Kulturë
Çfarë kanë thënë për Skënderbeun, Heroin Tonë Kombëtar
E marte, 06.05.2025, 06:59 PM
Çfarë kanë thënë për Skënderbeun, Heroin Tonë Kombëtar, “…një ndër shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Europës”
Papa Kalikst i III
“Si një pendë e patundshme, Gjergj
Kastrioti ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi të zaptonin Europën Kristjane!
Papa Piu I II
“Gjergj Kastrioti kaloi gati gjithë
jetën e tij, duke luftuar për kauzën kristiane. Është zor me gjetë një prijës
kryqëzate, që mund të krahasohet me të!”
Mbretëresha e Anglisë, Elisabeth, në
librin e lutjeve, botuar më 1559
“17 janar. Si sot, vdiq princi i
mirë, Skënderbeu, mbreti i Epirit dhe shfarosësi i turqve”.
Sulltan Mehmeti II
“Kurrë s’ka për të dalë më mbi tokë
një luan i tillë!”
Voltaire, (Volter) François-Marie
Arouet, shkrimtar francez
“Sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu
Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453”.
Gjenerali Xhejms Volfi, heroi i
Kebekut
“Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë
oficerëve, të lashtë e të sotëm, për drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse!”
Sër Uiliam Tempël, në punimin mbi
“Virtytin heroik”
“Skënderbeu është një ndër shtatë
mbretërit e pakurorëzuar të Europës …, bëmat dhe virtytet e të cilëve mund t’u
lejojnë atyre me të drejtë, të renditen krahas kaq mbretërve e perandorëve…
Gjergj Kastrioti, i quajtur zakonisht Skënderbeu, princ i Epirit, dhe Huniadi,
mëkëmbës i mbretit të Hungarisë, që kanë qenë dy kapedanët më ngadhënjimtarë
dhe burra të shkëlqyer, kampionë të vërtetë të krishtërimit sa qenë gjallë dhe
tmerr i turqve, sepse me forca të pakta, iu bënë ledh për aq shumë vite, gjithë
fuqive të Perandorisë Osmane… dhe Skënderbeu asnjëherë nuk mblodhi bashkë mbi
gjashtëmbëdhjetë mijë vetë, për të gjitha fitoret e famshme që korri kundër
turqve, të cilët ishin disa herë më shumë si numër, mbi njëqind mijë!”
Thomas Townshend, sekretar i
Britanisë për Luftën
“Njohuri të mëdha të artit ushtarak,
mund të nxirren nga jeta e Gustav Adolfit dhe nga ajo e Karlit XII, mbretit të
Suedisë, si dhe nga jeta e Ziskës së Bohemias. Dhe do të ishte një punë e
paçmueshme, po mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i bëmave të
Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjithë gjeneralëve të kohërave të vjetra
dhe të sotme, si udhëheqës i një ushtri të vogël mbrojtëse. Skënderbeun e kam
gjetur në historinë e Turqisë, por askund gjetkë. ”
Milan Shuflaj, albanolog nga Kroacia
“Është e kotë të kërkosh dokumente në
Shqipëri për Skënderbeun, përveç atyre që janë shkruar nëpër shkëmbinj, sepse
çdo gjë që ishte e shkruar, u dogj nga turku!”
Kostandin Jiriçek, historian dhe
albanolog nga Çekia, në librin “Historia e Serbëve”
“Venedikasit shpallën si çmim, pagesë
të përjetshme prej 100 dukatësh, për vrasjen e Skënderbeut.”
Marin Barleti, shkrimtar, historian
(Historia e Skënderbeut, faqe 491)
“Kur e dëgjoi që (Skënderbeun) po e
qanin të vdekur, Lekë Dukagjini, princ epiriot, doli me vrap në mes të pazarit
dhe, me fytyrë të pikëlluar e me zë të lartë, tha duke shkulur mjekrrën dhe
flokët: Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë
arbërorë! Sot, bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret
dhe fortesat tona, sot u shua krejt, së bashku me këtë njeri, çdo shpresë e
jona!”
Fan Noli, historian, studiues,
shkrimtar, përkthyes (Gjergj Kastriot Skënderbeu, 1405-1468, faqe 11, 38)”
“Skënderbeu ka mbrojtur me sukses
Krujën, kundër tre rrethimeve të Muratit II dhe Mehmetit të II, dy pushtonjësve
më të tmerrshëm të kohës, që kishin në dorë ushtritë më të forta të botës”.
“Historia e Skënderbeut është
interesante, nga katër pikëpamje të ndryshme: si një kryqëzatë kristiane kundër
turqve; si një luftë klase e fshatarësisë së lirë shqiptare, kundër
feudalizimit turk nga njëra anë dhe kundër kapitalizimit venedikas, nga ana
tjetër; si një luftë e gjatë e rezistencës kundër dy sulltanëve më të mëdhenj
të turqve dhe, në fund, si një kapitull shumë i rëndësishmë i historisë së
Gadishullit të Ballkanit.”
Aleks Buda, historian, kryetar i
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
“Veprimtaria e Skënderbeut nuk është
“një balon i fryrë, siç është thënë, por një fakt historik. Këtu s’kemi të
bëjmë vetëm me operacione banditësh nëpër male, por me një luftë gjigandeske,
me përpjestime europiane, që zgjati më tepër se një çerek shekulli dhe vuri
përballë forcave vigane turke, popullin tonë të vogël”.
Faik Konica, gazetar, studiues,
diplomat (Shqipëria, kopështi shkëmbor i Evropës Juglindore, faqe 17)
“Gjithë autorët për Skënderbeun, që
nga Marin Barleti e deri te Eduard Giboni dhe peshkopi Noli, kanë ngritur lart
heroizmin e tij luftarak, por pak gjë është thënë për aftësinë e tij që të
punonte me njerëzit. Në kohën e tij, Shqipëria ka qenë e ndarë në disa
principata dhe çdo prijës ishte ziliqar e krenar, siç mund të jetë një shqiptar
për rëndësinë e vet në tablonë e gjërave. Në këtë pështjellim e përleshje, që
afrohej me anarkinë, erdhi Skënderbeu më 1443. Për të sjellë rregull në këtë
kaos, ai thirri një kuvend, për të gjithë princat, në Lezhë më 2 mars 1444, ku
formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë, duke u bërë vetë kryekomandant i ushtrisë
së Lidhjes. Ishin më shumë se një dyzinë princash, por me anë të diplomacisë e
të shpirtmadhësisë, ai ia doli t’i mbante ata të bashkuar, derisa vdiq. Një
njeri më i vogël nuk do mund t’ia arrinte. Herë pas here, disa prej tyre, u
lëkundën, por personaliteti i tij dinamik i mbajti ata të bashkuar fort, si në
mengene. Por mengeja u prish, sapo ai u varros në Katedralen e Shën Nikollës së
Leshit, më 17 janar 1468. Pak kohë më pas, Lidhja e tij u përça dhe bashkë me
të ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur dot më, deri më 1912, pas katërqind
e dyzet e katër vjetësh. Kështu Shqipëria qe vendi i fundit në Ballkan, që iu
nënshtrua turqve dhe i fundit që rifitoi lirinë e vet”.
“Ndoshta mënyra më e mirë për të
vlerësuar Skënderbeun, është t’u drejtohesh fjalëve që kanë thënë për të disa
shkrimtarë dhe ushtarakë të shquar. Diku, në veprën e tij të vëllimshme,
Volteri ka guxuar të shprehet se, sikur ta kishte mbrojtur Skënderbeu
Konstantinopolin, turqit nuk do të kishin mundur ta merrnin në maj 1453?.
Ismail Kadare, shkrimtar
(Mosmarrëveshja, faqe 112)
“Gjergj Kastrioti ishte prijësi më i
madh i Ballkanit, absolutisht më i madhi i epokës së vet. Ai ishte i pari që
përpunoi me mendje të hekurt, dhe vizion madhështor, rrugën e Shqipërisë, nga
do të ecte ajo, nga Lindja apo Perëndimi. Nuk janë të rastit lëvdatat ndaj tij.
Ai qe themeluesi i idesë shqiptare, me tërë ndërlikimin e saj. Prandaj ka marrë
kaq famë në Europë ai, nuk e mori për sytë e bukur. Ka më shumë famë se,
Shqipëria vetë. Ai ishte prijësi më i madh i Ballkanit, që i dha vendit të tij
një orientim drejt Europës, deri në fund, sa vdiq! Ai ishte testamenti i parë i
orientimit të shqiptarëve. Testamentin e tij e zgjoi rilindja shqiptare. Ky
është një rrugëtim shumë i gjatë. Tani kanë dalë lloj-lloj sofistash që thonë,
po jo turqit s’kanë qenë aq të këqinj. Thuhet, po pse qëndruam ne 500 vjet me
ta? Pesëqind vjet e patën të gjithë ballakanasit Turqinë në qafë, jo vetëm ne
shqiptarët. E pati greku që mbahet si flamurtar kundër Turqisë, serbët,
bullgarët, gjithë Ballkani. Nuk është teori, kjo është e vërtetë!
“Të çmitizosh figurën e Gjergj Kastriot
Skënderbeut, do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë. Çmitizimi i
tij është një nga turpet e kombit shqiptar!”
Artan Fuga, akademik (14 janar 2018,
Analizë në faqen e tij Facebook)
“Skënderbeu i madhërishëm e magjik,
sepse drejtohej nga ideja dhe shihte larg, nuk ishte një shpatar i zakonshëm,
që priste koka me jatagan. Ai shihte larg, sepse ndjenja kombëtare në të gjithë
Europën, kishte nisur të shpallej hapur kundër universalizmit latin. Në
Gjermani, Luteri shkruan në gjermanisht dhe predikon një fè, duke i bërë
thirrje fisnikëve gjermanë, kundër kishës romane; Gutenbergu i heq kuvendeve të
drejtën për të riprodhuar dijet me skribë dhe shpik makinën e shtypit masiv,
duke ia dhënë dijen turmave dhe masave të burgerëve vendas lokalë, duke nxitur
ndjenjën kombëtare. Makiaveli i madh shkruan më pas Princin, në italishten e
vjetër, dhe vazhdon traditat e kohës së tij, duke e bërë politikën një fakt
lokal. Dekarti, më pas, shkruan logjikën në frëngjisht, pra në gjuhën e vulgut
të kohës. Kjo lëvizje laike me ndjenja kombëtare, është Europa Qendrore dhe
Perëndimore, ku noton bota moderne e kohës. Në këtë lëvizje kaq moderne dhe
antikonservatore, shkruhet edhe projekti i Skënderbeut. Ai e di se çështja do
të fitojë, në mos kur është gjallë, në pasvdekjen e tij. Ky është Heroi
legjendar. Këtë e dinin të gjithë vizionarët e kohës dhe më pas, që nga Luteri,
Serveti, Jan Husi, Galileu, Gutenbergu. Ata ishin njerëz të ndriçuar dhe
pranonin të gjitha torturat, vuajtjet dhe persekucionet, në emër të asaj që ata
e dinin se do të fitonte, në mos sot nesër!”
Pëllumb Xhufi, historian, studiues
(Në emisionin “Debati në Channel One, 11 janar 2018)
“Gjergj Kastriot Skënderbeu është një
emblemë në historinë tonë. Eshtë një strumbullar rreth të cilit është krijuar
edhe ndërgjegja kombëtare shqiptare . Ështrë ajo magma që lidh shqiptarët e të
gjitha krahinave, besimeve, madje edhe të bindjeve politike. Por Skënderbeu nuk
ishte një meteor që vinte, erdhi, u shua dhe iku. Para Skënderbeut ka patur
princër të tjerë Shqipëria, që në shekullin e 12-të. Ishin pirncërit e Arbërit,
me rezonancë ndërkombëtare, që lidheshin me Papën, Venedikun, lidheshin me
republikën e Raguzës. Por përpara Skënderbeut, kanë qenë Balshajt. Madje,
Balshajt kanë arritur shtrirjen më të gjerë të shtetit mesjetar shqiptar, nga
Budva deri në Kostur. Zgjati vetëm 20 vjet, por ishte shtrirja më e gjatë. Pra,
Skënderbeu vinte nga një realitet, i cili vinte nga një vazhdimësi …”
Virgjil Kule, gazetar (“Gjergj
Kastriot Skënderbeu, kryqtari i fundit”, faqe 516)
“Tre vjet më parë, Gjergj Kastrioti
kishte qenë në pikën më të afërt të realizimit të projektit të tij, por
gjithçka ishte hedhur në erë, me vdekjen e Papa Piu II. Tani, idea e kryqëzatës
sikur po gjallërohej. Piu II po bënte çmos të kapërcente mbi gardhin që kishin
ngritur kontradiktat ndëritaliane dhe Kastrioti donte të besonte se, një ditë,
mund të arrinte diçka.”
Fatos Lubonja, analist
“Miti i Skënderbeut është një konstrukt
historik i ndërtuar në një kohë të caktuar dhe në një kontekst të caktuar
luftërash dhe urrejtjesh nacionale. Pra, kur ai trajtohet si mit, çështja nuk
duhet shtruar , si ka qenë Skënderbeu, por si dhe në ç’kontekst është
strukturuar miti i Skënderbeut. Për mua, Skënderbeu është një mit i rimarrë dhe
i rikonstruktuar, mëse një herë.
Aurel Plasari, studiues, historian,
përkthyes “Shqiëria dhe shqiptarët në Europën e Piut II”
“Një aventurier i madh, siç e ka
cilësuar ndonjë historian i kishës, duke ia përgojuar të ritë? Apo një papë i
madh, siç e kanë quajtur historianë të tjerë?Pa dyshim një humanist emërmadh
dhe i pari që ripohoi unitetin shpirtëror të Europës, me përfshirjen në të, si
të pjesës së saj perëndimore edhe asaj lindore, çfarë e zhdukte tendosjen e
dikurshme mes Lindjes dhe Perëndimit, duke e riaktualizuar konceptin Europë, e
duke i dhënë përmbajtjen e re, tanimë politike!”
“Luftërat e Skënderbeut nuk kanë
qenë, as kryengritje të vegjëlisë, as përplasje klasore. Ato janë ashtu siç
ishin, përpjekje për të ndaluar avancimin në këtë pjesë të Europës, të gjysmë
hënës së Islamit. Janë pra luftëra fetare, sigurisht brenda një konteksti
politik”.
Oliver Jens Schmitt, historian në
Institutin e Historisë së Europës Juglindore në Vjenë, (Skënderbeu, faqe 533)
“Me figurën e Gjergj Kastriotit që
pat marrë epitetin Skënderbeu(zoti Aleksandër), do të merreshin burra shteti,
humanist dhe historiografë të shekullit 15; pas tyre edhe biografë, shkrimtarë,
autorë libretesh e publicistë politikë, deri në ditët tona. Harku i këtyre
evropianëve të njohur të cilët kanë trajtuar Skënderbeun shtrihet prej Papës
Piu II Piccolomini te Vivaldi e deri te Benjamin Disraeli”
“Historia e Skënderbeut, ashtu siç
është trajtuar deri sot në historiografinë botërore dhe shqiptare, ka veshjen e
një miti”.
“Skënderbeu ishte i vetmuar në fund
të jetës së tij. Ai nuk ishte as kampion i luftës çlirimtare, as themeluesi i
shtetit shqiptar, as mbrojtësi i qytetërimit europian, por hakmarrës për
vrasjen e të atit”.
Ardian Klosi, analist, studiues
“Babai i Skënderbeut quhej Ivan. Gjon
është emër i shpikur.”
Kristo Frashëri, historian, akademik
“Trajta sllave Ivan, me të cilin ai
(Schmit), e quan të atin e Skënderbeut, ka shkaktuar me të drejtë një
përshtypje të hidhur në opinionin shqiptar. Arsyeja nuk është vetëm fakti se,
opinioni shqiptar është mësuar deri tani ta quajë të atin e heroit me emrin
shqiptar, Gjon Kastrioti, por edhe te ngarkesa e heshtur etnike që nënkupton
përdorimi i pasaktë dhe i panevojshëm për shqiptarët, i një trajte sllave që
ata nuk e kanë dëgjuar asnjëherë. ”
“Schmitt sheh te Skënderbeu i vetmuar
në fund të jetës së tij, jo kampionin e luftës çlirimtare, as themeluesin e
shtetit shqiptar, as mbrojtësin e qytetërimit europian, por hakmarrësin për
vrasjen e të atit. Kapedani shqiptar nuk kishte nevojë për “casus belli”, sepse
ai ndërmori një kryengritje çlirimtare dhe pastaj zhvilloi luftë mbrojtëse. Për
më tepër, motivi i hakmarrjes së Skënderbeut, nuk ka si t’i ketë bindur në
kuvendin e Lezhës në mars 1444, krerët e tjerë të zotërimeve feudale shqiptare,
që të pranonin të ndërmerrnin luftën kundër sulltanit turk, nën udhëheqjen e
Kastriotit. Me të tilla motive, mund të shkruhen romane, por jo histori”.
“Për të provuar trashëgiminë
gjenetike të pasardhësve të Skënderbeut, disa prej tyre kanë përgatitur edhe
pemë gjenenealogjike, të cilat nisin me emrin e heroit dhe vazhdojnë me një
mori pasardhësish të njohur dhe të panjohur, të cilët mbërrijnë deri në ditët
tona. Por themeli i këtyre pemëve gjenealogjike, rrëzohet porsa me Ferdinandin,
biri i Gjon Kastriotit merr fund trashëgimia e Skënderbeut”.
Sabri Godo, shkrimtar, politikan
“Skënderbeu është kthyer në legjendë
dhe legjenda kthehet në mit. Por ka një të vërtetë të madhe, rreth figurës së
tij. Ai e shkriu jetën në luftën kundër ivazionit turk dhe bëri çmos që këtë ta
kthente në një luftë të të gjithë popujve të Ballkanit dhe më gjerë. Po të mos
ishte kjo rezistencë e madhe, shqiptarët do të ishin kthyer në një popull të
robëruar.”
Sandër Lleshi, gjeneral, autor i
librit “Skënderbeu ose misioni i pamundur i Schmitt-it”
“Dokumenti i cituar, është mjaft i
mjegullt për të marrë atë vlerë që i jep Schmitt-i” dhe për të hyrë “pa koment,
në qendër të trajtimit” të tij. Një rrethanë tjetër që e bën edhe më të
pabesueshëm këtë dokument, sipas Lleshit, është fakti “se, hartuesit e
dokumentit nuk kanë asnjë ide për kë shkruajnë, se ata shkruajnë për njëfarë
Xanderbech. Fakti që e gjithë kjo padije e diplomatëve milanezë, është e vitit
1454 dhe sa ajo kontraston me famën e jashtëzakonshme që gëzonte ndërkohë
Skënderbeu, jo vetëm në Itali, por në gjithë Europën e asaj periudhe, nuk e
bëjnë aspak dyshues Schmitt-in, rreth dokumentit të tij të dashur.”
Ardian Ndreca, publicist, studiues
(Kur Skënderbeu nuk asht historia e Skënderbeut, faqe 1)
“Asht shumë e vështirë, ndoshta e
pamundun, me mendue se ni ndërmarrje e tillë epike, si ajo e heroit tonë
kombtar, Sakënderbeut, mund të fillonte e të mbahej nga një udhëheqës jo
katolik. Titujt Papnor, “Athleta Christi”, “dilecti fili, “viri catholici”,
konfirmojnë një situatë të këtillë në atë moment të veçantë historik”.
Ylli Polovina, gazetar, studiues
(Gjysma e harruar e Skënderbeut”, faqe 260)
“Duke e mbajtur Gjergj Kastriotin me
helmet, u kemi dhënë kaq shumë shans kritizerëve të tij atyre që, në të
vërtetë, nuk do të kishin kurrë dëshirë ta shihnin atë si luftëtar. Epopeja
skënderbejane ishte luftë heroike pikërisht, sepse qe inteligjente. Akuzuesit e
gjallëruar tinëzisht, në çastet kur po bëhemi gati të hyjmë në BE, po
përfitojnë nga gropa jonë e kujtesës, nga boshllëqet e lëna në të. Ata e dinë
mirë që, shekuj të tërë më pas, shqiptarët modern gjenden tërësisht jashtë atij
konteksti gjeopolitik e historik, ku veproi Skënderbeu dhe kështu ndihen më pak
të imunizuar nga përhapja e fjalëve se ka qenë përgjakës i popullit të vet.”
Gjergj Zheji, (Kruja e Skënderbeut),
faqe 62.
“Që figura e një trimi të rrallë si
ajo e Skënderbeut, të hiperbolizohej në legjendat tona, kjo është e natyrshme
dhe ne gjejmë ende sot, gojëdhëna që na flasin për forcën e çuditshme të krahut
të Gjergj Kastriotit, për shpejtësinë e kalit të tij, që nuk vraponte, por
fluturonte. Legjenda që kemi hetuar sot, në malet e Krujës, kanë si tipar të
tyre të përgjithshëm, frymën realiste. Edhe nëse kryen ndonjë mrekulli (të
çarët e një shkëmbi me shpatë, të fluturuarit me kalë, të lënit të gjurmëve të
kalit në shkëmbinj etj.,… është një hiperbolë, mbase fort poetike, por e
zakonshme në rapsoditë dhe përrallat tona”.
Abas Ermenji, (Vendi që zë
Skënderbeu, në historinë e Shqipërisë, faqe VI)
“Skënderbeu është figura qendrore që
lidh historinë e vjetër të ilirëve, të epiriotmaqedhonasve dhe atë të
arbëreshëve. Por figura e Skënderbeut ka lozur rol kryesor, edhe në historinë e
pastajme të kombit shqiptar. Ajo i ka sunduar rrjedhimet e kësaj historie, deri
në ditët tona.”
Tajar Zavalani, gazetar i BBC,
studiues, (Histori e Shqipnis faqe 128)
“Gjergj Kastrioti i kishte kushtue
vehten lirisë dhe mirëqënies së popullit, me vetmohim të plotë. Qëllimi i tij
ishte jo vetëm ta mbrinte nga sulmet e armikut të hue,j por edhe t’i bashkonte
në një komb të pamvarur”.
Përgatiti Albert
Vataj