E shtune, 03.05.2025, 08:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Flet këngëtarja e talentuar nga Skrapari, Dashurie Hysaj

E premte, 02.05.2025, 06:53 PM


Flet këngëtarja e talentuar nga Skrapari, Dashurie Hysaj:

- Kënga e trevës të Skraparit është një perlë sidomos ajo e kënduar nga i madhi Demir Zyka.

- Talentin tim e zbuloi mësuesja ime që e falenderoj shumë kudo që është.

- Unë i dua dhe i adhuroj shumë këngëtarë si Eli Farën, Aurela Gaçen,Ylli Bakën, Petrit Lulon, Paron, Irinin.

- Nga këngët e vjetra të Skraparit preferoj këngën "Moj nuse leshra kurorë", të cilën e kam rikënduar me Neta Dokon

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Dashurie Hysaj është një ndër këngëtaret më të vlerësuara në jug, por sidomos në Skrapar nga ku ka origjinën. Ajo është një këngëtare serioze, korrekte, por shpërthyese në skenë. Në jetë është shumë e shoqërueshme natyrë sociale dhe e lidhur ngushtë me Shoqatën Tomorri. Ajo ka mbi 35 vite karrierë ku ka marrë pjesë në mjaft koncerte brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës së saj ajo ka publikuar mjaft këngë polifonike dhe këngë popullore të muzikuara që janë pritur mirë nga publiku. Në repertorin e saj ka mbi 50 këngë të muzikuara dhe ndoshta po aq këngë polifonike! Pra një repertor i pasur dhe që ka shumë domethënie.

Kënga të jep jetë të jep shpresë, të jep frymëzim. Si ka filllur dashuria të këndojë. Si trokiti kënga tek ju?

Këngën e kam pasion dhe të trashëguar nga familja. Babai im këndonte shumë me vëllanë e vet. Xhaxhai im ishte një nga zërat më të bukur të asaj treve. Unë kam kënduar që në shkollë dhe talentin tim e zbuloi mësuesja ime që e falenderoj shumë kudo që është! Merja pjesë në grupet e polifonisë së grupit të Malindit! Dhe më pas kur u martova merja pjesë në grupin e polifonisë të Zogasit. Mikrofonin e kam marrë në dorë kur kam qenë në shkollë dhe kam kënduar para publikut në Çorovodë të Skraparit! Bëhej fjalë para viteve '90...Mbaj mend që kam kënduar këtë këngë:
Erdhi dita nënë/ Të martohem ooooo/ Dale bandill dale/ Jam e vogël oooo/....
Mbas vitit 1995 u shpërgulëm në Tiranë familjarisht. Dhe me dëshirën time të madhe dhe pasionin që kisha për të kënduar dhe mbështetjen e familjes fillova të bëja këngë të muzikuara në bashkëpunim me kushërirën time.

Të vijmë tek albumet. Kur e keni realizuar albumin tuaj të parë dhe si jeni ndjerë?
Albumin e parë e realizuam në vitin 2000 në bashkëpunim me "Efem Stdio" dhe "Elrodi Tv". Në atë kohë pati shumë sukses se dhe këngëtarët ishin të paktë. Kohët e fundit kanë dalë shumë të rrinj që këndojnë. Dhe unë i përgëzoj brezin e ri që po e vazhdojnë këngën e tabanit popullor.

Tashmë jeni bërë e njohur jo vetëm në jug, por edhe në diasporë. Keni shkuar në koncerte jashtë atdheut? Dhe kë nga koncertet do të veçoje jashtë atdheut?
-Sigurisht që kam qenë në shumë koncerte jashtë atdheut. Pra pjesë e jetës sime nuk kanë qenë koncertet në jug apo Tiranë, por kam marrë pjesë në shumë koncerte dhe jashtë vendit. Ku do që kam shkuar kam shkuar jemi pritur shumë mirë nga publiku.
Do veçoja koncertin në vitin 2018 në Kalabri. Një koncert që më ka lënë mbresa të mëdha. Atje shqiptarët  na duartrokisnin me shumë mall dhe dashuri për këngët tona të bukura. Aty kënduam dhe qamë së bashku. Emocione pafund. Një koncert që është ngulur thellë në memorien time.
Sigurisht që bazë e suksesit janë dhe tekstet e këngëve. Me cilët poetë keni bashkëpunuar?

Unë kam bashkëpunuar me poetët i ndjeri Arben Duka dhe Armand Trebicka. Kanë qenë tekste që janë pëlqyer nga publiku. Ato këngë edhe sot ruajnë freski.

Sa këngë keni në repertorin tuaj? Dhe a keni këngë me duet?
Unë kam në repertor, 50 këngë të muzikuara dhe disa këngë polifonike. Sigurisht kam bërë dhe bashkëpunim me këngëtarë. Bashkëpunimin e fundit e kam me Paron. Një këngëtare potente me vlera të veçanta vokali.

Ju në këngët e vjetra keni vetëm këngë nga Skrapari, apo dhe nga trevat e tjera të vendit?
Unë këndoj të gjithë trevën e jugut jo vetëm këngët e Skraparit. Skrapari nuk ka patur vegla muzikore përveç fyellit! Unë dhe kolegët e mi që jemi nga Skrapari i kthyem këngët e polifonisë, i bëmë të muzikuara. Pra i përpunuam dhe i sollëm me një formë tjetër më të bukur.

Ju në repertorin keni shumë këngë popullore dhe këngë polifonike. Për ju cila mbetet kënga më e bukur?

Unë do veçoja nga repertori i këngëve të mia këngën "Gëzimi i nënës"!
Kjo këngë është realizuar në dasmën e djalit tim. I bëra suprizë një këngë djalit, që po martoja. Dhe e kemi një kujtim shumë të bukur dhe emocionues.
Sot kanë ndryshuar gjërat dhe do shumë investim të jesh në tregun e muzikës!
Këngët që ne i bëjmë me aq mund e sakrificë i përdor Dixhei! Dhe punën më shumë e kanë Dixhejt.

A përballohet sot jeta vetëm me muzikë, me këngë?
Unë mendoj se vetëm me profesion të muzikës nuk përballohet jeta!
Unë vetë kështu e shof! Megjithatë disa këngëtarë kanë zgjedhur vetëm këtë rrugë...

Sot në treg ka shumë këngëtarë dhe këngëtare je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?

Unë as jam penduar që kam zgjedhur këtë profesion dhe as do pendohem deri sa të kem frymë! Përkundrazi jam e lumtur që jam e aktivizuar për jetën Artistike.

Shpesh thuhet se këngëtaret pra femrat janë më të kërkuara apo më të sukseshsme se këngëtarët meshkuj. A është e vërtetë dhe a ka ndonjë bazë kjo?

Unë mendoj se nuk janë këngëtarët femra më të suksesshme se këngëtarët meshkuj! Përkundrazi meshkujt janë origjinal në këngët e tyre në intepretim!
Unë i dua dhe i adhuroj shumë këngëtarët! Po të preferuar kam Eli Farën, Aurela Gaçen,Ylli Bakën, Petrit Lulon, Paron, Irinin.

A është e vështirë të realizosh një klip? Sa kohë të merr? Nga ana tjetër sot çmimet e tregut në këtë drejtim janë të larta?
-Që të bësh një këngë dhe një klip do një angazhim të madh që të dali bukur. Nuk e përcaktoj kohën se varet sa kohë do në studjo që të realizohej audio. Dhe klipi gjithashtu do një organizim të mirë që të dalin bukur sipas tregut që kërkohet sot. Sigurisht që dhe çmimet e realizimit janë të kripura.

Jeni xheloze për shoqet dhe shokët kur arrijnë rezultate më të larta?

Unë nuk kam qenë kurrë xheloze për kolegët dhe nuk do jem. Për arsye se xhdokush ka mënyrën e vet të kënduarit. Dhe unë i shoh me syrin e admirimit ata ose ato që këndojnë bukur.

Të vijmë tek pengjet. A ke ndonjë peg për këngët e Skraparit që s'mund t'i realizosh?

- Peng për këngët e Skraparit? Nuk kam peng se po i këndoj sa herë më jepet mundësija.

Në aktivitetet me karakter kombëtar kë do të veçoje?
Ah, kam një moment të bukur. Pikërisht atë kur  Bashkia e Skraparit më bëri pjesë në Festivalin Kombetar Gjirokastër 2023 me grupin e Skraparit! Dhe unë shkoj shpesh në Skrapar. Marr pjesë në koncerte dhe gëzime familjare. Vetëm se ju them të rinjëve që ta vazhdojnë këngën e të parëve që mos humbasi tradita dhe kënga e bukur e Skraparit.
Kënga e trevës të Skraparit është një Perlë.Atë e ka hyjnizuar duke e kënduar Demir Zyka e shumë të tjerë!

Gjithmonë gjatë intervistës shkojmë në Skrapar. Kë nga këngët e kësaj treve preferon veças?

Unë nga këngët e vjetra të trevës Skraparit kam të preferuar këngën "Moj nuse leshra kurorë" të cilën e kam rikënduar me Neta Dokon.

Të ndahlemi te polifonia ku jugu shquhet dhe kjo këngë është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Si do ta cilësonit polifoninë e Skraparit në veçanti dhe atë të jugur në tërësi?

Polifonia është hyjnore. Bazohet në zërat e bukur të këngëtarëve. Pra këndohet pa instrumente dhe duket se e shoqërojë disa instrumente. Polifonia e Skraparit është shumë e bukur. Skrapari ka shumë talente dhe një folklor të pasur, që unë sado të bëj këngë të muzikuara prapë nuk largohem nga këngët polifonike të Skraparit.

- Të ndalemi në trevën tuaj. Këngë specifike popullore. Ju gjatë karrierës suaj artistike keni sjellë vetëm këngë të vjetra popullore, apo dhe krijimtari të re? Ku bazohen këngët e reja?

-Sigurisht në fillimet e mia i kam sjellë para publikut këngë të vjetra popullore që i kam muzikuar, por dhe këngë të reja dhe tekstet i ka shkruar poeti i njohur Arben Duka dhe shumë tekstshkrues të tjerë. Në repertorin tim kam shumë këngë të vjetra, sepse më pëlqejnë tekstet e këngëve të vjetra, që janë shumë të bukura, janë tekste domethënëse dhe më kanë bërë të ndjehem shumë mirë. Folklori Skraparit është shumë i pasur. Të vjetrit ruajnë thesare në kujtimet e tyre që shumë janë sjellë në këngë. Nuk ka si këngët e popullit janë plot dritë.

Ju jeni një nga anëtaret më aktive të Shoqatës "Tomorri". E ndjen si detyrim shpirtëror ndihmesën tuaj në shoqatë?
Si anëtare e shoqatës "Tomorri" dëshiroj të mbajmë lart emrin e kësaj shoqate me punë dhe aktivitete me në krye Kryetarin tonë të dashur Engjell Musain. Dashurinë për shoqatën e kam pasion dhe të trashëguar nga familja!

Sigurisht këngët e bukura bëhen nga kompozitorë të njohur, me emër. Cilat kanë qenë bashkpunëtorët tuaj në këto vite?
Bashkpunëtorët e mi kompozitorë? Po, janë disa...

Këga ka tre përbërës apo tre shtylla, teksti, muzika, këngëtari. Pra pasi fillon brumi i tekstit, fillon magjia e muzikës dhe pastaj intepretimi i këngëtarit. Nëse nuk do bashkëpunosh me poet dhe kompozitorë të mirë sado këngëtare e mirë të jesh nuk do arrish rezultate. Në jetën time skenike kam bashkëpunuar me kompozitorët, Genci Malaj, Edmond Zhulali, Klodi Qafoku, Alban Hoxhaj, Valter Beqo, Genti Lako. Të gjithë janë kompozitorë profesionistë që kanë bërë emër. Ata i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë me muzikën e tyre të bukur. Jam ndjerë mirë në bashkëpunimet me ta për vetë faktin se jo vetëm janë profesionistë të mirë, por dhe njerëz me karakter.

Ku është dallimi i polifonisë na kënga popullore

Janë dy gjini të veçanta ku secila ka specifikën e vet. Të dyja pëlqehen shumë nga publiku pasi dhe preferencat janë të ndryshme. Për mendimin tim të dyja këto gjini muzikore janë të bukur, por janë po aq të ndryshme. E them këtë sepse kënga e muzikuar patjetër që bëhet më e bukur, sepse muzika i bën për vete njerëzit. Muzika ka më fuqi, më magji, më impact. Në këngët me muzikë kur shkojmë të këndojmë në gëzimet familjare të gjithë njerëzit kërcejnë dhe kënaqen. Pra ka më atmosferë. Këngët polifonike janë diçka më burrëore, por që pa muzikën nuk kanë atmosferën e festës. Ndërsa për këngën polifonike duhet të theksoj, që duhet me patjetër të ruajmë traditën dhe mos të harrojmë nga kemi ardhur, por ta dimë dhe se çfarë do të lemë mbrapa. Polifonia nuk duhet të harrohet asnjëherë dhe duhet ta promovojmë sa më shumë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Mark Palnikaj: Kontributi i Papa Klementit XI në ringjalljen e jetës kishtare dhe për historiografinë në trojet shqiptare Sadbere Emshiu: Festimi i 40-vjetorit të Misionit Katolik Shqiptar në Hamburg, Gjermani Idriz Zeqiraj: Në varrimin e Xhemës Rugova i pikëlluar mallkoi vrasësit Mihal Gjergji: Saranda, qyteti pa statuja Ndue Dedaj: Portreti i nënës Albert Habazaj: Iku rektori historik i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë prof. dr. Bilal Shkurtaj Syrja Etemi: Kënga Gjidi Brahimi – thesar i rrallë e trashëgimisë sonë popullore Ndue Dedaj: Një 'mësues' i njerëzimit dhe 'klasa' e tij Vladimir Shyti: Politikantët rrahin brirët Ilir Muharremi: Një meditim filozofik mbi psikologjinë e artit të Edi Ramës Nuhi Veselaj: Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe (16) FPNIUBK: Për Ditëlindjen e Gjergj Kastriotit, bashkohuni me ne më 6 maj 2025, në Prishtinë Sevdail Hyseni: Kur zhapiku bëhet krokodil?! Gjon Keka: 6 Maji të shpallet ditë feste mbarëkombëtare, si ditë e bekuar e kombit tonë Gjekë Gjonaj: Dodë Nikollë Gjonaj, tërë jetën ia ka kushtuar artit popullor Albert Vataj: Sokrati dhe gruaja e tij Xantipa, një marrëdhënie e tensionuar që hyri në histori Dorian Koçi: Mozaiku i Qesaratit - Një dritare drejt jetës sociale dhe kulturore të antikitetit Bashkim Saliasi: Mendimtarët e heshtur mbeten të pavdekshëm në mendjen e njerëzve Ftesë nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës Nuhi Veselaj: Mohimi i historisë së përbashkët e fqinjësore shqiptaro-serbe, fobi e pravosllaves serbe (15)

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx