Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mark Palnikaj: Kontributi i Papa Klementit XI në ringjalljen e jetës kishtare dhe për historiografinë në trojet shqiptare

| E enjte, 01.05.2025, 06:59 PM |


KONTRIBUTI I PAPA KLEMENTIT XI NË RINGJALLJEN E JETËS KISHTARE DHE PËR HISTORIOGRAFINË NË TROJET SHQIPTARE

Nga Mark Palnikaj

Të nderuar kolegë!

Ndjehem sot i lumturuar që mbas rreth 300 vjetësh të vdekjes së Papa Klementit XI, më së fundi në atdheun e të parëve të tij, në kryeqytetin e Shqipërisë, në Muzeun Historik Kombëtar u vendos busti i këtij shqiptari i cili bëri shumë për vendin e origjinës së të parëve të tij dhe nuk mori asgjë në këmbim.

Megjithëse janë shkruar një numër artikujsh mbi jetën dhe veprën e këtij kleriku të lartë, kryesisht për tu mburrur se kemi patur një figure me përmasa të tilla me origjinë shqiptare, pak është investuar për nxjerrjen në pah të kontributit real të këtij prelati.

Në Arkivin Apostolik të Vatikanit, i quajtur deri në vitin 2019 me emrin Arkivi Sekret, në fondin Registri Lateranensi, duke filluar nga data 8 dhjetor 1700 kur ai mori detyrën e lartë të Papës deri me date 19 mars 1721 kur ai ka vdekur, janë të ruajtura XXI volume me të dhëna mbi aktivitetin e tij.

Për kontributin e tij për ringritjen e jetës kishtare në trojet Shqiptare, në prag të rrënimit të plotë, si rezultat i represionit të pushtuesit turk të vendit tonë, dhe për kontributin e tij për nxjerrjen në dritë të gjuhës dhe të historisë së kombit shqiptar është punuar fare pak dhe institucionet zytare shqiptare si Akademia e Shkencave, Institutet e ndryshme dhe katedrat e univeristeteve tona janë marrë pak për ti studjuar dhe për ti publikuar.

Është me vend që të përshëndetet seisoni jubilar i 300 vjetorit të vdekjes së këtij pape nga Akademia e Shkencave në Tiranë.

Akademia e shkencave dhe Nunciatura Apostolike e Vatikanit në Tiranë kanë organizuar një session jubilar në përkujtim të para Gjon Françeskut Albani ose Papa Klementi XI me origjinë shqiptare, një ndër katër Papët që kanë drejtuar më gjatë Selinë e shenjtë.  Për të përkujtuar këtë figurë gjatë sesionit jubilar u risollën edhe një herë dimensionet që ai përfaqëson. Skendër Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave, përmendi se ndër shumë meritat e Papa Klementit të 11-të i njohim përfundimisht përgjithësimin e etnonimit të ri të vendit dhe të popullit, Shqipëri e shqiptar, që u përdorën për herë të parë si zëvendësues të Arbëri e arbër në procesverbalet e Kuvendit të Mërqisë, i njohur ndryshe si Kuvendi i Arbnit.

Edhe disa katedra dhe universitete shqiptare kanë organizuar ndonjë veprimtari në nderim të këtij kollosi të kombit tone por duhet akoma më shumë punë për të nxjerrë në dritë kontributet e tij në të mirë të vendit tonë.

Ja vlen të vihet në dukje fakti që fjala “shqiptar” në vend të fjalës “arbër” është gjetur e shkruar në vitin 1639, pra rreth 65 vjet më pare nga sa është pretenduar deri më sot.

Në një numër jo të vogël punimesh të personelit të kishës katolike, ku Atë Vinçens Malaj zë një vend nderi, është publikuar i plotë kontributi i Papa Klementit XI për mbajtjen e Kuvendit të Arbërit në Mërqinjë të Lezhës me 14 dhe 15 janar 1703.

Por për ringjalljen e jetës kishtare gati të rrënuar në trojet tona në fund të shek. XVII dhe në fillim të shek. XVIII dhe për kontributin për historiografinë dhe shkrimet shqipe, publikimet kanë mjaft mangësi dhe duhen plotësuar patjetër në të ardhmen nga studiuesit e shoqërisë civile dhe nga institucionet tona zyrtare shkencore.

Është e njohur dhuna dhe represioni që pushtuesi turk ushtroi mbi popullsinë katolike të Arbërisë së asaj kohe dhe zonave për rreth. Nga viti 1479 kur u pushtua Shkodra deri në vitin 1622, Vatikani në trojet e sotme shqiptare nuk kishte mundur të ushtronte siç duhet aktivitetin e tij baritor në popullsinë me të krishterë katolik roman. Mbas vitit 1600, kur filluan të vinin klerikët e parë në fshatrat malore të vendit tonë, në shumë krahina si Pulti, Mirdita, Mati etj, janë pagëzuar edhe pleq 85 vjeçarë të cilët nuk kishin parë kurr një klerik katolik dhe fenë e krishterë e kishin ruajtur vetë vetëm për forcë zakoni pa asnjë mbështetje.

Kjo gjendje e mjerueshme ku ishte katandisur kisha katolike romane në trojet arbërore, detyroi Selinë e Shenjtë në Vatikan që të krijonte një institucion të veçantë me emër Propoganda Fide ose e thënë shqip Institucioni për Përhapjen e Fesë, kryesisht në zonat e pushtimit osman, me datën 6 janar 1622.

Një ndihmesë tjetër shumë e madhe kundër rrënimit përfundimtar të besimit të krishterë në këto zona ka qënë edhe hapja e dy Kolegjeve Ilirikë në dy qytetet bregdetare italjane, në Loreto dhe të Fermo, që ishin të destinuara të pregatisnin personel të kualifikuar kishtar për të gjitha zonat e Ilirikut dhe për ringjalljen e shkrimeve në gjuhët amtare të këtyre popullsive, posaçërisht edhe asaj shqiptare.

Megjith marrjen e këtyre masave, rezultatet e arritura në fillim ishin mjaft modeste, por megjithatë, ardhja e priftërnjëve françeskanë në këto zona, qe fillimi i një gallërimi të jetës pothuaj të shuar kishtare.

Tregues i dhunës së pushtuesit turk, dhe i mjerimit ku ishte katandisur kisha katolike romane ishte fakti që për 200 vjet pushtuesi nuk lejoi që në qytetin e Shkodrës të kishte një Ipeshkvi, megjithse kishte rreth 11 shekuj që në këtë qytet ky institucion kishte funksionuar me rezultate shumë të larta.

Ipeshkvijtë e Shkodrës caktoheshin nga Selia e Shenjtë por ata kurrë, gjatë 200 viteve nuk u paraqitën në Shkodër por qëndronin në Tivar ose edhe në Venedik.

I pari Ipeshkëv që erdhi në Shkodër me datën 6 mars të vitit 1656 ishte Pjetër Bogdani, i cili e ndërtoi selinë e tij në fshatin malor të Rrjollit rreth 40 kilometra larg Shkodrës, ku në vitin 1675, arriti të ndërtonte edhe një shkollë shqipe me mësues Marin Gjinin.

Në Ipeshkvinë e Pultit, një ipeshkvi që shtrihej tërësisht midis malesh të ashpra, për 176 vjet nuk pati Ipeshkëv, megjithse Selia Shenjtë emëroi disa, por ata deri në vitin 1698, nuk u paraqitën asnjëherë pranë besimtarëve të tyre.

Në vitin 1698, Ipeshkvi i caktuar për dioqezën e Pultit, Pjetër Karagiq, u paraqit në katedrale në fshatin Gashi, por nga dhuna e turqve, nuk qëndroi asnjë ditë aty por selinë e ipeshkvit e vendosi në Shosh. Sipas dokumenteve arkivore nga Arkivi i Propagandës Fide, tashmë të publikuar nga ne edhe në gjuhën shqipe, selia e re e ipeshkvit pra “Katedralja” e Pultit në Shosh, ishte një ndërtesë e ndërtuar me mure guri pa llaç dhe e mbuluar me kashtë dhe me mjete të tjera rrethanore, e ngjajshme me një stallë verore bagëtishë.

Në këtë gjendje të mjerueshme e gjeti Kishën Katolike Romane në atdheun e të parëve të tij Papa Klementi XI kur erdhi në krye të pontifikatit në Vatikan në dhjetor të vitit 1700.

Ai e mori seriozisht punën për ndryshimin e gjendjes në këtë zone dhe hapi i parë ka qenë urdhëri për të shkruajtur historikun e kishës në trevat e Ilirikut, e njohur me titull në gjuhën latine si Illyricum Sacrum ose Iliria e Shenjtë. Këtë detyrë ai e pati marrë mbi vete para se të emërohej Papë dhe si rezultat i detyrave të shumta që iu desh të kryente, ai ja ngarkoi këtë detyrë Filipo Riçeputit por pa hequr asnjëherë dorë në mbikqyrjen e kryerjes së kësajë detyre nga vartësit e tij.

Hapi i dytë madhor me të cilin ai është bërë i pavdekshëm në historiografinë tonë ka qënë organizimi i Kuvendit të Arbrit në Mërqinjë të Lezhës në janarin e vitit 1703, detyrë që ia ngarkoi mikut dhe vartësit të tij Vinçens Zmajeviqit.

Në këtë kuvend janë mbledhur mbi 200 persona me ndikim nga të gjitha trojet Arbërore dhe janë marrë vendime me rëndësi për përmirësimin e gjendjes së Kishës Katolike Romane në trojet tona. Në vitin 1706, këto vendime të shkruara në gjuhën latine, janë përkthyer në gjuhën shqipe të kohës, me siguri me urdhërin dhe nën kujdesin e Papa Klementit XI.

Në periudhën e pontifikatit të tij u pregatit fjalori i parë i pregatitur nga Fra Francesko Maria da Lece, nga gjuha italjane në gjuhën shqipe i cili për fat të keq njohu botimin e plotë dhe daljen në dritë vetëm në vitin 2009 nën kujdesin e studjuesit të nderuar Gëzim Gurga.

Gramatika e pare e gjuhës shqipe e ruajtur deri më sot, që njifet e botuar, e shkruar edhe kjo nga Fra Francesko Maria da Lece, u botua në vitin 1716. Botimi i kësajë gramatike i ka dhënë një shtysë të madhe shkrimit dhe përpunimit të gjuhës shqipe. Njëkohësisht, në këtë periudhë janë hapur edhe shumë shkolla në gjuhë shqipe, krahas atyre që ishin hapur gjatë shek. XVII.

Në qytetin e Shkodrës, krahas shkollës së Rrjollit të hapur nga Pjetër Bogdani në vitin 1675, në vitin 1698 ka qenë Fra Filipi nga Shkodra që ka hapur një tjetër shkollë në gjuhën shqipe.

Në mesin e shek. XVIII, shkolla e Topanasë në qytetin e Shkodrës, kishte rregulloren e sajë me 29 nene, tashmë të publikuar edhe për lexuesin shqiptar.

Këto arritje, hapja e shkollave, shkrimi i historisë së Ilirikut, shkruarja e falorit dhe gramatikës së gjuhës shqipe dhe vënia në punë e Ipeshkvive në Ipeshkvinë e Shkodrës dhe të Pultit në vitet e pontifikatit të këtij pape, janë arritje e kontributit, mundit dhe djersës, lodhjes dhe sakrificave edhe e klerikëve të tjerë italjan dhe shqiptar, por merita kryesore i njifet Papa Klementit XI i cili gjatë gjithë periudhës nuk e la mbas dore për asnjë moment ringjalljen e jetës kulturore dhe kishtare të vendit të tij të origjinës dhe lënia me shkrim e porosisë që mbi varrin e tij të  qartësohet me shkrim origjina e tij nga trojet e Arbërisë.

Dëshirën për t’u identifikuar me kombësi shqiptar Papa Kelmenti XI (Gjon Francesk Albani) e ka shprehur menjëherë pas zyrtarizimit si drejtuesi i Kishës Katolike, kur vendosi që të njihej edhe me mbiemrin Albani.

Ai e deshi, e respektoi dhe kontribuoi për mbarëvajtjen e vendit të origjinës së tij, Arbërisë, e cila sot identifikohet me trojet Shqiptare.

Mbi jetën dhe kontributin e tij janë shkruar mijëra shkrime, por nuk është shkruar një vepër e plotë stdimore, e mirëfilltë ku të jetë e përmbledhur vepra e tij në dobi të atdheut të të parëve të vet.

Është detyra jonë, që të nxjerrim në pah dhe të publikojmë të gjitha kontributete e tij dhe ti jepet vendi i merituar në altarin e shenjtë të historisë dhe të kulturës shqiptare.

Ju faleminderit,

Mark Palnikaj, Tiranë më 1 maj 2025