E merkure, 30.04.2025, 02:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe (16)

E marte, 29.04.2025, 06:59 PM


KREU XVIII

Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe  (16)

Raporti shqiptaro-serb nën ekspansionizmin politico-fetar të serbo-pravosllavës gjatë shekujve me theks  Kosova

(Qasje historiko-fetare e gjuhësore)

XVIII. SHQETËSIM- Përjetimet tona nga provokimet serbe gjatë Bombardimeve të caqeve të ushtri-qeverisë serbo-jugosllave nga NATO për clirimin e Kosovës 1999 (II)

3. PRISHTINË, DITËDITARI 71 (9 prill - 17 qershor 1999 ose 23+31+17)

NGA DR. NUHI VESELAJ

Këtë periudhë 71 ditëditari,  sipas muajve po e ndajmë në këto tri pjesë:

a) 8-30 prill 1999 -23 ditëditari

b) 1-31 maj 1999 -31   dhe

c) 1-17 qershor 1999 – 17 ditëditari.

a) Ditëditari  23 (8- 30 prill 1999)

8  prill

Pas dreke  nga Jazhinca mbërrijtëm në banesën e Bacit Ramë. Shpresa nuk na priti aq gëzueshëm, sepse sipas atmosferës që kishte ndeshur këtu, zgjidhje më e mirë, pasi kishte qenë aktiviste LDK për të kishte me qenë dalja jashtë. Meqë nuk m'u ndez vetura, Sherifen e lashë aty dhe vetë u nisa për te shpia ime ilegalisht rrugës së parkut të Përmendores. Rastësisht takova një të  njofshëm, të cilit i tregova se jam kthyer kryenvete nga Zona e lire me Maqedoninë, U çuditt, pasi këtu ekzistonte atmosfera frige që të gjithë ishin të gatshëm për me u shpërngulë. Megjithatë më tregoi se komplet lagjet e kësaj zone prej Rrugës së Robert Gajdiku, rrugës sonë, e deri te Spitali i Madh. e krejt Mahalla e Muharxherëve, nuk janë trazuar fare. Jeta po vazhdonte. Dyqanet, furrat po punojnë, bile edhe Pazari i gjerbërt te Ulpianë po punon. Madje edhe e Mahalla e Maxhupëve komplet është si përpara,veç çka asht shumue me maxhupë të Nishit dhe se brenda saj po u bëka një fare pazari si dhe këmbimi  i markave me dinarë. Sidoqoftë, erdha e vizitova shtëpinë tonë. Dyert , oborrin qysh i patëm lënë. Kurrkush nuk paska prekë gjë. Njeri nuk shihej se rronte këtej. Në të vërtetë vërejta ca të rinj që ikën menjëherë kur më panë. Pas dy ditësh  mora vesh nga Nezir Gashi se ata kishin qenë të rinj informatorë me  marrë vesh së çka po ndodh në çdo lagje a cep të Prishtinës. Për ta ka qenë e mjaftueshme me konstatue se dikush nga kthyesit qenka rivendosë  edhe në atë lagje.  Unë po i mbylli dyert e sonte po kthehem te Baci Ramë.

9 prill

E premte. Në mëngjes këtu te Baci Ramë po mungon edhe rryma edhe uji. Zbrita te vetura ia pastrova kandelat. Vetura u ndez. E ftova Sherifen dhe u kthyem në shtëpinë tonë. Gjetëm gjithçka në rregull dhe aq më mirë kishim ujë e rrymë. Na mungonin djemtë, por edhe tashti u arsyetoja para Sherifes se më mirë e kanë ata atje se të ishin këtu me drojë tonën edhe të veten se mos po i kap e dëmton armiku. Sherifja filloi me pastrue e me pushue, ndërsa unë i thashë po dal në qytet me ble bukë, tharmë, sepse siç mora vesh mbrëmë jeta po frymonte si përpara. Mendova, qëllimi paska qenë me i pakue shqiptarët dhe këtë e ka arritë ky regjim e tash mbase jeta do të normalizohet. Gjithë me kujdes ia mbajtja rrugës së parkut të qytetit dhe kështu dola në qendër. Njeri të gjallë rrugës nuk pashë. Ndërkaq para teatrit vërejta një lukuni jevgjish, që bënin zhurmë, burra e gra pa fëmijë që mesa më dukej në njerin kamion i hypnin meshnkujt e në tjetrin femrat! Në anën tjetër të rrugë-sheshit para librarisë pashë po një romë sipas ngjyrës, mbështetor në çantën e tij me plaçka. E pyeta: Ku po shkojnë këta kështu? Ai m'u përgjigj: Me dijtë se ku po i çojnë!!? Shumë keq!? E mora me mend, sigurisht i regrutonin për në zonat e Luftës, për plaçkitje e varrosje e hyzmete të tjera, apo jo?! Vazhdova ecjen kah Fakulteti fitozofik. Atje më pa një ish nxënës. I tregova që jam kthyer, dhe për këtë i fola si me krenari. U ndal me ndëgjue edhe dikush tjetër, kur nga kulme-çatitë e pallateve përballë u shpraz një karikator kallashi. Koptohet mbeta vetëm dhe vazhdova drejt Tregut të gjelbërt në Ulpianë. Vërtet në pjacë gjeta, si zakonisht gra fshatare serbe që shitnin mallin e tyre me pakicë. Bleva vezë e tharmë buke. Në të kthyer të dyqani karshi rrugës Robert Gajdiku (Sllovenia shport) në një një shitore bleva qirij, krip e sheqer. Te kacallarët afër Xhamisë së Mulla Ademit për befasi shitëse apo shefe e furrës së Hasjanit (tani në kohë lufte) ishte Mina e Dajës Haqif. Historia e saj është interesante. Haqif Hamza, daja i Sherifes, përkrahur nga Bogolub Nedelkoviqi, udhëhes i lartë komunist, ngase i kishte shërbyer gjatë Luftës partizane, me u lidh me Fadilin a ku ta di, ishte caktuar drejtor i Spitalit të Shtimjes. Aty ishte strehuar si lëneshë nana e Minës, me të bijen  adoleshente të quajtur Ninka (al. Planinka). Ndërkohë kur arrin në moshë, Nina (al Ninka) dashurohet në drejtorin dhe i mbetet në dorë. Natyrisht për lehtësira të ndryshme bashkëshortore Ninka quhet Mina. Për gjuhën nuk e kishte vështirë se edhe e ama i fliste shqip. Edhe pse nuk shpëtoi pa ndonjë kritikë, Haqifi deri sa u pensionua arriti në funksion të ndryshme bile deri edhe kryetar i Shtimjes. Kështu Haqifit nuk ia prishte as Mirosllavi, sekretar i partisë së Shtimjes, kur Haqifi pa bujë, duke garantuar se më njihka si dhëndërr mbese, mundi mos mr prishë punësimin tim si mësuesh në Shkollën e Muzeqinës. Madje jo vetëm mua, por ndërkohë edhe Ukë Kabashin (Ukymeri) i cili sapo ishte liruar nga Goliotoku(!! ) me Halil Buçincën (gjoja se nuk e dinin) e punësuan mësues në Carralevë, duke ia mundësuara zvarritjen e plotësimit të dokumentave deri në fund të vitit shkollor. Ndërkohë Haqifi si pensionist mori banesë në Prishtinë. Së këndejmë kur u punësova në Prishjtinë te dyja familjet tona kishin raporte mase miqësore. Pasvdekjes së Haqifit Mina bashkëjetonte me furrtarin hasjan. Tani gjatë kohës së bombardimeve e shpërnguljeve Mina (si Ninka) kishte leje pune si shefe e furrës. Furra vazhdonte të punonte për ushtarakë e për narod (popullsinë). Ajo kur më pa më përshëndeti fort njerëzishëm, jo vetëm më dha bukë, po i bëri të fala Sherifes dhe më tha se gjithmonë është e gatshme me na ndihmue në këto kohë të vështira politike e ekonomike.

10 prill

E shtunë, edhe sot dola në qytet takova Nezir Gashin, shok fëminie, shkolle e mësuesie, por edhe shok burgu, më tregoi shumë gjera që ende ishte shumë aktiv dhe mjaft i informuar. Një djalë me familje e kishte ikur më herët në Amerikë, kurse tjetri para pak kohësh në Shqipni. E takova edhe Sadri Fetiun, mik e kushuri, koleg studimi, drejtor i Institutit Albanologjik. Ky kishte banesën afër Spitalit të Madh. Aty ishte komplet me tërë familjen.  Sot mora vesh që  Hajrushi  si fqinj imi ishte kthyer para meje këtu, pasi i paska sëmurë rëndë dhe i vdes nëna., Do të dalin tek -tuk ndërkohë edhe banues të tjerë, po nuk pa dalin haptas si unë.

11 prill

E djel. Sherifja sot e paska qitë një hidhenik që hithat i paska mbledhë në Jazhincë, atë ditë kur u fol se mund të kthehemi këndej.  I lumtë.  Kjo tregon erbapllëkun e saj si amvise nikoqire e vërtetë. Sot ora 11 po dëgjohet sirena e alarmit. U bombarduan objekte në periferi të Prishtinës. Ora 19.30 u ndal rryma. Nga radiot e huaja, po raportohet se në brendi të zones së Pejës, Gjakovës, bile edhe Prizren-Suharekës UÇK ka krijuat zona të lira, ku po valon flamuri shqiptar, prandaj priten masa të rrepta nga ushtria serbo-jugosllave, për zhdukjen e tyre dhe njëherazi po vazhduaka gjithandej edhe dëbimi i masës shqiptare në Shqipri.

12 prill

E hënë. Shkova te B. Ramë. Ky dje e paska marrë pensionin, Unë sot apo nesër do ta marr. Sot e mora me telefom nga posta Florien. Më tregoi se Uka e Shkëlqimi qenkan bashkë, në familjen Ramadani në Tetovë. Edhe sot NATO po bombardon në periferi .  Këmbeva 10 DM ne 60 dinarë. Sot kah shkova te Baci Ramë, për siguri, i rashë lagjes së epërme të Muhaxherëve, pasi nuk i kanë shpërngulësi neve, pak para se t'u afrohem  shtëpive të tyre  dëgjohej zhurmërim fëmijësh si luzmë bletësh. Mua si mësues e si poet i fëmijëve kurr nuk më ka penguar po më ka kënaqur zhurma e vogëlushëve. U mallëngjeva, mirëpo posa shkela  te shpia e pare  pushoi çdo cicërim fëmijësh në krejt atë grup shtëpish. Sa keq nga droja e hakmarrjes serbe u ndal zëri i fëmijve. Posa u largova vazhdoi përsëri ai zhurmërim. U ndala për një qast u mbusha me frymëzim, imagjinova zërin e zogj-bilbilave në pyllin e gjelbëruar, si dhe tani  burgun e  fëmijëve në shtëpitë e veta.

13 prill

E martë. U dëgjuan krisma bombardimesh, në orën 24 , pastaj ora  8.30 dhe pas dreke ora 5. Sot erdhi Musa, fqinj, dy shpi më sipër nesh. Tha, ditën po rri këtu e natën në shtëpinë e mikut para derës së Parkut të qytetit, pasi ata përtej rruge nuk i kanë dëbuar. Sherifja qiti pite me sekllat e bahçes së vet.

14 prill

E mërkurë. Natën disa here kemi dëgjue detonime, s'di çka mbeti pa u bombarduar këndej. Erdhën me më vizitue Avdiu dhe Ramiz Dalipi. fqinj me shpi përtej rruge.  Baci Ramë sot paska marrë triska për benzinë. Paska folë me Fatmiren (Suedi), e cila e ka njoftues se Hajria me Besimin qënkan në një familje tetovare.

15 prill

E enjte. Edhe sonte janë ndëgjuar detonime, në periferi të Prishtinës.  Unë sot i mora triskat e benzinës. Në të kthyer bleva pluhur rrobash edhe 5 litra benzinë. Koha shumë e mirë dhe rryma nuk po na ndalet. Po lexoj pjesë të Sintaksës shqipe. Pa dyshim, mungesa e shprehjeve me paskajore edhe kjo sintaksë nuk mund të quhet e plotë, apo jo?!

16 prill

E premte. U zgjova herët, po ora 10 shkova te shpia e Fadilit, afër Tregut të gjelbër të Prishitnës, vëllait të Naimës, gruas së Blerimit. Mora vesh që edhe ajo familje ishte shpërngulur në Tetovë. Në të kthyer bleva 10 litra qumësht (në letra-najlloni). Sherifja paska përgatitë mishepasul.

17 prill

E shtunë. Sonte gjatë tërë natës ka ra shi, andaj nuk u dëgjuan bombardime. Unë tash për freskim nisa me lexue librin e Abdyl Kadollit, Këmisha e zjarrit. Uji u ndal pas dreke po erdhi natën. Ndëgjova që dëbimi i shqiptarëve po vazhdon. Po flitet se 2/3 e popullsisë shqiptare ka dale jashtë. Erdhi Baci Ramë, besiduam. Nuk kemi lajme për Reçanin.

18 prill

E djel. Shkova për vizitë te Sadri Fetiu. Ma dhuroi librin në vargje me përmbajtje satirike. Deshta me folë me telefon me të mijtë po Posta nuk po punonte.

19 prill

E hënë. Edhe sot dola për telefonata, po asnjë postë nuk po punon. Në tregun Ulpiana kam ble çokolata për Sherifen, mbase e para here në jetën tonë bashkëshortore (!!?!). Bleva edhe një komplet (30) vezë të freskëta nga një plakë serbe, e cila u ankua se nuk po ka blerës, andaj  m'i ofroi shumë lirë, po ia pagova pak më shtrenjtë. Katasrofë edhe për to.  E rilexova veprën  e Abdyl Kadollit. Shumë e lehtë dhe  dhe cilësore. Në Qendër e pashë hoxhën Mulla Syla. E mora në veturë dhe e afrova te shpia e tij. Ky hoxhë që tash po duket shumë i plakur, ka qenë i njohur që në derse e biseda bënte zëvendësimin adekuat të terminologjisë arabe me fjalë sinionime të shqipes. Si dashamirë i arsimit e lëshoi krejt shtëpinë për Shkollë të mesme të mjekësisë. Kur filluan bombardimet, djali i tij, Hajrushi 50 vjeçar, i implikuar rreth jetës e sigurisë së Ibrahimi Rugovës u vra nga bandat milico-ushtarake serve. Ky më tepër në shenjë rezistence, por edhe prej merzisë pothuaj çdo ditë del deri në qytet në xhami dhe sorollatet gjithadej. Unë sa here më ka ra puna e marr në veturë e afroj te shpia e tij dhe përehere e  falenderoj për trimëri e guxim dhe jap gajret për djalin shehid, të cilin hoxha si Babë i tij do ta gjejë në lula të Xhenetit... Sido që të ketë qenë në kohën e sotme Mulla Syla meriton me u përkujtue me një akademi dhe Shpi-ndërtesës së tij i mungon Shënimi që ishte Shkollë e mesme e mjeksisë, në kohën ku qe më e nevojshme, apo jo?!"

20 prill

E martë. Ujë e rrymë kemi. Sot me nismë- insistimin e Sherifes i shkrova në letër Liries në Zvicër dhe menjëherë e dërgova në postë.  Kah u ktheva, përsëri i ndihmova Mulla Syles me u kthye në shtëpi. Nga lajmet e mbrëmjes në TV që po e shikojmë me dritare mbyllur me perde të trasha, musuam sepo vazhdon lufta me UÇK-në që ka tërheqja, ndërsa popullata e mbetur në ato territore po u shtrohet barbarizmave e masakrave marramendëse. Muses tre police ia paskan marrë veturën, si në besë. Shreson se do t'ia kthejnë, kur bëhet mirë, pasi ia paskan lënë adresën e saktë (!).

21 prill

E mërkurë. Sot erdhi Miradija, bija emartuar e Faikut, po merr gjëra ushqimore nga rezervat e babës së vet. Hasa e Veselit e martuar andej rruge për Zymer Dalipin, më tregoi se qenka një profesor i fshehur ta ata që më njeh, po nuk po guxon me trupue rrugën me dale këndej. E paska gruan sëmurë, prandaj po tha se I bëjmë presion të kthehet te gruaja, sepse lagja e tij nuk është dëbuar. Natën jo larg nesh u dëgjuan të shtëna automatiku. Kjo po na shçqetëson për ata sonte po flemë veshur dhe jemi të gatshëm me u fut në strehimore që Sherifja po e quan biruçkë. Birucën e kemi pasë hapur më herët para bombardimeve, dalje e fshehtë nga dhoma e vogël në mes mureve të dy shtëpive, jona dhe e Bucollit, e cila mbyllej me tërheqje kauçi me shpinë të gjatë. Kur tërhiqej asgje nuk vëhej re nga brenda, por edhe jashtë  mes temelesh të dy shpive hapësira anbëve ishte  e mbyllur në atë mnënyrë që nuk dallohej lehtë.

22 prill

E enjte Mora vesh që një postë në Dardani po punon. Shkova atje. Rendi ishte shumë i gjatë, Ndër të parët ishte Shpresa e Bacit Ramë. Ia kujtova le të pyesë edhe për Ukën e Shkëlqimin. Pas telefonatës më tregoi që Besa i paska treguar se Uka ende është atje po së shpejti pritet me shkue në Amerikë, kurse Shkëlqimi qenka lajmërue nga Shqipria. Është paraqitur ku duhet. I lumtë! Në të kthyer bleva një "vim-sapun" dhe një krem për duar. U takova me Sadriun dhe Nezën. Shumë po më djeg shpirti për bombardimet gabimisht nga NATO si Korisha dhe Kosharja e sapoçliruar nga UÇK-ja!

23 prill

E premte.TV-ja e Beogradit qenka goditur. Edhe këtu sirena lajmëroi ora 13. Janë dëgjuar deponime jashtë Prishtinës. Sherifja shkoi për vizitë te Hajrushi. Bleva bukë e një kilogram mish. Sot dy policë kërkuan çelësat e golfit. Njëri u paraqit si rus që paska luftue në Qeqeni dhe tjetri nga Shtërpca, si Stanisllav. Ky hyri pak brenda gjoja po kërkon çelësa veturash, po më tepër me më thane se si milic ka kalue shumë mire me shqiptarë, po tash tha ata po na vrasin. I thashë ke me jetue edhe më mire në të adshmen me shqijptarët, nëse nuk mashtrohesh. Kjo nuk është luftë e popullit shqiptar me serbë, por luftë e atyre zlikovcave (keqbërësve )  që hedhin bomba kundër popullit për interesa të veta të ngushta. Ndërsa popujt fqinjë përherë do të bashkëjetojnë. Mbase kjo ndikoi që saherë rusi shpirtërisht i sëmurë e drejtonte tyten drejt meje ky ia çonte pëpjetë, duke ia kujtuar që të ketë kujdes, ngase unë fillimisht thashë se mua  më kanë lënë si informator.

24 prill

E shtune. Si duket NATO po sulmon jo më objektet/ pasi ato i ka shkatërruar, po njësitë ushtarake. U njoftua se paska sulmue e goditur shtabin e Armatës III. Po në anën tjetër tërë ditën po dëgjohen rafale. Sherifja po e shikon bunarin që e kemi në oborr. Po thotë ta mbyllim se ka ndëgjue se serbët të vramit po edhe të plagosurit po i qitkan në bunara. I thash çliroje veten. Friga është barra më e rëndë që mbahet kot. Ajo trimnisht shkoi për vizitë te Ajshja e bija e Ramadan plakut, ndërsa unë dola në qytet.  Prita 2 orë, asnjë postë nuk po punonte, po e mora pensionin.

25 prill

E diel. Sherifja po më bën presion me shkue në Maqedoni apo Shqipni. Mua as që më shkon mendja. Sot dy ushtaromilicë që u paraqiten s polici speciale, gjoja  interesoheshin për gjendjen. U thash mua më kanë lënë me informue shefin tim nga KOS-I, agjenturë ushtarake  më e forte se e milicisë. Po u mor vesh menjëherë që kishin ata ishin dezertorë, kishin synin e ikjes, prandaj po lypin çelësat e golf-veturës. Vërtet jemi në rrezik nga bandat që vetëm këqyrin me vjedhë. Hajrushit, i nxorën telashe. Një miku të tij të strehuar te ai ia morën veturën.

26 prill

E hënë. Kohen e lire po e kaloi duke lexuar.  Po i shfletoj disa nga dorëshkrimet. Me Sherifen shkuam te Baci Ramë. Atje e lashë Sherifen me Shpresën e Safeten dhe vetë dola iu solla qytetit me veturë, Në sorollatje pash hoxhën, Mulla Syla, të cilin e afrova të shtëpia e tij. I dëgjova do rafale nga Kodra e Diellit, prandaj shpejt u ktheva te Sherifja e Shpresa, Sherifja më priti me kritika. Se I kishin dëg juar ragalet. Unë përsëri u arsyetova se për mua si plak mos u merzit se më vret kush. Tash serbët kanë boll të rinj.  Ndërsa, sa u përket fëmijëve na si pleq as që kishim mujtë me i ndjekë ata, madje edhe më keq me i pas pasë këtu. Nuk kishim mujtë me i mbrojtë b.f., si sot që po dëgjohen rafale.

27 prill

E martë. Në oborr, këndej murit, në barë-gjelbërim, po rrezitem e po lexoj.  Pas gjysmës së natës ka pasur detonime.  Po më shqetëson vetëm gjendja e Sherifes, por me punë në kopshtin e oborrit po e shëron vetveten. Sot Miradia e Faikut më tregoi se ia paska gjetë xhemedanin e babës me sahat, I thash me ia ruejtë se dëbimi ka qenë aq i pazakontë që nuk ka pasur kohë me mendue as për sahat as për xhemedan.

28 prill

E mërkurë. Nata kaloi qetë. Sherifja sot po i shkumd teshat.  Po qan po mërzitet,  po ankohet në mua si zakonisht. Sot nji xhip i milicisë u ndal para servisit. Aty qëndroi pak dhe iku. Sigurisht pa nga ditaret që aty ka më shumë libra se mjete teknike servisimi. Erdhi Baci Ramë me Shpresën. Meqë u ndal rryma Sherifja u ankua se nuk po ka ku me pjekë bukën, edhe pse ka dru dhe ka shporetin e druve. Rryma erdhi ora 15.

29 prill

E enjte. Po dëgjohen ushtima eroplanash. Unë po rrezitem e po e lexoj e rilexoj sintaksën shqipe. Kah mesdita dola në qytet e takova Lulin e Dajes Destan (Bajraktari).  Qenka komplet me familje në shtëpinë e vet. Ora 15 janë dëgjuar nga Ajvalia sulm-krisma nga aeroplanast sulmues  të NATO-s.

30 prill

E premte. Nadje heret janë dëgjoj krisma e rafale jo fort larg shpisë sonë. Po rrimë veshur por mengjesi gëdhiu i bardhë. Shkuam te Baci Ramë.  U kthyem se andejmi. S'kemi asnjë të keqe. Unë po rrezitem e po lexoj, ndërsa Sherifja po qet kollpite me seklla.

b) Ditëditari 31 (1-31 maj 1999)

1 maj

E shtunë. Gjatë natës nuk janë dëgjuar detonime nga aeroplanat. Sot pak pas orës 7, ndërsa isha tue u rrezitë hetova një kombi të bardhë me paraushtarakë u ndal para shtëpisë sime. I ra   sirenës ndejti pak dhe shkoi tutje kah Matiçani. Sigurisht i kanë pa teshat që Sherifja nuk i ka hjekë nga oborri që i ka la dje. Shkuam te Baci Ramë me një sahan plot petullaqe. Aty e gjetëm çikën e Halil Kajtazit, quhet Lume me shoqen e saj Pranvera që e kishte një vogëlushe me emrin Vjollca. Baci Ramë na tregoi se edhe pse nuk duket se po i ndjek kush. janë shpërngulë disa autobusa me shqiptarë?!  Kur u kthyem prej Bacit Ramë, ora 13, dikush me veturë u ndal para dyerve të shpisë së Hajdinit. Po kur na vërejti se po e shikonim iku me shpejtësi kah Matiçani.

2 maj

E djel. Mbrëmë  fjetëm pa dëgjuar krisma. Sot, ora 10 policë të armatosur e me grada ia morën veturën një miku të Hajrushit. Meqë ishte me familje, nuk tentoi me kundërshtue, madje  e detyruan  me nënshkrue kontratën se ai vetë po pranon me ia dhënë për shërbim policit . Kontrata po i duhet, sepse mbase është e vërtetë që po thuhet se në kufi me Serbinë pushteti zyrtar po ua marrka veturat e vjedhura, prandaj ky i morti firmën e procedurën tjetër e kryen hajduti me hajdutë të tjerë gjyqtarë, apo jo?! Hasa e Veselit na premtoi se një serbe i ka premtue  telefonin, e ajo, pasi i njeh do të flasë edhe me tanët, por serbja kërekon me pague si në postë. Ia dhashë të hollat, mirëpo ajo pas dy ore m'i kthei, sepse nuk paska pasur sukses, ngase iu paskan kanosur serbes që kush bashkëpunon me shqiptarët do ta vrasin?! Në lajmet e mesditës,  në radio  "Kosova e lirë" dikush e përmendi  edhe rastin e vrasjes së dy vëllezërve të Sherifes që ka ndodhur në momenmtet e fillimit të bombardimeve të  NATO-s, kur u vra  Latif Berisha, Bajrtam Këlmendi me djem etj. Sherifja nuk e ndjeu. Unë vazhdova ta mbaj fshehtë e do t'i bëhet me dije në rrethana  që më pak do rëndojë kjo fatkeqësi,  pasi është shumë e ndjeshme, ka pasë pësuar edhe asfiksim disa muajsh, prandaj duhet të kem kujdes, sidomos tash kur nuk kemi as mjekë as spitale. Sot Neza më tregoi se ia kishin vjedh riciverin dhe telefonin. Në treg bleva qumësht e në dyqan  makarona e sheqer. Në të kthyer te Mina e Dajës Haqif, me të fala për Sherifen m'i dha  4 bukë që do t'ua jape fqinjve që sapo kanë ardhë nga Zonat e luftimeve. Sapo u ktheva më erdhën për vizitë Qazimi fqiu i rrugës matanë, vjehri i Bedrijes (shoqe e Flories), me Hetem Plepollin, mësues-gazetar nga Ferizaj. të cilit ia dhashë kompletin e librave të botuara. Sherifja ia dha një sahan sheqer familjes së Hajrushit. Për ne paska qitë pite me sekllat e kopshtit të vet.

4 maj

E martë. Uji erdhi natën. Në mëngjes bëmë banjo. Ora 7, andej kah  Ajvalia pati tri detonime të fuqishme.  Sot koha u vra, po pa shi. Sherifen e pata te mjeku për reumë. Iu kanë ajë pak këmbët. Po edhe tensionin e kishte pak naltë (160/90). Në të kthyer u shmallen me Minën e dajës Haqif. Si i piu kokrrat Sherifja bëri më mire. U nis me shkue te Nazmia e Rexhepit. Po u kthye se në rrugë kishte ndeshë në qenë. Filloi me ra shi. Nga oborri i Sefës i hoqa disa batania e tepiha që kishin mbetë në tel që nga dita e largimit me forcë. Të gjitha i futa nën mbulojë.

5 maj

E merkurë. U dëgjuan detonime në afërsi të Prishtinës. Sherifja sot po e ndjen veten më mirë. Mbrëmë për të parën here ka fjetë me pixhamat e reja, për ndryshe deri tash ka ra me fjetë gjysmë e veshur. Sot dikush paska thirrë nga rruga Gazda, gazda! (O zotishpisë, o Zotishpisë),  por  kur dolëm me verifikue nuk e pamë askënd. Me siguri ka qenë ndonjë hajn. Po vjedhin maxhup e serbë bashkë. Ndërkohë erdhi Shpresa me Safeten (e Ademit), na treguan se këto të dyja nesër po nisen me tren për Shkup. Ne për udhambarë e mos me u merzitë Baci Ramë shkuam atje. Bacit Ramë i thamë se na ke ne e na të kemi ty.

6 maj

E enjte. Vëllai i Nexhit më tha shko te Bata, drejtor hoteli në fund të parkur, ka telefon. Ai  ta jep se ia kam ba me dije. Kah dola në qytet sot, vërejtëm se në atë hotel kishte shumë ushtarë e paramilitarë. Nuk shkoi capi te kasapi. Në qytet takova Sadriun. Sot aeroplanat e NATO-s po bëjnë skeptakël mbi qiellin e Prishtinës. Disa militarë pas atij spektakli për qejf nga sikleti po qesin pushkë në hava,  sidomos po ndihen te ai Hotel Parku i Batos.  Sot kah ora 12 Liries ia dërgova një letër tjetër rekomande.

7 maj

E premte. Po vazhdoj me lexim-studimin e sintaksës shqipe. Po dëgjohen të shtëna kallashi nga rrafshi i qytetit. Musa më tregoi se andej nga Qendra po bëhen bastisje banesash. Dola në qytet Sadriu më tregoi sa për kërshëri se poeti i fëmijve Rifat Kukaj ka përhapur një batutë për deklaraten e Rugovës, i cili për shingjergj, me ndërmjetësimin e  së Vatikanit dhe lejimin e  Mllosheviçit,  me 5 maj, paska arritur me ikë nga Kosova në itali dhe sipas intervistës së tij paska thënë: "Në rrugët e qyteteve të Kosovës nuk sheh shqiptarë, por vetë qen e milicë serbë", prandaj për shaka Rifati po leh si qen. Në këto rrethana nuk dihet qëllimi çka e kush po flet e ku po e qet dhe ku po vret, por një gjë dihet se përkundër, vrasjeve, burgosjeve, dëbimeve e barbarizmave - momentalisht në Kosovë jemi më shumë shqiptarë se serbë.

8 maj

E shtunë. Moti sot është i vranët. Kaluam një natë të qetë. Shpresa e Safetja nuk kishin shkuar për Maqedoni. Ujë kemi, bojleri i madh ka punue dhe pas banjo-pastrimit shkuam te Baci Ramë. Sherifja u çoj dy teglla speca e domate turshi dhe një qeskë seklla gjelbrim nga kopshti i vet. Mësuam se kishin ndryshuar rrethanat. Treni i udhëtarëve nuk paska shkuar e shprazë në Bllacë, po qenka kthyer e ndalë mes Lipjanit e Fushë-Kosovës. Aty, siç tregoi Shpresa nga treni i kthyer më 6 maj është tërheqë e vra Fehmi Agani, i dyti pas Rugovës, mbase edhe i pari për politikë. Si risi baci Ramë tregoi se dje e paska pasur për vizitë çikën studente, të Ramadanit të Xhemajlisë (Reçan), e cila i paska treguar se në Reçan paska pasur luftë, paska të vdekur e të plagosur nga UÇK-ja , po edhe nga serbët vendas,  andaj si pasojë rishtas është djegur i tërë fshati.

9 maj

E djel. Natën dëgjuam deponime. Sherifja më sugjeroi që përsëri me i shkrue letër Liries. Nga podrumi nxorëm thasët i miellit me i terë në diell. U lajmërua zyrtarisht se vërtet pasi e nxjerrin nga treni, e paskan vra Fehmi Aganin.  Ne këtu vërejtëm që forcat ushtrake serbe sot vunë kurorë në përmendoren "Spomen kosturnica" në Kodrinën, afër shpisë sonëqë po I thonë edhe Kodra e Velanisë. Erdhi Hajrushi me të bijen Flora. Nga lajmet, sipas "Dojçevelle"po zhvillohet luftë UÇK- Ushtri serbojugosllave në Budakovë.

10 maj

E hënë. Në mëngjes po rrezitem e po lexoj. Kah mesdita dola në qytet.  Neza më tregoi se u bë mirë që Rugova shkoi në Itali, sepse këtu nuk ka luejtë kurrfarë roli në dobi të luftës.  Bile ka qenë në rrezik me ia mbathë me zor një qeveri kuislinge. Për këtë ka pasur shumë presion për disa net me radhë Abdyl Ramaj, bashkëfshatar imi, fqinj i Nezës. Sipas Nezës vinin funksionarë të lartë të Serbi-Kosovës,  natën e nxirnin nga shtëpia dhe bisedën e bënin me afër shpisë së Nezës , andaj ky ka dëgjua fshehtas bisedat. Abdylit i ofronin jo vetëm  ministrinë arsim e kulturë, tue i premtue  kthimin në ndërtesat shkollore,  por edhe  postin e kryeministrit, po ai assesi nuk pranonte. Abdyli qëndroi i fortë, po për këtë, siç edhe arsyetohej ka pësuar shumë nga shëndeti. Unë si bashkëfshatar e kujtoj  Abdylin që është rritë jetim, pasi babai i tij baci Selim vdiq shumë herët, kur ky ishte shumë i vogël. Përmendej që edhe si çoban merrte e lexonte libra. Ndërkihë ka qenë i njohur edhe me shkrim-dorëshkrimet e mia, Në të kthyer bleva qumësht, ujë të thartë e frute "fanta".  Ademi, fqinji i Bacit Ramë, për ne paska sigurue telefon të premten ora 12-13 te një shok i tij në Ulpiana. Për këtë termin qenkan njoftuar: Liria, Blerimi, Floria.

11 maj

E marte.  Disa here, herë pas herë po dëgjnohen deponime. Pas mengjesit. Dy policë u përpoqen me marrë golfin, po u lënduan. Ndërkohë sollën kamion rimorkio vetëngarkues dhe e morën  veturë-golfin . Sot vëllai i Shukrijes, resë së Faikut, Selmani u vendos në shtëpinë e Faikut. Unë e zbrita kompjuterin nga Tavani, ku e pate fshehur nga droja e plaçkashëve serbë.

12 maj.

E merkurë, Lopët gjifryra të Sabidinit që i pati lënë të lira në parkun e përmendures që ditën, kur na dëbuan, ndërkaq  prej ditës së djeshme nuk i kemi pa. Ndoshta i ka largue pushteti, kur pardje vunë kurora në permendoren Spomen kosturnica. Sherifja, tash pasi ka bë më mire, po më akuzon pse nuk e kam lejue me shkue mbas fëmijëve. Nga një herë po qan me za. Mbase kështu po çlirohet. Selmani vëllai i Shukries, më tregoi se para dy tre ditësh e kanë përezanë prej shpisë.  Sipas tij: Ka ardhë një oficer me ushtarë e më ka thane menjëherë dil prej këtuhit shko ku të duash se ne po na duhet ky objekt.  Po gjykoj: Sa njerz të pashpirtë. Gruan e paska shtatzënë, në muajin e vet. Ku ka kështu në botë, me përzanë familjen me fëmijë e me gruan shtatzanë, në hanën e vet, pa i sigurua strtehim. Morali ka rënë shumë në ushtri e milici, ngase këndej milicë e maxhupë po vjedhin bashkë.  Sherifja ka vënë re se epaskan vjedhë veturën e Nexhit.

13 maj

E enjte. Sherifes i ka ardhë natën me qajtë me zë në gjumë, por edhe kur zgjova ajo nuk ndalej. Me lecka po ia ftoh qafen, ballin, këmbët. Kështu tue ngjeshë e farkue lehtë mezi e qetësova. Për të partën here nuk më fajsoi që e kam nda nga djemtë. Kjo për mua ishte një çudi, një mister i pashpjegueshëm. Edhe pse nuk jam bestyt Ka të bëjë me ndonjë fare telepatiae apo nuk di! Këtë që thamë po e ndërlidh me lajmet e hershme të mëmgjesit nga Serbia se pikërisht mbrëmë në të njëtën kohë që Sherifja qante në gjumë NATO gabimisht paska vrarë popullsinë civile korishase, kur ka qenë edhe familja e gjerë Sherifes!. Ngjarja paska ndodhur kur korishasit dhe familja saj e ngushtë pas qendrimit disa kohë në male vendosin me iu dorëzue ushtrisë serbojugosllave po me kërkesë për me i lejue me kalue në Kukës (Shqipri). Ashtu ndodh: dorëzohen në mënyrë të oganizuar të vargëzuar në rimorkio traktorash. Fillimisht lejohen me u nis për Shqipri, por milicia i ndal dhe i kthen mbrapa, duke i vendosur me sherr në një vend të rrethuar skanj rruge për me kalue natën. Ndërkohë.  NATO pa kuptuar kurthin e serbëve, duke kujtue se janë formacione ushtarake serbe i bombardon korishasit, duke shkaktuar vrasje e plagosje të shumta marramendëse. Sa e si dhe si qëndron gjendja në familjen e ngushtë të Sherifes do të mësojmë nesër gjatë telefenatës  që e kem të caktuaar në teminin ora 12-13.

14 maj

E premte. Nga shpija e Haki Ukës, shok i Ademit në ora 12, fola me telefon me Rabitin, dhënmdërr, burri I Xhevës së Baftisë), me Naimen, dhe me Florien. Uka së shpejti në Ameriikë, po atij urgjentisht iu duhka Kopja e diplomës si iningjinier i diplomuar. Për Shkëlqimin, krenaria jonë, mora vesh se qenka në shkollën e duhur, kuptohet në ushtrime, po marrka  rrogë (!!). Nga radiot dëgjuam disa here të përsëritur se në Korishë janë vra shumë popull gabimisht nga NATO. Na jemi të brengosur. Liria filloi me tregue më gjerësishst, Po i thash mos trego tjetër, por kryesore familja e ngushtë e familjes së Sherifes, 10 tqenkan të të plagosur  lehtë e rëndël, por nuk paska të vdekur dhe të gjithë qenkan  duke u  trajtuar  (shëruar) në Spitalin e Prizrenit.

15 maj

E shtunë. Edhe sonte u dëgjuan krisma, por jo afër nesh. Prandaj themi se nata kaloi e qetë Ditën erdhi milicia me atomjet vetëngarkues, siç bënë me vetur- golfin më pare, tani ashtu e  e morën veturën opel kadet që vetë e paten dëmtuar. Gruaja dhe motra e Musës erdhën për vizitë te Sherifja.

16 maj

E djel. Sherifja shkoi pëz vizitë te gruaja Selmanit afër. Në orën 8.30 në një tv franceze u shfaq në Kukës refugjati Muhamet Veselaj, djali  e Bacit Ahmet, shumë i lodhur, i raskapitur, Tregoi zi e më zi, jo aq për tri javët e kaluara me familje maleve në relacionin : Reçan, Budakovë, Grejçec, Carralevë Shtimje,  por për tri ditët e maltretimeve në Shtimje, pasi ishte dorëzuar me familje. Pos tjerash  tregoi qysh e kanë shtri për tokë dhe qysh e kanë shkelë e shqelmue me me këmbë pa mëshirë deri ia kanë shkelë edhe kryet.

17 maj

E henë. Më takoi një familje me djalin e plagosur nga milicia, i cili m'u ankua. Po përpiqet me dalë në Maqedoni për me shërue djalin.  Milicia nuk po e lejon me emigrue pikërisht këtë, jo pse siç po i thonë se më nuk dashkan me përzanë shqiptarë, por qëllimi është me fshehë se gjoja milicia serbe nuk ka plagosur fëmijë, ngase ai nëse del andej mund të fotografohej, dhe kështu horllëqet serbe dalin sheshit faktikisht.  Në mengjes pati një detonim në Prishtinë.

18 maj

E martë. Sot është ditëlindja e Shkëlqimit dhe e Qëndrimit (djalit të Liries). I gëzofshin dhe i gëzofshim me ta ditëlindjet e tyre  në vitet erdhshme në Liri! Rrugës drejt Matiçanit, shkuan 6 kamiona me ushtarë. Sugurisht po bëhet luftë me UÇK e kësaj zone.  Unë kam preokupim si me fotokopjue diplomën e Ukës, detyrë që Liria ma dha, e cila për rrethanat tona është punë jo e lehtë., dhe në mos quftë me rrezik, Fotokopje mund ta bëjë vetëm administrata ushtarake. Gjatë udhëtimit te shpija e Fadilit, vura re se komanda e lartë e Ushtrsë ishte vendosur në Shkollën fillore Vuk Karaxhiç të Prishtinës, pranë Gjimnazit e Xhamisë së Madhe.Vendosa të shkoj ta provoj fatin.  U paraqita në derë me certifikatën në dorë. Shefi më pranoi, por kur e pa në gjuhën shqipe u shtang, Unë ia prita e kam djalin në Amerikë, ndoshta edhe unë kam me shkue së shpejti atje. Kur përmernda lar i çdo serbi i formuar me shkollë-mësimin e serbopravosllavës . I tha referentit fotokopjoja dhe vazhdoi thellimin në punët e veta.  Fotokopjuesi e këqyri tekstin si duket e pa klauzulën Republika e Kosovës, e mbajti pak në dorë buzëqeshi si me zor, por e fotokopjoi. Po atë buzëqeshje me plot mirësjellje e mbajti edhe kur më përcolli përtej derës së hyrjes, kur edhe ma dha fotokopjen e origjionalin. E falenderova, po ma la dorën pa qokje..

19 maj

E mërkurë. Pak para orës shtatë nga dritarja e hajatit vura re dy ushtarë qëndronin në rrugë, para deres së oborrit. Sipas moshës duket se ishin rezervistë Ishtze një togë a çetë bukur e madhe, Qënronin në rrugë so njëshkolonë  prej shpisë sonë e deri te udhjëkryqi, Sapo e hapa derën e hajatit e dola në shkallë njëri trokitë lehtë në derë. Dola ia hapa derën dhe i përshëndeta serbisht Jedva çekam goste.Dobrodoshli! (Mezi pres miq! Mirëse vini! (Ai hyri oborr.  Unë vazhdova  Shto ima novo? (Çkemi të re?) Ai m'u përgjegj:  Ju po fleni na po ju ruajmë. Përgjigjja ime -Po kjo është detyrë e Armatës, andaj ju  jemi  minjohës. Urdhoroni brenda. E dija që nuk guxon. Unë u ngjita në kuzhinë mora dy gurabia. I thashë:  Kjo për ty tjetrën shokut. Ai i mori  e u përgjegj -Obe za me .(Te dyja për mua)-dhe filloi me i hanger.  E pyeta: Nga të kemi? U përgjegj: selak shumadinac.  Umë fillova me recitua vargje nga  kënga: "Shumasdijo, rodni kraju". Ai më fort çuditej se i vinte mirë, por gjuha i shbkoi aty ku i dhimbte, më   Çfarë mendon,  A do të na paguajnë sa na kanë thanë? Unë  iu përgjigja: Moraju (Patjetër) Ai ma kthei: Ovi su lopovi, lazhovi!  (Këta janë hajdutë, rrenca.) - Në këto qaste e ftoj shoku dhe tërë njësia zbriti kah Mahalla e Muhaxherëve.

20 maj

E enjte. Koha shumë e mirë. Më erdhë për viziotë miku Mehdi Rraçi me gruan Zylen. Vërtet, me gëzuan shumë. Janë vehrria e Flories, vajzës tone të shpërngulur me djalin e tyre Bardhylin në Amerikë. Më tregoi se edhe ai ishte shpërngulë me masën deri në Fushë Kosovë, por së andejmi ishte kthyer këmbë-këmbë, pasi si invalid hendikep kishte pengesa në të ecur. Pas një kohe i përcolla dhe shfrytëzova rastin. Liries i dërgova letër rekmomande me dokumentat për Ukën, por nuk mujta me marrë sot as pensionin as me ba thirrje teli nga posta.

21 maj

E premte. Pasi Selmani kishte kaluar në shtëpinë e Hajdinit, një familje e re kërkoi strehim dhe u vendos në shpinë e Faikut. Mbaj mend se zoja e familjes që ishte mjaft komunikative quhej Kumrije. Brengosej si do të gjallonte. Ia gjeta një thes miell, po zoja paska thënë Sherifes: Ai  zotnia  që na gjeti miellin, a mundet me na sigurue majbuke. Tharmë buke kishte në tregun te Ulpiana.  Dola e mora pensionin dhe deri përballë dyerve të tregut nuk pata diçka të veçantë.  Mirëpo  para  hyrjes në tregun e gjerbërt në Ulpianë, në mes të rrugës së gjerë dykorsi pashë një togë  milicësh. Meqë andej e kisha rrugëm, u nisa drejt tyre. Si zakinisht isha I gatshëm, me pëërshëndetë:  Zdravo momci (Përshëndetje djelmosha) Më ngjau një  befasi, nga komandanti i tyre ndjeva: Vidi- vidi, Nuhija! Je li moguce da si ti zhiv!? (Shih- shih Nuhiu, është e mundur që je gjallë ?!) E njoha ishte Stevo Marinkoviqi, truprojat rreth tij drejtuan tytat kah unë. Unë hapur me buzëqeshje iu afrova, me fjalët: Stevo, Stevo, neçe grom u lojalce. (Stevo Stevo, nuk vret rr'feja në lojalë) dhe kur ia dhashë dorën sytë më shkuan te gjoksi i tij i stolisur  me shumë grada e medalje e përshëndeta: Zdravo, Çestitam! (ngjatjeta, urime!). Më tha çka ke daleë  I thashë me ble kvasac (tharmë buke), Ma bëri me dorë kalo, por shqiptoi fjalët Vrati se (kthehu). Unë vërtet bleva tharmën, e çka pata nevojë, por largova ca dërrasa nga rrethoja dhe kalova në derën e kundërt kah banesat e oficerëve U përzeva me ta, ku vrejta mjaft të rinj e popull që kishin dalë jashtë se koha ishte e mire. Së andejmi kalova kah shpia e prof, Ramadan Jusufit ku strehoheshin një mori ushtarësh, pastaj te furra e Mines, mora 3 bukë për fqinjtë, dhe kah lagja e romëve së andejmi oborr pas oborri, arrita te Kumria ia dhashë tharmën dhe bukën dhe së andejmi te biruca shtyra kauçin, hyra në dhomën e vogël. Nuk i tregova Sherifes, po nga vrimat që kishim bërë në mur dhe nga çatia vura re që një veturë e bardhë erdhi e u ndal te shpija e Latës mbi shtëpinë tonë. Atje qëndroi afro një orë.  Para se të largohej bëri një të shtënë në hava, dhe iku. Për Stevën, që nuk i ndejta në besë (!) di vetëm kaq. Me të njihem nga Uzina e Amortizatorëve, ishte Sekretar LKJ. Konkurroj për drejtor Uzine, mirëpo Beogadi e Prishtina e zgjodhën malazezin Kërxhiq. Ky e dinte se unë kinse isha i implikuar rreth postit të drejtorit të Qendrës shkollore, që drejtor ishte një malazez, andaj pata dështuar se nuk pata përkrahje si edhe ai tani, andaj erdhi tek unë në zyrë dhe u zbraz kundër asaj padrejtësie që ia kishin bërë serbit ndaj crnagorit. Unë vetëm e dëgjoja, nga fundi me bëzëqeshje ia thashl këtë shtos: "Crnogorac je usijena glava koja leti oko zemlje (Jugosllavije) da nadje prazno mesto za direktora!" (Malazezi, është kokë e zjarrtë që sillet  rreth e qark botës (Jugosllavisë) për me gjetë një vend të lirë për drejtor!). Qeshi, Ma qoku  dorën dhe iku. Pas pak atë e zgjodhën drejtor të Fabrikës së plastikës , e cila u dogj (,në mos gabofsha,), po ai mbeti në listën e funksionarëve të besueshëm.  Ishte burri i gjyqtares që e mohoj Masakren e Reçakut. Gjatë luftës, si dukej Steva  kish arritur në gradë të lartë ushtarake, por nuk e gjeta të përmendet në wikipedinë e sotme serbe.

22 maj

E shtunë. Shpresa na kishte ndreqë punë që ora 13 te Ademi me shkue me folë me telefon me tanët. Shkuam. Folëm me Blerimin. Liria na tregoi se familjet e vëllazrve nga fshati, Baftia e Alia, qenkan në Lezhë. Na tregoi edhe për 10  korishasit e plagosur nga familja e gjerë e Sherifes, pot taash iahin pak që po shëroheshin në spitalin e Prizrenit, por tregoi  edhe për trimat që lshin tërhequr te livadhet e bjeshkët e Kabashit. Më erdhi mire që Liria e Blerimi paskan ndhmuar me të holla familjet e vllezërve në Lezhë.

23 maj

E djel.  Dy ngjarje nga Kosharja mbresëlënëse: e para shumë e gëzueshme e krenare për jetë të jetëve: fitorja me luftë dhe e dyta, shumë e dhimbshme të pësuarit nga bombardimi gabim. Këtu te ne dsa të rinj serbë të Matiçanit i paska pengua milicija se qenkan armatosur arbitrarisht, kjo paraqet vërtet rrezik. Sherifja edhe unë të shqetësuar jo aq për  bombardimet këndej, sa për  sjelljet e axhamijve.  Sot nga ora 17 disa here janë dëgjuar bombardime në malet e Gërmisë.

24 maj

E hënë. Sherifja ka pa dy milicë tue vjedhë pjesë atomobilash te shpia e Shaban Krasniqit. E kanë hetuar dhe i paskan bërtitur "Shta gledash!" (Çka po kqyrë!) .Meqë sot nuk kemi as ujë, as rrymë, buka u poq në shporetin e druve. Edhe sot dola në qytet, Vërejta që në një shitore përballë Radio Prishtinnës shitnin mish. Hyra në radhë. Në derën e pallatit afër asaj të shitores hynin e dilnin ushtarakë të shumtë jo të disponuar. Vura re një ushtarak të dalluar  edhe në dukje. Ishte i shoqlruar nga një kryepunor serb shtatshkurtër i Uzinës së amortizatoeëve, i cili, para se të hynte me shoqëruesin në derën e pallatit më përshëndeti me kokë. Brënda pallatit qëndruan deri sa mua më eci radha iu afrova derës së shitores. Në momentin kur u hap dera e pallatit u shfaq  ai eprori ushtarak, i cioli  u step, ngase i dilnin lotët. Nxori facculetëm me i fshi. Unë u hutova duke e shikuar e kujtuar se sigurisht kishte dike të vdekur ose në prag të vdekjes, ai kryepunori që më njihte shpejt i doli përparara ushtarakut madhor mua ma bëri me shenjë të largohem. Kjo më solli në vete. Hyra në dyqan dhe kështu në saje të ndihmës së të krypunëtorit shtatvogël po me zemër të madhe shpëtova prej situates së rrezikshme që mund të pësoja.  Edhe sot sa here e kujtoj e falëmderoj.

25 maj

E martë. Hajrushi më tregoi që mbremëpaskan thyer shtëpinë e Nazmi Vërtopit. Hajnat   përzie milicë e maxhupë bashkë po vjedhin gjithkah e gjithçka. Sidoqoftë, për të parën herë sot vendosa me dalë në qytet rrugës kryesore, jo nga parku. Pikërisht kur kalova udhëkryqin rrugës drejt Matiçanitvintr një  autoblindë krejt e re me radarë më befafoi, sidomos ushtari prapa shoferit kishte drejtuara grykën e armës drejt meje. Nuk di spontanisht unë i përshëndeta me tre gishta dhe vazhdova këmbë deri të Sloveniashporti. Aty takova takova, me sa di,  drejtorin e pashkarkuar të Ndërmarrjes së servisimit të automjeteve, emri nuk po më kujtohet, me të cilin njiheshim nga Uzina e amortizatorëve. Ai m'u afrue e më tha. Nuhi, punët i kemi shumë keq. Serbia është pajisë me artmë të reja, bornokolla e helikoptera,më modern   kurse helikopterat  e Amerikës u aksidentuan në Shqipri pa guxue me dalë këndej!  Unë thashë: Sa zgjatë nuk e di po Serbi-Jugosllavia i ka ditët e numruara. Për ditë, gjithnjë e më shumë po i vdesin ushtarë, kur ... papreitmas më iku bashkëbiseduesi, sepse ajo Autoblinda ishte ndalë krejt afër meje. Mbase më ka dëgjuara tue folë shqip. Unë fillova me ecë drejt qendrës, e bëja me dorë nga pallatet kinse po përshëndetem me dikënd. Autoblinda vinte rrikuec deri afër meje e ndalej,. Unë, edhe I ndjeja nga llafosnin  si me nervozë, shtiresa se gjoja nuk po vërej vazhdoja ecjen normale, Edhe dy here të tjera autoblinda vnte e ndalej. Herën e tretë  ndërs Autoblinda ishte ndalur shfrytëzova një kthesë të ngushtë mes pallatesh dhe dola në Qendër. Shpëtova nga implikime të panjohura. Së andejmi u ktheva në shtëpi. Jo rrugës kryesore

26 maj

E merkurë. Shkova në stacionin e policisë, afër hotel parkut për kartela, fletë-dëshmi të reja që në rast kontrolli mos me pasë telashe. Milici serb, në bazë të letërnjoftimit e plotësoi kartelën time., ndërsa  atë Sherifes, kur e pa  lindur në Kolsh –Kukës Shqipri, e kapi alergjia, ia hodhi kolegut shqiptar (gjakovar) dhe doli me u flladitë. E pyeta referentn shqiptar: Mos po i nxjerrin telashe gruas? Ai m'u përgjigje. Ka rrezik për ty, jo për gruan! Po mendoj deri tash shpëtova, nda implikimet me komandant Stevës, me Autoblinden e tash  këtë rast me vendlindjen e Sherifes?|  Po sioqoftë edhe ky rast kaloi mire. Në të kthyer vura re se ishte plaçkitut shtëpia e Sabriut (Lumës). E kishte krahekrah të hapur dritaren nga parku. Sot milicët e morën veturën e Afrimit.

27 maj

E enjte. Musa më tha se disa të rinj serb nga Matiçani i paskan thyer xhamat e shtëpive rreth rrugës duke bërtitur si të lajthitur: Nato! Nato! Zot ruena prej axhamijve!  Pasi tre milicët  duke kërkuar ndoshta para e bizhuteri e pajisje të rralla në shtëpinë e Elhamisë, dyert e shtëpisë së Elhami Gorancit ikishin lënë hapur. Hajrushi më ftoi t'i mbyllim bashkë që të mos ta vjedhin të tjerët. E ndëgjova. Dyert kryesore të jashtme ia mbyllëm, ndërsa brenda ia lamë shkarravinë.

28 maj

E premte. Në mbremje deri vonë nga Hotel Parku, po dëgjohen rafale. Po pine e po dehen nga zhgënjim-dëshprimet, ngase gjithnë e më tepër po vriten sa nga bombat e NATO-s, sa nga armët e UÇK-së. Si duket NATO, pasi prishi objektet fizike ushatrake, tashti po asgjason shtabe të Armatës  dhe njësi të caktuara ushtarake kudo që po i heton.

29 maj

E shtunë. Erdhi Shprsea, na tregoi se Besa ka lajmëruar se Uka paska mbërri në cak (te Floria). Edhe një fakt. shenjë shumë e mire Sherifja e Shpresa sot paskan mbledhë lule-shtogu në Parkun e Qytetetit.  Nuk i kanë penguar detonimet e aeroplanave të NATO-s.

30 maj

E diel.  Edhe sot ndëgjohen e shihem aeroplana të NATO-s që po sillen pothuaj lirisht mbi qytet. Sherifja e Shpresa po lavdohen për lulet-shtogun që mblodhen dje në parkun e qytetetit, dhe tani Sherifja po qet sekllanik. Qilimat e tepihat e Florë-Bardhylit i nxorëm nga podrumi dhe i shpaluam në rreze të ngrohta të diellit.

31 maj

E hënë, janë dëgjuar rafale jo vetëm nga sikleti i ushtarëve serbo-sllavë, por sipas lajmeve  po si jehonë po e  ndjej atë  fishkkëllimë plumbash  nga sulmet e luftëtarëve shqiptarë, të cilët po shohin se fitorja nuk do të jetë e largët. Sot pasi u teren qylymat e tepihat e Florë-Bardhylit i palosëm dhe i futëm ku duhet.

(vijon)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx