E merkure, 30.04.2025, 06:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Udhët e ferrit

E premte, 18.04.2025, 06:57 PM


UDHËT E FERRIT

(Kushtuar të dëbuarve shqiptarë nga Mitrovica me rrethinë (1999) prej forcave serbe...)

Nga Bedri Tahiri

-Ku të vete unë i ziu, ku?! -pyeste plot habi plaku ulok, shtatëdhjetepesëvjeçari Sokol Barja. I gjori, me dy këmbët e këputura në gjunjë në ofensivën e parë, qëndronte palmuç në karrocëzën invalidore. Këtu lërmë, këtu! Më mirë t'i lë eshtrat në pragun e shtëpisë sime sesa rrugëve, si i tretur humbëtar. Ti ik e shpëto se je i ri, mua ç’më duhet jetëzeza? Hiç, fare! I gjallë s'rnund të arrij në Shqipërinë mëmë. Jo, jo, kurrë e kurrë! -mërmëriste ai si me vete, pa guxuar t'i jepte zërit të ngjizur.

-S'mund të të braktis, or babë, jo, se xhelatët e mallkuar s’të pyesin fare. Pa dallim po terrorizojnë. Mbrëmë masakruan Arifin e paralizuar në shtrat. Në Tavnik me kama e kishin therur në djep djalin e vetëm te Hysenit. Sot herët masakruan me sëpata Ademin e verbër dhe dogjën për se gjalli Mihanën shurdhmemece! -mezi fliste i biri, i mbushur frymë e lare në djersë, duke e shtyre përpjetës se Shipolit.

Turma amorfe zu të vargohej beftë. Përplot frikë e ankth zvarritej si gjarpër i plagosur keq. Trupi i mbledhur lëmsh ende ishte poshtë, në Tavnik e tek Ura e Gjakut. Atje kishte zënë fill edhe kalvari mizerabël. Aman, o Zot, ç ‘mizëri! Lotonin toka dhe qielli. Pamje rrëqethëse e çmendurake. Pleq, gra e fëmijë të lemerisur. Ata që arritën të përbironin koptisën kodrave e maleve përreth. Gërmova dhe Zmiqi u shndërruan në sy e vesh. Zemra u dilte nga vendi e kokën zinin me grushte, kur shihnin skenat tmerruese poshtë në asfaltin e qullur nga lotët...

-Vështirë qenka me vdek  për se gjalli, o burra! -bënte një zemërplasur, duke mos i shqitur sytë e picërruar që andej.

Odiseja e mundimshme e përplot sakrifica sizifiane mori udhë. Zvarritje, alivanosje, lodhje, lot, ofshamë, dënesje, ngashërime, mallkime.

Para e prapa tyre hijet e zeza mortore. Uturima motorësh...sharje...fyerje...rrahje...plaçkitje...maltretime... ekzekutime...

-Unë s'mundem dot me tutje,- beri një plakë e gërmuqur, duke u lëshuar si pa shpirt mbi plaçkat e veta bri rrugës. S'kishte faj e shkreta. Mbi supet e saja të brishta po barte rreth një shekull jete. Ishte rrahur në vaj e në uthull, por marrëzira të tilla s'kishte provuar. Sakaq iu vegua e ëma shamizeze, që ia përsëriste historinë e hidhur te muhaxhirëve...

...Kështu na patën dëbuar edhe ne, bijo, para njëqind e ca vitesh. E zeza na pati përlarë përpara mu si uji i turbulluar. Pa ditur ç'po ngjet morëm kokën në dorë dhe kah sytë, këmbët. Të gjitha i lamë prapa. I harruam fëmijët në djepa e bukët në çerepa. Shumë mbetën rrugëve e maleve, as varret nuk u dihen. Të tjerët u degdisem e u tretën fare. Kurrë nuk kam besuar se një gjëmë e tillë do të përsëritët! Kurrë, por fati i pamëshirshëm qenka dhe tekanjoz i fëlliqur.

Shqelmi i fuqishëm i një zgjatani mjekërzi ia këputi fillin e kujtimeve. Rrokullisja e saj tmerruese në humnerën e thellë te Vojteshit dhe krismat e thata të revolverit bënë që të tjerët të shpejtojnë.

Terri po ngutej si për inat. Nata e parë i zuri në Përrua të Keq. Dreq o punë. Aty në pikë të ditës te kapte frika e lëre me ta kaloje natën. Për kob, nisi edhe një shi i marrë. Mugëtira qiellore nuk po shteronte dot. Të zbuarit bëheshin krye me krye, si delet kur mrizojnë. Currilat e flokëve përziheshin me rreket e lotëve dhe qullnin tokën e pangopur argjilore. Engjëjt vrasës nuk u duken fare.

Agu i së nesërmes nuk solli gjë te mire. Sërish avaz i vjetër. Djajtë gjakatar fërfëllinin pas tyre bashkë me urinë, frikën, lodhjen dhe me etjen përvëluese. Marshi mortor i karvanit të sfilitur vazhdonte. Ecnin e ecnin, pa ditur se ku venin, ndoshta drejt vdekjes. Udhë te tilla, udhë ferri, bëmë denbabaden, nëpër vite e nëpër shekuj...

-Këndej patëm marshuar edhe më 1945, kur na dërguan dhunshëm në Tivar. Mbi pesëmijë veta, kryesisht të rinj, ishim atëbotë. Sa keq na mashtruan ujqërit e veshur me lëkura qengji. Dhe, na katandisen mizorisht. Mbi katërmijë ngelen të vrarë e te masakruar mizorisht. Deti i paane përpiu trupat e tyre. Poshtë pritnin peshkaqenët dhëmbëmprehtë me gojët vesh me vesh. Plisat e bardhë, porsi nositët, muaj të tërë notuan mbi valët e trazuara. Kaltërsia u tret në të kuqërremtë. As ne që i shpëtuam plojës shfarosëse nuk e patëm të lehtë. Hoqëm të zitë e ullirit dhe na ranë shtatë lëkura derisa u kthyem nëpër shtëpitë tona, -përfundon plaku gungaç nga Vaganica, me shenjën e kuqe në faqe, dëshminë besnike të asaj tragjedie makabre.

Në Gurakoc, një kukuvajkë ndillte zi. Shenje e keqe! -pëshpëritnin plakat besëtyte. Ato patën të drejtë. Parandjenjat kobtare po saktësoheshin. Tigrat e Arkanit, me rruaza rreth kokës e me vath në vesh, ua kishin prerë rrugën si hidra. Sa fort u vezullonin thikat në duart e gjakosura dhe sëpatat ruse në këllëfët e gjoksoreve'

-Ho, ho, ho... hi, hi, hi... -zgërdhiheshin e çirreshin në kupe të qiellit bishat e çakërdisura.

-Ejani, ejani, ori bukuroshe, se juve po ju presim! -lëpinin ata buzët si çakejtë e uritur. Për ku jeni nisur kështu, e? Dikur Azem Galica i pat çliruar Pejën dhe Istogun, por kot. Edhe Shaban Polluzha bëri heroizma në moshë të shtyrë. Jasharët, Shabani, Hamza e Ademi nuk e ndalen luftën tri ditë e tri net. Por, as Kostë Peçanci nuk ka vdekur. Edhe Miliq Kërsta është gjallë, nuk arriti ta vrasë Selman Kadria...

Dhe, katrahura çnjerëzore e çmendëse nisi dhimbshëm. Malet kësulëbardha i mbuloi zymtësia. Të rinjtë, më të mirët e më të zotët, veçoheshin nga të tjerët. Kur numri i tyre arriti në dyqind, prijësi i tyre, një kokërruar tas, ngriti dorën lart. Kolona u lejua te ecte tutje...

Cila zemër mund te largohej që andej?!

Asnjë, hiç. Si t'u kthehej shpina luleve te ardhmërisë? As këmbët s’bënin dot me tutje' Veç kur majat e thikave pamëshirshëm u futën thellë në mishrat e tyre, turma u lëkund kalamendshëm.

Dy bashkudhëtarë të pagojë morën tatëpjetë Rrafshit të Dukagjinit. Sa mirë i mbanin iso njëri-tjetrit: lumi natyror e lumi njerëzor. Veç shushurimës se valëve s'e prishte gjë shurdhësinë memece të natës. Hëna bënte sehir. Drama e fatzinjve s'po kishte të sosur. Shqipëria e ëndërruar ende ishte larg. Koha ecte. Shpresat shuheshin. Droja rritej. Përpëlitjet me të keqen vazhdonin ashpër. Grackat e të papriturat i përcillnin hap pas hapi...

-Arritëm në Gjakovë! -foli dikush ngazëllyeshëm, duke bërë me dorë nga qyteti, që dukej së largu. Buzëqeshje të ngrira ndrin në fytyrat e zymtuara. Dhe, kjo fare shkurt, sa hap e mbyll sytë. Tek Ura e Shenjtë krisi hataja. Përbindëshi monstruoz ua kishte prerë rrugën.

-Obobo! Ç'na gjeti kështu?!-çirreshin plakat, duke i shkulur flokët e thinjur.

-Korbat ne, korbat! -britnin të tjerat.

Aty, sy përdalët u vërsulën tërbueshëm mbi vajzat dhe nuset e bukura.

-O Zot, hapu tokë e bjer, o qiell ! Ç ‘mynxyrë e paparë. Dielli harroi rrugën. Zogjtë ndërprenë këngën. Drini i Bardhë shtoi valët që ta mbyste tundimin. Mbi Pashtrik shkreptiu rrufeja për së kthjellëti. Orteku mbytës rrafshoi çdo gjë...

Një bukuroshe shtatselvi shkëputët nga duart e ndyra të cerberit dhe fluturoi nga ura. Nusja e re hasjane e flijuar në këmbë të urës mbylli sy e vesh. Valët shkumuese hapen krahët dhe e morën në amshueshmëri. Me lule në dore o priste Argjiroja e bukur...

-Stop! S'keni ku shkoni tutje. Tash kthehuni në shtëpitë tuaja! -. urdhëruan vrasësit me një cinizëm neveritës.

-O tmerr i zi! O fat i mjerë! -klithnin të gjithë. Pas gjithë asaj golgote disaditëshe të ktheheshin prapa?!! Pajtohu me fatin tënd, kanë thënë fatalistët e mjerë.

Sërish lot... ofshamë...rrahje... ekzekutime...

-Ta thyejmë rrugën që t'i bishtnojmë te keqes! - thanë plakat, duke u vënë në krye të kolonës së përgjysmuar e të sakatuar keq.

Tashmë aty mungonin djemtë, burrat dhe vashat më të bukura...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx