E merkure, 30.04.2025, 05:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamza Halabaku: Kur pushteti e mileti nuk merren vesh

E enjte, 24.04.2025, 06:53 PM


KUR PUSHTITI E MILETI NUK MERREN VESH*

Nga Hamza Halabaku

Zejnullah i dashur,

Ditën e fundit të marsit të këtij viti, në Shqipëri, aty afër Tunelit të Kalimashit, është zhvi­lluar një ngjarje e keqe. Miku im i dashur, po më dhimbsesh të të njoftoj për atë që kam parë se çka ka ndodhur! Njëra palë, qeveria, ndërton një pjesë tjetër, popullata që jetojnë afër Kalimshit, shkatë­rron...

Ti e di që Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që për kalim në “Rrugën e Kombit”, e cila na lidh ne kosovarëve me Shqipërinë dhe me bregdetin e Detit Adriatik, të paguhen nga dhjetë euro për një udhëtim. Qytetarët e fshatrave përreth i dogjën të gjitha postblloqet që ishin vendosur në Rrugën e Kombit për t’i bërë pagesat për shfrytëzimin e rrugës. Janë kundër vendimit të qeverisë për page­sat...

Dorën në zemër, për ata që vetëm një herë në vit kalojnë, ndoshta nuk është shumë, por për ata që duhet të kalojnë andej për çdo ditë - është tepër! Dhe qytetarët e Kukësit me rrethinë bënë protesta bash aty ku i kishin vendosur punktet e pagesave të tarifës për ata që do të kalonin andej­pari. Protestën unë e ndoqa përmes televizorit. Në fillim, siç është te ne, ato nisën me qetësi, por vazhdimisht vinin duke u nxehur gjakrat. Dikush një fjalë e dikush një tjetër, filluan edhe me sharje e shtyrje, e dikur ata ua vunë zjarrin sporteleve, të cilat mbetën të shkrumbuara. Ishte një tollovi që rrallë e sheh njeriu diku tjetër. Ishin paguar gjithë ato të holla për t’i vendosur ato sportele dhe të gjitha për pak çaste atë ditë u shkrumbuan. Më vinte për të qarë! Më dhimbseshin edhe paratë e atyre njerëzve, që ishin investuar aty dhe u kishin vënë zjarrin atyre objekteve, se nuk po ua di emrin, meqë për herë të parë në tokat shqiptare po vendoseshin aso sportelesh për pagesë rruge!

E kam lexuar edhe këtë: flakë e tym “zhdu­ket” sporteli i pagesës në “Rrugën e Kombit”! Sporteli i koncesionarit, i vendosur për pagesën e “Rrugës së Kombit”, nuk ekziston më. “Protes­tue­sit kanë shkatërruar me mjete të forta, duke i vënë flakën dhe duke rrëzuar skelat, strukturën e ngritur për pagesën e “Rrugës së Kombit”!

Si të thashë, ato janë shumë para, për vendë­sit dhe për të tjerët, por mendoj se ka mënyra të tjera për t’u marrë vesh mileti me pushtetin. E dhimbshme, pati edhe shtyrje e sharje, fyerje e rrahje. Po pse nuk po arrijmë të merremi vesh ngadalë e me fjalë të urta e të buta. Ndoshta ka pasur mundësi që ata që kalojnë për çdo ditë, të paguajnë një herë në vit një shumë simbolike, kurse ata që vijnë një herë në vit të paguajnë qysh paguhet në të gjitha trevat e Ballkanit. Se kjo pa­gesë bëhet gati te të gjithë fqinjët tanë, edhe në Mal të Zi, edhe në Maqedoni, edhe në Kroaci e edhe në Serbi.

Te ne gjithnjë, kur po na “thyhet kerri, po gjemë rrugë të shumta”! Vonë po na del gjumi! Po, ani, se vetëm te ne “për një plesht digjet jorgani”! Dhe vetëm te ne kemi dëshirë ose e lusim Zotin që “për inat të resë, më vdektë djali”!

Në fund të kësaj letre, i dashuri Zejnullah, i lutem të madhit Zot që të të japë dritë, se dritë bëje kur ishe me ne!

Dritë paç, miku im i mirë!

(Nuremberg, 31 mars 2018)

*Hamza Halabaku: “LETRA MIKUT NË AMSHIM”

(Letra imagjinare mikut tim, shkrimtarit të ndjerë, Zejnullah Halili) fq. 59



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx