Kulturë
Mark Palnikaj: Kontributi i Papa Klementit XI në ringjalljen e jetës kishtare dhe për historiografinë në trojet shqiptare
E enjte, 01.05.2025, 06:59 PM
KONTRIBUTI I PAPA KLEMENTIT XI NË RINGJALLJEN E JETËS KISHTARE DHE PËR HISTORIOGRAFINË NË TROJET SHQIPTARE
Nga
Mark Palnikaj
Të
nderuar kolegë!
Ndjehem
sot i lumturuar që mbas rreth 300 vjetësh të vdekjes së Papa Klementit XI, më
së fundi në atdheun e të parëve të tij, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Muzeun
Historik Kombëtar u vendos busti i këtij shqiptari i cili bëri shumë për vendin
e origjinës së të parëve të tij dhe nuk mori asgjë në këmbim.
Megjithëse
janë shkruar një numër artikujsh mbi jetën dhe veprën e këtij kleriku të lartë,
kryesisht për tu mburrur se kemi patur një figure me përmasa të tilla me
origjinë shqiptare, pak është investuar për nxjerrjen në pah të kontributit
real të këtij prelati.
Në
Arkivin Apostolik të Vatikanit, i quajtur deri në vitin 2019 me emrin Arkivi
Sekret, në fondin Registri Lateranensi, duke filluar nga data 8 dhjetor 1700
kur ai mori detyrën e lartë të Papës deri me date 19 mars 1721 kur ai ka
vdekur, janë të ruajtura XXI volume me të dhëna mbi aktivitetin e tij.
Për
kontributin e tij për ringritjen e jetës kishtare në trojet Shqiptare, në prag
të rrënimit të plotë, si rezultat i represionit të pushtuesit turk të vendit
tonë, dhe për kontributin e tij për nxjerrjen në dritë të gjuhës dhe të
historisë së kombit shqiptar është punuar fare pak dhe institucionet zytare
shqiptare si Akademia e Shkencave, Institutet e ndryshme dhe katedrat e univeristeteve
tona janë marrë pak për ti studjuar dhe për ti publikuar.
Është
me vend që të përshëndetet seisoni jubilar i 300 vjetorit të vdekjes së këtij
pape nga Akademia e Shkencave në Tiranë.
Akademia
e shkencave dhe Nunciatura Apostolike e Vatikanit në Tiranë kanë organizuar një
session jubilar në përkujtim të para Gjon Françeskut Albani ose Papa Klementi
XI me origjinë shqiptare, një ndër katër Papët që kanë drejtuar më gjatë Selinë
e shenjtë. Për të përkujtuar këtë figurë
gjatë sesionit jubilar u risollën edhe një herë dimensionet që ai përfaqëson.
Skendër Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave, përmendi se ndër shumë
meritat e Papa Klementit të 11-të i njohim përfundimisht përgjithësimin e
etnonimit të ri të vendit dhe të popullit, Shqipëri e shqiptar, që u përdorën
për herë të parë si zëvendësues të Arbëri e arbër në procesverbalet e Kuvendit
të Mërqisë, i njohur ndryshe si Kuvendi i Arbnit.
Edhe
disa katedra dhe universitete shqiptare kanë organizuar ndonjë veprimtari në
nderim të këtij kollosi të kombit tone por duhet akoma më shumë punë për të
nxjerrë në dritë kontributet e tij në të mirë të vendit tonë.
Ja
vlen të vihet në dukje fakti që fjala “shqiptar” në vend të fjalës “arbër”
është gjetur e shkruar në vitin 1639, pra rreth 65 vjet më pare nga sa është
pretenduar deri më sot.
Në
një numër jo të vogël punimesh të personelit të kishës katolike, ku Atë Vinçens
Malaj zë një vend nderi, është publikuar i plotë kontributi i Papa Klementit XI
për mbajtjen e Kuvendit të Arbërit në Mërqinjë të Lezhës me 14 dhe 15 janar
1703.
Por
për ringjalljen e jetës kishtare gati të rrënuar në trojet tona në fund të
shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII dhe për kontributin për historiografinë
dhe shkrimet shqipe, publikimet kanë mjaft mangësi dhe duhen plotësuar patjetër
në të ardhmen nga studiuesit e shoqërisë civile dhe nga institucionet tona
zyrtare shkencore.
Është
e njohur dhuna dhe represioni që pushtuesi turk ushtroi mbi popullsinë katolike
të Arbërisë së asaj kohe dhe zonave për rreth. Nga viti 1479 kur u pushtua
Shkodra deri në vitin 1622, Vatikani në trojet e sotme shqiptare nuk kishte
mundur të ushtronte siç duhet aktivitetin e tij baritor në popullsinë me të
krishterë katolik roman. Mbas vitit 1600, kur filluan të vinin klerikët e parë
në fshatrat malore të vendit tonë, në shumë krahina si Pulti, Mirdita, Mati
etj, janë pagëzuar edhe pleq 85 vjeçarë të cilët nuk kishin parë kurr një
klerik katolik dhe fenë e krishterë e kishin ruajtur vetë vetëm për forcë
zakoni pa asnjë mbështetje.
Kjo
gjendje e mjerueshme ku ishte katandisur kisha katolike romane në trojet
arbërore, detyroi Selinë e Shenjtë në Vatikan që të krijonte një institucion të
veçantë me emër Propoganda Fide ose e thënë shqip Institucioni për Përhapjen e
Fesë, kryesisht në zonat e pushtimit osman, me datën 6 janar 1622.
Një
ndihmesë tjetër shumë e madhe kundër rrënimit përfundimtar të besimit të
krishterë në këto zona ka qënë edhe hapja e dy Kolegjeve Ilirikë në dy qytetet
bregdetare italjane, në Loreto dhe të Fermo, që ishin të destinuara të pregatisnin
personel të kualifikuar kishtar për të gjitha zonat e Ilirikut dhe për
ringjalljen e shkrimeve në gjuhët amtare të këtyre popullsive, posaçërisht edhe
asaj shqiptare.
Megjith
marrjen e këtyre masave, rezultatet e arritura në fillim ishin mjaft modeste,
por megjithatë, ardhja e priftërnjëve françeskanë në këto zona, qe fillimi i
një gallërimi të jetës pothuaj të shuar kishtare.
Tregues
i dhunës së pushtuesit turk, dhe i mjerimit ku ishte katandisur kisha katolike
romane ishte fakti që për 200 vjet pushtuesi nuk lejoi që në qytetin e Shkodrës
të kishte një Ipeshkvi, megjithse kishte rreth 11 shekuj që në këtë qytet ky
institucion kishte funksionuar me rezultate shumë të larta.
Ipeshkvijtë
e Shkodrës caktoheshin nga Selia e Shenjtë por ata kurrë, gjatë 200 viteve nuk
u paraqitën në Shkodër por qëndronin në Tivar ose edhe në Venedik.
I
pari Ipeshkëv që erdhi në Shkodër me datën 6 mars të vitit 1656 ishte Pjetër
Bogdani, i cili e ndërtoi selinë e tij në fshatin malor të Rrjollit rreth 40
kilometra larg Shkodrës, ku në vitin 1675, arriti të ndërtonte edhe një shkollë
shqipe me mësues Marin Gjinin.
Në
Ipeshkvinë e Pultit, një ipeshkvi që shtrihej tërësisht midis malesh të ashpra,
për 176 vjet nuk pati Ipeshkëv, megjithse Selia Shenjtë emëroi disa, por ata
deri në vitin 1698, nuk u paraqitën asnjëherë pranë besimtarëve të tyre.
Në
vitin 1698, Ipeshkvi i caktuar për dioqezën e Pultit, Pjetër Karagiq, u paraqit
në katedrale në fshatin Gashi, por nga dhuna e turqve, nuk qëndroi asnjë ditë
aty por selinë e ipeshkvit e vendosi në Shosh. Sipas dokumenteve arkivore nga
Arkivi i Propagandës Fide, tashmë të publikuar nga ne edhe në gjuhën shqipe,
selia e re e ipeshkvit pra “Katedralja” e Pultit në Shosh, ishte një ndërtesë e
ndërtuar me mure guri pa llaç dhe e mbuluar me kashtë dhe me mjete të tjera
rrethanore, e ngjajshme me një stallë verore bagëtishë.
Në
këtë gjendje të mjerueshme e gjeti Kishën Katolike Romane në atdheun e të
parëve të tij Papa Klementi XI kur erdhi në krye të pontifikatit në Vatikan në
dhjetor të vitit 1700.
Ai
e mori seriozisht punën për ndryshimin e gjendjes në këtë zone dhe hapi i parë
ka qenë urdhëri për të shkruajtur historikun e kishës në trevat e Ilirikut, e
njohur me titull në gjuhën latine si Illyricum Sacrum ose Iliria e Shenjtë.
Këtë detyrë ai e pati marrë mbi vete para se të emërohej Papë dhe si rezultat i
detyrave të shumta që iu desh të kryente, ai ja ngarkoi këtë detyrë Filipo
Riçeputit por pa hequr asnjëherë dorë në mbikqyrjen e kryerjes së kësajë detyre
nga vartësit e tij.
Hapi
i dytë madhor me të cilin ai është bërë i pavdekshëm në historiografinë tonë ka
qënë organizimi i Kuvendit të Arbrit në Mërqinjë të Lezhës në janarin e vitit
1703, detyrë që ia ngarkoi mikut dhe vartësit të tij Vinçens Zmajeviqit.
Në
këtë kuvend janë mbledhur mbi 200 persona me ndikim nga të gjitha trojet
Arbërore dhe janë marrë vendime me rëndësi për përmirësimin e gjendjes së
Kishës Katolike Romane në trojet tona. Në vitin 1706, këto vendime të shkruara
në gjuhën latine, janë përkthyer në gjuhën shqipe të kohës, me siguri me
urdhërin dhe nën kujdesin e Papa Klementit XI.
Në
periudhën e pontifikatit të tij u pregatit fjalori i parë i pregatitur nga Fra
Francesko Maria da Lece, nga gjuha italjane në gjuhën shqipe i cili për fat të
keq njohu botimin e plotë dhe daljen në dritë vetëm në vitin 2009 nën kujdesin
e studjuesit të nderuar Gëzim Gurga.
Gramatika
e pare e gjuhës shqipe e ruajtur deri më sot, që njifet e botuar, e shkruar
edhe kjo nga Fra Francesko Maria da Lece, u botua në vitin 1716. Botimi i
kësajë gramatike i ka dhënë një shtysë të madhe shkrimit dhe përpunimit të
gjuhës shqipe. Njëkohësisht, në këtë periudhë janë hapur edhe shumë shkolla në
gjuhë shqipe, krahas atyre që ishin hapur gjatë shek. XVII.
Në
qytetin e Shkodrës, krahas shkollës së Rrjollit të hapur nga Pjetër Bogdani në
vitin 1675, në vitin 1698 ka qenë Fra Filipi nga Shkodra që ka hapur një tjetër
shkollë në gjuhën shqipe.
Në
mesin e shek. XVIII, shkolla e Topanasë në qytetin e Shkodrës, kishte
rregulloren e sajë me 29 nene, tashmë të publikuar edhe për lexuesin shqiptar.
Këto
arritje, hapja e shkollave, shkrimi i historisë së Ilirikut, shkruarja e
falorit dhe gramatikës së gjuhës shqipe dhe vënia në punë e Ipeshkvive në
Ipeshkvinë e Shkodrës dhe të Pultit në vitet e pontifikatit të këtij pape, janë
arritje e kontributit, mundit dhe djersës, lodhjes dhe sakrificave edhe e
klerikëve të tjerë italjan dhe shqiptar, por merita kryesore i njifet Papa
Klementit XI i cili gjatë gjithë periudhës nuk e la mbas dore për asnjë moment
ringjalljen e jetës kulturore dhe kishtare të vendit të tij të origjinës dhe
lënia me shkrim e porosisë që mbi varrin e tij të qartësohet me shkrim origjina e tij nga
trojet e Arbërisë.
Dëshirën
për t’u identifikuar me kombësi shqiptar Papa Kelmenti XI (Gjon Francesk
Albani) e ka shprehur menjëherë pas zyrtarizimit si drejtuesi i Kishës
Katolike, kur vendosi që të njihej edhe me mbiemrin Albani.
Ai
e deshi, e respektoi dhe kontribuoi për mbarëvajtjen e vendit të origjinës së
tij, Arbërisë, e cila sot identifikohet me trojet Shqiptare.
Mbi
jetën dhe kontributin e tij janë shkruar mijëra shkrime, por nuk është shkruar
një vepër e plotë stdimore, e mirëfilltë ku të jetë e përmbledhur vepra e tij
në dobi të atdheut të të parëve të vet.
Është
detyra jonë, që të nxjerrim në pah dhe të publikojmë të gjitha kontributete e
tij dhe ti jepet vendi i merituar në altarin e shenjtë të historisë dhe të
kulturës shqiptare.
Ju
faleminderit,
Mark Palnikaj, Tiranë më 1 maj 2025