E merkure, 30.04.2025, 03:38 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Medet kush është bërë deputet!

E diele, 27.04.2025, 06:55 PM


Medet kush është bërë deputet!*

Nga Hamza Halabaku

I dashuri Zejnullah,

Të kam treguar për sharjet e ndërsjella të deputetëve gjithandej nga ka shqiptarë në parla­mente, si në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup e tani ka plasur sherri edhe në Preshevë.

Ruana Zot!

Këta në Prishtinë, e di shumë mirë, më shumë se gjysma e tyre nuk e meritojnë të jenë deputetë, ndërsa për ata në Tiranë, Shkup e Preshevë, më vjen keq të flas. Nuk e di, ndoshta edhe e meritojnë!

Në mars, kur qeshë në Prishtinë, pikërisht më 20 të muajit të tretë të këtij viti, pasi kisha dëgjuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk i kishte miratuar shumë ligje, për arsye se nuk kishte pasur kuorum, u takuam me një komshiun tim dhe temë bisede e bëmë ikjen e deputetëve nga mbledhjet e Kuvendit. Gjatë bisedës ai më tha se ata ikin nga mbledhjet e Kuvendit dhe shkojnë atje ku fitojnë më shumë të holla. Vrapojnë pas tenderëve dhe firmave që i kanë bërë të vetat!

Ndërkaq, mëditjet dhe të gjitha benefitet e tjera financiare që “u takojnë” në Kuvend, nuk i hu­mbin fare, morën ose nuk morën pjesë në mble­dhjet e komisioneve të Kuvendit apo në mbledhjet plenare. Deputetët në sallën e Kuvendit, para ka­merave, shahen ndër vete, akuzojnë njëri-tje­trin se “kanë marrë”, kanë përvetësuar shumë të holla nga “Fondi Vendlindja thërret” si dhe nga “Fondi i trepërqindëshit”, i cili ishte si institucional. Këto ishin dy fondet, për çka njëra palë e deputetëve po e akuzojnë palën tjetër të deputetëve! Po ka, po thonë, edhe mjete që nuk kanë qenë në asnjërin nga këto dy fonde. Ka pasur mjete edhe që janë marrë drejtpërdrejt nga qytetarët në mërgatë dhe kanë shkuar nëpër xhepat privatë të “bosëve” të këtyre fondeve, e për ato nën duar, që si thuhet, një Zot e di sa qindra mijëra dollarë kanë qenë!? Këta nuk kishin as biçikleta, ka thënë në një mble­dhje plenare të Kuvendit të Kosovës, njëra nga deputetet, kur ishin nëpër metropolet e Evropës, e kur erdhën në Kosovë, pas luftës, kanë bërë jo vetëm pallate, po edhe firma nga të cilat fitojnë përditë mjete marramendëse.

Nuk zihen dhe nuk shahen e nuk e aku­zojnë njëri-tjetrin vetëm për fondet, por ka edhe të tillë që zihen dhe polemizojnë me njëri-tjetrin edhe për vrasjet politike, që ndodhën gjatë dhe pas luftës!

Ti nuk beson ndoshta, po ta them sinqe­risht, miku im, se nga kryetari i Kuvendit të Repu­blikës së Kosovës, dëgjon edhe këso sharjes: “Ma hangsh”, pastaj “robtë t’i q...”, mandej, “a e përdor me gojë shumë, a”, “qen bir qeni”, “balosh”, “R... same...” e kësi sharjesh. Si duket nuk të mbushet mendja se ka këso sharjesh nga kryeparlamentari. Po ai nuk i thotë këto në gjendje normale, por kur e bëjnë nevrik deputetët e parlamentit!

E di që Ti, miku im, më thua të kem kujdes për atë që shkruaj, por çka kam të ruhem? Jam i vetëdijshëm se për këto që po të shkruaj, mund të më kanoset ndonjë rrezik, se këta pushtetarët e tanishëm kanë klanet e tyre mafioze dhe për pesë­dhjetë euro mund ta gjejnë ndonjë të pafytyrë e ma merr fytyrën në mes të Prishtinës.

Po çka kam të ruhem? Ato fjalë i ka dëgjuar secili njeri që i ka ndjekur me vëmendje mbledhjet e Kuvendit! Tani, së fundmi, jo kryetari, por nën­kryetari, bash në sallën e Kuvendit ku ishin duke votuar për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Ku­shtetuese të Republikës së Kosovës, e nuk e zgjo­dhën asnjë nga ata të propozuarit nga radhët e shqiptarëve, po i zgjodhën vetëm dy nga të pro­po­zuarit serb, një ditë më parë ishte mllefosur në njërin nga deputetët. Të nesërmen, sa ishin duke votuar për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke ecur, tinëzisht i ra me bërrylin e krahut të majtë, mu në gjoks ose në stomak, deputetit në të cilin ishte mllefosur. E goditi tinëz, e goditi në befasi. Më vonë ai tha se kishte rrëshqitur, po këtë ngjarje e kanë parë edhe fëmija, se ajo nuk ishte rrëshqitje, salla e Kuvendit nuk është sallë e “hokejit” në akull, po është e shtruar me tepihë të mirë, por i kishte rënë, bile fort, me bërryl vetëm për ta shfryrë mllefin!

O, të kam thënë edhe më herët, medet kush është bërë deputet!

Dritë paç, o miku im i mirë!

(Nuremberg, 18 maj 2018)

____________

*Hamza Halabaku: “LETRA MIKUT NË AMSHIM” (Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili) fq. 70 Prishtinë, 2024



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx