E enjte, 01.05.2025, 02:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Syrja Etemi: Kënga Gjidi Brahimi – thesar i rrallë e trashëgimisë sonë popullore

E merkure, 30.04.2025, 06:53 PM


KËNGA: “GJIDI BRAHIMI”- THESAR I RRALLË I TRASHËGIMISË SONË POPULLORE

Nga Syrja Etemi

Kënga: Gjidi Brahimi, është një këngë epike-rapsodike që përfaqëson një nga format më të pastra të epikës gojore shqiptare. Kjo këngë nuk është vetëm një rrëfim i heroizmit ndividual, por një shfaqje e thellë e vlerave, kodeve morale dhe strukturës shoqërore tradicionale shqiptare, sidomos në viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Vëzhtrim analitik i këngës “Gjidi Brahimi”

1. Struktura dhe zhanri

Kjo këngë është një epope legjendare që mbart elementë të qartë të epikës heroike shqiptare, në traditën e Mujës dhe Halilit, por me një përpunim të thellë lokal. Është e ndërtuar në formën e këngës gojore dyzërëshe, që përçon ngjarjen përmes një rrëfimi dramatik e ritmik. Narracioni është linear, me një vijë klasike epike: thirrje në detyrë, përballje me pengesa, luftë, triumf dhe kthim në shtëpi, ndërkaq, përdorimi i rimës dhe paralelizmit është i theksuar, tipik për vargun epik që synon ruajtjen e kujtesës kolektive.

2. Tematika dhe mesazhet

Në thelb, kënga trajton çështjen e nderit familjar, besnikërisë ndaj trashëgimisë së babait, vazhdimësisë së trimërisë dhe rolit të gruas në traditën patriarkale – por me një kthesë dramatike.

  • Gjidi Brahimi paraqitet si një “azgën i ri”, i krahasuar me Mujin e Halilin, figura mitologjike shqiptare. Ai është i ri, por me barrën e madhe të detyrës për të mbrojtur nderin e familjes.
  • Bashkëbisedimi me nënën ekspozon dilema të thella morale – ndërmjet dashurisë për familjen dhe ndershmërisë, përballë realitetit të hidhur të tradhtisë brenda shtëpisë.
  • Fatimja (motra) simbolizon tradhëtinë e fshehur që shkatërron themelin e nderit. Akti i saj ndëshkohet pa mëshirë nga vëllai, që e sheh këtë si përbuzje ndaj babait të ndjerë dhe kodit familjar.
  • Krali dhe armiku janë përfaqësues të “tjetrit” – i huaji, i cili gjithmonë paraqitet si pushtues ose shkatërrues i nderit dhe i vetëdijes shqiptare.

3. Simbolika dhe Gjuha

  • Kënga është e mbushur me simbolikë të fortë: shpata, tizllaukët, gjoku, raki në filxhan – janë të gjitha shenja të statusit, trimërisë, ose tradhtisë.
  • Shprehja dramatike, si ajo kur nëna i kërkon djalit që të mos shkojë pas motrës së vet, e pastaj e qorton për vrasjen e saj – krijon një tension tragjik që kulmon me një akt të rëndë: vrasjen e nënës nga vet djali.
  • Përdorimi i gjuhës së gjallë, me dialektalizma të trevës së Pollogut, e bën këngën të ruajë gjallërinë dhe autenticitetin.

4. Kthesat narrative dhe dramaturgjia

Kënga zhvillohet si një dramë me akte:

  • Akti I: Dialogu me nënën dhe vendimi për të marrë hak.
  • Akti II: Udhëtimi, përballja me motrën dhe tradhtinë.
  • Akti III: Lufta me kralin – triumfi epik.
  • Akti IV: Kthimi në shtëpi dhe tragjedia familjare – ndëshkimi i nënës

Kjo dramaturgji e ngjeshur dhe ritmike krijon një intensitet emocional dhe një ndjenjë të thellë tragjedie klasike.

5. Rëndësia kulturore

Kënga “Gjidi Brahimi” është pasqyrë e një periudhe historike, ku nderi dhe gjaku ishin themeli i drejtësisë dhe ligjit në shoqëritë shqiptare. Ajo pasqyron edhe raportet ndëretnike (shki, turq, shqiptarë), në një kontekst ku identiteti dhe vetëdija etnike ruheshin përmes trimërisë dhe gojëdhënës.

Përfundim

Nga krejt kjo analizë e bërë mësipër, mund të nxjerrim një sublimim të qartë se, kënga “Gjidi Brahimi” nuk është vetëm një këngë. Kjo është edhe një manifest etnopsikologjik e social; një kod etik dhe një kronikë e pashkruar e zakoneve shqiptare në treva ku jeta dhe vdekja ishin të lidhura ngushtë me nderin, familjen dhe identitetin. Ndaj, këto lloje të  këngëve duhet ruajtur me një përkushtim të duhur, bile edhe duhet dokumentuar dhe studiuar – jo vetëm si art, por edhe si dëshmi antropologjike dhe historike e shpirtit shqiptar.NJË PLOTËSIM RRETH KËSAJ KËNGEJE  TË RRALLË RAPSODIKE...

Këtë këngë në trevën e Pollogut të Poshtëm (Tetovë) dhe të Epërm (Gostivar), madje edhe në zonën Uskanës, e gjejmë të kënduar në disa variante. Por, varianti që do ta paraqes në vijim, më duket se është më karakteristik, më pikant dhe më indikativ, si për nga teksti, tematika, zhvillimi i ngjarjes, po ashtu edhe për nga përfundimi.  Ja teksti në vazhdim:

GJIDI BRAHIMI

Ej, kur ka kën, more, hej Gjidi Brahimi

Shëm azgën, more, si Muja e Halili

Nanës vete, jo, shaum llaf po m'i çet-e

Llaf po m'i çet, besa, gjali nanës vet-e:

- Jo, a m'ka nana gjal ma trejm se un-e?

- Jo, rrej, bre bir-o në mizliç mo m'dil-e

O rrej, bre bir-o se m'je shaum i ri-e

O se nant vjet-o, bir ma shaum nuk kije, o, he.

Oj se nant vjet-o bir ma shaum nuk kij-e

Mos u ma, bre bir agje te s'ij-e

Se tej motrën-o bir jesir ma kij-e.

- T'u thaft gjuha n'gjoj, moj nëna jeme!

Pse s'm’ki thën, nën tej për motrën te(je)me

Pse kaç vakët tej s’um ke kallxu(ju)-e

O, un te motra, nan jum kën tuj shku(ju)-e.

O, e na u ngrëjt, more, ej Gjidi Brahimi

Jo, shum i bukur-o si rrem trëndafili

Je t'na u ngrëjt, more, e t'na sheh sabah-e

E t'm'i fali-o di reqat namaz-e

- Oh, mori nan, tha, moj e zeza nan-e

Jo amanet-un pi babës xhi ka(ja)m-e

O amanet-o baba xhi m'ka la(ja)n-e

M'ka lën baba-o ndonji amanete?

Nana gjalit-o sa mer po mi flet-e:

- Tej m'i kije-o tizllaukët e ba(ja)bës

Tej ma kije-o dullaumën e ba(ja)bës

Tej ma kije-o aj shpatën e ba(ja)bës

O mir ma kije, bir gjokin e babës-o,he.

O, e t'na u ngrit, more, ej Gjidi Brahimi

Aj gjal babe, more aj bir trimi

E t'm’i vejshi tizllaukët e ba(ja)bës

Mir ma nxheshi-o, aj shpatën e ba(ja)bës

Oj mir ma hipi aj gjokun e ba(ja)bës-o, he.

O e mur udhën-o ka krali me shku-e

Me kal shale si zog tuj fjaru-e

E kur mbrejni-o ka kulla e kralit

Gjidi Brahimi, mor hej pejka e gjalit

Motra e vete-o tuj shetejt në bafçe

Me alltëna-o në gjiks e në façe

Dhejt hallajkat po m'i shkuëjn për mbrapa

O pi tu dhejtve ajo ma e nalta-o, he.

O prejti e foli Fatime turkina:

- Ngjoni khëne, moj ju shoçe shkina

Shejfni udhës-o xhi po del çaj timi

Çe çaj ësht, more hej Gjidi Brahimi.

- T'pqasshin sejt, moj turkin-e Jutbinës

Ku ma njofte tej, hej Gjidi Brahimin

Kur ke ardh, mori ma ke lën pa li-e.

Prejti e foli-o Fatime turkina:

- Ngjoni khëne, o ju shoçe shki(ji)na.

E u thot, more hallajkave t'veta:

- Un'e njoh, more dullaumën e ba(ja)bës

Un' i njoh, more tizllaukët e ba(ja)bës

Un'e njoh, more hej shpatën e ba(ja)bës

Un' e njoh, more ej gjokin e ba(ja)bës

Ej xhi fjaron, mor si zogi havajës-o, he.

O, hej kur mbërejni, hej gjali ne de(je)r-e

I del para, more, motra e ve(je)te.

- Mir se erdhe, o vëllau jeme!

Ma mer vllaun n'kull, more e ka shti-e

M'i bon buk, more e m'i bon sajgi-e

M'i bon vllaut, hej kafe m'e pi-e

M'i bon kafe e nji sher të zi-e

N'ëilxhën t'kafes-o po m'i çet raki-e

Ja dha vllaut-o filxhanin me pi-e

Ja dha nja, more, e ja ka dhan di-e

O, shaum rakia  m’i ka ra në kri-e-o, he.

O shejf ç’i buëni-o Fatime turkina

Ajo motër-o ajo motër shki(ji)na

Me kallzu, more e me i dhën na(ja)re

E na mur, more pushkën haberta(ja)re

Ka ushtau, more bitevej nahia

Paska nij-e, more dhe krajlia – o he.

O erdh te kulla krali - si vetima

I dul para-o Fatime turkina:

- Mizhde kral-o për Gjidi Brahimin

At azgën, more në krali ma trimin.

- Hajt the çafën, moj turkin-e ke(je)çe!

Sa ushtrin, more une e kam vra-e

Gjidi Brahimin s’ën e kam zën xhall-e

Shif  Fatimja kralit be po i ban-e:

Pasha Kriçin!- o une e kam zan-e

O lidhët n'od, mor-oj un e ka(ja)m -e.

O kur më hini, mor, hej krali në ku(ju)ll-e

Ej kur ma pa, lidhët gjalit këm e du(ju)r-e

Shejf xhi bën, more, hej aj kral kau(ju)r-e

Kur ma shef, more, hej gjalin në xhu(ju)m-e

Po m'i kcen, more gjalit drejt në gju(ju)-je

Po mi bjen, more me çizme në ba(ja)ll-e

O krejt për hundësh pija i ka dal-e, o, he.

Gjidi Brahimin krali e ka ma(ja)r-e

Për me e vu, mor në kriç me e va(ja)r-e

Kejt ushtrin', more, aj e ka tubu(ju)-e

Pak pa e var, more aj i ka kallzu(ju)-e

Pak pa e pre, more gjalit i ka tha(ja)n-e

- A po t'dhejmët, mor jeta me dhë(jë)n-e?

- Nuk më dhejmët-o mu jeta me dhë(jë)n-e

Po ni t'keç ma t'madh në zemër e kë(jë)m-e

Për k'to petka baba xhi mi ka lë(jë)n-e

O t'keç ma t'madh un, besa qetër s’ kë(jë)m-e, o, he.

O nji rixha, o kral du me t’kërku(ju)-e

Nji rixha n'vend, mor ju me ma çu(ju)-e.

Me i hjek mor,hej k’to petkat e ba(ja)bës

Sa ka kën xhall baba në Jutbi(ji)n-e

Kur me xhak, more aj s'i ka përli(ji)-e

Ftejrën babës-o s'du me ja kori(ji)t-e.

Krali rajes-o nis me ba burni(ji)-je

Ene këmët-o gjalit ja ka zgi(ji)dh-e

Hek daullaumën e ja huëç tizlla(ja)ukët

Ja huëç prëngat e zinxhir't e tra(ja)sh-e

O i erdh takati gjalit xhi ka pa(ja)s-e, o, he.

Hej, e t'ma huëç gjali, oj shpatën pi bre(je)ezi

Ene kralit ia prev aske(je)rin

Kejt askerin-o aj ja ka faru(ju)-e

Vetëm krali mrejni për me pshtu(ju)-e

Shejfe gjali-o xhi kishte maru(ju)-e

Po m'i hipën në nji lis të na(ja)lt-e

Nji vërvele atit m'i ka dha(ja)n-e

Në nënt drina ati m'shel ishte kë(jë)n-e

Tu nënt drinat ati i ka dërmu(ju)-e

Mori udhën ati tuj fjaru(ju)-e

Te Brahimi-o ati paska shku(ju)-e

Drejt te trejmi-o kali paska mri(ji)t-e

Drejt në shal',  more gjali i ka k'ci(ji)-je.

O tuj fjaru-e gjali shkon mas ti(hi)-je, o, he.

O kullës kralit gjali ju afru(ju)-e

E Fatimja kur e ka hetu(ju)-e

Drejt e n'kull ajo deshti me shku(ju)-e

Krejen krali asaj me ja p'shtu(ju)u-e

Gjidi Brahimi kur i ka bërti(ji)t-e

Mur't e kullës krejt-o tuj u dri(ji)dh-e, o he:

- Ndalu shkin se ku po don me shku(ju)-e!

Ma ngat kaurin ki a ma ngat mu(ju)-e

Prit se hakin kam me ta pagu(ju)-e

O t'u l’shu, more e në kull ka hi(ji)-e

Motër-shkinën-o, more e ka mri(ji)-e

E t'ja huëç, more ej krejën me shpa(ja)t-e

Shejf xhi bën, more o aj krali ngra(ja)t-e

Ish m'shel n'kull, more, sikur m'shilen gra(ja)t-e.

Po nis gjali-o me zë tuj vika(ja)t-e:

-O ku ije, mor, o krajli i Ra(ja)j's-e?!

O ku ije, o krali i shki(ji)nës?!

S'ki pas pun, more, me trejma t'Jutbi(ji)nës!...

Me k'to fjal’-o,  krali u idhnu(ju)-e

Drejt  te shpata dorën e ka çu(ju)-e

E ja nisi me za tuj vika(ja)t-e

E t'u nxhitën me trejmin shpat'për shpa(ja)t-e

E t'na bahet nji muharebe gja(ja)t-e

Jo ma pak, more se nja shtat saha(ja)t-e

Krejen kralit ia hoç me shpa(ja)t-e.

Të di krejet i çiti n'sexha(ja)d-e

O, një të kralit e një t'motrës ma(ja)dhe.

N'këma dujçish krejet i ka shti(ji)-e

E serbes gjali niset drejt në shpi(ji)-e

Ka mar udhën në shpi kur ka shku(ju)-e

Në kull t'vete trejmi kur ka shku(ju)-e

E lidh atin e hipi me pushu(ju)-e

Maj hambar-o dujçit i ka vu(ju)-e

Hini n'sob, mor nanën me e gjazmu(ju)-e

O shkoj në sob-o nanës me i kallzu(ju)e, o, he.

O priti e foli nana e Gjidi Brahimit:

- Biri nanës - rremi trëndafi(ji)lit!

Bir-i nanës - k'put krejën e ba(ja)bës

Xhi m'bon drit-o si illi havajës

- O mor bir-o, -nëna m'i ka thë(jë)n-e

- Si ma lae bir-o motrën të(jë)nd-e?

- Shnosh e mir, nan' une e kam lë(jë)n-e.

Nja di kungi selëm t'i ka dhë(jë)ne

N'dujçi varët maj hambar i kë(jë)m-e

E kur zdripi nëna posht' në lë(jë)m-e

Çudi t'madhe nëna po m'i bë(jë)n-e, o, he

O nejsi gjali nanës me i kallxu(ju)-e

N'kull të kralit aj si ka luftu(ju)-e

En për motrën si e ka tradhtu(ju)-e

Nëna gjalit, more m’i ka thë(jë)n-e:

(Shëm haxhuze ene kjo m'ish kë(jë)n-e):

- Mir ja bëne çe k'saj kuçkës to(jo)n-e

Po si s'terdh keç, bir,- m'i ka kallzu(ju)-e

-O kët shidet, bir k’shtau  me e shëmtu(ju)-e, o, he.

O me k'to fjal o gjali u idhnu(ju)-e:

- Mori nën, mori tej mi kofsh mallku(ju)-e

- Mori nën-o gjali m'i ka thë(jë)n-e

- Hallall boma tëmlin xhi m'ki dhë(jë)n-e

Me k'to fjal ti shaum më ke idhnu(ju)-e

Krejt dunjëjën, nan ma ki terru(ju)-e

Vorrin e babës, nan me ma poshtnu(ju)-e

Je bë laik, nën’ krejen me t'shkurtu(ju)-e.

Gjidi Brahimi s'mundi me duru(ju)-e

Krejen nënës-o aj ja ka shkurtu(ju)-e

Se ka desht, more trejmin me tradhtu(ju)-e

Hakin e babës gjali ka pagju(ju)-e

Për shpert t'babës-o gjali ka luftu(ju)-e

E k'shu roj gjali, more njiqin vje(je)t-e

O se luftoj-o, për vatën të vete, o, he*.

Këndojnë: Ferat Maliki, Malik Maliki, Ismailhaki Jusufi dhe  Mehmet Jusufi- f. Sllatinë – në vitin 1996. Shënoi, S.E.

Forma e të kënduarit të këngës

Nga biseda ime e zhvilluar me rapsodët e lartëcekur, në vitin 1996, kuptuam që, këngën “Gjidi Brahimi”, këta këngëtarë e kanë mësuar nga dajallarët e tyre në vitet 6o-ta të shekullit XX, kurse më vonë e kanë përvetësuar tekstin dhe melodinë (duke e kënduar vet bashkarisht) në formën dyzërëshe, me ç’rast- i pari, Ferat Maliki, që e ka ditur  tekstin më mirë dhe, që ka zërin më kumbues, udhëheq me zërin e parë - “hedhësi” , kurse tre këngëtarët tjerë: Malik Maliki, Ismailhaki Jusufi dhe  Mehmet Jusufi - mbajnë zërin e dytë apo “mbajtësit”. Këngën e këndojnë pa përcjelljen me instrumente, gjegjësisht, pa ndonjë vegël muzikore apo “n’t’that”.

Disa të dhëna rreth rapsodëve:

1.FERAT MALIKI, lindur në Sllatinë (1924-2002). Ka qenë murator. Ka patur të kryer shkollën fillore katërklasëshe në gjuhën sërbo-kroate. Roli i Ferat Malikit në të kënduarit e këngës: Gjidi Brahimi, ka qenë në pozicionin e zërit të parë, apo “hedhësit”.

2.MALIK MALIKI, lindur në Sllatinë në v. 1935 . Me profesion ka qenë murator, kurse ka të mbaruar shkollën fillore katërklasëshe.  Roli i Malik Malikit në të kënduarit e këngës: Gjidi Brahimi, ka qenë në pozicionin e zërit të dytë, apo “mbajtësit”.

3.ISMAILAKI JUSUFI, lindur në Sllatinë në v.1946. Ka qenë punëtor teknik në shkollën fillore të fshatit Neproshten. Ka të mbaruar shkollën fillore. Roli i  tij në të kënduarit e këngës: Gjidi Brahimi, ka qenë në pozicionin e zërit të dytë, apo “mbajtësit”.

4.MEMET JUSUFI, lindur në Sllatinë në v. 1947. Ka qenë punëtor teknik në shkollën fillore të fshatit Sllatinë. Ka të mbaruar shkollën e mesme teknike. Roli i  tij në të kënduarit e këngës: Gjidi Brahimi, ka qenë në pozicionin e zërit të dytë, apo “mbajtësit”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Ndue Dedaj: Një 'mësues' i njerëzimit dhe 'klasa' e tij Vladimir Shyti: Politikantët rrahin brirët Ilir Muharremi: Një meditim filozofik mbi psikologjinë e artit të Edi Ramës Nuhi Veselaj: Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe (16) FPNIUBK: Për Ditëlindjen e Gjergj Kastriotit, bashkohuni me ne më 6 maj 2025, në Prishtinë Sevdail Hyseni: Kur zhapiku bëhet krokodil?! Gjon Keka: 6 Maji të shpallet ditë feste mbarëkombëtare, si ditë e bekuar e kombit tonë Gjekë Gjonaj: Dodë Nikollë Gjonaj, tërë jetën ia ka kushtuar artit popullor Albert Vataj: Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori Dorian Koçi: Mozaiku i Qesaratit - Një dritare drejt jetës sociale dhe kulturore të antikitetit Bashkim Saliasi: Mendimtarët e heshtur mbeten të pavdekshëm në mendjen e njerëzve Ftesë nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës Nuhi Veselaj: Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe (15) Hamza Halabaku: Medet kush është bërë deputet! Eduard M. Dilo: Kujtojmë Prof. Lume M. Juka Lekë Mrijaj: Tempulli i shpirtit hyjnor dhe atij shqiptar është “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë Bexhet Jagodini: Toponomia e tingullit në Sërbicë - Kërçovë Hysen Ibrahimi: Zeqir Kurti - Qëndro Kosovë qëndro Pilo Zyba:Lajm ‘’tronditës’’ nga Londra Albulena Pllana Breznica: Si e kam Kosovën?

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx