Kulturë
Bashkim Saliasi: Veledin Durmishi – ‘’Një monument për dashurinë’’
E premte, 09.05.2025, 06:24 PM
SHËNIME RRETH LIBRIT “NJË MONUMENT PËR DASHURINË” TË SHKRIMTARIT VELEDIN DURMISHI
Nga
Bashkim SALIASI
Me poetin dhe shkrimtarin Veledin Durmishi u takuam pas
50 vjetësh. Të dy kemi studiuar në të njëjtën shkollë, në Pedagogjiken e
Fierit, por harresa bën punën e saj. Takimi jonë qe shumë rastësor. U takuam te lokal “Taivani”, në Tiranë, në një
takim me dy miq nga Suedia: me zonjën Britt Maria, kryetare e Bibliotekave në
Suedi dhe poetin dhe përkthyesin e
njohur z. Sokol Demaku. Takimi ishte organizuar, si edhe herë të tjera nga
shkrimtari Viron Kona, njëherazi miku im.
Në atë takim merrnin pjesë edhe disa miq të librave, poetë, shkrimtarë,
studiues, gazetarë, midis të cilëve: poeti Delo Isufi, gjuhëtari Muhamet Cenko,
studiuesi Sejdo Harka, mësuesi dhe publicisti Petrit Xhaja, shkrimtari Viron
Kona ( organizator i takimit) dhe unë, Bashkim Saliasi. Ishte një takim
mbresëlënës, ku mikesha Britt Maria dhe Sokol Demaku na rrëfyen përvojat e tyre
me librin në Suedi, teksa edhe ne të tjerët, u treguam aktivë dhe
bashkëbiseduam me kënaqësi e me shumë çiltëri me miqtë e ardhur. Gjithnjë
bisedat për letërsinë janë të tilla, të bukura, të sinqerta, të shoqëruara me
respekt, mirësi, humor mes bashkëbiseduesve.
Pas atij takimi mjaft të këndshëm, bisedova paksa me
Veledinin. Ngaqë m`u duk fytyrë e njohur më parë, e pyeta nga cili qytet ishte.
-Jam nga Tepelena, - tha ai, - kam mbaruar për
gjuhë-letërsi.
-Kam një shok nga Tepelena, e quajnë Kujtim Brahimaj, - i
thashë.
-Patrioti im është, - m`u përgjigj Veledini, - ka qenë
një vit para meje në Pedagogjiken e Fierit.
-Po mua nuk më mban mend? Unë kam qenë në një klasë me
Kujtimin, Gëzim Ismaili, Baftjar Shehun, Pëllumb Bajraktarin, Zagoll Gjonin,
Hekuran Duçka, Petrit Zeqaj, Fredi Ahmetaj, Kadri Idrizi, Bilbil Idrizi...
-Gëzim Ismailin e mbaj mend, por ty nuk të mbaj mend, -
më tha me sinqeritet Veledini.
-Nejse do kemi kohë të njihemi, - i thashë, - por sot po
të dhuroj kopjen e librit tim me poezi “Tomori, mal i shenjt”.
Gjatë kohës që po shkruaja autografin në librin tim, edhe
Veledini bëri të njëjtin veprim, duke më dhuruar edhe ai librin e tij të fundit
me poezi dhe tregime, me titull “Një monument për dashurinë” me redaktor dhe
recensent shkrimtarin dhe poetin Viron Kona, kopertina Anduela Aliko,
përkujdesje grafike Edlira Kame, Shtëpia botuese “Eldora” me ISBN:
8789928803467.
Librin e Veledinit
e vendosa në bibliotekën time për të pritur radhën që të njoh poezitë dhe
tregimet e shokut tim bashkudhëtar të Pedagogjikes së Fierit. Pasi u ktheva nga
kafja e mëngjesit e mora librin nga biblioteka dhe, ende pa u shtruar dreka
pothuajse i “përtypa” poezitë e poetit Durmishi. Në recensën e tij Viron Kona
shkruan: “Temat e dashurisë është ngacmuese për poetin dhe të krijohet
përshtypja se poeti trazon hirin dhe zbulon poshtë tij thëngjijtë e ndezur që
flakërojnë e që shprehin zjarrin e pashuar të dashurisë, të cilën poeti e mban
të ndezur në gjirin e tij. Me këtë zjarr të pashuar autori na përcjell mesazhin
se dashuria e vërtetë as nuk shuhet, as nuk humbet, ajo qëndron e ndritshme si
perla brenda guaskës”. Libri hapet me poezinë “Një monument për dashurinë”, ku
autori skalit bukur ndjenjën e dashurisë, këtë ndjenjë humane që është virtyt i
shenjtë për njeriun dhe që mbjellë kudo paqe dhe tolerancë. Jeta e njeriut pa
dashurinë nuk ka kuptim, ajo është një ndjenjë e fuqishme pa të cilën njeriu
nuk mund të jetojë.
Veledini përdor bukur figurat letrare, veçanërisht krahasimin, metaforën, sarkazmin dhe i jep
vargut një ngjyrim të mirëfilltë, që të mbetet në mendje: “Do bëhem
gjuhëtar, -vetes i thashë,/ Çiften supit e tutje në lisnajë./ thëllëza ka plot,
një do vras,/ Ç ‘ndodh më tej nuk kam faj.”
Duke kaluar nga njëra poezi në tjetrën, autori vërshon si
lumenjtë në një dimër të egër. Kështu ndodh te poezia me titull “Digju dhe ti
për mua”, apo te poezitë “Besoj në një magji”, “Kur vdes dashuria” dhe
“Tanjusha ime”. Interesant është edhe fakti se poeti Durmishi, nëpërmjet
ndjenjës së dashurisë i këndon edhe vendlindjes, e sidomos nënës së tij që nuk
jeton më, atdheut, korifenjve të letërsisë shqipe, Migjenit, bashkëshortes etj.
Poezia e Veledinit është rezultat i një ngacmimi të
fuqishëm që e bën poetin të derdh në vargje dashurinë për nënën, vendlindjen,
gruan dhe gjithçka që e rrethon dhe lë mbresa në kujtesën e tij.
Në poezitë e këtij autori gjen edhe humor, satirë
fshikulluese dhe mesazhe atdhedashurie. Brenda poezive ndjen një frymëmarrje të
gjerë. Nga leximi i librit duket se autori është njohës
i mirë i realitetit shqiptar dhe i jetës shoqërore.
Tematikën
e tregimeve ai e merr nga jeta e përditshme. Tregimet bëhen të besueshme, sepse
sjellin vrullin e jetës së përditshme që lë gjurmë në kujtesën e poetit. Figurat letrare që përdor Veledini gjatë
tregimit, të mbërthejnë dhe nuk të lëshojnë. Në fund, thua: “Sa bukur!” ndonëse
përjeton dhimbje për torturat që pëson personazhi i tregimit...
Libri
“Një monument për dashurinë” i Veledin Durmishit shfaqet si një himn dashurie.
Ai përcjell mesazhe mirëkuptimi dhe tolerance.
Urime
z. Durmishi në botime të tjera me vlera krijuese artistike!
Tiranë, më 01.05.2025