Kulturë
Sadbere Emshiu: Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg, Gjermani
E enjte, 01.05.2025, 06:57 PM
Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg, Gjermani
Nga
Sadbere Emshiu, Hamburg
Një
ditë bashkimi shpirtëror dhe krenarie për shqiptarët në Gjermani Komuniteti
shqiptar në Hamburg është një nga komunitetet më të hershme dhe më të
konsoliduara të diasporës shqiptare në Gjermani. Prej dekadash, shqiptarët e
këtij qyteti kanë ruajtur me përkushtim gjuhën, traditat, besimin dhe
identitetin kombëtar, duke u bërë një shembull i shkëlqyer i integrimit të
suksesshëm pa humbur rrënjët. Në këtë kontekst, Misioni Katolik Shqiptar në
Hamburg, i themeluar në vitin 1985, ka qenë dhe mbetet një shtyllë themelore
për jetën shpirtërore, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve të këtij qyteti
dhe më gjerë. Përmes meshave në gjuhën shqipe, katekizmit për fëmijë,
aktiviteteve fetare e kombëtare, misioni ka qenë gjithnjë një vatër e dashurisë
për Zotin dhe për kombin.
Më
27 prill 2025, në Kishën Gjermane Shpirti Shenjtë në Hamburg, u kremtua me
solemnitet të veçantë 40-vjetori i themelimit të këtij Misioni. Kjo ngjarje
madhështore mblodhi rreth vetes përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë,
Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe personalitete të shquara të
komunitetit shqiptar në Gjermani. Që nga mëngjesi i hershëm, besimtarët dhe të
ftuarit nisën të mblidheshin në ambientet e kishës për të marrë pjesë në Meshën
e Shenjtë, e cila u organizua në bashkëpunim me komunitetin gjermano-katolik.
Ceremonia u hap me përshëndetje dygjuhëshe në shqip dhe gjermanisht, duke
dëshmuar frymën e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës harmonike. Mesha
u drejtua nga Dr. Bernd Wichert, administrator i famullive. Në bashkëmeshim me
don Izak Dodes, misionar shqiptar që e udhëheq Misionin Katolik Shqiptar në
Gjermani. Një rol të jashtëzakonshëm në organizimin e kësaj feste luajti z.
Albert Bisaku, gazetar i njohur dhe bashkëpronar i restorantit "Luisenhof &
Dubrovnik" në Hamburg, i cili është emër i njohur tash e një çerekshekulli
për aktivitetet e tij në Hamburg dhe urat lidhëse që mundohet t'i krijojë mes
komunitetin shqiptarë dhe atij gjerman. Bisaku, ish kryetari i dikurshëm i
Unionit të Studentëve Shqiptarë „Illyria" bashkë me shumë anëtarë të tjerë
të Misionit Katolik Shqiptar, dhanë një kontribut të pazëvendësueshëm në
përgatitjen dhe realizimin e të gjithë programit të kremtimit, duke bërë të
mundur që gjithçka të zhvillohej në mënyrë dinjitoze dhe me një profesionalizëm
të admirueshëm. Meshën e përshkoi një atmosferë solemniteti të thellë: këndime
të psalmeve, leximet e shkrimeve të shenjta dhe predikimi u mbajtën në shqip
dhe gjermanisht, duke forcuar më tej mesazhin universal të paqes dhe vëllazërisë
në besim. Një çast veçanërisht prekës ishte përkujtimi i ndërrimit të jetës së
Papa Françeskut, i cili i ftoi të gjithë të pranishmit në një reflektim të
thellë mbi udhëheqjen shpirtërore dhe rolin e saj në jetën e besimtarëve. Një
vend të rëndësishëm në këtë ceremoni zuri edhe pjesëmarrja e fëmijëve, të cilët
realizuan një simbolikë të bukur e kuptimplotë: lidhjen e një litari që
përfaqësonte unitetin dhe lidhjen shpirtërore të komunitetit shqiptar dhe atij
gjerman. Recitimet në të dyja gjuhët, shqiptare dhe gjermane, nga priftërinj
dhe besimtarë të vegjël dhe të rritur, i dhanë ngjarjes një dimension edhe më
të ndjerë. Pas përfundimit të meshës dyorëshe, festa vijoi në ambientet e
jashtme dhe në sallat e kishës, ku u shtrua një pritje me ushqime tradicionale
shqiptare dhe gjermane. Kjo pjesë e kremtimit, organizuar nga familjet
shqiptare me disa restorante të njohura të gastronomeve shqiptarë si Luisenhof
& Dubrovnik dhe Tunici Restaurants në Hamburg, Dubrovnik në Ahrensburg,
Fährhaus Kirschenland në Jork, etj, krijuan një atmosferë të ngrohtë
mikpritjeje, duke sjellë së bashku të gjithë të pranishmit përreth tryezës së
miqësisë dhe unitetit. Ky jubile ishte më shumë se një përvjetor: ai ishte një
dëshmi e gjallë e fuqisë së bashkimit përmes fesë, kulturës dhe identitetit
kombëtar. Ishte një kujtesë e fuqishme për të gjithë shqiptarët në diasporë se,
pavarësisht distancës nga atdheu, ruajtja e vlerave shpirtërore dhe kombëtare
mbetet themeli i forcës sonë kolektive. Në këtë ngjarje madhështore nuk munguan
edhe përfaqësues të feve të tjera. Një nga pjesëmarrëset, besimtare e fesë
islame, ndau me emocion përjetimin e saj: "U afrova kësaj feste me
pastërtinë shpirtërore të një abdesti dhe me lutje të heshtura për marrëveshje
kombëtare, ndërkombëtare dhe ndërfetare. Në fund, u ndjeva e plotësuar."
Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg përçoi një mesazh
të qartë për brezat që vijnë: uniteti ynë, i rrënjosur në besim, kulturë dhe
dashurinë për atdheun, është burimi i vërtetë i forcës sonë si popull.