Kulturë
Albert Habazaj: Pikëpamje të disa studiuesve të Naimit mbi personalitetin dhe veprat e tij
E enjte, 22.05.2025, 06:58 PM
Disa nga veprat e Naimit në Bibliotekën personale të Albert Habazajt
PIKËPAMJE TË DISA STUDIUESVE TË NAIMIT MBI PERSONALITETIN DHE VEPRAT E TIJ
Nga
Albert HABAZAJ
Hyrje
Për jetën dhe veprën e Naimit janë shkruar shumë
monografi, janë zhvilluar konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit,
kombëtare dhe ndërkombëtare. Naimi pati tri burime të kthjellëta, ku piu ujë
frymëzimi: poezinë popullore, poezinë e Lindjes dhe atë të Perëndimit. I njihte
mirë, por i tejkaloi revolucionarisht bejtexhinjtë. Ndërkohë në poezinë e tij vërehen
ndjeshëm figurat letrare si personifikimi, simboli, epiteti, hiperbola,
krahasimi dhe metafora me prejardhje folklorike, dhe pati sukses, sidomos me
apostrofën. Ai jetoi e veproi në shekullin XIX kur vetë koha të orientonte për
veprimtari letrare, diturore, politike e atdhetare me kontekst kombëtar, jo vetëm
në Shqipëri, por në Ballkan e më gjerë. Ndoshta kjo hulli e lëvizjes kombëtare
i pëlqente shumë poezitë e Naimit. Ai u ndikua nga folklori, por pa dyshim edhe
vjershërimi i tij ka ndikuar në poezinë popullore. Sot e kësaj dite këndohen
pjesë të teksteve të tij poetike në krahina si Kruja, Skrapari, Gramshi, Korça,
Pogradeci, Manastiri, Krutja e Sipërme, Labëria, etj.
1.
Burimet nga historia e letërsisë shqiptare
1.1.
Faik Konica. Kujtojmë se Faik Konica ka dy qëndrime për Naimin, njërin
pozitiv dhe tjetrin negativ, apo “tallës” siç e quan vetë Konica. E vlerëson
shumë si atdhetar dhe shkruan për të: “...një dashës i thellë i Shqipërisë, i
cili, si zgjonjës i Kombit, bëri shërbime të pavdekura edhe ka pakë shokë në
historin’ e rilindjes s’onë.”[1]. Po
aty, duke pasur koncepte të larta për vjershërimin, ai nënvizon se vjershësia është
mjeshtëri e bukur, një art, se vjershësia është sheshi i cilësisë jo i sasisë,
se shkrimi i vërtetë i kursen fjalët, se shkrimi i vërtetë i zgjedh fjalët, se
shkrimi i vërtetë, në varg a në frazë ka muzikën e veçantë të tij. “Duhet me
tingullin e tij t’i pëlqejë veshit”[2] -
shkruan Konica. Ai i quan vjershërimet e Naimit “një lumë të paqëndruar
fjalësh të shtypura në formë vjershe, pallavra, tototo-e-tatata, që zënë një
vënt me rëndësi në historin’ e lëvizjes kombëtare. Janë dokumenta propagande
politike të vlefshme dhe asgjë tjatër”[3].
1.2.
Dritëro Agolli. Dritëroi e ka dashur dhe e ka vlerësuar
shumë Naimin, dhe ka shkruar në linjën e Naimit në kohë të re me
individualitetin e tij krijues të përkryer. Agolli i drejtohet Naimit e i thotë:
“Punove mirë, usta!” Neve na kujton se Naimi është fëminia e poezisë sonë, se
ai shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të
urta dhe esse. Dhe më tej Agolli thekson se N. Frashëri është i pari në poezinë
shqipe që krijoi poemën sintezë, poemën pa personazhe e episode, si Bagëti e bujqësia dhe Bukurija.
Nuk ka sesi një shkrimtar dhe njeri i madh si Dritëroi, i
cili gati e adhuronte Naimin, të shkruajë qysh herët edhe këto vërejte të
pakontestueshme: “Krahas vargjeve të shkëlqyera, do të gjesh vargje naive gjer
në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe
mendime që nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij
i madh: lufta për lirinë e Atdheut” [4].
1.3.
Ismail Kadare. Kadarejaka bërë parathënien [5] e vëllimit me poezi e pjesë të
zgjedhura të Naimit, me 181 f., ku janë përfshirë 81 njësi poetike, botuar në
nderim të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ndër të tjera, thotë
se nuk mund të lexosh Naimin pa menduar Shqipërinë dhe kjo është cilësiae parë
e tij, madhështia dhe fati i tij. Vepra e tij e gjerë e plot dritë, që mund të
quhet pa frikë universi naimjan, ka në qendër të vet pikërisht atdheun dhe
lirinë; poema Histori e Skënderbeut e
Naim Frashërit do të ishte për rilindësit tanë si një kalë lufte. E vlerëson që
diti të fluturojë bukur mbi gjeografinë poetike të poezisë orientale dhe asaj
romantike perëndimore. Duke folur për kufizimet e veprës së Naimit dhe të rilindësve
të tjerë, është me rëndësi të kuptojmë ç’ka shkruan Kadare: “Në fund të fundit,
duke thënë kufizimet e tyre netregojmë se i nderojmë ata, ashtu siç do të
tregonim mosnderimin tonë duke mos i përmendur ato” [6].
1.4.
Dhimitër Shuteriqi. Pasi vlerëson se romantizmi shqiptar i
arriti kulmet e tij me De Radën e me Naimin, ndalet edhe tek stili e Naimit, që,
sipas Shuteriqit, shquhet nga ato veti të lirizmit të tij. “I thjeshtë e i
ngrohtë, ai e afron lexuesin menjëherë, e bën të ndiejë ëmbëlsinë e një shpirti
të përgjëruar, tek i cili rri ndezur gjithmonë një flakë dashurie për njeriun,
dashuri, që së pari, e ndien lexuesi vetë” [7].
E ç’mund t’i kërkosh më tepër një poeti, një shkrimtari të madh për arritjen e
misionit të tij nga ç’ka nënvizon prof. Shuteriqi për poetin tonë kombëtar?! Studiuesi me të drejtë ka
vërejtur se me Naimin filloi në
Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij
është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq
gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e
poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu
edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër
madhore [8]. Pa
u hapur shumë, mund të lavdërojmë punën e profesorit në studimin e origjinës së
vjershës Fyelli, sepse e shpie më tej
atë ç’ka shkruan prof. Çabej, se ajo “është inspiruar” [9] nga një vjershë e Rumiut. Shuteriqi e quan “një rikrijim që s’e
ndan dot nga vjershat origjinale të Rumiut”[10].
Naimologu i parë serioz shqiptar, prof. Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një
varg veprash të papërfunduara, ndër to Fjalorin
e Naim Frashërit, që u botua kohët e fundit nga Akademia e Shkencave e
Shqipërisë.
1.5.
Rexhep Qosja. Përpos sprovave të hershme, Qosja ka dy punime të rëndësishme
për profilin e Naimit: Panteoni i
rralluar dhe Porosia e madhe.
Ndonëse jo botim i mirëfilltë kritik, edhe pse, siç u shprehëm, pati gjurmë të
shkelura për një vështrim më sy më sy me veprën letrare të Poetit, punimet e
shumta të kërkimit këmbëngulës të Qosjes për Naimin janë një bibliotekë më vete
në funksion të Naimistikës. Akademiku merret me Poetin qysh me tekstin Historia e letërsisë shqipe. Romantizmi,
veçanërisht në vëll. 3 (Prishtinë, 1986, kap. 10), në përmbledhjen Panteon i rralluar me studime, kritika,
ese (Prishtinë, “Rilindja”, 1973,
ribot.: Tiranë, Sh. B “Naim Frashëri”, 1988, f. 15-88), me monografinë Porosia e madhe, kushtuar veprës së Naim
Frashërit, në tri ribotime (Tiranë,
“Naim Frashëri”, 1989; 504 f.; Prishtinë, “Rilindja”, 1990, 606 f.;
Tiranë, Toena, 2000, 580 f.). Ndër të tjera mund të theksojmë se prof. Qosja ka
përgatitur për shtyp veprën e Naimit dhe ka bërë parathënien e teksteve botuar
në Prishtinë, në vitin 1978, sidomos ribot. 2 të plotësuar nga “Rilindja”,
1986, në 7 vëllime, nga të cilat, në vëll. 1: Ëndërrime,
Bagëti e bujqësija, Dëshir' e vërtetë
e shqipëtarëvet, Luletë e verësë,
Dashuria, në 234 faqe; në vëll. 2: Vjersha për mësonjëtoret e para, Parajsa dhe fjalë fluturake, Fletore e bektashinjet, Shqipëria, Pellazgët-Shqipëtarët, në 194 f.; vëll. 3: Histori
e Skënderbeut në 325 f.; vëll. 4: Qerbelaja,
291 f.; vëll.5: E këndimit çunavet këndonjëtoreja I,
E këndimit çunavet këndonjëtoreja II, Istori
e përgjithëshme për mësonjtoret të para dhe Istori e Shqipërisë, 240 f.; vëll. 6: Dituritë për mësonjëtoret të para, Gjithësia, Mësime, Katër stinët, Iliadhë e Omirit, Letërkëmbimi
në 259 f. dhe në vëll. 7: Porosia e madhe:
monografi mbi krijimtarinë e Naim Frashërit. Ky botim, që është përfshirë si vëllimi
i shtatë në Vepra të Naim Frashërit,
ka: në f. 7-14: Kronologjia e jetës,
në f. 577-578: Bibliografia e veprave në
gjuhën shqipe, në f. 579-593: Bibliografia
kronologjike e shkrimeve mbi krijimtarinëe tij dhe në f. 595-601: Treguesi i emrave. Gjithashtu autori ka
përgatitur për botim veprën e Naim Frashërin në 6 vëllime edhe në Tiranë, tek
“Toena”, gjatë vitit 2007, ku përshihet poezia dhe proza, tekstet mësimore,
letërkëmbimi në letërsi (letërsia epistolare), letërsia fetare bektashiane e
tij, botuar në 1892 faqe. Vlen për t’u përmendur vëmendja që ai i ka kushtuar përmbledhjes
me vjersha të shkruara në persisht: M(ehmed) Naim Frasari, Tahayyùlat, Mihran Matbaasu, Istanbul 1301 (1884); Naim Frashëri, vepra 1, zgjodhi e përgatiti
për shtyp Rexhep Qosja, Prishtinë, 1978 (tok me Luletë e verësë dhe Bagëti e
bujqësija.
|
1.7.
Shaban Sinani. Ndër studiuesit e sotëm shqiptarë më të
njohur, prof. Sinani kujdeset ta shikojë shëmbëlltyrën poetike dhe atdhetare të
Naimit kudo ku shfaqet, me synimin e vetëm që poetin tonë kombëtar të njohim në
plotëri, jo me pjesë të zgjedhura. Sinani e cilëson Naimin si Rumi shqiptar, ndërkohë
që ka rezerva për njohjen thellë të poetit tonë. Sipas tij, kemi ende një këndvështrim
të paplotë dhe pothuaj vetëm për letërsinë që ai ka shkruar në gjuhën shqipe.
2.
Këndvështrime të studiuesve të huaj për Naimin
2.1.
Seyed Ahmad Hoseini Alast për hijeshinë poetike të Naimit. Si një dijetar i kthjellët i kohës së re, profesori iranian Hoseini Alast
e shikon profilin e Naimit miqësisht dhe me vërtetësi shkencore. Kulturologu i
njohur na kujton se Irani ishte vendlindja e poezisë dhe e poetëve të mëdhenj,
si Rudaki, Firdeusi, Hafizi, Sadiu, Moulana, Khajami, Atari, Naser Khosro,
Bideli, Nazimi Ganxhaviu etj. Sipas tij, poezitë e poetëve të mëdhenj iranianë
ishin kaq tërheqëse dhe të pasura dhe me përmbajtje kuptimplote e muzikalitet të
këndshëm, saqë magjepsin poetët, letrarët dhe intelektualët e shkencave në
Lindje dhe në perëndim të rruzullit tokësor. Studiuesi S. A. Hoseini Alast
shkruan: “Pasioni dhe dashuria e poetëve dhe e njerëzve të mëdhenj të kulturës
dhe letërsisë si Dante, Gëte, Monteskie, Naim Frashëri, Frazi Mostar, Ikbal
Lahori etj., është dëshmi e këtij pretendimi” [13] Më tej, duke trajtuar bashkëveprimin qytetërues dhe shkëmbimin
kulturor me Iranin e madh në kohën e Perandorisë Osmane, përmend Muhamed Naim
Frashërin si tablo dhe simbol të fushëpamjes së këtij bashkëveprimi. Sipas
studiuesit, Naimi përvetësoi me kaq mjeshtëri gjuhën dhe letërsinë perse, saqë
sot, pas afro një shekulli e gjysmë magjeps lexuesit e tij, si ata iranianë,
ashtu edhe ata shqiptarë. Studiuesi iranian e quan Naimin tonë poet të fuqishëm
dhe, si duket, për kontributet e Naimit në iranologji, e cilëson mendimtar
iranian dhe persishtfolës. Jo vetëm me hartimin e gramatikës së gjuhës së re
perse u imponoi të gjithëve dominimin e mjeshtërisë së tij. Vepra Ëndërrime është dëshmia më e madhe e
fuqisë dhe aftësisësë tij në letërsinë perse”. Quajmë shumë të rëndësishme qartësinë
me të cilën S.A. Hoseini Alast shkruan: “Naim Frashëri në krijimin e poezive
perse nuk ishte imitues, por as edhe amator, por një poet i thellë dhe i zoti
dhe një letrar i gjithanshëm i fushës së gjuhës dhe letërsisë perse. Kjo specifikë
dhe aftësi e tij bëhet shkas që një lexues i gjuhës perse të mendojë që autori
i këtyre poezive është një poet dhe një letrar i madh iranian” [14].
3.
Çfarë shkruan Robert Elsie për Naimin?
Vepra e kryerilindësit shqiptar ka tërhequr dhe vëmendjen
e studiuesve perëndimorë. Studiuesi kanadez, Robert Elsie, pasi pohon se Naimi
konsiderohet sot si poeti kombëtar i Shqipërisë, bën një udhëtim të shkurtër
retrospektiv në fëmijërinë e autorit, bazat e shkollimit, formimin e tij
arsimor dhe kulturor, ku nuhat dhe traditat shpirtërore të Orientit, me të
cilat u gatua në vogëli, në teqenë e bektashinjve të vendlindjes, ndërtuar qysh
në vitin 1781 nga Tahir Skënderasi (Nasibi
Tahir Babai) në Frashër të Përmetit. Në gjimnazin “Zosimea” të Janinës “mori
bazat e shkollimit klasik sipas sistemeve perëndimore” [15]. Në këtë gjimnaz prestigjioz e me emër, i krahasueshëm me një
universitet për kohën, Naimi studioi greqishten e vjetër e të re, frëngjishten,
italishten, si dhe gjuhët orientale privatisht. Sipas studimit të Elsie-t,
kuptojmë se me kalimine viteve, frashërlliu e ndjeu veten më të afruar e të
lidhur me fenë e tij panteiste bektashiane, me poetët klasikë persianë e me
epokën e iluminizmit frëng. Arsimimi në Janinë e bëri atë shembull të shkëlqyer
të një intelektuali osman të fundshekullit XIX të familjarizuar njësoj me të dy
kulturat, me atë perëndimore e me atë orientale. Na duket se në kërkimet e tij
studimore, Elsie i mëshon më tepër vëmendje kulturës fetare të poetit tonë të
shquar, se sa botës poetike të tij, në lirikat romantike, ku qëndis me ngjyra
shpirti vargje për natyrën e bukur shqiptare, për dhimbjet, hidhërimet, shqetësimet
e gëzimet personale, familjare a sociale. Elsie na paraqet një jetëshkrim të
mjaftueshëm, thekson tiparet e Naimit, si panteizmin e universalitetin, ku
veçon sektin e fshehtë panteist bektashi, i cili mishërohej dukshëm në qenien
dhe shpirtin e frashërlliut tonë si një besim liberal, si një fe e re, me rrënjë
edhe në Kuranin e myslimanëve, edhe në Biblën e të krishterëve, dëshirë, që e
gjejmë edhe në mesazhet që na vijnë nga vargjet e poezisë popullore “Dy këmbat mbajnë një urë/ të shkojnë turq e
kaurë” [16]. Naimi njihet botërisht
për bindjet e tij bektashiane, të cilat i përsiati mirë në Fletoren e bektashinjtë (Bukuresht, 1896), ku përsëri ravijëzohen dallueshëm
ngjyrat e forta kombëtare. Një tjetër vepër e kësaj natyre është Qerbelaja (Bukuresht, 1898) njëpoemë
epike fetare shiite, me karakter narrativ, pa ndonjë hero ose personazh
kryesor, me temë krejtësisht fetare, ngritur me njëzet e pesë këngë, që flet për
betejën e përgjakshme të Qerbelasë, në vitin 680 të erës sonë, ku u vra Huseini, nip i
profetit Muhamed.
Nga leximi i tekstit, shprehemi se Elsie e trajton me
interes Naimin dhe mendojmë se e njeh mirë veprën e tij, të cilën e përmend me
saktësi, duke respektuar kriterin kronologjik. Në këndvështrimin e tij, na
paraqet panoramën e njohur letrare e diturore të naimiadës. Na duket se
studiuesi i ka mëshuar më shumë letërsisë fetare të autorit, sesa asaj së mirëfilltës
artistike. Diku Elsie shprehet: “Rëndësia
e Naim Frashërit si poet i Rilindjes e madje si “poet kombëtar” qëndron jo aq në
talentin e shprehjes letrare e as në nivelin artistik të poezisë së tij, sesa në
mesazhet sociopolitike, filozofike e fetare që përcjell, të cilat synonin para
së gjithash vetëdijen kombëtare dhe, duke ndjekur traditën bektashiane, të
arrihej një kapërcim i ndarjeve fetare brenda vendit.” [17]. E respektojmë trajtimin që i bën Elsie si fetar në besimin e
tij, por në rrafshin e letërsisë artistike do të na interesonte më tepër
trajtimi deri në detaj i letërsisë naimiane, për të cilën ne e nderojmë. Nga që
studiuesi përmend vetëm telegrafisht: “Ndër
botimet në gjuhë të huaj,...[tri pikat janë tonat se vazhdon teksti, por
nuk ka interes për ç’ka do të shprehim, A. H, M. M] Tahayyulat, Kostandinopojë 1884 (Ëndërrime), një përmbledhje 200 faqesh
me poezi persiane; ... ”. Kaq. Të
thuash që Elsie nuk e ka njohur këtë vepër të Naimit, nuk shkon, sepse pas 1971-shit
të Tiranës dhe 1972-shit të Prishtinës, pati herë pas here botime, duke arritur
tek botimet e “Toenës”, 2007, të “Naimit” 2012, me 143 faqe, shqipëruar dhe
shpjeguar nga Vexhi Buharaja, me një hyrje të botuesit Naim Zoto, plotësuar me
studime nga Faik Konica, akademik Jorgo Bulo e prof. dr. Shaban Sinani (nga f.
85-143). Ndoshta Elsie-t nuk
i intereson të operojë imtësisht për të shkruar mbi talentin poetik të Naimit,
që te Ëndërrime, siç thonë dhe studiuesit
bashkëkohorë të letërsisë shqipe, Naimi arrin majat letrare. Si duket, ai është
mbështetur në studimin monografik të prof. Shuteriqit, i cili dhe ai e citon vëllimin
me lirika të Naimit në persisht me titullin jo të saktë Ëndërrimet, dhe jo siç e ka titulluar autori Ëndërrime=Tehajjulat.
Sipas Elsie-t: “Me rëndësi të madhe për të njohur sektin
panteist të fshehtë bektashi është Fletore
e Bektashinjet... Frashëri besonte se besimi liberal bektashí, me të cilin
ai qe lidhur që në fëmini në Frashër, një ditë do të mbisundonte si fe e re Shqipërisë.
Përderisa ky besim i kishte rrënjët edhe në Kuranin mysliman, edhe në Biblën e
krishterë, ai mund të përforconte unitetin midis njerëzve me fe të ndryshme. Më
tej studiuesi sqaron se fletorja përmban një paraqitje hyrëse të fesë
bektashiane dhe dhjetë vjersha fetare që japin një tablo të rrallë për besimin
e këtij sekti, i cili në shek. XIX luajti një rol të rëndësishëm për mbijetesën
e kulturës shqiptare, sidomos me përhapjen fshehurazi të librave shqip. Një studiues i huaj, si R. Elsie, aq më
tepër gjeografikisht shumë i largët me vendin tonë të vockël, të bën ta
admirosh vetëm për shprehjen aq të vyer për ne, sikur të ishte shqiptar. Po
citojmë dëshirën dhe porosinë e tij për poemën Bagëti e bujqësija, “vargjet e së cilës çdo fëmijë shkolle në Shqipëri
i di ose duhet t’i dijë përmendsh”[18].
Përfundime
Naim Frashëri është autor i gjithsej njëzet e dy veprave;
katër në turqishte, një në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në
shqipe. Janë bërë disa konferenca shkencore në Shqipëri kushtuar Naimit. Edhe
në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë është zhvilluar një konferencë
shkencore më 25 maj 2006 në nderim të 160 vjetorit të lindjes së poetit tonë
kombëtar. Ndërsa Simpoziumi Ndërkombëtar “Analizimi i mendimeve të Naim
Frashërit” në Teheran këtë 5 mars 2018 i jep një frymëmarrje më të gjerë, një
vizion të ri ndërkombëtar, falë veprimtarisë së figurës së atdhetarit dhe
bilbilit të shqipes, si fjalë çelës e forcimit të dialogut kulturor mes Iranit
dhe Shqipërisë. Sikurse ne që e shijojmë hijshëm estetikën e fjalëve të reja që
krijoi Naimi, edhe iranianët ndihen të nderuar dhe kanë të drejtë të krenohen
me të jo vetëm për botimin e tekstit Gramatikë
e persishtes me një metodë të re, (Kavâid-i fârisiyye dar tarz-i nevîn),
Kostandinopojë, 1871, me 64 f., por shpirtërisht me faktin që Naimi ynë
fluturimin e parë poetik e nisi persisht me “Tahayyulat” (“Ëndërrime”),
Kostandinopojë, 1884, me 66 f. [200 faqe]. Po ai përktheu turqisht librin e
parë të Iliadës së Homerit Ilyada, Kostandinopojë, 1886; shkroi e
botoi në greqisht poemën “Ho alêthês pothos
tôn skypetarôn” (Dëshira e vërtetë e
shqiptarëve), Bukuresht, 1886, ku nëpërmjet gjuhës poetike, u parashtronte
qëllimet e lëvizjes kombëtare grekëve e sidomos shqiptarëve të jugut, shumë nga
të cilët në atë kohë për arsye shkollimi mund të lexonin vetëm në greqishte.
Duhet të pranojmë se në përmbledhjen lirike Luletë e verësë, Naimi u këndon bukurive
të fshatit shqiptar në 23 vjersha me kumbim të plotë. Këtu filozofia panteiste
e edukatës së tij bektashiane dhe ndikimi i fuqishëm i klasikëve persianë
harmonizohen bukur me idealizmin atdhetar - një letërsi artistike kjo në
shërbim të qëllimeve të identitetit kombëtar. Ndër vjersha të tilla janë: Jeta, Koh’ e shkuarë, Fyelli, Zëmëra, Të vdekuritë, Bilbili, Gjuha jonë, Perëndia, apo vjersha Shpreh,
aq tipike për prirjen e re filozofike të letërsisë shqiptare që solli Naimi.
Akademiku
Ali Aliu shtron pyetjen: “Pse vazhdon të shkëlqejë ylli poetik i Naimit, më i
madhi në qiellin tonë letrar?” - dhe po kësaj pyetje ai ia jep vetë përgjigjen:
“Naim Frashëri mbeti i tillë se gjenialisht e ndjeu qartë aspiratën historike,
ndjeu nevojën e shpirtit e të mendjes kombëtare, hetoi zjarrin gjysmë të ndezur
të shtresuar gjatë shekujve, ndjeu dhe preku atë që është vizion dhe ëndërr
shekullore e përbashkët e shqiptarëve, prandaj vepra e tij vazhdon të ushtrojë
ndikim të dorës së parë mbi botën shpirtërore të shqiptarëve.” (Ali Aliu, Refleksione
letrare, f. 10). Kohët shkojnë e rrjedhin vitet, por në tërësi, vepra e
Naim Frashërit është brerorja kuptimore, morale dhe estetike e letërsisë së
madhe të lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, e cila është nëna biologjike,
artistike dhe estetike e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Paradigma e studiuesit iranian S.A. Hoseini Alast se Naim
Frashëri në krijimin e poezive perse nuk ishte imitues, as amator, por një poet
i thellë dhe i zoti dhe një letrar i gjithanshëm i fushës së gjuhës dhe
letërsisë perse, na bën të mendojmë më gjerë, më me dashuri e vërtetësi, pa
dyshuar ku dhe kur s’duhet, por së vërtetës t’i gjejmë rrënjët dhe të dimë t’i
tregojmë dhe intrepretojmë.
Nderim
për mençurinë e mendimit të nderimtarëve iranianë, Organizatën e kulturës
dhe komunikimit në Iran, Universitetin “Tarbiat Modares”, Fakultetin e
Shkencave Shoqërore dhe Sekretarinë e Simpoziumit Ndërkombëtar “Naim Frashëri”,
Teheran (Iran), për
vlerësimin e Naim Frashërit tonë, që u tret si qiriri jo vetëm për Atdheun e
tij, por edhe për fqinjësi të mirë, edhe për “mbrothësi”, përparim e mirësi
midis popujve tanë me miqësi të vjetër!
Shënimet
1. Konica, Faik: Vepra,
Tiranë, Konica, 2007, f. 159, shih dhe: Dielli,
28 korrik 1937.
2. Konica, Faik: vep.
cit., f. 156.
3. Po aty, f.
154.
4. Agolli, Dritëro: Arti
dhe koha. Artikuj kritikë, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1980, f. 6 (shkrim i botuar
më parë te : “Nëntori”, nr. 5, 1971,
f. 3-5; shih dhe: Naimi 1, antologji
poetike, Tiranë, Argeta-LMG, 1996, f. 8.
5. Kadare, Ismail: “Parathënie në Naim Frashëri, poezi, 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1978,
Tiranë, “Naim Frashëri”, 1977, III-XVII.
6. Kadare, Ismail: vep.
cit., X.
7. Shuteriqi, Dhimitër S.: Naim Frashëri. (Jeta dhe vepra), Tiranë, “8 Nëntori”, 1982, f. 223.
8. Shuteriqi, Dhimitër S.: Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra
të zgjedhura, Vëll. I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë: 1980, f. 67.
9.Çabej, Eqrem: Elemente të gjuhësisë e
të literaturës shqipe, Tiranë, 1996, f. 48.
10. Shuteriqi, Dhimitër, Naim Frashëri - Jeta dhe vepra, ... f. 85.
11. Seminari XVIII Ndërkombëtar
për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqipe, përmbledhje e ligjëratave,
referimeve, kumtesave dhe diskutimeve.
Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Universiteti i
Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Tiranë 19-31.08.1996, Tiranë, Toena, 1996
f. 375.
12. Bulo, Jorgo: Poet
i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptare, “Perla”, 2006, nr. 2
(41), f. 27.
13. Seyed Ahmad Hosseini Alast, Naim Frashëri dhe hijeshitë poetike, “Perla”, 2009, nr. 2 (78), f. 6.
14. Seyed
Ahmad Hosseini Alast, vep. e cit., f. 8.
15. Elsie,
Robert, Histori e Letërsisë
shqiptare, Tiranë-Pejë, “Dukagjini”, 1997, f. 174.
16. Regjistruar
në fshatin Kallarat (Lumi i Vlorës), nga bartësi Llambro Hysaj, dtl.1952, me
arsim të lartë (arkivi vetjak, Albert Habazaj).
17. Elsie,
Robert, vep. e cit., f. 175.
18. Po aty, f.
176.
Përktheu
në persisht: Medrit MUSTAFARAJ