Kulturë
Nexhmije Mehmetaj: Kënga “Zjerm” ndez skenën evropiane – Shqipëria në finalen e “Eurovisionit”
E enjte, 15.05.2025, 06:57 PM
Kënga “Zjerm” ndez skenën evropiane – Shqipëria në finalen e “Eurovisionit”
Një sukses i shumëpritur për muzikën shqiptare
në arenën ndërkombëtare. “Shkodra elektronike”, një dyshe artistësh të rinj që
i përkasin diasporës shqiptare në Itali, ka ndezur skenën e “Eurovisionit” në
Zvicër dhe i ka rikthyer Shqipërisë shpresën e një përfaqësimi të denjë në
finalen e këtij festivali prestigjioz evropian.
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Nga
Shkodra në Bazel, me tinguj elektronikë dhe shpirt shqiptar. Dueti “Shkodra
elektronike”, e përbërë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, i ka siguruar
Shqipërisë një vend në finalen e madhe të “Evrovizionit 2025”, që po mbahet në
Zvicër.
Me
këngën “Zjerm”, dy artistët shkodranë pushtuan skenën e “St. Jakobs” në Bazel,
duke u kualifikuar mes dhjetë vendeve të para në gjysmëfinalen e parë.
Performanca e tyre u veçua për energjinë, thjeshtësinë dhe origjinalitetin
artistik. Me skenografi minimale, por me një koreografi dritargjendtë që
pulsuan në kuqezi – ngjyrat që mbartën edhe veshjet e tyre – “Shkodra
elektronike” solli një interpretim të denjë për skenën evropiane.
Kënga
“Zjerm”, me muzikë dhe tekst të realizuar nga vetë artistët në bashkëpunim me
Lekë Gjeloshin, ndërthur motive tradicionale shqiptare me elemente të muzikës
elektronike, duke krijuar një identitet të veçantë që u pëlqye jo vetëm nga
publiku shqiptar, por edhe nga audienca ndërkombëtare. Votimi në këtë fazë
ishte ekskluzivisht në duart e publikut, çka tregon për përkrahjen e gjerë që
mori kjo dyshe.
“Shkodra
elektronike” u themelua më 2019 në Itali nga dy emigrantët e rinj, të cilët i
bashkoi dashuria për muzikën dhe rrënjët shqiptare. Që nga debutimi i tyre në
hapjen e Pavijonit të Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias, ata kanë
për formuar në një sërë eventesh kulturore në Shqipëri dhe jashtë saj. Në
repertorin e tyre përfshihen rikrijime të këngëve të njohura shqiptare si dhe
materiale origjinale e të pasura.
Përveç
Shqipërisë, nga gjysmëfinalja e parë u kualifikuan edhe Norvegjia, Suedia,
Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.
Ky
edicion i 69-të i “Eurovisionit”, i moderuar nga Hazel Brugger dhe Sandra
Studer, po mbahet në Zvicër, pas fitores së artistit zviceran Nemo në vitin e
kaluar me këngën “The Code”. Në këtë edicion marrin pjesë 37 shtete, mes tyre
edhe Mali i Zi që është rikthyer pas dy vitesh. Pesë shtete të mëdha –
Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja – shkojnë direkt në finale.
Interpretimi
i “Shkodra elektronike” është vlerësuar si një pasqyrim me dinjitet i artit
bashkëkohor shqiptar dhe identitetit kulturor. Në një deklaratë të shkurtër pas
performancës, Beatriçe falënderoi publikun për përkrahjen. Festivali i këtij
viti, sipas transmetuesit publik zviceran, simbolizon vlerat e Zvicrës:
diversitetin, shumë-kulturat dhe ndjenjën e bashkësisë – vlera të cilat i
mishëron edhe vetë ky duet shqiptar me rrënjë në Shkodër dhe rrugëtim artistik
në Itali.
Finalja
e madhe e “Evrovizion 2025” do të mbahet të shtunën mbrëma në Bazel. Sytë dhe
zemrat shqiptare tashmë janë me këngën “Zjerm”!
Nexhmije Mehmetaj
Gjenevë,14.05. 2025