E merkure, 30.04.2025, 03:46 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Heshtja e së Premtes së Madhe

E premte, 18.04.2025, 06:56 PM


NË DUART E TUA

VENDOS SHPIRTIN TIM

- Heshtja e së Premtes së Madhe -

Nga Visar ZHITI

Poezi të shkruara në Tokën e Shenjtë.

TE VARRI I KRISHTIT

(Pa atë varr bota do të ishte më e vdekur, mërmerita në Jeruzalem…)

Vetëm për vetëm mbeta

te Varri i Krishtit,

Rashë aty dhe po e përqafoja.

Rrasa e varrit mori drithmat e mishit,

Plagë mermeri më dha… mister…

gozhda,

Që pa mëshirë iu ngulën dhe shpirtit,

Edhe ajrit, hyjnoren për të vrarë.

Po varri është bosh… Mrekullia e Birit

I kishte ikur vdekjes… ja, te ky varr!

Ngushëllomë, o Qiell, të përgjërohem,

Shpik ringjalljet!

Si mund të vdesë biri?

Vazhdo. Që varret bosh të kuptohen…

Merrmë, s’ka pse të jetë jetim prindi.

Ballin përplasa mbi varrin e Krishtit,

Pllaka u ça si shkëmbi i Golgotës.

Oh, jo, kafka ime ashtu krisi

Dhe rrjedh si gjak dhimbja e botës.


PËRPARA KRISHTIT

(Vazhdim i një poezie të Naim Frashërit)

Fytyra jote mua më tregon*, o Krisht,

Gjithë njerëzinë si në pasqyrën

qiellore.

Me Ty u nda bota mrekullisht,

U krijua e shkuara

dhe e ardhmja e kohëve.

Kaq shumë dhunë ka në Biblën

e Vjetër,

Vëllai i parë në botë

vëllait ia nguli thikën në shpinë.

Ti solle dashurinë me Biblën tjetër,

Me Biblën tjetër Ti solle dashurinë.

Të duam, the, dhe armikun

ta bëjmë vëlla,

Me dashurinë nga vijmë,

kjo tokë duhet mbjellë.

Në mish të ngulën gozhdë të mëdha,

Kryqi që ngritën, të ngriti në Qiell.

Fytyra jote u bë Qiell

nga të githa anët,

Me buzëqeshjet pafund të yjeve,

Prandaj dhe njeriu si kryq i hap krahët

Ti na le kryqin e përqafimeve.

Eja! E presim ardhjen Tënde

si shpëtimin.

Eja! Të ndalet djalli

dhe çdo fund djallëzor.

Eja! Agimet prandaj sjellin agimin,

Eja! Ardhjen Tënde afrojnë, o Hyjnor!

_____________________________

*) Varg i Naimit në poezinë “Përpara Krishtit”.

*  *  *

KUARTET ME KRISHTIN

NGA PIKTORË SHQIPTARE:

kryevepra sipas meje, ku kryqëzimi dhe ringjallja janë dhe në jetët

e katër piktorëve tanë:

1- Maestro Ibrahim Kodra,

…pasi mbaroi Akademinë “Brera” në Milano, nuk u kthye më të jetojë në atdheun-burg, u bë piktor me famë në Itali, i njohur në Europë, me mbi 6.000 vepra të shpërndara në të gjithë botën..

2- Maestro Lin Delija,

dhe ai i iku atdheut-burg, diktaturës enveriste dhe shkëlqeu si piktor dhe akademik në Itali…

Është i pari piktor në Perëndim që tregoi me art kalvarin e popullit të tij në regjimet totalitare…

3- Maestro Gjergj Kola,

gjeneratë e re që jeton në Itali, ku dhe gjeti vlerësimin meritar, ka hapur ekspozita dhe në vende të tjera, pikturat e tij kanë shkuar deri në Japoni e Amerikë dhe ka marrë shumë çmime…

4. Maestro Leonard Pervizi,

biri i të burgosurit politik, Lek Pervizi, që kishte studiuar për artet në Firence. Leonardi lindi dhe u rrit në internim në rrethinat e Lushnjës, i kam njohur, ku Judët, që drejtonin artin e socrealizmit në rreth, (rreth i Ferrit dantesk) ia kishin përcaktuar prerë djaloshit t? talentuar se “ti nuk do të ekspozosh kurrë piktura, se jemi ne në pushtet, ti je me biografi të keqe…”, etj, etj, ata tashmë janë konvertuar në demokratë dhe prapë ndëshkojnë artin, por Leonard Pervizi tashmë është Akademik i Arteve në Belgjikë, me piktura nëpër galeritë e famshme të botës.

Kuarteti i piktorëve tanë

ka dhe martirizimin dhe ringjalljen

e Atdheut…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx