| E premte, 02.05.2025, 06:53 PM |
Flet këngëtarja e talentuar nga Skrapari, Dashurie Hysaj:
-
Kënga e trevës të Skraparit është një perlë sidomos ajo e kënduar nga i madhi
Demir Zyka.
-
Talentin tim e zbuloi mësuesja ime që e falenderoj shumë kudo që është.
-
Unë i dua dhe i adhuroj shumë këngëtarë si Eli Farën, Aurela Gaçen,Ylli Bakën,
Petrit Lulon, Paron, Irinin.
-
Nga këngët e vjetra të Skraparit preferoj këngën "Moj nuse leshra
kurorë", të cilën e kam rikënduar me Neta Dokon
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Dashurie Hysaj është një
ndër këngëtaret më të vlerësuara në jug, por sidomos në Skrapar nga ku ka
origjinën. Ajo është një këngëtare serioze, korrekte, por shpërthyese në skenë.
Në jetë është shumë e shoqërueshme natyrë sociale dhe e lidhur ngushtë me
Shoqatën Tomorri. Ajo ka mbi 35 vite karrierë ku ka marrë pjesë në mjaft koncerte
brenda dhe jashtë vendit. Gjatë karrierës së saj ajo ka publikuar mjaft këngë
polifonike dhe këngë popullore të muzikuara që janë pritur mirë nga publiku. Në repertorin e saj ka mbi 50 këngë të muzikuara dhe ndoshta po aq këngë
polifonike! Pra një repertor i pasur dhe që ka shumë domethënie.
Kënga të jep jetë të jep shpresë, të jep
frymëzim. Si ka filllur dashuria të këndojë. Si trokiti kënga tek ju?
Këngën e kam pasion dhe të trashëguar nga
familja. Babai im këndonte shumë me vëllanë e vet. Xhaxhai im ishte një nga
zërat më të bukur të asaj treve. Unë kam kënduar që në shkollë dhe talentin tim
e zbuloi mësuesja ime që e falenderoj shumë kudo që është! Merja pjesë në
grupet e polifonisë së grupit të Malindit! Dhe më pas kur u martova merja pjesë
në grupin e polifonisë të Zogasit. Mikrofonin e kam marrë në dorë kur kam qenë
në shkollë dhe kam kënduar para publikut në Çorovodë të Skraparit! Bëhej fjalë para
viteve '90...Mbaj mend që kam kënduar këtë këngë:
Erdhi dita nënë/ Të martohem ooooo/ Dale bandill dale/ Jam e vogël oooo/....
Mbas vitit 1995 u shpërgulëm në Tiranë familjarisht. Dhe me dëshirën time të
madhe dhe pasionin që kisha për të kënduar dhe mbështetjen e familjes fillova
të bëja këngë të muzikuara në bashkëpunim me kushërirën time.
Të vijmë tek albumet. Kur e keni realizuar albumin tuaj të parë dhe si jeni
ndjerë?
Albumin e parë e realizuam në vitin 2000 në bashkëpunim me "Efem
Stdio" dhe "Elrodi Tv". Në atë kohë pati shumë sukses se dhe
këngëtarët ishin të paktë. Kohët e fundit kanë dalë shumë të rrinj që këndojnë.
Dhe unë i përgëzoj brezin e ri që po e vazhdojnë këngën e tabanit popullor.
Tashmë jeni bërë e njohur jo vetëm në jug,
por edhe në diasporë. Keni shkuar në koncerte jashtë atdheut? Dhe kë nga
koncertet do të veçoje jashtë atdheut?
-Sigurisht që kam qenë në shumë koncerte jashtë atdheut. Pra pjesë e jetës sime
nuk kanë qenë koncertet në jug apo Tiranë, por kam marrë pjesë në shumë
koncerte dhe jashtë vendit. Ku do që kam shkuar kam shkuar jemi pritur shumë
mirë nga publiku.
Do veçoja koncertin në vitin 2018 në Kalabri. Një koncert që më ka lënë mbresa
të mëdha. Atje shqiptarët na duartrokisnin me shumë mall dhe dashuri për
këngët tona të bukura. Aty kënduam dhe qamë së bashku. Emocione pafund. Një
koncert që është ngulur thellë në memorien time.
Sigurisht që bazë e suksesit janë dhe
tekstet e këngëve. Me cilët poetë keni bashkëpunuar?
Unë kam bashkëpunuar me poetët i ndjeri Arben
Duka dhe Armand Trebicka. Kanë qenë tekste që janë pëlqyer nga publiku. Ato
këngë edhe sot ruajnë freski.
Sa këngë keni në repertorin tuaj? Dhe a
keni këngë me duet?
Unë kam në repertor, 50 këngë të muzikuara dhe disa këngë polifonike. Sigurisht
kam bërë dhe bashkëpunim me këngëtarë. Bashkëpunimin e fundit e kam me Paron.
Një këngëtare potente me vlera të veçanta vokali.
Ju në këngët e vjetra keni vetëm këngë nga
Skrapari, apo dhe nga trevat e tjera të vendit?
Unë këndoj të gjithë trevën e jugut jo vetëm këngët e Skraparit. Skrapari nuk
ka patur vegla muzikore përveç fyellit! Unë dhe kolegët e mi që jemi nga
Skrapari i kthyem këngët e polifonisë, i bëmë të muzikuara. Pra i përpunuam dhe
i sollëm me një formë tjetër më të bukur.
Ju në repertorin keni shumë këngë popullore dhe këngë polifonike. Për ju
cila mbetet kënga më e bukur?
Unë do veçoja nga repertori i këngëve të mia këngën "Gëzimi i
nënës"!
Kjo këngë është realizuar në dasmën e djalit tim. I bëra suprizë një këngë
djalit, që po martoja. Dhe e kemi një kujtim shumë të bukur dhe emocionues.
Sot kanë ndryshuar gjërat dhe do shumë investim të jesh në tregun e muzikës!
Këngët që ne i bëjmë me aq mund e sakrificë i përdor Dixhei! Dhe punën më shumë
e kanë Dixhejt.
A përballohet sot jeta vetëm me muzikë, me
këngë?
Unë mendoj se vetëm me profesion të muzikës nuk përballohet jeta!
Unë vetë kështu e shof! Megjithatë disa këngëtarë kanë zgjedhur vetëm këtë
rrugë...
Sot në treg ka shumë këngëtarë dhe
këngëtare je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?
Unë as jam penduar që kam zgjedhur këtë profesion dhe as do pendohem deri
sa të kem frymë! Përkundrazi jam e lumtur që jam e aktivizuar për jetën
Artistike.
Shpesh thuhet se këngëtaret pra femrat janë
më të kërkuara apo më të sukseshsme se këngëtarët meshkuj. A është e vërtetë
dhe a ka ndonjë bazë kjo?
Unë mendoj se nuk janë këngëtarët femra më të suksesshme se këngëtarët
meshkuj! Përkundrazi meshkujt janë origjinal në këngët e tyre në intepretim!
Unë i dua dhe i adhuroj shumë këngëtarët! Po të preferuar kam Eli Farën, Aurela
Gaçen,Ylli Bakën, Petrit Lulon, Paron, Irinin.
A është e vështirë të realizosh një klip?
Sa kohë të merr? Nga ana tjetër sot çmimet e tregut në këtë drejtim janë të larta?
-Që të bësh një këngë dhe një klip do
një angazhim të madh që të dali bukur. Nuk e përcaktoj kohën se varet sa kohë
do në studjo që të realizohej audio. Dhe klipi gjithashtu do një organizim të
mirë që të dalin bukur sipas tregut që kërkohet sot. Sigurisht që dhe çmimet e
realizimit janë të kripura.
Jeni xheloze për shoqet dhe shokët kur
arrijnë rezultate më të larta?
Unë nuk kam qenë kurrë xheloze për kolegët dhe nuk do jem. Për arsye se
xhdokush ka mënyrën e vet të kënduarit. Dhe unë i shoh me syrin e admirimit ata
ose ato që këndojnë bukur.
Të vijmë tek pengjet. A ke ndonjë peg për
këngët e Skraparit që s'mund t'i realizosh?
- Peng për këngët e Skraparit? Nuk kam peng se po i këndoj sa herë më jepet
mundësija.
Në aktivitetet me karakter kombëtar kë do
të veçoje?
Ah, kam një moment të bukur. Pikërisht atë kur Bashkia e Skraparit më
bëri pjesë në Festivalin Kombetar Gjirokastër 2023 me grupin e Skraparit! Dhe
unë shkoj shpesh në Skrapar. Marr pjesë në koncerte dhe gëzime familjare. Vetëm
se ju them të rinjëve që ta vazhdojnë këngën e të parëve që mos humbasi tradita
dhe kënga e bukur e Skraparit.
Kënga e trevës të Skraparit është një Perlë.Atë e ka hyjnizuar duke e kënduar
Demir Zyka e shumë të tjerë!
Gjithmonë gjatë intervistës shkojmë në
Skrapar. Kë nga këngët e kësaj treve preferon veças?
Unë nga këngët e vjetra të trevës Skraparit kam të preferuar këngën
"Moj nuse leshra kurorë" të cilën e kam rikënduar me Neta Dokon.
Të ndahlemi te polifonia ku jugu shquhet
dhe kjo këngë është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Si do ta cilësonit polifoninë
e Skraparit në veçanti dhe atë të jugur në tërësi?
Polifonia është hyjnore.
Bazohet në zërat e bukur të këngëtarëve. Pra këndohet pa instrumente dhe duket
se e shoqërojë disa instrumente. Polifonia e Skraparit është shumë e bukur.
Skrapari ka shumë talente dhe një folklor të pasur, që unë sado të bëj këngë të
muzikuara prapë nuk largohem nga këngët polifonike të Skraparit.
- Të ndalemi në trevën tuaj. Këngë specifike popullore. Ju gjatë karrierës suaj artistike keni sjellë vetëm këngë të vjetra
popullore, apo dhe krijimtari të re? Ku bazohen këngët e reja?
-Sigurisht në fillimet e mia i kam sjellë para publikut këngë të vjetra popullore që i kam muzikuar, por dhe këngë të reja
dhe tekstet i ka shkruar poeti i njohur Arben Duka dhe shumë tekstshkrues të
tjerë. Në repertorin tim kam shumë këngë të vjetra, sepse më pëlqejnë tekstet e
këngëve të vjetra, që janë shumë të bukura, janë tekste domethënëse dhe më kanë
bërë të ndjehem shumë mirë. Folklori Skraparit është shumë i pasur. Të vjetrit
ruajnë thesare në kujtimet e tyre që shumë janë sjellë në këngë. Nuk ka si
këngët e popullit janë plot dritë.
Ju jeni një nga anëtaret më aktive të
Shoqatës "Tomorri". E ndjen si detyrim shpirtëror ndihmesën tuaj në
shoqatë?
Si anëtare e shoqatës "Tomorri" dëshiroj të mbajmë lart emrin e kësaj
shoqate me punë dhe aktivitete me në krye Kryetarin tonë të dashur Engjell Musain.
Dashurinë për shoqatën e kam pasion dhe të trashëguar nga familja!
Sigurisht këngët e bukura bëhen nga
kompozitorë të njohur, me emër. Cilat kanë qenë bashkpunëtorët tuaj në këto
vite?
Bashkpunëtorët e mi kompozitorë?
Po, janë disa...
Këga ka tre përbërës apo tre shtylla,
teksti, muzika, këngëtari. Pra pasi fillon brumi i tekstit, fillon magjia e
muzikës dhe pastaj intepretimi i këngëtarit. Nëse nuk do bashkëpunosh me poet
dhe kompozitorë të mirë sado këngëtare e mirë të jesh nuk do arrish rezultate.
Në jetën time skenike kam bashkëpunuar me kompozitorët, Genci Malaj, Edmond
Zhulali, Klodi Qafoku, Alban Hoxhaj, Valter Beqo, Genti Lako. Të gjithë janë
kompozitorë profesionistë që kanë bërë emër. Ata i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë
me muzikën e tyre të bukur. Jam ndjerë mirë në bashkëpunimet me ta për vetë
faktin se jo vetëm janë profesionistë të mirë, por dhe njerëz me karakter.
Ku është dallimi i polifonisë na kënga
popullore
Janë dy gjini të veçanta ku
secila ka specifikën e vet. Të dyja pëlqehen shumë nga publiku pasi dhe
preferencat janë të ndryshme. Për mendimin tim të dyja këto gjini muzikore janë
të bukur, por janë po aq të ndryshme. E them këtë sepse kënga e muzikuar
patjetër që bëhet më e bukur, sepse muzika i bën për vete njerëzit. Muzika ka
më fuqi, më magji, më impact. Në këngët me muzikë kur shkojmë të këndojmë në
gëzimet familjare të gjithë njerëzit kërcejnë dhe kënaqen. Pra ka më atmosferë.
Këngët polifonike janë diçka më burrëore, por që pa muzikën nuk kanë atmosferën
e festës. Ndërsa për këngën polifonike duhet të theksoj, që duhet me patjetër
të ruajmë traditën dhe mos të harrojmë nga kemi ardhur, por ta dimë dhe se
çfarë do të lemë mbrapa. Polifonia nuk duhet të harrohet asnjëherë dhe duhet ta
promovojmë sa më shumë.