Kulturë
Nexhmije Mehmetaj: Shqipëria në Eurovision 2025 në Zvicër – “Zjerm” nga Shkodra Elektronike ndez emocione dhe krenarinë kombëtare
E enjte, 08.05.2025, 06:57 PM
Shqipëria në Eurovision 2025 në Zvicër – “Zjerm” nga Shkodra Elektronike ndez emocione dhe krenarinë kombëtare
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Këtë
pranverë, qyteti i Basel-it do të mirëpresë Eurovision Song Contest 2025, një
nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Europë. E veçanta për shqiptarët është se
këtë vit Shqipëria përfaqësohet nga një projekt krejtësisht i pazakontë dhe
thellësisht emocionues: kënga “Zjerm” e interpretuar nga grupi Shkodra
Elektronike, fituesit e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH.
Kjo
pjesëmarrje nuk është vetëm një garë artistike, por një ngjarje kulturore që
lidh brezat dhe shpërfaq potencialin krijues të diasporës shqiptare, pikërisht
në një vend ku jetojnë dhe kontribuojnë mijëra shqiptarë – në Zvicër.
Muzika që lidh rrënjët
me të tashmen
“Zjerm”
nuk është një këngë si gjithë të tjerat. Ajo është një rikrijim modern i
këngëve tradicionale shkodrane, që ka prekur zemrat e të rinjve në të gjithë
botën shqiptare, sidomos në diasporë. Përmes tingujve elektronikë bashkëkohorë,
Shkodra Elektronike ka bërë të mundur që zëri i së shkuarës – ai i gjyshes, i
kujtesës familjare dhe i këngës së vjetër – të ringjallet me forcë dhe emocion.
“Të
rinj që nuk kishin dëgjuar kurrë më parë këngët popullore na shkruanin: ‘Këto
janë këngët e gjyshes sime. Tani mund t’i dëgjoj në mënyrë moderne dhe t’i
këndoj vetë,’” – tregojnë anëtarët e grupit, Bea dhe Kola.
Një mesazh për komunitetin
shqiptar në Zvicër
Pjesëmarrja
e Shqipërisë në Eurovision këtë vit ka një domethënie të veçantë për shqiptarët
që jetojnë në Zvicër. Kënga që do të përfaqësojë vendin vjen nga diaspora dhe
do të interpretohet në zemër të Zvicrës. Kjo është një ftesë për bashkim, për
përkrahje dhe për afirmim të identitetit tonë kulturor.
Datat që duhet të mbani
mend:
-Gjysmëfinalja
e parë: 13 maj
-Gjysmëfinalja
e dytë: 15 maj
-Nata
finale: 17 maj
Le
ta kthejmë këtë moment në një festë të komunitetit tonë! Të gjithë së bashku të
votojmë për “Zjerm” dhe të ndihmojmë që Shqipëria të renditet sa më lart në
këtë festival prestigjioz.
“Kur
njeh rrënjët, je më i plotësuar”
Në
një intervistë për RTSH, Beatriçe, një nga zërat e rinj të projektit, ndau këtë
reflektim prekës:
“Jam
rritur jashtë vendit. E di çfarë do të thotë të ndihesh pak italian, pak
shqiptar, pak europian… Por kur ke gjërat e tua, rrënjët, je një njeri më i
plotësuar. Kjo na pëlqen.”
Shqiptarë
të Zvicrës, ky është momenti ynë. Le të dëgjojmë, përjetojmë dhe votojmë
“Zjerm” – këngën tonë, zërin tonë, krenarinë tonë!
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë, 08.05. 2025