Kulturë
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës: Apelit për Vlerësim të Drejtë, Mos Falje të Notave dhe Rikthim të Cilësisë në Arsim
E diele, 11.05.2025, 06:55 PM
APEL PËR VLERËSIM TË DREJTË, MOS FALJE TË NOTAVE DHE RIKTHIM TË CILËSISË NË ARSIM
Në emër të Rrjetit të Prindërve Edukues të
Kosovës, i drejtohemi me këtë apel të hapur të gjithë aktorëve të
sistemit arsimor dhe shoqërisë sonë:
Të nderuar mësimdhënës, prindër, drejtori
shkolle, zyrtarë të Drejtorive Komunale të Arsimit, përfaqësues të Ministrisë
së Arsimit, Inspektoratit të Arsimit, mediave dhe shoqërisë civile,
Tash e një kohë të gjatë, arsimi në Kosovë po përballet me
një fenomen alarmues: faljen e notave dhe kalimin automatik të nxënësve në
klasat vijuese, pavarësisht mungesës së dijes, pavarësisht vlerësimit me nota të
dobëta për gjatë gjithë vitit, pavarësisht mungesës së përkushtimit dhe shpesh
edhe sjelljes së duhur në mjedisin shkollor.
Nxënës me nota të shumta
negative, që sipas udhëzimeve dhe kornizës ligjore duhet të përsërisnin vitin
shkollor, po kalojnë me nota të falura. Kjo praktikë, e cila tashmë ka
marrë përmasa të rrezikshme, po dëmton rëndë fëmijët tanë dhe të ardhmen e
shoqërisë sonë, duke:
- Validuar
dembelinë, arrogancën, mungesën e përgjegjësisë dhe injorancën si sjellje të pranueshme tek fëmijët.
- Degraduar
seriozitetin në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
- Humbur
respektin për dijen, mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët.
- Demotivuar nxënësit punëtorë dhe të
përkushtuar.
- Ulur
disiplinën në shkolla dhe krijimin e një ambienti të pasigurt për mësim.
- Prodhuar
breza të rinjve të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të painformuar, që
rrezikojnë të dëmtojnë edhe sistemet publike e shoqërore në të ardhmen, por
edhe të jenë të padobishëm për tregun e punës.
Falja e notave nuk
është ndihmë! Është dëm i
drejtpërdrejtë ndaj fëmijëve tanë dhe shoqërisë sonë.
Prindër të dashur, ju bëjmë thirrje të mos kërkoni falje të notave për
fëmijët tuaj, mos kërkoni kalim të pamerituar, sepse kjo u mohon atyre
mundësinë për t'u përmirësuar, për të fituar disiplinë, dije dhe përgjegjësi. Përsëritja
e vitit dhe ri-provimi nuk janë ndëshkim, por mundësi për rritje të vërtetë.
Mësimdhënës të
nderuar, ju inkurajojmë të
qëndroni të palëkundur në ruajtjen e standardeve profesionale dhe të mos
pajtoheni me faljen e notave pa meritë, as nga presioni as nga joshja.
Drejtori shkollash
dhe institucione arsimore, ju
ftojmë të garantoni që vlerësimi të bëhet me drejtësi, transparencë dhe sipas
ligjit, duke mbrojtur dinjitetin e shkollës dhe të gjithë procesit
edukativo-arsimor.
Ministri i Arsimit dhe Inspektorat i Arsimit,
Monitoroni dhe garantoni respektimin e ligjit dhe standardeve profesionale në
çdo shkollë!
Inspektorat i Arsimit
Krijoni plane dinamike dhe ekipe ad hoc për të monitoruar,
analizuar dhe garantuar vlerësimin e nxënësve si një proces inspektues tepër të
rëndësishëm!
Mediave dhe
shoqërisë civile, ju bëjmë thirrje
që ta ngritni këtë çështje si përparësi kombëtare dhe të promovoni kërkesën për
cilësi dhe përgjegjësi në arsim.
Ne kërkojmë:
1.
Vlerësim
real dhe meritor për çdo nxënës, pa
tolerancë për falje notash të padrejta.
2.
Ndaljen e presionit të prindërve për faljen
e notave dhe orientimin e tyre në drejtim të mbështetjes për cilësi,
disiplinë dhe përmirësim të fëmijëve.
3.
Ndërprerjen
përfundimtare të kalimit automatik të klasave pa arritje reale minimale.
4.
Zbatimin
e përsëritjes së vitit dhe ri-provimet si një mekanizëm edukativ, jo si ndëshkim.
5.
Fuqizimin
e bashkëpunimit shkollë-familje,
me informim të rregullt dhe të drejtë.
6.
Angazhim të plotë institucional për të
rikthyer dinjitetin e mësimdhënësit, seriozitetin e vlerësimit dhe autoritetin
e shkollës.
Arsimi nuk është dhuratë
– është një përpjekje dhe një arritje.
Dija nuk falet – fitohet me mund, përkushtim dhe respekt.
Shoqëria nuk ndërtohet mbi iluzione – por mbi vlera të vërteta dhe të fituara
me dinjitet.
Le të ndalim së
bashku dëmtimin e fëmijëve tanë.
Le të mbrojmë të ardhmen tonë.
Le ta rikthejmë dinjitetin e arsimit në Kosovë.
Me respekt dhe
përkushtim,
Rrjeti i Prindërve
Edukues të Kosovës
Prishtinë, Maj 2025