Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sadbere Emshiu: Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg, Gjermani

| E enjte, 01.05.2025, 06:57 PM |


Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg, Gjermani

Nga Sadbere Emshiu, Hamburg

Një ditë bashkimi shpirtëror dhe krenarie për shqiptarët në Gjermani Komuniteti shqiptar në Hamburg është një nga komunitetet më të hershme dhe më të konsoliduara të diasporës shqiptare në Gjermani. Prej dekadash, shqiptarët e këtij qyteti kanë ruajtur me përkushtim gjuhën, traditat, besimin dhe identitetin kombëtar, duke u bërë një shembull i shkëlqyer i integrimit të suksesshëm pa humbur rrënjët. Në këtë kontekst, Misioni Katolik Shqiptar në Hamburg, i themeluar në vitin 1985, ka qenë dhe mbetet një shtyllë themelore për jetën shpirtërore, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve të këtij qyteti dhe më gjerë. Përmes meshave në gjuhën shqipe, katekizmit për fëmijë, aktiviteteve fetare e kombëtare, misioni ka qenë gjithnjë një vatër e dashurisë për Zotin dhe për kombin.

Më 27 prill 2025, në Kishën Gjermane Shpirti Shenjtë në Hamburg, u kremtua me solemnitet të veçantë 40-vjetori i themelimit të këtij Misioni. Kjo ngjarje madhështore mblodhi rreth vetes përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe personalitete të shquara të komunitetit shqiptar në Gjermani. Që nga mëngjesi i hershëm, besimtarët dhe të ftuarit nisën të mblidheshin në ambientet e kishës për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë, e cila u organizua në bashkëpunim me komunitetin gjermano-katolik. Ceremonia u hap me përshëndetje dygjuhëshe në shqip dhe gjermanisht, duke dëshmuar frymën e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës harmonike. Mesha u drejtua nga Dr. Bernd Wichert, administrator i famullive. Në bashkëmeshim me don Izak Dodes, misionar shqiptar që e udhëheq Misionin Katolik Shqiptar në Gjermani. Një rol të jashtëzakonshëm në organizimin e kësaj feste luajti z. Albert Bisaku, gazetar i njohur dhe bashkëpronar i restorantit "Luisenhof & Dubrovnik" në Hamburg, i cili është emër i njohur tash e një çerekshekulli për aktivitetet e tij në Hamburg dhe urat lidhëse që mundohet t'i krijojë mes komunitetin shqiptarë dhe atij gjerman. Bisaku, ish kryetari i dikurshëm i Unionit të Studentëve Shqiptarë „Illyria" bashkë me shumë anëtarë të tjerë të Misionit Katolik Shqiptar, dhanë një kontribut të pazëvendësueshëm në përgatitjen dhe realizimin e të gjithë programit të kremtimit, duke bërë të mundur që gjithçka të zhvillohej në mënyrë dinjitoze dhe me një profesionalizëm të admirueshëm. Meshën e përshkoi një atmosferë solemniteti të thellë: këndime të psalmeve, leximet e shkrimeve të shenjta dhe predikimi u mbajtën në shqip dhe gjermanisht, duke forcuar më tej mesazhin universal të paqes dhe vëllazërisë në besim. Një çast veçanërisht prekës ishte përkujtimi i ndërrimit të jetës së Papa Françeskut, i cili i ftoi të gjithë të pranishmit në një reflektim të thellë mbi udhëheqjen shpirtërore dhe rolin e saj në jetën e besimtarëve. Një vend të rëndësishëm në këtë ceremoni zuri edhe pjesëmarrja e fëmijëve, të cilët realizuan një simbolikë të bukur e kuptimplotë: lidhjen e një litari që përfaqësonte unitetin dhe lidhjen shpirtërore të komunitetit shqiptar dhe atij gjerman. Recitimet në të dyja gjuhët, shqiptare dhe gjermane, nga priftërinj dhe besimtarë të vegjël dhe të rritur, i dhanë ngjarjes një dimension edhe më të ndjerë. Pas përfundimit të meshës dyorëshe, festa vijoi në ambientet e jashtme dhe në sallat e kishës, ku u shtrua një pritje me ushqime tradicionale shqiptare dhe gjermane. Kjo pjesë e kremtimit, organizuar nga familjet shqiptare me disa restorante të njohura të gastronomeve shqiptarë si Luisenhof & Dubrovnik dhe Tunici Restaurants në Hamburg, Dubrovnik në Ahrensburg, Fährhaus Kirschenland në Jork, etj, krijuan një atmosferë të ngrohtë mikpritjeje, duke sjellë së bashku të gjithë të pranishmit përreth tryezës së miqësisë dhe unitetit. Ky jubile ishte më shumë se një përvjetor: ai ishte një dëshmi e gjallë e fuqisë së bashkimit përmes fesë, kulturës dhe identitetit kombëtar. Ishte një kujtesë e fuqishme për të gjithë shqiptarët në diasporë se, pavarësisht distancës nga atdheu, ruajtja e vlerave shpirtërore dhe kombëtare mbetet themeli i forcës sonë kolektive. Në këtë ngjarje madhështore nuk munguan edhe përfaqësues të feve të tjera. Një nga pjesëmarrëset, besimtare e fesë islame, ndau me emocion përjetimin e saj: "U afrova kësaj feste me pastërtinë shpirtërore të një abdesti dhe me lutje të heshtura për marrëveshje kombëtare, ndërkombëtare dhe ndërfetare. Në fund, u ndjeva e plotësuar." Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg përçoi një mesazh të qartë për brezat që vijnë: uniteti ynë, i rrënjosur në besim, kulturë dhe dashurinë për atdheun, është burimi i vërtetë i forcës sonë si popull.