Kulturë
Lekë Mrijaj: Bajram Curri më shumë se një Hero
E enjte, 15.05.2025, 06:55 PM
BAJRAM CURRI MË SHUMË SE NJË HERO NË HISTORINË TONË TË LAVDISHME KOMBËTARE
(Këndvështrim në njëqind vjetorin e vrasjës së
Bajram Currit)
Shkruan
Lekë Mrijaj
Në
përmasat e kujtesës historike kombëtare, figura lapidare e Bajram Currit nuk
mund të trajtohet si një episod i izoluar apo si një simbol statik i lavdisë së
kaluar. Ai është mishërimi i qëndresës shqiptare, i flijimit në emër të lirisë
dhe një figurë që përbën boshtin e pandashëm të përpjekjeve për çlirimin dhe
bashkimin tonë mbarkombëtar.
Vepra
e Gani Qarrit me titull “BAJRAM CURRI, TRIBUN I KOMBIT-(Bajram Curri me
bashkëluftëtarët e tij)”, është më shumë
se një retrospektivë historike, ajo më konkret është një nderim, një analizë
dhe një dëshmi e dokumentuar që i jep kësaj figure karizmatike peshën e
merituar në ndërgjegjen e sotme kombëtare. Nëpërmjet një ndërtimi kronologjik,
të saktë dhe emocionalisht të ngarkuar, autori Gani Qarri nuk paraqet vetëm një
biografi, por një rrëfim të thelluar të konteksteve historike që shënjuan jetën
dhe misionin e patriotit-Bajram Currit, duke i dhënë lexuesit dhe studiuesve
një pasqyrë të qartë të përballjeve të një kombi në formim e sipër, me armiq të
jashtëm dhe pengesa të brendshme.
Autori
Qarri në këtë libër nis rrëfimin me një fakt historik tejet domethënës, duke
filluar nga e lindja e Bajram Currit dhe internimin e familjes së tij nga
autoritetet e përandorisë osmane, pra, një motiv që paralajmëron sfidat që do
ta shoqëronin gjatë gjithë jetës. Qarri e përdor këtë fakt jo vetëm si një
moment historik, por edhe si simbolikë të një jete që do të zhvillohej nën
hijen e persekutimit dhe përballjes me perandoritë dhe padrejtësitë ndaj
shqiptarëve.
Fillim
libri i Qarrit shërben për të vendosur peshën e veprës, një figurë që nuk i
përket thjesht një regjistri historik, por që mishëron dramën kolektive të një
kombi që përpiqet të mbijetojë dhe të afirmohet në një Evropë që po përjetonte
ndryshime rrënjësore. Vrasja e babait të Bajram Currit, pra, Shaqirit, është
përshkruar me ndjeshmëri të veçantë nga autori, si një plagë personale, por
edhe si një ngjarje që thelloi ndërgjegjen patriotike të Bajramit të ri.
Studiuesi Qarri, e sheh këtë moment si pikë kthese, ku dhimbja personale
shndërrohet në ndjenjë kolektive të përbashkët dhe përkushtim ndaj çështjes së
gjithmbarshme shqiptare. Pjesëmarrja e hershme në strukturat kombëtare si
Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe më pas në lëvizjet kombëtare të
fillimshekullit XX, tregon një formim politik të thelluar, ku idealizmi
bashkohet me realizmin strategjik.
Në
vazhdim të librit studiesi Gani Qarri ofron një përshkrim të gjerë të rolit
aktiv që Bajram Curri e luajti në kryengritjet e armatosura shqiptare kundër
Perandorisë Osmane. Ai përmend me hollësi betejat dhe përplasjet në verilindje
të Shqipërisë, duke theksuar guximin, idealin, por edhe vizionin politik të
Currit. Këtu lexuesi e sheh Bajram
Currin jo thjesht si luftëtar, por si lider më karizmatik dhe tejët të mençur,
që kuptonte rëndësinë e diplomacisë, unitetit dhe domosdoshmërinë për të
koordinuar aksionet me udhëheqës të tjerë, si Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe
Ismail Qemali.
Themeli
i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës më 1918 është një ndër pikat më të
rëndësishme të veprës. Qarri e analizon këtë strukturë si një përpjekje
strategjike për të mbrojtur interesat e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të
shtetit të ri shqiptar.
Pikërisht
edhe në vazhdim të librit vërehet kjartë përdorimi i fusnotave dhe burimeve
tjera historike, letërkëmbimeve dhe deklaratave publike të kohës. Qarri në
librin e tij siq e potencuam edhe sipër, paraqet përpjekjet e Komitetit për të
ndërhyrë edhe në rrafshin ndërkombëtar, përmes letrave drejtuar presidentit
amerikan Wilson dhe kancelarive tjera evropiane, një përpjekje e admirueshme
për kohën, që shpesh harrohet apo nuk deshirojnë ti konceptojnë në tekstet
zyrtare të historisë sonë.
Vepra
shkencore analizon me mprehtësi bashkëpunimin e Bajram Currit me figurat që
organizuan Kongresin e Lushnjës në vitin 1920. Qarri thekson se ky kongres
përfaqësonte një ringjallje të shpresës për pavarësinë e plotë të Shqipërisë,
dhe një mundësi për të konsoliduar institucionet e vendit. Në këtë fazë, Bajram
Curri shihet si një figurë unifikuese që bashkon krahët e ndryshëm të lëvizjes
kombëtare, veri e jug, qytet e malësi dhe me fjalë tjera kontribuon në
sigurimin e unitetit kombëtar. Një aspekt i veçantë i veprës është përshkrimi
paralel i betejave në jug dhe veri. Ndërsa ushtria e Komitetit të Vlorës
përballej me trupat italiane, Bajram Curri dhe bashkëluftëtarët e tij
përballeshin me forcat serbe në kufirin verilindor. Ndaj edhe studiuesi Qarri
ofron një analizë të thelluar të strategjive, sfidave dhe pasojave të këtyre
betejave.
Libri
me tutje përshkruan momentin final të jetës së Bajram Currit ku është padyshim
më emocionali dhe më domethënësi. Qarri e përshkruan me një ngjyrim
tragjik-epik fundin e një burri që nuk u mposht nga armiqtë, por u përball me
vdekjen me dinjitet, duke refuzuar të dorëzohej. Vdekja e tij më 29 mars 1925
nuk është trajtuar si një humbje, por si një shpërfaqje e thellë e idealeve për
të cilat kishte jetuar. Qarri edhe këtu e paraqet këtë akt si dëshmi të një
besnikërie të pakusht ndaj kombit dhe si një akuzë morale ndaj atyre që
zgjodhën shërbimin ndaj të huajve mbi interesin kombëtar. Zgjedhja për ta
varrosur Bajram Currin në Has, afër kufirit me Kosovën që aq shumë e kishte
mbrojtur, është një akt simbolik që autori i këtij libri e trajton me
ndjeshmëri të thellë. Ai, e sheh këtë vendvarrim si një dëshmi të dashurisë së
Currit për trojet e Kosovës dhe si një mesazh i përjetshëm për bashkimin
kombëtar.
Studiuesi
Gani Qarri përdor një stil që ndërthur faktin historik me përjetimin emocional.
Libri nuk është thjesht kronikë, por një ese, reflektim dhe thirrje morale.
Duke përfshirë burime të besueshme, përfshirë punimet e historianëve si Jusuf
Bajraktari, Hakif Bajrami, Rexhep Qosja dhe arkivistë të epokës, ai e bën
veprën të saktë dhe të respektueshme edhe në qarqet akademike. Qarri nuk ndalet
vetëm te rrëfimi i një jete të madhe, ai përçon mesazhin se kauza për të cilën
Bajram Curri dha jetën nuk ka përfunduar. Ai ngre zërin për të kujtuar se
liria, dinjiteti dhe bashkimi janë ende sfida të pashuara të kombit shqiptar.
Në
fund të këtij libri me titull “BAJRAM CURRI, TRIBUN I KOMBIT-(Bajram Curri me
bashkëluftëtarët e tij) e them se ky
libër është një vepër që shërben si kujtesë, si udhëzues dhe si testament i një
epoke të lavdishme, por edhe të dhimbshme. Qarri ka bërë një shërbim të madh
kulturor e kombëtar duke i dhënë brezave të sotëm një dritare të hapur drejt së
kaluarës heroike, me një gjuhë të pastër, të ndjerë dhe të argumentuar.
Kjo
vepër duhet të përfshihet në bibliografinë e detyrueshme të çdo institucioni
edukativo arsimor që synon formimin patriotik dhe historik të rinisë shqiptare.
Në të njëjtën kohë, ajo meriton të promovohen edhe në sferat akademike si një
shembull i mirëfilltë i bashkimit mes historiografisë dhe letërsisë
dokumentare.