Kulturë
Idriz Zeqiraj: Vrasjet politike cilësore vazhdonin, Rugova në radhë!
E shtune, 03.05.2025, 02:59 PM
VRASJET POLITIKE CILËSORE VAZHDONIN, RUGOVA NË RADHË!
(Pjesa
V)
-"Gani Mehmetaj: "Rugovën, si
e kam njohur - pasqyrë e një epoke të trazuar-
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Vrasjet politike cilësore vazdonin:
Profesor Fehmi Agani, nënkryetar i LDK-së, Latif Berisha, shkrimtar dhe kryetar
i LDK-së në Mitrovicë, Bajram Kelmendi, avokat i njohur, i cili hartoi dhe
dorëzoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dosjen e krimeve të
Millosheviçit, me djemtë Kastriotin dhe Kushtrimin, Agim Hajrizin, sindikalist.
Autori i librit, Gani Mehmetaj,
"Rugovën, si e kam njohur", e vlerëson si një atdhetar dhe
personalitet shumëdimensial. Duke qenë në cilësinë e Presidentit, Ibrahim
Rugova mendoi për simbolet kombëtare, Hymnin Kombëtar "Kur ka ra kushtrimi
n`Kosovë", Rugova e krahasonte me Simfoninë e Nëntë të Bethovenit, por që
kishte edhe ngjashmërinë e këngës hymn-kushtrimi "Bini toskë e bini
gegë"; "Flamurin e Dardanisë", Emblema Presedenciale dhe të
tjera simbole të Dardanisë Antike.
Dizanjin e Flamurit Dardan e ka bërë
Mendim Rugova, sipas mendimit të dhënë nga babai i tij, Rugovë. Ndërkohë që
flamujt e Dardanisë zbukuronin kryeqytetin e Kosovës, një grup të vetëquajtur
"veteranë të UÇK-së", në mënyrë kriminale e rrugaçërore, i hoqën, i
mblodhën dhe i dogjën, njësoj si "turrat e librave kur i digjnin nazistët
në Gjermani!" Dhe, e gjithë kjo maskaradë kriminale bëhej në prezencë të
Policisë të Qeverisë të Përkohshme të Kosovës dhe të UNMIK-ut.
Ngjarjet e viteve 1999-2000 dëshmonin
se terrori i komandantëve pushtetarë, ishte një - e fshehtë publike-! Edhe ata
që kishin sfiduar, guximshëm, pushtetin e Millosheviçit, u dorëzuan në
përballje me komandantët mujsharë, ngaqë ishin më të vrazhdët në krime. Në
provë u vu edhe Kryesia e LDK-së, që dikur e rrethonin Rugovën. Ata u larguan
në heshtje, pa rezistencë, madje pa e konsultuar shefin e tyre, me të cilin
kishin punuar për një dekadë radhazi! Megjithatë, emblema e Rugovës e ruajti
partinë e tij nga shkërmoqja. Ndërkombëtarët, bota demokratike, tashmë, njohu
nulitetin, xerrësinë e "komandantëve" dhe të "gjeneralëve"
të vetëshpallur. Dhe, iu kthyen serishmi Rugovës.
Vrasjet e ushtarakëve të FARK-ut të
Ibrahim Rugovës dhe kuadrove veprimtarë të LDK-së, ishin bërë normale.
"Komandantët" vrastarë, me dosjet faktike të krimeve, me eliminimin
fizik, realizonin dy qëllimet e tyre: 1) Varrosjen e dëshmitarëve, së bashku me
dëshmitë e tyre faktike; dhe 2) Përvetësimin e luftës, e cila është bërë,
kryesisht, nga ushtarakët e FARK-ut. Është pranuar bindshëm, se Beteja e Loxhës
dhe lufta e Kosharës, legjitimuan Ushtrinë Çlirimtare.
Themeluesi i Degës të LDK-së në
Rugovës; Komandant i luftës për trevën e Rugovës; deputet i Kosovës - Smajt
Hajdaraj, Hero i Kosovës, gjatë luftës u ndalua dhe u kërcënua nga eksponentë
të Qeverisë të Përkohshme, ndërsa pas luftës u ekzkutua në errësirën e natës,
në hyrjen e banesës së tij, në Lagjën "Fidanishte" në Pejë. Vajza e tij,
me qiri në dorë, meqë banda vrastare kishte ndërprerë, qëllimshëm, rrymën
elektrike, kur sheh babain e shtrirë dhe të përgjakur, lëshon një britmë të
pakontrolluar. Polici që u ndodhë "rastësisht" aty, në fakt,
monitoronte vrasjen, qorton vajzën: "Pse po bërtet, nuk është ba nami, pse
është vra baba!"
Seria e përgjakjes të Kosovës vazhdoi
me ekzekutimet e listuara, deri në shifrën emërore të 2000 kundërshtarëve
politikë, në mes tyre edhe: ish-oficerët e luftës të Kosharës, pas luftës
hetues në Prokurorinë Speciale në Pejë, Isuf Haklaj e Sabahate Tolaj,
ish-komandanti në zonën e Pashtrikut, Ekrem Rexha - Drini; Ismet Rraci, Ukë
Bytyqi, Shaban Manaj, Idriz Rrecaj - Haki Imeri, kuadro të LDK-së dhe drejtues
komunal. Truproja i Presidentit Rugova, Besim Dajaku, plagosja e vëllezrve
Geci; Gania, Shania, akademik Sabri Hamitit, Agim Veliut, Visokës dhe të tjerë.
Kulmore ishte vrasja e trefishtë e
Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, me djalin student - Enisin dhe kusheririn
Hasanin, kryetar i rinisë të LDK-së për komunën e Deçanit. Kolonel Zemaj,
ushtarak profesionist, fitues i betejës së parë ballore të Loxhës, Prapaçanit
dhe të tjera.
Intervistat e gazetarit Gani Mehmetaj,
me Presidentin Rugova, janë vlerë e shtuar e librit "Rugovën, si e kam njohur".
Përmes bisedës të ngeshme, të gjatë, me Rugovën, shpaloset angazhimi i Rugovës
për pavarësinë, ndërtimin e shtetit, praninë dhe misionin e ndërkombëtarëve:
KFOR-it, UNMIK-ut, OSBE-së. Vazhdimi i bashkëpunimit me Qendrat e Vendosjes,
para dhe pas luftës, për pavarësi e mbrojtje nga armiqtë lakmitarë të tokave
tona. Për politikën e jashtme Presidenti Rugova kujdesej për harmonizimin e
qendrimeve me faktoret relevantë evropianë, parësi e kishte statusin e Kosovës.
Rizgjedhja për të tretën herë President i Republikës të Kosovës, flet për
personalitetin dhe integritetin e plotë të Rugovës.
Për "komandantët" kriminelë
të Kosovës, Presidenti historik, Ibrahim Rugova, ishte pengesë e
pakapërcyeshme, për të ardhur në pushtet. Prandaj, pasi ia ekzekutuan bashkëpunëtorët
më të devotshëm dhe me besnikë, vëmendja e LPK-së së djeshme, përkatësisht,
PAN-it të sotëm, u përqendrua tek eliminimi fizik i Rugovës. Disa herë
projektuan atentate me karambolimin, ndeshjen e kontrolluar me makina të rënda;
gjuajtjen e shtëpisë së tij me granatë, lëndë shpërthyese të dirigjuar. Prova u
bë më 15 mars 2005, në rrugëtimin për takimin me Përfaqësuesin për politikën e
jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.
Xhipi i blinduar, në rrugëtim, u
përplas me shpërthimin të derigjuar të një granate. Në shenjestër ishte
Presidenti Rugova. Organizimi i atentatit u bë nga një agjent i trefishtë, një
"gjeneral" dhe dy argatë të tyre. Të katërt ishin të PAN-it, pas
ndarjes, dy të PDK-së dhe dy të AAK. Por, skuadrat vrastare i kanë të
përbashkëta. Njëri nga argatët ka rrëfyer: "Paraprakisht, kishim
informacion të saktë për itenerarin që do ta përshkojë makina presidenciale. Në
një shtëpi buzë rrugës, kishim zënë pusi tre veta. Në momentin e duhur,
aktivizuam shpërthimin. Po të mos ishte makina e blinduar rëndë, do të
fluturonte në ajër bashkë me Rugovën!" Krenar pse isha pjesë e organizimit
të blejes të xhipit të blinduar, me kërkesën fisnike të Smajl Hajdaraj, Hero i
Kosovës, përmes vëllait të tij, në Gjermani, Fazli Hajdaraj.
Megjithatë, as sot, pas 20 vitesh,
askush nuk u dënua për krimin e madh, atentatin e projektuar nga "SHTAB-i
i UÇK-së", Rugova i pari në listën për ekzekutim!? Cinikisht e turpërisht,
ulurimat kriminale e rrugaçërore, në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, nga
PAN-istët dhe jo vetëm nga ata, janë shtuar dhe shumëzuar gjeometrikisht!?
Legalizimi i marrëzisë, është degradimi, deri në degjenerim i shoqërisë
kosovare. Një padrejtësi e bërë ndaj një personi në lagje, fshat apo qytet,
duhet të përjetohet si padrejtësi e krim, karshi të gjithëve.
Mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve,
është rivrasje e viktimave dhe provokim i rëndë i familjeve të tyre, i
farefisnisë, miqasish dhe të shqiptarisë mbarë.
Autori Mehmetaj shkruan: "Rugova
kësaj radhe shpërtheu, duke mallkuar serish grupin që po vriste njerëz e po
kurdiste atentate. Mllefi i tij qe i ngjashëm me fjalët nervoze gjatë varrimit
të Xhemail Mustafës, kur i mallkoi vrasësit. "Kjo që ndodhi sot, për fat
të keq, dhe falë Zotit shpëtova edhe njëherë, e dini kam pasur mjaft këso, tash
një vit në Shtëpinë time, ky nuk është rast i vetëm",- tha Rugova.
Presidenti Rugova kishte një miqësi
unike me Papa Gjon Pali II. Vatikani, si qendra botërore e katolicizmit, ndikoi
shumë për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Dardani. Nënë Tereza ishte
një arsye shtesë, në miqësinë e Rugovës me Papen. Papa Vojtila polak, Vaclav
Havel çek dhe Rugova shqiptar, vinin nga shtete të pushtuara, dy të parët nga
Rusia dhe Rugova nga Serbia. Andaj përbënin trinomin me etje për lirinë. Papa
mençurisht kishte kontribuar për pavarësimin e Polonisë së tij dhe të
Çekosllovakisë të Havelit. Tani radha ishte ta ndihmojë lirinë e Kosovës të
Rugovës.
Si bashkë shkollarë të mesëm, me
Rugovën, mendoj se e njoh mirë atë, na lidhte përballja familjare me pushtuesin
e vjetër dhe të ri jugosllav. Ai njihte historikun e rrënjëve tona. Dhe, për
ndryshim nga të tjerët, shquhej si "për shpirt kristian,- siç shprehet
populli. Një saudit, pas luftës, takoj Rugovën dhe kërkoj lejen e
ndërtimit, hiç më pak se 3.000 xhami. Rugova e falenderoj për dhuratën e majmë
dhe, mirësjellshëm, iu gjegj se "vendi im, i dalë nga lufta i shkatërruar,
ka nevoja të tjera të ngutshme". Dhe, e përcolli bosh.
BIK-u i Kosovës, në koordinim me disa
qendra politike islamiste, "kishte gisht" në këtë joshje të sauditit
dhe e bëri namin pse Rugova e refuzoi ofërtën e tij. Mallkimi kundër të
"krishterit Rugovë", ishte e vrazhdët dhe korale nga BIK-u me pak
fanatikë të tij. Realisht, Rugova shpërfilli BIK-un, sepse u implikua me
organizata terroriste islamike, duke mashtruar dhe dërguar djemtë e Kosovës,
"mish për top" në luftërat fetare arabe, duke e implikuar edhe
Kosovën, në sytë e ndërkombëtarëve.
Kur vuri gurin themeltar për Katedralen
Kalotike "Nënë Tereza", në Prishtinë, BIK-u u mundua të zgjojë
ndjenja përçarëse ndërfetare. Ky institucion i indoktrinuar me islamizmin
fanatik, të huazuar nga rryma islamiste arabe e turke, nuk lejoi të vihej një
pllakë e vogël përkujtese, në murin e xhamisë, e cila ishte ndërtuar mbi
themelet e Katedralës Katolike të rrënuar! Fatmirësisht, shqiptarët e besimit
islam i dinë rrënjët e para të besimit fetar të tyre dhe e mirëpritën ndërtimin
e Katedralës Katolike të Kosovës. Kryepeshkopët e Kosovës Imzot Nik Prela,
Imzot Mark Sopi dhe, tani, Imzot Dodë Gjergji, me priftërinjtë tjerë, ndër ta i
mirënjohuri, Dom Lush Gjergji, kontribuan shumë për lirinë dhe pavarësinë e
Kosovës, përmes Kishës Katolike të Kosovës, tek Selia e Shenjtë në Vatikan.
Autori i librit "Rugovën, si e kam
njohur", Gani Mehmetaj, e përmbyllë studimin e tij të kompletuar me
"Vdekja e Ibrahim Rugovës, fundi i një epoke", njeriu "me një
biografi të pasur politike, letrare e intelektuale, një personalitet karizmatik
që rrezatonte besim e entuziazëm ndër shqiptarët." Ceremonia mortore e
Presidentit Rugova ishte unike, në dhimbjen dhe pjesëmarrjen masive, gjithë
popullore, edhe pse ishte ditë dimri me acar të skajshëm. Por, armiqësia,
urrejtja e "komandantëve" kriminelë e hajna zyrtarë, disa syresh edhe
agjentë të shumëfishtë të Shërbimeve Informative armike të Kosovës, ndaj
Rugovës, ishte e vrazhdët dhe tërësisht rrugaçërore. Komandanti, horr e
provincial fodull, i Gardës shtetërore, i dirigjuar nga shefat e tij zuzarë,
kriminelë e rrugaçë, refuzoi nderimin mortor të Presidentit historik të
Kosovës.
Mbetet pengu i madh i shqiptarëve
botërorë, pse Rugova nuk e mbijetoi shpalljen zyrtare të Pavarësisë së Kosovës,
për të cilën Ai përgaditi të gjithë infrastrukturën e kësaj Pavarësie. Akti solemn
të kësaj ngjarje të shënuar, u perdhos kur, cinikisht e turpërisht, përdhunshëm
e pameritueshëm, Deklaratën e Shpalljes të Pavarësisë e lexoi kryeministri,
edhe pse në sallën e Kuvendit ndodheshin Presidenti dhe kryetari i Parlamentit.
Autori i librit "Rugovën, si e kam
njohur", Gani Mehmetaj, ka realizuar, mrekullisht mirë, pasqyrimin e jetës
dhe të veprës epokale të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugovës. Përcjellja
në vite e dekada të veprimtarisë të bujshme të Heroit të tij dhe tonit - Rugovë,
ka mundësuar të shpalosë, në sintezë, thellësinë e shpirtit të tij fisnik dhe
të mendjes së ndritur, gjithnjë në shërbim të Atdheut-Kosovë, me shpresë të
bërjes të serishme të Dardanisë sonë hyjnore.
Pengu personal i krijuesit letrar dhe
artistik, Gani Mehmetaj, është pse nuk arriti ta realizojë projektin e tij të
kahmotshëm, në gjallje të Rugovës: "Fimin Dokumentar - Ibrahim Rugova -
Rilindasi i Fundit -! Megjithatë, nisma e tij fisnike është vënë në duar të
sigurta. Shoqata "Sali Çekaj" në Gjermani, me kryetar Argent Ferizin
dhe Kryetar Nderi Osman Ferizi, shok i armëve të heroit Sali Çekaj, me disa
Shoqata simotra dhe shokë e dashamirë, Rugovë-dashës, me mendje dhe zemër, do
ta realizojë, gjithësesi, këtë vepër artistike, kushtuar jetës dhe veprës
madhore të Presidentit Rugova.
Krejt në fund, autori Mehmetaj, sjell
vlerësimet në superlativë për Presidentin Rugova, të personaliteteve vendore
dhe botërore. Pothuaj se, janë të një mendjeje se pa urtësinë, këmbënguljen dhe
vendosmërinë e Ibrahim Rugovës, nuk do të kishte as pavarësi dhe as shtet të
Kosovës. (F U N D)