E enjte, 08.05.2025, 10:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Mehmet Kraja: Disidenca e munguar

E merkure, 07.05.2025, 06:56 PM


Disidenca e munguar

(Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “Disidenca letrare shqipe”)

Nga Mehmet Kraja - Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Shpjegimi i parë i fjalës disidencë vjen nga kuptimi i saj në latinisht dissidens, që përbëhet nga dy fjalë: dis që domethënë kundër dhe sedere, të qëndrosh, pra, të qëndrosh kundër. Në shekullin XX “qëndrimi kundër” u lidh kryesisht me regjimet socialiste të Europës Lindore, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, ku personalitete publike si Solzhenjicini dhe Saharovi morën famë botërore, pastaj në Çekosllovaki Haveli dhe “Kartën 77”, ndonëse në një kuptim më të gjerë disidenca do të duhej të lidhej me sfidën që i bëhet rendit ekzistuar dhe me qëndrimet e pavarura intelektuale.

Vijmë tani te letërsia shqipe: a kishte disidencë në të dy përvojat letrare të letërsisë shqipe, në Shqipëri dhe në Kosovë dhe çfarë ishte ajo?

Në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike të mirëfilltë, sepse Kërlezha që më 1952 proklamoi pluralizmin e metodave në ish-Jugosllavi, pra largimin ideologjik të këtij shteti nga “socializmi real” dhe realizmi socialist i Bashkimit Sovjetik. Edhe Kosova ishte e përfshirë në këtë ndarje ideologjike, prandaj shkrimtarët e Kosovës nuk mund të kishin përball një armik ideologjik, por një armik tjetër më domethënës: armikun nacional. Që socializmi jugosllav të bëhej më i denjë për jetën e njerëzve edhe në Kosovë, e kishin ngritur zërin shkrimtarë si Hivzi Sulejmani (prokuror, me romanet “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim” ) dhe Sinan Hasani (politikan i niveleve të larta jugosllave, me romanin “Era dhe Lisi”) dhe kjo mund të quhet përballja e vetme dhe e fundit e përvojës letrare kosovare me ideologjinë socialiste. Në Shqipëri diçka e ngjashme mund të thuhet për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, por me nivel shumë më të lartë artistik. Në vitet vijuese, nga vitet ’50 deri në vitet ’90, politika në Kosovë u kujdes për disidencën nacionale dhe i dha mbështetje pa rezervë letërsisë moderne, të paangazhuar, sepse ajo natyrshëm e ndihmonte propagandën anti-Shqipëri, ku nacional-socializmi ishte bërë ideologji kombëtare, ndërsa realizmi socialist ishte metodë zyrtare e shkrimit të letërsisë.

Për t’i tejkaluar këto paradigma, do të duhej të shikonim më nga afër anatominë e disidencës letrare në Kosovë dhe në Shqipëri.

Siç e thamë tashmë, në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike, kishte disidencë nacionale. Përmes rrëfimeve historike, mesjetare ose të antikitetit, shkrimtarët kosovarë, përmes alegorive dhe metaforave, synonin të përballeshin me realitetin e zymtë nacional. Kështu, derisa shikoja nga dritarja e banesës sime në katin e pestë patrullat e policisë që kujdeseshin për orën policore në Kodrën e Diellit më 1982, në njëvjetorin e demonstratave, unë shkruaja “Udhëzime për kapërcimin e detit”, një alegori “kodër pas bregu” për atë që ndodhte para syve të mi. Këtë e bënë edhe shumë shkrimtarë të tjerë, përfshirë edhe disa prej atyre që janë identifikuar në paradigmën e kësaj konference. Kjo disidencë nacionale shkonte deri aty, saqë disa shkrimtarë tanët me emër, u shfaqën të dyzuar: gjatë ditës flitnin serbisht në mbledhjet e partisë, në mbrëmje i jepnin krah disidencës nacionale. Pra, bashkëjetonin me persekutorin, duke kërkuar hapësirat jashtëzakonisht të ngushta ku mund të vegjetonin.

Në Kosovë nuk u burgos asnjë shkrimtar për vepër letrare, por disa prej tyre u burgosën dhe u persekutuan për aktivitetin e tyre ilegal. Mbi të gjitha, më bën përshtypje fakti, si në Kosovë,si në Shqipëri, se edhe pas rënies së socializmit, nuk doli pothuajse asnjë vepër e rëndësishme e letërsisë, e shkruar në periudhën e ndalesave të mëdha ideologjike apo nacionale. Duket se kjo ndodhi për shkak autocensurës, por edhe për shkak të përvojës së paktë letrare, ose edhe më keq, për shkak se disa shkrimtarë në Kosovë e menduan socializmin jugosllav edhe si kuadër i mjaftueshëm madje i pëlqyeshëm për realizimin e interesave të tyre nacionale, siç do të shprehet një kritik yni me emër. Ndërkohë, në Shqipëri shumica e shkrimtarë u bënë deklarativisht dhe mendërisht mbështetës të diktaturës, me krejt qenien e tyre krijuese.

Pra, as në Shqipëri nuk mund të thuhet se kishte disidencë të mirëfilltë, së paku jo ata që afishohen si të tillë, për shkak se regjimi ishte aq i ashpër, sa arriti të kontrollonte jo vetëm shkrimet, por edhe mendjet e shkrimtarëve. Mund të gjenden disa tendenca disidence, por disi embrionale, të parealizuara në formë të qartë, si kundërvënie regjimit. Do të përmend këtu disa shkrimtarë të Shqipërisë, që u persekutuan, por e kam të vështirë të them se cili prej tyre mund ta mbajë atributin e disidentit. Ja cilët janë këta: Së pari Trifon xhagjika, pastaj Vilson Blloshmi, Genc Leka, Favzi Nela, nga të cilët shquhet Blloshmi, i pushkatuar nga vetë shkrimtarët e Shqipërisë, sepse ekspertizën e poezisë së tij “Sahara” e bënë Xharxhiu dhe Çuli. Një poezi “Sahara” e shkroi edhe Kadare, por asaj nuk i bënë ekspertizë, mbase për arsye se, siç thoshin latinët “Quod licet Iovi, non licet bovi”.

Më pas mund të radhiten shkrimtarët: Arbnori, Trebeshina, Xhaferri, Pllumi, Zhiti etj. Të tillë ka më shumë se një duzinë, por duhet thënë menjëherë se në veprat e tyre kishte një gjysmë-disidencë. Objekt i vërsuljes së shtetit në Shqipëri u bënë shpesh edhe ata shkrimtarë që shquheshin si mbështetës të realizmit socialist, madje duke u shpërndërruar si me magji nga shkrimtarë luajal në kundërshtarë të regjimit, siç ishte rasti me poemën “Pashallarët e kuq” të Kadaresë, e cila në analizat e mëvonshme, përmes një “përmbysjeje kuptimesh” mori atribute disidente. Apo romani “Tuneli” i Xhuvanit, që kishte vetëm një mëkat: nuk ishte si “Përsëri në këmbë”.

Ndoshta rasti Trebeshina meriton një vëmendje pak më të veçantë. Promemoria e tij ngre shumë pikëpyetje. Ky dokument nuk u gjend në asnjë arkiv të Shqipërisë, as në Arkivin e Partisë së Punës, as në Arkivin e Shtetit. Prandaj, ka dy mundësi: ose është shkruar më 1953, por nuk i është dërguar kurrë Enver Hoxhës, siç pretendonte Trebeshina; ose është shkruar pas rënies së diktaturës, në bashkëpunim me disa mbështetës të tij, si kundërvënie diskursit dhe mitit Kadare. Këto mund të quhen supozime, por është e sigurt se promemoria e Trebeshinës nuk pat asnjë ndikim në ambientin letrar të Shqipërisë së asnjë kohe. Më anë tjetër, në biografinë e Trebeshinës qëndron e shkruar se ai, që nga themelimi i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit më 1945 (OZNA e Shqipërisë – Odeljenje za zastitu naroda) ishte njëri nga udhëheqësit e Drejtorisë I, ndihnmësgjyqtar i Biblbil Klosit, ndërsa më vonë, kur dënohet me 3 vjet burg, i bën vetëm 11 muaj, sepse “tezës së tij, nënës së Fiqrete Shehut, i kishte premtuar Enver Hoxha se do t’ia amnistonte nipin”. Kështu qëndron e shkruar në biografinë e Trebeshinës. Ndërkaq, sa i përket veprës së tij letrare, konsideroj se vetëm romani “Mekami” ka elemente të disidencës në kuptimin burimor të kësaj fjale, sepse ngrihet hapur kundër shqiptarizmës. Ndërkaq, urrejtja ndaj Kadaresë nuk besoj se përbën disidencë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx