E merkure, 30.04.2025, 03:33 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Ç'djall e sjell, nga ç’terr e turp?

E premte, 11.04.2025, 07:43 PM


Ç’DJALL E SJELL, NGA Ç’TERR

E TURP?

- në 40 vjetorin e (mos)ikjes

së diktatorit -

Nga Visar Zhiti

…për enverin vetëm nga burgu mund të klithje të vërtetën, dhe me zë të dënuari, edhe pse në heshtje për botën…

Ta kujtojmë apo t’ja lëmë në harrim më mirë? - pyes veten. Ujku mjegull do, thonë, po ashtu ai dhe rivjen…

Gjithsesi më duket se ndjej detyrimin të sjell sot një anti/poezi, nga ato që kisha bërë me mend në qeli, ku shpesh na linin me duart e prangosura e nuk lejohej madje as të ëndërroje, - e kam treguar në burgologjitë e mia. Për të mbijetuar shpirtërisht, sa do pak, që të mos çmendesha, bëja çmendurinë tjetër, krijoja poezi, pa i shkruar dot, ashtu me mend… Kur më çuan në burgun e Spaçit, gjithë ankth arrita të guxoj dhe t’ua tregoj poezitë disave prej bashkëvuajtësve, miqve më të ngushtë, që munda të kem ndër ato vite.

…gjithmonë dua të tregoj mirënjohjen time të përhershme per ata djem guximtarë, qendrestarë deri në heroizëm, që morën pjesë dhe revoltat e mëdha në burg, por donin dhe… poezinë, sidomos të bashkëvuajtësit, pra të tjetrit, si asgjëkundi tjetër.

Mua me të më shkarkuar në burg, së pari ia mërmërita në terr poezitë e mia çamit Bajo, kishim qenë bashkë studentë në Shkodër e ai më tha:

- Shkruaji, duhen si dëshmi, se ti mund të vritesh në minierë, por këto duhet të mbeten, i ruajmë ne, i mësojmë përmendësh...

Ishte ai që më nxiti dhe më mbrojti… më pas po ai ia tregoi poezitë e mia shkrimtarit Zyd Morava e ai kapitan Maks Rakipajt, me të cilin u bëmë shumë miq, i njohur tani si përkthyes i qindra poezive në shumë libra, po keshtu dhe (Is)Lam Spahiut, përkthyes veprash të mëdha, dhe shkrimtari tjetër Halil Laze, të tjerë që shkruanin fshehurazi e që do të botonin më pas, Ahmet Kolgjini, Astrit Xhaferri, Robert Vullkani, po kështu dhe Inxhinier Ismail Farka, mësues Roni, miqtë e internimeve të Lushnjës, të sjellë në burg, Dine Dinia, Lek Mirakaj, Esat Çoku, Naim Staravecka, trimat e çartur Prendi,  Landi e Mirushi... Ilir Malindi - që mezi pres ta takoj per kritikat e tij si brilantë të mynxyrshëm… po edhe ca shokëve që s’janë më Adriatiku, Vasoja, Linci, që dritë paçin!

Dhe atëhere besoja ashtu si dhe tani se poezia lind nga dashuria, - kam shkruar, por ja, që ndodh të derdhen në të mllefe dhe pakënaqësira të mëdha, urrejtje për diktaturën dhe dhunuesit. Urreja poezitë për tiranët, jo vetëm ato që i himnizonin, por dhe për poezitë politike, kundër, nuk i dua, seç japin një ndjesi qe s’eshte e poezise.

Hiqe nga libri, do më thoshte miku im, bashkëvuajtësi piktor Valer Dyrzi Tarasov, hiqe, dëgjomë mua, - e kushte fjaken per poezinë kundër enverit, - se ata janë aq të poshtër, sa u vjen mirë që edhe i shan, mjafton që i kujton. Ja, ju kemi bërë që të shkruani për ne, mburren, hiqe, mos ua jep këtë kënaqësi të ligë. Në pikturat e mia nuk ka fare as burg e as diktaturë, qëndro mbi to, injoroji, kjo i trullos. Po të trullosur janë […].

Valerit i jap të drejtë, “est-etikisht”, - kështu kam shkruar në një nga librat e mi, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, por po e risjell këtu atë poezi edhe si kundërshti per gjera të tjera më pas të shokëve te tjetë…

E kam botuar disa herë dhe së fundmi dhe si faksimile në librin tim anastatik “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”. Unë isha dhe jam mes atyre që e pësuan të keqen dhe e tregojnë… me libra.

MEDALIONI I DIKTATORIT

           - antibaladë -

Ku bëhen medalione diktatorësh,

ç’djall i sjell, nga ç’terr e ç’turp?

Ashtu me ndryshk si me përbuzje    

                                                           kohësh

ti i mbërtheve nëpër trup:

Gojë të Stalinit, dafina të Qezarit,

Hitleri të dha histeri dhe humbje.

Të ruan ty garda e Çingis Khanit,

në tribunat që (s’)dihet pse janë

                                                         të kuqe.

Triumfator rri mbi poltrone

dhe derdh fjalimet e tua shterpe.

Po si kështu, ne na rrënove,

fatkeqësira kudo si monumente?

Kaq dëm këtu s’kanë bërë

                                                  përmbytjet,

as edhe luftrat, jo asnjëherë,

u prish njeriu, u prishën virtytet,

nga humnerat e diellit biem në ferr.

Shpif armiq, gjendje bllokade,

që turmë e trembur nga pas të vijmë.

Medalionet e tua si luspa kafshe

në trupin e shtetit rrezëllijnë.

Kur te ty ngjallej Mao Ce Duni,

me mur kinez lidhe atdheun.

Ali Pashë Tepelena nga bodrumi,

me shpatën tënde (e) vret të vdekur.

Triumfator fle mbi poltrone,

magnetofoni lexon fjalimet shterpe.

Po si kështu, ne na rrënove,

revoltat ngrijnë si monumente.

Më e rëndë gjendja se e rëndë,

kur zgjidhje bëhet vdekja jote,

se për At-dheun dhe Ne-dheun është

medalion flakja e medalioneve.

Visar Zhiti

————————————

Poezia në “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”, Shtëpia Botues “Onufri”, Tiranë 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx