E marte, 06.05.2025, 03:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: ''Lleshi i Zi'' në një roman historik

E hene, 05.05.2025, 06:52 PM


“LLESHI I ZI” NË NJË ROMAN HISTORIK

- Shënime rreth romanit “Gjurmë jete” të shkrimtarit Ndue Gjika -

NGA NDUE DEDAJ

Historia e Lleshit të Zi vjen përmes rrëfimit në vetën e parë të farkëtarit të zot Qorr Gjoci, që është gjithashtu personazh kryesor i këtij romani, ku nuk mungon dhe figura e Ali Pashë Tepelenës, pasi romani është një histori mirditase e fillimeve të shekullit XIX nga Oroshi në Janinë etj. Edhe pse ka dy shekuj, Lleshi i Zi vazhdon të bëhet i “gjallë”, kryesisht për vrasjen prej tij të Marko Boçarit, mbase pa u shkoqitur sa duhet rrethanat e asaj vrasjeje të pazakontë mes dy strategëve të një gjaku, po që nuk është objekt i romanit të Ndue Gjikës, që vjen pas një rrugëtimi të gjatë në letërsi të këtij autori. Ai sikur ka dashur të na thotë se një figurë historike, komplekse, si Lleshi i Zi nuk mund të mbahet “peng” i një ngjarjeje, aq më pak i një episodi, sado dramatik e historik të ketë qenë ai. Romani “Gjurmë jete” (shtëpia botuese “Muzgu”, Tiranë 2025) na rrëfen se Lleshi i Zi nuk ka qenë vetëm një kryeluftëtar i “çartur” në rajonin ballkanik kundër pushtuesit të huaj, por në radhë të parë një prijës, kapidan i krahinës së tij, që përpiqej për zhvillimin e saj, siç ishte rasti i ndërtimit të kanalit vaditës të Ndërfanës, që ruhet dhe sot si monument kulture, etj.

Ndue Gjika është një prozator i njohur, edhe pse i pabujë, që ka botuar tregime herët në gazetën “Drita” e “Zëri i Rinisë”, që në vitet ‘80 të shekullit të kaluar, kurse librin e parë me prozë të shkurtër, me titullin “Dilema të pabraktisura”, e ka botuar “Eurorilindja” Tiranë më 1995, me ç’rast i është bërë dhe një promovim dinjitoz në Rrëshen, me shkrimtarë të ardhur nga kryeqyteti etj. Dritëro Agolli shkruante se “vlerat dhe cilësitë e këtij libri zbulohen shkallë - shkallë”, se “filli që i përshkon tregimet e Ndue Gjikës është humanizmi”, pasi “në çdo tregim do ta takosh këtë ndjenjë, aq të domosdoshme për një shkrimtar të vërtetë”. Kurse Vath Koreshi do të shënonte: “Me një vrojtim të vëmendshëm dhe me një ritëm plot lëvizje të brendshme të botës së personazheve, tregimet e Ndue Gjikës dallohen për vizatime të shkathëta të karaktereve”. Këto tipare krijuese shprehën dhe në librat e tjerë artistikë të botuar më pas, në prozë të shkurtër e të gjatë, si romani “Zambakë në erë”, që kohë më parë është promovuar në Saint Louis të Amerikës, ku autori rron prej vitesh.

Nuk është çudi që Ndue Gjika i qaset në dy subjekte Oroshit, porse ky vend (kryeqendra historike e Mirditës) ka prodhuar histori dhe shkrimtari duket se është i prirur nga ndriçimi përmes letërsisë të ngjarjeve historike. Kështu romani i tij “Prapësi” (2008) trajton ngjarje jete në të quajturën “Republikë të Mirditës” të vitit 1921, që ishte një rebelim trazues i krerëve të kësaj krahine ndaj qeverisë qendrore, me gjithë disa paudhësi të kësaj të fundit ndaj krahinës. Kurse romani “Gjurmë jete” trajton figurën e Lleshit të Zi dhe të mirditorëve ndërmjet dy pashalleqeve shqiptare, të Veriut e të Jugut, të Shkodrës dhe të Janinës.

Mirditorët ishin në shërbim të Ali Pashë Tepelenës dhe romani mbase nuk do të shkruhej, nëse ata nuk do të kishin dëshmuar para botës shqiptare dhe asaj të huaj një virtyt të lartë, atë të mos luftimit të tjetrit, kur ai nuk ishte i armatosur si ata. Pra është ngjarja e famshme Kardhiqit të Gjirokastrës e vitit 1812, e përcjellë në disa kronika e botime. Aliu kishte vendosur t’i shfaroste kardhqiotët, por mirditasit nuk pranuan të qëllonin mbi ta. U kthyen në proverbiale fjalët e tyre: “Ne nuk shtiem mbi njerëz të lidhur. Jepuni atyre armët dhe ne jemi gati të luftojmë me ta”. Kjo ishte deviza historike e mirditasve atë fillim shekulli XIX, që ishte vazhdë e qendresës së tyre shekuj më parë. Merita e autorit nuk qendron se i është qasur një ngjarje të tillë unikale, porse e ka trajtuar atë me mjeshtri artistike. Ky mospranim sigurisht që kishte një çmim dhe ky ishte “tërbimi” i heshtur i pasha Aliut, që nuk ia kthente kush fjalën. Ka përjetim, tension, pasiguri, por asnjë dilemë nga mirditasit dhe vetë prijësi i tyre Lleshi i Zi, që lë peng djalin fëmijë tek Aliu, kur reparti i tij do të largohej.

Nëse lexuesi përqendrohet në frazat e para të romanit për të kapur çelësin e zbërthimit të veprës, do të gjëjë aty sintezën e asaj që shtjellohet më pas, ku Qorr Gjoci, me urtësinë e një burri malesh, thotë: “Në Janinë shkova si Pal Gjoci e u ktheva në Orosh si Qorr Gjoci. Edhe Llesh Lleshi i Derës së Gjomarkut, që tash së fundi i drejtoi trupat mirditore tek Ali Pashë Tepelena, u kthye me emrin Lleshi i Zi. Unë nuk e doja ketë emër, besoj se as Kapidani nuk e donte, por ja që i kemi, dhe kështu na thërrasin ngado”. Lufta të tjetërson, por nuk të zhbën.

Lleshi i Zi nuk glorifikohet nga autori, edhe pse një figurë legjendare, por jepet me natyrshmëri, duke shmangur një stil të tejkaluar “rapsodik” e patetik në dhënien e figurave të tilla, veti kjo e letërsisë moderne. Përkundrazi, romacieri hyn bindshëm në dramën që përshkon asokohe tragjikisht Gjomarkajt si derë, si familje princërore. Lexuesi nuk mund të mos pyesë me trishtim, si është e mundur që krerë të tillë që nuk përzihen në një gjakderdhje si ajo e Kardhiqit, që luftojnë për lirinë kombëtare, që shmangin konfliktet e ndryshme ndërkrahinore për kufij etj., nuk ndalojnë dot vëllavrasjen në shtëpinë e tyre? Por dinastitë me gjasë asnjëherë nuk u kanë shpëtuar tragjedive të veta të brendshme për prije e parí. Dhe çudia është se hakmarrjen e realizojnë gratë e Derës. Gruaja e Kapidan Nikoll Lleshit hakmerret për vrasjen e të shoqit dhe të tre djemve, duke vrarë me hjekësi Lleshin e Zi, kurse gruaja e këtij të fundit kryen në saraje një gjëmë të paparë, vrasjen e shumë prej meshkujve të familjes së madhe kapidanore, një hata, siç e quan autori. Mara, një nga gratë e Oroshit, i thotë Qorr Gjocit: “Lleshin e hoqi gruaja e Nikollës, këtë gjëmën e madhe e bëri gruaja e Lleshit”.

Pal Gjoci ishte farkëtar dhe armëtar, por dhe prerës parash false. Lufta i mori një sy, duke e lënë qorr, kurse prodhimi i parave në fshehtësi i mori jetën. Është një perzonazh që e pasuron prozën shqiptare me një tip dhe karakter interesant. Qëllimisht autori e ka dhënë si një figurë dinamike, në lëvizje, jo vetëm në Orosh e Ndërfanë, Shkodër e Janinë, Kosovë etj., por dhe bujtës në një han malesh, ku përflitën punët e pashalleqeve dhe në njëfarë mënyre të botës. Ai, ashtu si dhe sivëllau i tij i zejes armëbërëse Kol Skana, nuk është as mik e as armik me Lleshin e Zi, por në marrëdhënie reciprociteti, nëse mund të thuhet kështu, ashtu siç ishte vetë krahina e tij me dy pashalleqet e mëdha të kohës. Autori na ka treguar se pricnia kapidanore nuk ishte diçka e izoluar në “ishullin” e vet malor, por në marrëdhnënie politike, ushtarake dhe diplomatike me të tjerët.

Ndue Gjika është një përshkrues origjinal i mjediseve, rrethanave, karaktereve dhe psikologjisë së personazheve, të cilët mishërojnë tipologjinë autentike të malësorit mirditas. Falë gjuhës autoriale dhe mjeteve artistike të përdorura mjeshtërisht është krijuar një narrativë shprehëse, ku lexuesi bëhet “bashkështegtar” i personazheve, në fatin e tyre të pamëshirshëm.

Por këto pak radhë, më shumë se analizën e romanit, kanë për qëllim ta ftojnë lexuesin ta marrë në dorë këtë vepër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx