E diele, 01.06.2025, 05:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Bashkim Saliasi: Mendimtari i heshtur Xhevit Shtylla me vepra në seri

E diele, 11.05.2025, 06:44 PM


MENDIMTARI I HESHTUR XHEVIT SHTYLLA, ME VEPRA NË SERI

Nga Bashkim Saliasi

Rasti e solli që, në muajin shkurt të vitit 2011, të njihem me arsimtarin, publicistin, novelistin, tregimtarin, romancierin dhe matematikanin nga profesioni, Xhevit Shtyllën. Kishte ditë, që kishte ardhur në gjirin e kolektivit, por rasti e solli që pas një jave të takoheshim në zyrën e drejtorit. Pasi mbaruam punë me dorëzimin e evidencave përkatëse, mësues Xheviti m'u drejtua me pyetjen: "Pushim je, këtë orë mësimi?" "Po,- ia ktheva,- sa të mbaroj pak punë në kabinetin e informatikës, ku i kam nxënësit, që po më formatojnë kompjuterat dhe do të pimë kafe bashkë". Dolëm së bashku dhe u ngjitëm te "Lokali i Dyshes", në katin e dytë.

-Çfarë do merrni, profesor?- e pyes.

-Një çaj, se unë nuk përdor asnjë lloj pijeje. Kjo se, vite më pare, jam sëmurë keq dhe mbaj dietë.

-Nuk kam asnjë kundërshtim, ju merrni çfarë të dëshironi,-i them. Biseda jonë qe e shkurtër dhe Xheviti më tregoi se në Tiranë ka ardhur para viteve 1990 dhe që kishte kaluar peripeci për të bërë pasaportizimin. Ndërmjet të tjerash, unë e informova se kam botuar një libër dhe tani kam bërë gati tjetrin, me temë emigracionin, por nuk kam mundësi financiare.

Me modesti, profesori i matematikës më tregoi se edhe ai, me shumë sakrifica, kishte  arritur të botonte shtatë libra të gjinive: novelë, tregim, prozë, shumë artikuj publicistikë dhe në dorë kishte një roman. Gjithashtu, m'u shpreh se nuk ka mundësi të punojë intesivisht, pasi nuk e lejojnë puna e sëmundja.

-Me pak vullnet, i dashur profesor, ju mund t'ia delni mbanë, që ta mbaroni veprën tuaj, që keni në dorë,-i them. Ai tundi kokën dhe nuk foli. Ditën e dytë i solla librin tim dhe, bashkë me të, i dhash dhe novelën "Murro Myzeqari". Qëlloi që atë ditë të kisha pushim dhe, kur shkova të lëja regjistrin, e pyes Xhevitin  në se kishte pushim. "Po",-m'u përgjigj. Unë i propozova: "Kur të mbarosh punë, eja poshtë, te kabineti i informatikës". Pas pak, ai trokiti lehtë në derë dhe, pasi më kërkoi leje, u ul në karriken përball meje. Pastaj foli:

-Në radhë të parë, ju përgëzoi për librin, që ju keni botuar për vendlindjen tuaj. Ky është një thesar, që ju i keni dhuruar banorëve të fshatit tuaj... Sa kohë u është dashur të botoni një vepër të tillë?

-Punën për shkrimin e librit e kam nisur që në vitin 1975. Por më shumë iu përkushtova që nga viti 1998 e deri në vitin 2010, kohë kur arrita ta përfundoja e pastaj ta botoja, në sajë të ndihmës, që më dha nipi im, A. Saliasi.

-Mua,-vazhdoi qetë profesor Xheviti,- më tërhoqi shumë dhe fabula, që ju keni shkruar, e cila mund të kthehet në tregim ose novelë. Por mendoj se është disi e gjatë dhe kërkon një përpunim, që të marri vlera artistike më të arrira. Dita e mërkurë qe ajo më me fat për mua, kur profesor Xheviti, me atë qetësinë e tij të zakonshme të një burri të mençur, erdhi ngadalë në kabinetin e informatikës dhe më solli librin e tij "Dallgët e shpiriti" (tregime dhe novela), shoqëruar me shënimin: "Mikut më të ri, Bashkimit!" Sytë më shkuan menjëherë te redaktori.

-Librin tuaj e paska redaktuar një ish-student i Shkodrës,-i them profesorit.

-Pse, e njihni ju Asllanin,-më pyet Xheviti.

-Po, ai ka qenë një vit para meje dhe së bashku me gruan kanë mbaruar studimet në Shkodër. Në shtëpi, kur gruaja po përgatiste drekën, unë i "gëlltita" nja njëzetë faqe nga libri i Xhevitit. Ai më tërhoqi si me magji dhe nuk e lëshova nga dora, deri në faqen 100, "Burri i ambasadës". Më është bërë zakon që, pas leximit të çdo libri, të përgatis një recension ose mendim për përshtypjet nga leximi i tij. Me shumë kënaqësi dhe dashamirësi, refleksionet e mija po ia paraqes lexuesit dashamirës.

2. "Xhevit Shtylla, në rrugë të mbarë",- kështu e nisë recensionin e tij Musa Vyshka, për libin "Dallgët e Shpirtit" (tregime dhe novela), nga shkrimtari Xh.Shtylla. Në këtë libër do të gjeni tregime, ku ndërmjet tyre ky autor jep mesazhe njerëzore, shpreh shpirtin e tolerancës dhe i largohet intolerancës. Me penën e tij të hollë, nëpërmjet metaforës, ai mundohet të godasë veset, dukuritë e jetës aktuale, të cilën e pasqyron mjaftë bukur, që në tregimin e parë. Libri hapet me tregimin, "Ditë dimri me diell" dhe zanafillën e merr te fibula: "Ç'ke bërë, do ta bëjnë". Profesioni i tij është shkenca e matematikës, por shumë bukur lëvron letërsinë, në gjininë e romanit, novelës, tregimit, fabulës etj. Xheviti vazhdon punën e krijuesit me mjaftë pasion dhe syrit të tij nuk i shpëton asgjë, pa e pasqyruar sipas rastit në tregimet e tij, që nuk rresht së shkruari për ditë, duke pasqyruar vërtetësinë e jetës, që te ai lë mbresa. Diku, lexojmë:

"- Ti kërkon të më vrasësh mua, jo se nuk të dhimbsem, përkundrazi, të duhem shumë, po për të shkatërruar padrejtësinë e viteve që më plakën; vitet që shkuan do të zbrazen, s'do të kenë lidhje më me mua, ti do shfaqësohesh me hallin që të ka zënë, dhe, ajo ime re, nuk bën gjë tjetër veç detyrën, që i ka caktuar Zoti; teksa unë do të vdes, ju do të jetoni; veç ta keni të qartë, se ju nuk e meritoni lumturinë, përderisa nuk arrini të duroni shmëtinë....".

Tregimi është një aktualitet në ditët e sotme, ku shumë fëmijë kanë braktisur familjen e tyre dhe po harrojnë gjakun e vet. Mesazhi, që autori jep nëpërmjet këtyre rreshtave, është shumë kuptimplotë dhe i drejtohet asaj shtrese që arrin ta kuptojë. Shumë prindër, sot në Tiranë, jetojnë të vetëm dhe jo pak raste dëgjojmë kur të moshuarit vdesin dhe gjenden pas disa ditësh në vatrat e tyre të braktisur nga fëmijët e tyre.

Me një alegori tipike popullore, i mbështetur plotësishtë në gurrën popullore, autori Shtylla thumbon vezvezelinjtë, ata që harrojnë se nga kanë ardhur dhe nga rrjedhin. Pena e këtij  e hollë, që rrjedh si ata përrenjtë me rrëketë e vogla dhe në ecje e sipër e zgjerojnë shtratin dhe u japin jetë një mori gjallesash. Edhe Xh. Shtylla, në të shtatë botimet e publikuara, ka ardhur duke u rritur vazhdimisht dhe duke i dhenë një frymëmarrje të gjerë krijimtarisë së tij, ende të panjohur mirë. Ky autor është nga ata heronjtë e heshtur, që nuk di të mburret dhe me shumë modesti i tregon vlerat e krijimtarisë së tij. Diku lexojmë:

"- Në kohën tonë ishte ndryshe. Njeriu kishte cipë dhe mbi të nuk vinte asgjë. Sot të gjitha ndjenjat shiten për para; rrokopujë e interesit personal po mbyt gjithçka. I groposën dhe ato virtyte njerëzore, që i ringjallëm me mund e gjak...".

Në tregimin e dytë, "Shitja e vdekjes", Xh. Shtylla e godet mjaftë bukur vesin dhe elektualomanin, që shumë nga shtetarët po përdorin vend e pa vend, duke shtrembëruar gjuhën tonë të bukur dhe duke huazuar përditë e më shumë fjalë, që nuk janë të tabanit tonë kombtar.  Me mjaft mjeshtëri kritikon edhe dukurinë e shkollimit të shumë njerëzve, që me diplomat fallco kanë arritur të hyjnë në jetën e përditshme dhe në të gjitha sferat e jetës, duke ia zënë vendin të aftit.

Ndërrimi i sistemit bëri që shumë veta të shkolluar në kurse, tre dhe nëntë mujore, të bëhen shefa të atyre, që u ka rënë djersa pikë-pikë, për të fituar shkollën me meritë dhe jo duke paguar paratë. Dukuria,  të cilën përshkrova, ta ka ënda ta lexosh te tregimi "Fantazma e avokatit". Një mësues fshati, të cilit i mohohet dashuria dhe në sistemin monist, e rrasin në burg pas viteve '90-të, bëhet i babëzitur për prona e para dhe këto i arrin vetëm duke u bërë "avokat". Ja, një fragment: "...Avokat Miho Gorba kërkonte ndryshime në shoqëri, po si e qysh, s'dinte, veç e gënjenin sytë e mendjes me ato palo fjali: "Si në perëndim"...". Autori, me të drejtë, përshkruan me penën e tij ngjarje, të cilat ndodhnin në vitet e qeverisjes moniste, por nëpërmjet sarkazmës ironizon edhe dukuritë e ndodhura aktualisht te ne, ku shumë të burgosur u kthyen në "avoketër" dhe morën prona, që nuk u takonte. Dukuria e gjakmarrjes, një zakon që daton që nga Lekë Dukagjini, vazhdon të jetë aktual sot e kësaj dite në vendin tonë dhe autori Shtylla e skicon shumë bukur, ku vëllai me vëllanë janë bërë hasëm. Në tregimin, "Sërish ra murtaja" ai ironizon dukurinë e zënjes së tokës nga banorët, që vërshuan si një lumë pa drejtim të caktuar. Ndërsa në tregimin tjetër "Dallgët e shpirtit", ngjarjen e vendos në një fshat të Shqipërisë, ku me një metaforë të stërholluar godet veset që kanë lindur në ditët tona.

Autori  Xh. Shtylla rrëfen vetëveten, atë që ka jetuar dhe jeton, duke i sjellë lexuesit një krijimtari dinjitoze. Mesazhet, që jep ai nga njëri tregim në tjetrin, bëhen mjaft tërheqës.  Gjatë gjithë kohës, kur jeton me ta, të duket vetja se je në botën tënde  të viteve të dikurshme, që rrodhën shumë shpejt.

Po mbresat rizgjohen, kur nis e lexon këtë libër kaq të bukur të tij. Arti i shtjellimit të ngjarjeve, nga njëri kapitull në tjetrin, rritë tensionin dhe shton sasinë e adrenalinës. Vitet e dashurisë sikur ringjallen dhe marrin jetë. Vërtetësia me të cilën Shtylla  e përshkruan jetën e përditshme rrezaton mesazhe paqeje dhe krenari kombëtare.

Subjekti i librit,  në të cilin autori ndërton rrjedhën e ngjarjeve, ku përplasen shumë kultura, është aq aktual, sepse me mjaftë mjeshtëri skalit tipe dhe karaktere, që ne i ndeshim në jetën e përditshme.

Me të drejtë, lexuesi mund të pyesë: Po kush është Xhevit Shtylla? Ka lindur më 1949, në Gramsh dhe banon në kryeqytet. Ka mbaruar studimet e larta për matematikë dhe ka punuar mësues e drejtues shkollash, në vedndlindje  dhe në rrethin e Tiranës.

Që në shkollën e mesme është marrë me krijimtari letrare, poezi e prozë, disa prej të cilave tashmë i ka botuar në shtatë libra të veçantë si: "Pengu i marrë" (tregime), "Gruaja kryeneçe" (tregime), "Kënga e vetmuar" (poezi), "Zonjushat" (novelë), "Flaka në fustanin e një gruaje" (roman), "Dallgët e shpirtit" (tregime e novella), "Ethet e Oriksit" ( fabula), të cilat kanë një nivel të mirë artistik. Së fundi arriti të botoj romanin me titull "Skifteri Skavicës". I uroj mikut tim Xhevit Shtylla nga zemra shëndet të plotë dhe arritje të synimeve të dëshiruara!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx