Kulturë
Dorian Koçi: Europa Mbretëreshë dhe Arbëria
E diele, 04.05.2025, 06:55 PM
Europa Mbretëreshë dhe Arbëria
Nga
Dorian Koçi
Kjo
është një hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, e cila është vepër e
humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban
titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë)dhe simbas traditës klasike është e
paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë. Ne fakt në mitologji Europa
paraqitet si një vajzë e re, një
princeshë, bijë e mbretit mitik Agenor, e cila u rrëmbye nga Zeusi i shndrruar
në dem dhe që humbi gjurmët e saj diku ne atë që quhet sot Evropë.
Harta
e Buntingut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga
hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve
europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh
në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane. Kjo hartë ndodhet ne hollin e Parlamentit
Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me
fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane).
Arbëria
në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me
përfishirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë. Një nga
vëllezërit e Europës ishte Kadmi,
themeluesi i Tebës( Thiva e sotme në
Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti , u ndal duke
themeluar qytetin e Thives. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe
ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit. Sipas Bibliotheca, libër që
përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim shekullit të II pas Krishtit, në moshë të
madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe sëbashku me Harmoninë,
duke u shndrruar në gjarpërinj, u
vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës( liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa
e tyre lindi një djalë Illyrion që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.
Iliria
dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike e
qytetërimit europian, ndaj Arbëria , imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga
betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë. Miti
i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan, ku
ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të
rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar
dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga
Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, vazhdon të gjallojë në idenë
europiane të kontinentit.