Kulturë
Kristaq Turtulli: Shuplaka
E merkure, 23.04.2025, 06:53 PM
KRISTAQ TURTULLI
SHUPLAKA
tregim
Shumë vite kanë kaluar, gjysmë shekull por e,
sot e kësaj dite më përvëlon faqja nga shuplaka e parë dhe e fundit e tim ati.
Ati im ndjesë pastë ishte burrë i heshtur, fjalëpakë veç, kishte dorë të rëndë.
Im atë mdërroi jetë herët, kur isha ushtar, larg, në shërbim. Më ngeli peng, s'
e gjeta gjallë, t'i merrja uratën,- foli trishtueshëm Nestori dhe, gjerbi
kafen. Heshti një hop dhe vazhdoi:
-Ushtri hesapi, kur postieri solli telegramin po
binte mbrëmja. Reparti ynë gjendej larg në punime, në skajin e largët të fushës
së Myzeqesë dhe, s'bëhej fjalë për makinë. Ndërrova xhaketën, pantallonat e
zbardhura nga dielli dhe çimentoja, rrëmbeva bisht lopate të mbrohesha nga
qentë dhe, u nisa në këmbë. Fusha nxinte. Nxitoja e herë vrapoja. S' duhej të
ndalesha. Kokën e ndjenja të rënduar dhe zëmrën lënduar.
Tutje dallova një dritë të zbehtë që lëvizte, më
dha shpresë. Shpejtoj hapat akoma më shumë. Bishti i lopatës më pengonte
lëvizjen, një moment mendova ta flak dhe, kur s'e prisja, mu bë sikur u ça toka
me shungullimë. Nga dheu u ngritën angullima të egërsuara. Nata u drodh bashkë
me mua. Leshtë e kokës mu ngritën përpjetë. M'u bë sikur vërtiteshin djaj rreth
meje duke ulëritur. Im atë më mësoi të jem gjakftohtë dhe kur jam i trembur apo
i tensionuar, të mos bëhem pre e zemërimit, emocionit të dëmshëm e frikës.
Djajtë vërtiteshin rreth meje, hungërinin të tërbuar, për tu hedhur dhe
çavalitur. 'Mos harro, gjakftohtë në momente të turbullta', mu bë sikur dëgjova
zërin e tim ati. Shtrëngova me të dy duart bishtin e lopatës, qëndrova në
pritje. Për fat, atë çast doli hëna dhe në dritën e mekur pashë tre qen të
mëdhenj stani që skërmitnin dhëmbët egërsisht për të më kafshuar. U tendosa.
Lëviza bishtin e lopatës me shpejtësi lart e poshtë. Ndjeva që druri hasi të
diçka të fortë si kockë, kërcitje, krakërimë e më pas angullima të përvajtuara.
Kafshët, si djaj lënduar nga huri, u trembën dhe u larguan me bisht në shalë.
'Hej, më vrave qentë,' shkundi terrin zë i
lebetitur.
'Të më çanin, i çaftë ujku,' thirra dhe u
turra mes përmes fushës së Myzeqesë mbuluar me napë të errët, të dilja në
xhade.
Po fekste mëngjesi kur makina çeke, turigjatë e
qymyrit, u shfaq duke gulçuar dhe nxjerrë tym të zi në bërryl të rrugës.
'Hej, hej, prit!' Bërtita, flaka bishtin e lopatës
dhe vrapova me sa fuqi që kisha.
'Ushtar, kabinën e kam të zënë,' më tha shoferi zë
trashë. Mesoburrë, i shëndoshë, barkmadh me sy si pofka nga pagjumësia. U
kollit dhe shtoi: Po të duash hip sipër...
Falënderova shoferin dhe, pa e bërë të gjatë
kërceva në karroceri. Ngrita jakën, u ngjesha në fund mos më rrihte era.
Udhëtova duke u dredhur nga të ftohtit dhe nxirë nga pluhuri i qymyrit që
ngrihej duman. Mbërrita kur babën po e varrosnin. Mezi më njohën, isha nxirë
fund e krye. U lava, ndërrova nxitimthi dhe munda të hedh një grusht dhe në
arkivolin e burrit të mençur, të drejtë, fisnik, të vuajtur që më bëri kokën.
Thonë s'ka si nëna dhe është e vërtetë, por dhe si babai nuk ka.
Nestori u kollit, la filxhanin e kafes në tavolinë
dhe nga xhepi brendshëm i xhaketës nxori një fotografi të vjetër. Pashë një
burrë i hijshëm, flokëzi , kaçurrel, me nishan të madh, si yll në ballë. Ulur
këmbë mbi këmbë në kolltuk:
-Ja, ky është im atë. Siç e sheh, kaçurrel,
shtatlartë, i pashëm, i heshtur, hijerëndë dhe fjalë pakë. Ndoshta vuajtja dhe
persekutimi e bëri të tillë. Dikur i pasur, bamirës, i respektuar, derdhi gjak
për këtë truall, komb dhe atdhe, por si vajtën punët, vuajti, u përndoq nga
sistemi. Ndëshkonte rrallë, për të mos thënë kurrë, por atë ditë më dha
shuplakë të fortë, me atë dorë të rëndë. Shungullima e saj më ushton në vesh
dhe sot e kësaj dite.
Nestori heshti në hop dhe vazhdoi:
-Në mëhallën 'Arkondëve' ishim një grusht fëmijë,
të një moshe dhe, mblidheshim, luanin top në sheshin e vogël, me dy, tre akacie
të vjetra anash, pranë rrugës që çon në përpjetën e kishës; 'Shën
Thanasi'.
Meqenëse prindërit tani ishin të varfër, në
pamundësi të krijonin kushte luksoze si, blerja e topit të futbollit, topin e
sillte Leni fenda, biri i Kuron nursëzit, bereçkë zezës, shoferi i maunës së
madhe. Kuron nursëzi ishte ndër të rrallët në qytet që bënte udhëtime të gjata
jashtë shtetit. Mëhalla përgjonte në dritare hijen e Kuronit kur kthehej, prej
asaj bote të madhe, të mistershme shpinë rënduar nga trastat që mbarte.
Përflitej, në shtëpinë Kuron nursëzit gjen dhe qumësht dallëndyshe. Vështronin
me zili dritaret e mbuluar me perde tyli.
Leni emrin e plotë e kishte Marlen, e thërrisnin
Leni fenda, meqë ishte tekanjoz dhe, kur nevrikosej i shpëtonte fenda, qelbte
dynjanë. Pronësia e topit e bënte të kërkuarin, grindavecin dhe tekanjozin e
mëhallës. Kur e ëma, Vanthia i sillte bukë të bardhë me gjalpë e reçel qershie
na lëshonte goja lëng. Ajo ngulej në mes të fushës me pjatë në dorë, na
detyronte të linim lojën në mes. I biri, Leni përkëdhelej, harbonte rreth
fushës duke u përtypur. E ëma i binte pas, i lutej mos fugonte e të hante
ngadalë, mos i binte rëndë. Të mërzitur fshinim djersët dhe prisnim sa ti bëhej
qejfi Leni fendës. Na ligështonte ndërprerja e lojës dhe, na vinte alivan nga
buka me gjalpë lope e reçel qershie.
Ushqimet e fëmijërisë sonë ishin të varfra; bukë e
zezë me vaj e kripë, sheqer me ujë, lëng fasule, marmelatë dhe, në pamundësi
nga gjithë këto salltanete, rrëmbenim bukën thatë të na skuqej faqja nga
'shëndeti' dhe turreshim jashtë në rrugë.
Shpesh herë më binte mua dhe Lenit të përfaqësonim
skuadrat kundërshtare, të zgjidhnim shokët e grupit. Vija i dobët, i hajthëm,
por lavrak dhe luaja mirë. Ndërsa pronari i topit Leni ishte bullafiq, i
ngathët si gic i vogël. Sa herë humbte, bënte një fëndë, rrëmbente topin,
nxirrte gjuhën dhe ikte me vrap. Na linte lojën në mes.
E pamë, që s' kish më kuptim të puthnim bythën Leni
fendës, thyem poçkat e kursimeve dhe, me lekët që mblodhëm blemë një top të
vogël në dyqanin e vjetërsirave të Sime Kënit. Por ishim krenarë, s'do guxonte
kush të tallej, të shiste më dëngla. Lenit s'i pranuam topin e madh. I
murrëtyer flaku topin nga avllia, theu disa tjegulla dhe, u afrua kokë ulur si
pulkë e lagur.
Në fund të qershorit Kacani gjithë dëngla dhe fenda
u kthye nga shkolla e përgatitjes fizike që, ndiqte në Tiranë. Kacani hiqej si
divi i lagjes dhe ishte disa vite më i madh se ne. Shkolla e përgatitjes fizike
i zgjeroi shpatullat, shëndoshi krahët, trashur zërin dhe vërtitej i fryrë në
mëhallë. Ne sakaq ja vumë nofkën: 'Pordha'. Kacan pordha qe i biri i Milot
berberit, vëlla me Kuronin. Një mur i ndante. Dy vëllezërit bënë sherr e
shamatë për murin ndarës. Kuroni si shofer kishte paranë, Miloti si spiun
vullnetar, shtetin e brendshëm, ky i dyti të bënte hatanë. Pas disa përleshjes,
ku merrnin pjesë dhe gratë, sigurisht fitoi shteti i brendshëm. Muri u shty
gjysmë metra më tej. Milot skuthi qethte kokat e të burgosurve dhe të
internuarve dhe u blinte mendjen.
Leni u krekos si gjel pa pendë me ardhjen e
kushëririt, s'ish pak të kesh krahë Kacan mundësin, që rrëzoi me një grusht
përdhe Reis sherrxhiun e mëhallës së duhanxhinjve. Leni duke luajtur me
djallëzi syrin dhe gati me urdhër tha:
-Luajmë me topin tim.
-Kemi topin tonë - i thamë
-Por topi im është I ri, e solli babi nga jashtë
shtetit, - foli zë qarë.
Përgjigja jonë qe e prerë:
-Jo, - dhe i kthyem shpinën.
Marleni turi varur u detyrua të luante me topin
tonë.
-Ç'e keni këtë top sa një vesë,- tha Kacan pordha
dhe, ul në një bythë peme. I fryrë, veshur me kanotiere mundësi, të dukeshin
muskuj dhe, nisi të ndiqte lojën tonë.
-U thashë të luanin me topin tim, s'donin,- u
qurravit Lani.
-Të ëmën bythë leckat, s'donin hë!- hungëriti
Kacani dhe dha urdhër:- Hajt luani me topin e Marlenit.
-Do luajmë me topin tonë,- i thashë.
Kacani bëri dorën grusht dhe më kërcënoi.
-Hej ti, qepe llapën, jam unë këtu. S' ka tërci
mërci.
Prania e Kacanit na shkaktoi bezdi, por vazhduam
lojën. S'mund ta harroj deri sa të jem gjallë, driblova Lenin. Mu turr me inat,
e driblova përsëri dhe shënova golin e dytë. Nuk e lija Lenin të mbante top në
këmbë dhe Kacani ulur në bythë të pemës pështynte, hungërinte dhe nxiste
kushëririn, mos më linte këmbë. Unë përsëri e driblova dhe shënova golin e
tretë. Tërbimin i Kacani arriti kulmin, i bërtiti kushëririt me sa kishte në
kokë:
-O qull i dreqit, sulu ore, dërrmoje, merrja
shpirtin krimbit, kulakut.
Leni më goditi me bërryl në brinjë dhe u zgërdhi. E
shtyva, më dhembi brinja. Leni më goditi përsëri. U ndala e pashë me inat. Ai u
tulat. I ndërkryer, i përskuqur në fytyrë nga fjala fyese, iu ktheva Kacanit:
-S jam si ty, spiun dhe krimb spiuni!- ia ktheva.
Mëhalla e dinte mirë kush qe i ati, Miloti,
vullnetar i shtetit të brendshëm, spiun me damkë.
Kacani u nxi nga inati, shkrofëtiu. U turr të më
godiste.
-Kujt i thua kështu o mut i mutit?!
-Ty të them,- dhe I flaka topin në fytyrë. Ai u
pengua me këmbët e veta dhe ra sa gjatë gjerë në fushë. Ja krisa vrapit drejt
së përpjetës që çonte në shtëpinë time. E dija që Kacani si dem, më bluante.
-Bjeri ore, qëlloje me gurë,- zë ngjirur
Kacani nxiste Lenin, por më qëllonte dhe ai me gurë. U shmanga sa munda, u
dredhoja gurëve, fshihesha nën strehët e dyerve. Dhe pesë dyer kisha të
mbërrija te dera e shtëpisë sime.
-Krim kulaku, po të zura pestil do të bëj, -
bërtiste Kacani.
-Të më hash munë spiun, krimb spiuni,- ia ktheva.
Më në fund arrita te dera e shtëpisë. Mbështeta
shpinën në kanati i derës, u mbusha me frymë. Shpresova që krahu i Lenit nuk e
hidhte gurin aq larg ku isha unë. Por e flakte mundësi Kacan. Krahu s'më
arrinte të tërhiqja rripin e lëkurtë që mbante lidhur gjuhëzën e derës. Kur
pandeha që ata u lodhën së flakuri gurë drejt meje, lëviza prej vendit të hapja
derën, por instinktivisht vështrova poshtë në rrugë dhe, pashë Kacanin që mori
sillë, hapi krahun dhe lëshoi me vrull gurin drejt meje. Shpejtësia e hedhjes
ishte më e madhe se ngutja ime të hyja brenda. Dëgjova krisjen e kokës sime si
shalqi. U kalamenda dhe u plasa te pragu i derës. Më buçiti gjaku. S' më kujtohet
sa qëndrova shtrirë, por kur hapa sytë dhe bëra të çohem dallova babanë që u
zgjat drejt meje, më kapi nga krahët, më ngriti në këmbë. Vështrim vrenjtur, zë
rënde më pyeti:
-Kush të ka gjakosur kështu ?
Unë kaq doja, kisha nevojë nxirja gjithë dertin tim;
të shprehesha, të ankohesha, të qaja me dënesë, si te kepi i shpresës së mirë.
Fshiva lotët përzier me gjakun që rridhte çurg, zë piskamë i thashë:
-Ë, ë, ë, ë, nuk kisha asnjë faj o ba... Ata...
Kacani, i biri i spiunit, Leni...ë, ë, ë, ti e di si janë ata... më tha...
S'më la të mbaroja. Fap, mu përcëllua faqja nga
shuplaka e rëndë e babait. Koka më shkoi mënjanë dhe kanati i derës u spërkat
me gjak.
-Cilido qoftë. Mos e lejo veten të katandisin si
lapashak: - hungëriti babai:- Turp të kesh.
-Të kem turp?! Por më ranë në qafë o ba, më tha...
më gjakosën. S'jam krim kulaku po bir fisniku, o ba...' bërbëlita.
Im atë vazhdonte të gërmuqej:
-Hesht! Kur s'je i zoti, mos i hyr sherrit. Vëre
vëth në vesh. Hajt hiqmu nga sytë, shko në jot ëmë...
Gjaku më qullte qafën, këmishën, rridhte rrëke.
Binte me pika të mëdha në pllakat e oborrit.
-Unë.., ai...
-Largohu të thashë...
Fjala dhe shuplaka e babës ishin më e rënda se guri
i Kacanit. Mora inat veten dhe babanë. Nuk hyra në shtëpi, pa ditur ç'të bëja u
turra tatëpjetës rrugës, drejt sheshit. Si në mjegull pashë fytyrat e zverdhuar
të shokëve dhe fytyrën e përskuqur të Kacanit. Gjaku më binte rrëke, në fytyrë,
në qafë, në gjoks. Sy zënë nga gjaku dhe djersa, ecja këmba doras, rrëmbeja
ç'gjeja, ngrihesha i ndërkryer dhe i flakja pa ndërprerë drejt tyre dhe
gërhitja:
-Na, na, qena. Spiun i qenit.
Kacanit i qe lidhur gjuha, i trembur dhe i
hutuar nga që nuk e priste furinë time eci së prapthi, duke u kalamendur.
U kthye, iku me vrap, nga sytë këmbët. Isha në gjendje amoku. Më mbahej fryma
dhe toka më rrotullohej. Ai u zhduk pas derës. Unë vazhdova të qëlloja me gurë
derën e shtëpisë së tij, deri sa s'më mbajtën më këmbët. Toka bëhej gjithnjë e
më shumë e pjerrët, si e tatëpjeta e Shën Thanasit. Shkisja, rashë, u ngrita,
rashë përsëri. Nuk doja të dergjesha i përgjakur te dera e spiunit. Kurrë në
qelbësirat. U ngrita gjithë nerva. U turra dhe nuk e di se ku, dhe, si nëpër
mjegull dëgjova nënën që bërtiste:
-Bir i nënës, bir i nënës... S'na lenë të qetë
dushmanët e dreqit!
-Çojeni në ambulancë ç'e tarnanisti,- u grind
dikush zë trashë. Më ngjau si Haxhi buça, korrieri i lagjes.
-E dija të urtë këtë djalë, - tha një tjetër: -
Qenka tigër.
-Eh, e zuri gjaku kopukun,- hungëriti Haxhi buça.
Doja t'i kthehesha Haxhi buçës:
'Hej s'më zë gjaku, jo, o langoi i dreqit,
por më shungulloi fjala dhe shuplaka e babait!
S'munda. Gjuhën e kisha të trashur, Sytë më
rëndoheshin gjithnjë më shumë dhe koka më buçiste. Gjendesha në qendër të
vorbullës. Më ngritën në krahë. Duhej të ishte nëna. Humba.
Kur hapa sytë gjendesha në spital, kokë të fashuar
si hoxhë. Pranë meje pikonin trishtim sytë e ëmbël të nënës...
-Ja kështu. S'mund të harroj shuplakën e rëndë të
tim ati,- foli ultas Nestori. Piu lëngun e zi të fund filxhanit dhe shtoi.- Im
atë kishte shokët e rrallë në qytet, gojë ëmbël, fjalëpakë, fisnik. Të shkretin
e treti vuajtja, meraku dhe iku herët...
S'fola. Kisha dëgjuar mjaft për të dhe familjen e
tij të nderuar. Nestori psherëtiu dhe tha:
-Im atë gjithnjë na fliste ultas, mos dëgjonte kush
për drejtësinë dhe demokracinë perëndimore. Shpesh nuk keni nevojë të meritojmë
dashurinë e nënës; por kemi nevojë të meritojmë dhe dashurinë e babait! Sekreti
i babait është një ilaç i shkëlqyeshëm: përmban më shumë ëmbëlsi se hidhësi. Eh
o mik, kushedi sa do ligështohej babai nëse shihte Kacanin, biri i spiunit që
bën pallën e ariut, deputet dhe ministër në afro 30 vjet demokraci.