E premte, 30.05.2025, 06:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Zholi: Gjuha shqipe dhe çami nga Filati!

E hene, 26.05.2025, 06:51 PM


Gjuha shqipe dhe çami nga Filati!

Nga Albert Z. ZHOLI

Bashkë me një mikun tim hymë në një lokal të vogël, në rrugën "Zinono" Athinë, dhe porositëm nga një birrë. Sapo kishte filluar vapa. Në atë zonë emigrantët shqiptarë janë të shumtë...Sapo u ulëm ja behu kamerieri! Ai (kamerieri) ishte një mesoburrë i shkurtër e i shkathët. Ne akoma nuk kishin këmbyer dy fjalë, ai u gjend me dy birrat që i mbante majë gishtave të dorës së majtë, në një tabaka, në dukje argjendi.

-Shqiptarë jeni zotërinj?- foli kamarieri duke na përshëndetur me kokë.

-Po, po juve, mos jeni nga Gjirokastra?

Ai qeshi, na pa në sy me dashamirësi dhe na tha se ishte shqiptar, por jo nga Gjirokastra.

-Nga dialekti dukeni si gjirokastrit, ia ktheu miku im.

Por unë s'kam qenë asnjëherë në Shqipëri, -sqaroi kamerieri.

- Si s'keni qenë në Shqipëri?- pyeta unë.

- Jam çam nga Filati, - shpjegoi përsëri kamarieri. Ndërsa kamarieri vajti tek një klient i porsaardhur, ne mbetëm disi të shushatur.

- Epo të ka faj çami?! Është më shqiptar se shqiptarët –foli si me shaka miku im dhe e gjysmoi birrën me një frymë.

- I rritur dhe i lindur këtej dhe e flet shqipen më mirë se disa emigrantë që më shpejt kanë harruar shqipen se kanë mësuar greqishten- fola unë me mikun e tavolinës.

Në këtë kohë ia mbërriti kamarieri.

-Nuk dua t'ju lë vetëm, por puna...

-Si ka ndodhur që nuk e keni harruar shqipen?- e pyeti sërish miku im.

-Ndonjë i ikur nga Shqipëria mund ta harrojë, kurse ne e kemi folur brez pas brezi. Atë që do shumë nuk e harron – dhe ai përsëri qeshi miqësisht.

- Kini vite këtu tek kjo punë?- pyeti miku im sa për të vazhduar bisedën.

- Kam katër vjet. Më parë kam qenë në kurbet. Në Amerikë, në Gjermani...edhe andej shqipen nuk e harruam, se do bëheshim harram.

- Pse thua " nuk e harruam"?-fola unë.

- Se nuk kam qenë vetëm. Isha në punë me një kosovar në Mynih. Ai kosovari mbante ca libra në shqip dhe lexoja edhe unë bashkë me të. "Gjuha jonë sa e mirë / sa e ëmbël, sa e dlirë." recitoi ai vargjet e Naimit dhe fluturoi tek një klient i porsaardhur.

Duke marrë vargjet e Naimit me vete, dolëm nga lokali të mrekulluar.

Athinë 1998



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx