Kulturë
Sadbere Emshiu: Kur leximi bëhet urë mes brezave
E enjte, 15.05.2025, 06:56 PM
FLY, biblioteka dhe një përvojë gjysheje: Kur leximi bëhet urë mes brezave
Një përvojë ndërkulturore që forcon lidhjet
familjare dhe dashurinë për librin në sistemin shkollor, në veçanti në Hamburg
Nga
Sadbere Emshiu
Të
jesh gjyshe në një qytet si Hamburgu, ndërsa ruan me krenari rrënjët kulturore
të Brodecit të Malësisë së Tetovës, është një bekim, por edhe një sfidë. Ky
realitet merr një kuptim edhe më të thellë kur jeton në një familje me
trashëgimi të ndërthurur – shqiptare, turke dhe gjermane – ku gjuha, identiteti
dhe përkatësia ndërthuren çdo ditë në mënyra të reja dhe dinamike. Në këtë
kontekst, roli i një gjysheje nuk kufizohet vetëm te kujdesi tradicional
familjar, por shndërrohet në një urë kulturore dhe emocionale ndërmjet brezave.
Në
përvojën time si mësuese dhe profesioniste e arsimit ndërkulturor në Hamburg, e
certifikuar për programin FLY (Family Literacy) nga Lehrerinstitut für
Fortbildung, kam pasur mundësinë të shoh nga afër ndikimin pozitiv që sjell
bashkëpunimi mes familjes dhe shkollës përmes leximit të përbashkët.
Megjithatë, pjesëmarrja ime në klasën e parë të mbesës sime, Tahira, në rolin e
një gjysheje, ishte një përjetim krejtësisht i veçantë dhe emocional.
Programi
FLY, i zbatuar në shumë shkolla fillore në Gjermani, përfaqëson një model
bashkëpunimi mes fëmijëve, prindërve – dhe kur është e mundur – edhe gjyshërve.
Gjatë një aktiviteti të strukturuar 90-minutësh, familjarët bashkëlexojnë me
fëmijët në grupe të vogla, ndërsa shkolla shndërrohet në një hapësirë të
ngrohtë mirëseardhjeje. Ky format ndihmon në zhvillimin e aftësive gjuhësore dhe
letrare të fëmijëve, por po aq i rëndësishëm është edhe ndërtimi i besimit mes
shkollës dhe familjes, si dhe afirmimi i rolit edukativ të të gjithë anëtarëve
të saj.
Kur
mora pjesë në klasën e mbesës, nuk isha aty si mësuese apo ndërmjetësuese mes
shkollës dhe familjes – rolet e mia profesionale mbetën jashtë derës së klasës.
Aty isha thjesht "nana" e saj – një figurë e dashur që ndaj librin,
fjalën dhe kohën me të. Mësuesja kujdestare, zonja Ebelin – një figurë
frymëzuese për mbesën time – së bashku me koleget dhe disa nëna të
përkushtuara, kishin krijuar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës, ku çdo
fëmijë ndihej i vlerësuar dhe i përfshirë.
Momenti
më mbresëlënës ishte vizita në bibliotekën e lagjes. Fëmijët, përfshirë edhe
Tahirën, lundronin me entuziazëm mes raftesh të mbushura me libra. Ata ishin
ata që na ftonin ne të rriturve të bëheshim pjesë e botës së tyre. Na tregonin,
përmes syve të ndritur dhe zërit plot kureshtje, se leximi nuk është vetëm një
detyrë shkollore, por një udhëtim i përbashkët mes brezash – një akt dashurie,
përkatësie dhe trashëgimie.
Kur,
në fund të aktivitetit, Tahira vrapoi në oborr për të luajtur me shokët dhe
shoqet, unë mbeta me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje. Kuptova se nuk isha
thjesht një vizitore e rastësishme në një orë leximi. Kisha hyrë në kujtimet e
saj të fëmijërisë – ato kujtime që do ta formësojnë si lexuese, si qytetare e
një bote shumëgjuhëshe dhe si bartëse e një trashëgimie kulturore të pasur.
Programi
FLY nuk është thjesht një metodologji mësimore. Është një filozofi që njeh
familjen si hapësira e parë dhe më e rëndësishme e të nxënit. Në një qytet si
Hamburgu, ku ndërthuren dhjetëra kultura dhe gjuhë, ky program kontribuon në
ndërtimin e një identiteti të përbashkët mbi bazën e respektit, dialogut dhe leximit.
Për ne gjyshërit, është një mundësi për të ruajtur lidhjen me nipërit e mbesat
tona, për të lënë gjurmë në jetën e tyre përmes fjalës së shkruar dhe të
lexuar.
Përmes
një ore të kaluar në bibliotekë dhe një libri të lexuar së bashku, ndërtuam një
urë që lidh të kaluarën time me të ardhmen e saj. Dhe kjo urë quhet dashuri për
librin.
____________
Biografia e autores: Sadbere Emshiu është
mësuese dhe vepruese ndërkulturore në sistemin arsimor të Hamburgut. E
certifikuar për programin FLY nga Lehrerinstitut für Fortbildung, ajo vepron si
përkthyese, ndërmjetësuese shkollë-familje dhe kontribuuese aktive në jetën
kulturore dhe arsimore të komunitetit shqiptar dhe më gjerë. Përkushtimi i saj
ndaj ruajtjes së gjuhës shqipe dhe ndërlidhjes ndërbreznore përmes leximit
është pjesë thelbësore e misionit të saj profesional dhe personal.