Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmet Kraja: Për Fehmi Aganin

| E marte, 13.05.2025, 06:54 PM |


PËR FEHMI AGANIN

(Fjalë rasti në çeljen e ekspozitë në Akademi)

Nga Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Fehmi Aganin e kisha profesor të sociologjisë në vitin shkollor 1971/72. Amfiteatri i Pedagogjisë atëbotë mbushej plot studentë, qoftë sepse sociologjia ishte lëndë e vitit të parë për të gjithë studentët e degëve filologjike, qoftë edhe për faktin se ligjërimi i Fehmi Aganit, duke qenë permbajtësor, i qetë dhe i prajshëm, ishte, si të thuash, një derë jo aq e frikshme për të hyrë në botën e mistershme të dijes.

Shumë vjet më vonë, u takuam dhe u njohëm më nga afër, në fund të viteve ’80.

Ne, që ishim më të rinj, ishim entuziastë dhe idealistë. Ai ishte racional dhe më i përmbajtur. Së bashku themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Nuk them se u pajtuam për çdo gjë. Kishim mospajtime dhe ndonjëherë pikëpamje krejt të ndryshme. Por unë atëherë e kuptova se vokacion themelor i Fehmi Aganit nuk ishte sociologjia, por mendimi politik. Ai e lëvronte atë fushë me shumë gjeturi dhe fleksibilitet.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike mori përmasat e një gjiganti që nuk sundohej dot as nga themeluesit e saj. Kur filloi të improvizonte pushtetin, LDK u bë hapësirë e ngushtë, frymëxënëse dhe frymëmbytëse për lirinë e mendimit. Me gjithë mospajtimet që konceptualist na largonin, e çmova dhe e nderova Fehmi Aganin në heshtje, pa dijeninë e të tjerëve, për një arsye krejt të veçantë dhe të çuditshme: sepse de fakto, ndonëse nuk u tha asnjëherë zëshëm: Fehmi Aganin e përjashtuan dy herë nga kjo parti!

Kjo më bënte aleat me të, në punë të mendimit të lirë.