po e
kisha parë të ikte me qejf dhe në takimin me atë aktorin komik anglez, i njohur
si Pitkini, që kishte ardhur për një vizitë në Tiranë.
*
* *
Te
Pjetri ndjehej familja, përkujdesi, nëna dhe motrat në burg dhe tani
bashkëshortja, ngazëllimi i dy fëmijëve të tij, vajza dhe djali që kishin emrat
e prindërve të tij, i kishte ngjallur, - siç thuhet popullorçe.
Sqima
në veshjen e tij kishte dorë gruaje, ngjyrat e çelëta, jakat e bardha, këpucët
e bardha. Ishte bashkëshort i mirë, gjithë kujdes si babai i dy vogëlushëve të
bukur. I pëlqente të fliste për ta.
I
shkoja shpesh në zyrë Kryetarit dhe i kërkoja takime të atyre që i kërkonin
ndihmë, ndonjë grup për pronat që nuk po i merrnin dot, ndokush për shkollë për
fëmijët e ish të persekutuarve, donte të futej në punë një tjetër, ish i
burgosur. Dua në doganë, kërkonte njëri. Pse pikërisht atje, më thoshte Pjetri,
mjafton të futesh në punë.
Kujtoj
poetin Frederik Rreshpja, bashkëvuajtës me ne, mik imi, kur isha student në
Shkodrën tonë, që më tha t’i thosha Pjetrit se po i konfiskonin shtypshkronjën,
nga që kishte shtypur trakte, që bënin thirrje për të mos votuar referendumin
për Kushtetutën e re dhe kundër Presidentit Berisha.
Ç’të
bëjmë? - më pyeti Arbnori, - ai s’është as me ne, - buzëqeshi shpotitshëm. Po
na bashkonin pranga dhe vuajtja. Dhe poezia… po dhe aq sa kishte të drejtë. Dhe
Pjetër Arbnori si Kryetar i Kuvendit (s’e duronte fjalën “Popullor”) dha porosi
me shkrim që të mos cënohej Frederik Rreshpja, as të përdorej zell politik e
gjoba, jo më shumë se ç’e përmbante ligji, mundësisht më pak.
Në
zyrën e tij hynin shpesh deputetët Uran Butka, Pjetër Pepa, mbaj mend dhe
botuesin Shefki Hysa, po përgatitej vepra e radhës, etj, etj.
Me
Arbnorin kisha udhëtuar me helikopter për një takim të gjerë kulturor në
Sarandë. Në kthim ai do të ikte në Shkodër, por unë doja të ndalja në Lushnjë,
te ime më dhe ai u tha pilotëve që të uleshin ku të mundnin. Helikopteri
zbarkoi në fushën ndanë stadiumit. Të rinjtë që po luanin me top, e ndërprenë…
Nën
helikat që krijinin vorbulla të forta ere, zbrita unë, ou, kush na qenka!…
Arbnori
erdhi dhe vetë në Lushnjë për të parë në teatër një pjesë të tim eti,
“Përqafime i dy kundërshtarëve”, rivihej në skenë pas gati gjysmë shekulli, që
nga koha e luftës. Por ne duhet ta dekorojmë këtë autor, tha.
Ne
takimet zyrtare i pëlqente të thoshte se ai, si Kryeparlamentar, ishte katolik,
Kryeministri ortodoks dhe Presidenti mysliman. Një rastësi kuptimplotë për ne,
shtonte. I rëndonte koka si e Çurçillit.
E
kisha parë dhe në takime të vështira. Mbaj mend atë me një grup të madh
parlamentarësh grekë, mbi 20 veta, të cilët kërkuan që në takim të ishin vetëm
me të. Dolën këshilltarë e bashkëpunëtorë të tij, unë nuk dola, mbase nuk rashë
në sy se ndodhesha mes grekërve. Ai i vetëm i përballoi me sukses, tregoi se e
njihte historinë e tyre po aq mirë, në mos më shumë se ata. Dhe e mbrojti
bindshëm situatën e rënduar në Jug dhe premtoi zgjidhjen.
Kisha
qenë me Arbnorin-kryetar Parlamendi në vizitat zyrtare në Maqedoni e në Rumani.
Me homologun e tij rumun, një autoritet me ndikim të madh, Arbnori ishte
perfekt.
Gjeja
rast dhe i thosha të mos harronte Ditarin e Burgut, duhej botuar patjetër, jo
vetëm romanet dhe novelet dhe letrat. Aty, te ditari është rëndesa…
-
Eh, - më thosh, - nuk kam kohë tani, kur të dal në pension.
-
Po jepua të tjerëve, të paktën ta daktilografojnë.
-
Eshtë me një alfabet që e kisha shpikur vetë, - më shpjegonte, - për të mos ma
kuptuar policët e burgut dhe tani e kam harruar, nuk e lexoj dot as unë.
Kur
përgatiti për botim novelën lirike “Bukuroshja dhe hija”, i thashë se është e
çuditëshme historia se si e kishte shkruar atë në birucë, në ata shiritat e
bardhë anëve të gazetave. E kishin dënuar nga që kishte lënë shtrembër shapkat
e veta të grisura në fund të shtratit.
Megjithëse
i ngarkuar me shumë punë, e shkruajti natën hyrjen që ia kërkova. Ja, tha. Ia
bashkëngjita novelës si një hyrje, aq sa absurde dhe e trishtë. Poeti Teodor
Keko, deputet kundërshtar me Arbnorin, shkruajti një kritikë vlerësuese për
librin, i goditur më shumë pikërisht prej saj, hyrjes, kaq e bukur, e rallë, -
më tha dhe mua.
Nën
kujdesin e shkrimtarit Novruz Shehu, mik imi, dolën të gjitha letrat e burgut
të Arbnorit në vëllimin e madh “E dashtun Nanë”.
Më
pas në Itali Arbnorin do ta prisja edhe unë, punoja në ambasadë si ministër
këshilltar për kulturën. Si asnjë personalitet tjetër i lartë, ai kishte
dhurata për të gjithë personelin, që nga ambasadori e deri te pastruesja.
Djalit
tim të vogël i dhuroi një arush të madh. Shoferi atje na tha se për herë të
parë merrte një dhuratë nga një funksionar i lartë.
Pjetër
Arbnori si shkrimtar që vinte nga burgjet mbajti një ligjëratë në Universitetin
“La Sapienza” në Romë, në auditorin e madh të mbushur plot. Aty njoha dhe
vajzën e shkrimtarit Ernest Koliqi, themelues i Albanalogjisë në atë
Universitet. I iku regjimit, që e kishte dënuar me vdekje si kolaboracionist….
Dhe
në New York, më treguan kolegë, i tillë ishte shfaqur Arbnori, dinjitoz dhe
modest, po edhe si burrë shteti, po kështu dhe në Washington.
PRESIDENTI I MUNGUAR
Mbas
vitit të çmendur 1997, kur Partia Demokratike dhe Arbnori ranë në opozitë,
pritej, jo vetëm nga adhuruesit e tij, që ai me konsensus të ishte Presidenti i
Republikës. Si Kryetar Parlanenti, tani që s’ishte më, kuptohej që s’kishte
patur shok, i rrallë, i shkëlqyer, - thoshin.
Po
si President? Aq më mirë do të ishte! Sfidant! Vinte nga burgu dhe gjykatësit
që e kishin dënuar, ishin ende gjykatës, madje dhe të ngritur në pozitë. Eh,
këtë s’e falnin bashkëvuajtësit, shumica. Ndërsa krerët lart, pozitë-opozitë do
ta duronin dot Presidentin e Republikës një ish të burgosur politik, kur vetë i
kishte rritur ai regjim, edhe me pekule. Ç’duhej bërë? Ja, si me statujën më
pas, me mirë statujë se sa president. Simboli i tij duhej zbehur. I të gjithëve
si ai. Ndoshta
kjo
ishte e vetmja çështje ku bashkoheshin pozita me opozitën.
Pjetri
dinte të ishte dhe i sakrificës. Për fjalën e lirë u fut në një grevë të
vështirë urie, i mësuar me to nga dikur.
Ndërkaq
dhe më pas e ruante atë buzagazin dhe humorin shkodran mes miqve. Dhe miqtë e
tij mbeteshin të pandryshuar, po ata që kishte patur në burg në qeli e
pasburgut, kur punonte si marangoz. Po kështu dhe heshtja dhe një ai trishtim
misterioz.
Kur
rierdhën në pushtet demokratët, po thuhej se ai mund të shkonte ambasador pranë
Selisë së Shenjte në Vatikan. E priste me shumë dëshirë, por nuk më kanë thënë
gjë, më tha urtësisht një pasdite, kur ishim në një koktej.
Ndërkaq
unë i kërkova ndihmë për djalin, do të fillonte shkollën, klasën e parë. Ai u
përkujdes, shkoi te Ipeshkvi ynë Rrok Mirdita dhe im bir u regjistua në
shkollën katolike “Ylber” në Tiranë, ku ishin dhe fëmijët e tij e ai zuri
miqësi me ta.
Takoheshim
përzemërsisht në përurime librash. Rrallë. Si të papunë të dy. Dukej sikur dhe
harresa po marrshonte fitimtare. A thua kishte mbaruar misoni i Arbnorit?
PIRAMIDË DHE BRONZ
Iku
vetëm në Napoli, për të mos i bërë merak familjarët, për të kryer një ndërhyrje
kirurgjikale, aspak të vështirë, por ndodhi ajo që s’pritej, befas vdes në
spital.
E
shoqja, Suzana, kërkoi që ceremonia mortore të mos ishte zyrtare. U mblodhëm
shumë qytetarë në Katedrale në Shkodër.
Ndërkaq
Piramidës së diktatorit Hoxha, të rrjepur e bërë copë-copë, por të shndërruar
në Qendrën Ndërkombëtare Kulturore, i vunë emrin “Pjetër Arbnori”, të atij që i
kishte marrë zyrën së pari Enverit.
Tani
dhe piramidën? Por nëse do të prishej siç diskutohej e protestohej, do të
humbte dhe emrin e ri. Por faji s’do ishte i askujt.
Kur
punoja në Ministrinë e Kulturës, i emëruar si drejtues i saj, një ditë më bie telefoni
në zyrë. Ishte shkrimtari Stefan Çapaliku. Më tha se skulptori Sadik Spahija
kishte realizuar një bust të Arbnorit dhe se është në nderin e të gjithëve që
ajo skulpturë të vihet diku në Tiranë, në Parlament, kudo, patjetër.
Më
bëri përshtypje një si këmbëngulje e tij. Sikur kërkonte të trande pluhur
harrese. Dhe nisa interesimin tim më lart. E njihja fuqinë e atij skulptori, e
kisha parë te grupi skulpturor i poetëve të Librazhdit, sa tronditëse! Kërkova
vendin ku mund të vendosej. Po nuk është realizuar mirë busti, mora një
përgjigje nga një zyrë. Dhe ca më lart më thanë për ta lënë për më vonë këtë
çështje.
Ç’kanë
ata me anën artistike te veprës, u nxeh me të drejtë Çapaliku, detyra e tyre
është të caktojnë vendin se ku mund të vihet, se për anën artistike përgjigjen
artistët, konkursi, komisioni që e ka miratuar. E kur më vonë?
Ndieja
një si bosh te vendet ku mund të vihej skulptura e Pjetër Arbnorit. Te qenë
zënë të gjithë piedestalet. Boshi më kaloi dhe brenda vetes. Një si braktisje
dhe ankth i ftohtë... Më mirë vonë se kurrë. Me ironi apo pa ironi? Mbasi priti
nja 10 vjet statuja e Pjetrit, e nxorën për ta vënë në lulishten para ngrehinës
ku ai punoi si Kryeparlamentar. Dhe e sollën kundërshtarët e tij. U mblodhën në
përurim jo vetëm familjarët dhe miqtë e përhershëm, por Kryeparlamentari Ruçi,
ai që akuzohej drejtpërsëdrejti për masakrën e 2 prillit në Shkodër, ku Pjetër
Arbnori ishte mes protestuesve, Presidenti i Republikës Meta, i përfolur për
korrupsion galopant, i arrestuar vitin që shkoi, ndërsa nga opozita ishte
kryetari Basha dhe Zonja Topalli, ish Kryeparlamentarja tjetër demokrate, e
para grua. Të dy s’do të flisnin me njeri-tjetrin e plot aventura të tjera.
Erdhi dhe Berisha – themeluesi i opozitës zyrtare, President dhe Kryeministër i
saj, lideri historik. Me të cilin Arbnori bashkëpunoi me përkushtim e
besnikëri.
Më
dukej sikur nga çasti në çast shtatorja e Arbnorit do të shpërndante cigare të
dredhura, nga ai duhani i tij i burgut.
Ai
urtësisht gjithsesi sikur e dha një tërmet të vogël kundër harresës së dëmshme.
Busti i tij mbartte qortim për të gjithë në heshtje. Dhe ashtu siç nuk pëlqehet
qortimi gjithmonë, edhe pamja e tij e bronztë ngjalli pakënaqësi dhe shkaku
s’është më Pjetri, por simboli i tij.
Ndjej
që më thërret dhëmbja e atyshme. Statuja e Pjetrit ka enigmën e një zemërimi
sublim të një të burgosurit të madh, zhgënjimin dhe ëndrrën e vrarë. Edhe nëse
nuk e pikasëm te origjinali. Dhe fletët e librit në krah. Të shkruara e të pa
shkruara. Nga që kemi mjaft për të thënë, edhe pas vdekjes.
*
* *
Unë
shkruajta me rastin e vendosjes së
bustit të Pjetër Arbnorit, artikulli doli në disa media dhe jashtë vendit. Aq.
Dhe do të harrohej dhe bronzi i tij si për të shmangur më pas sa më shumë dhe
atë ëndërr e atë frymë që vjen nga martirët, të vrarët dhe të burgosurit e të
internuarit, nga revoltat e studentëve dhe të qytetarëve, aq të domosdoshme për
lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe të popullit dhe të atdheut. Duhet të rinisë
nga opozita. Në pritje të një vizioni të ri të lidershipit.
E
rëndësishme është rikthimi i asaj fryme. Duke u sjellë busti i Arbnorit prej
kundërshtarëve, le ta shohim, mendoja atëhere si një përpjekje për t’u pajtuar
bashkarisht me historinë, një mirëkuptim dhe shtrirje dore, ndjesa e paguxuar
dhe kështu busti i Pjetër Arbnorit bëhet më i patundshëm dhe dyfish i vyer.
Ngjan si i një porosie biblike, që “armiqtë t’i bëjmë vëllezër” dhe Pjetër
Arbnori, aq sa ishte e munduar, ia doli. Edhe tani me vetminë e trishtë të një
satuje.
Apo
ishte mashtrim, më thotë një zë tjetër. Gjithsesi statuja është… ajo për ju, ne
pasuritë e Shqipërisë, deri dhe te florinjtë e familjes së Pjetrit, që ia
konfiskuan, kur e arrestuan dhe nuk i mori kurrë, edhe pse e fitoi të drejtën
me gjyq. Ma tha vetë Pjetri: E di që
s’do t’i marr, por fitova moralish, - e mbylli.
EPILOG I VOGËL, JO VETËM
PËR MUA
Na
ndodh shpesh të flasim me shokë, më shumë për të kaluarën, ku e tashmja është
si një zgjatim i keq i saj, por për më mirë, - themi, jo një zëri. Janë po ata
ose bijtë e tyre, që bënë diktaturës, që duan të bëjnë dhe demokracin?, por po
e sundojnë…
Natyrisht
që kujtohet dhe Pjetër Arbnori, me nderim për dinjitetin, për qetësinë në
Parlament, thotë një tjetër, drejtpeshimin, për vuajtjen, mos-hakmarrjen,
shtojnë, duhet të bënte më shumë për shtresën e vet, vazhdon ndokush që e di
veten shtresë tjetër, madje duhej të jepte dorëheqjen, hidhet një tjetër, që
vetë s’ka guxuar për asgjë, ju mashtrian, ju, të persekutuarve…
Pse?
Ty jo?…
Po
prapë jemi ne… - ma thonë si me humor të zi, por dhe me kënaqësi dinake. Edhe
pse jetojnë në SHBA, të lirë, janë pasuruar shumë, por s’u ikën nostalgjia për
kohën e tyre, enverizmi u shpifet në eshtra si reumatizma kur vrenjtet moti,
kur Moska nxjerr dhëmbët apo Kina po bëhet superfuqi, sipas tyre, i deh
globalizmi… Bashkëvuajtës të mi dëshpërohen me të drejtë, prapë s’jemi mirë,
thonë, ka dhe nëpërkëmbje, harrim të qëllimshëm, ai dëmshpërblimi i qeverisë
dukej si shpërblim i dëmshëm, kam shkruar dikur. Por gjithsesi e kam gjetur
përgjigjen time, ngushëllimin, çelsin. Unë them:
-
Ne fituam, kauza jonë, nuk u bëmë ne komunistë, as Pjetër Arbnori me shokët e
tij, por ata u bënë siç donim ne, kapitalistë, pavarësisht… A po ndërtojmë
sistemin kapitalist, ekonominë e tregut, - vazhdoj të them, - me të drejtat e
njeriut të parat, liritë dhe besimin? Ata, ata erdhën në rrugën tonë… Kush ka
fituar?