E premte, 30.05.2025, 08:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Gjonaj: Adem Brahim Koliqi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin Popullor në Mbretërinë e Malit të Zi

E diele, 25.05.2025, 06:53 PM


Adem Brahim Koliqi, deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin Popullor në Mbretërinë e Malit të Zi

Nga Gjekë Gjonaj

Shqiptarët  merrnin pjesë në jetën politike edhe në Principatë  dhe në Mbretërinë e Malit të Zi , që nga fillimet e parlamentarizmit në këtë vend.  Edhe pse numri i shqiptarëve në parlamentin malazez ndryshonte, fakti që në Principatë dhe në Mbretërinë e Malit të Zi shqiptarët kishin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin Popullor, tregon se qeveria njihte veçantinë e tyre kombëtare.  Këtë të drejtë atyre  ua mundësoi Kushtetuta e Principatës së Malit të  Zi nga dhjetori i vitit 1905, kur Parlamenti i Malit të Zi si organ shtetëror, në kuptimin formal dhe material u krijua  me emrin Kuvendi Popullor, si përfaqësues i popullit dhe organ i pushtetit legjislativ që ushtron me Princin.

Zgjedhjet e para parlamentare për Kuvendin Popullor në Mal të Zi u mbajtën në bazë të Ligjit për Zgjedhjen e Deputetëve të Popullit, të miratuar më 24 qershor (7 korrik) 1906. Kuvendi Popullor  zgjidhej për katër vjet dhe çdo qytetar malazez mbi moshën 21 vjeç kishte të drejtë të votonte "pavarësisht se sa paguan taksa". Në përputhje me Kushtetutën,  mund të zgjidhej   deputet vetëm një shtetas malazez i cili në ditën e zgjedhjeve është 30 vjeç, jeton përgjithmonë në Mal të Zi, duke përjashtuar ata që janë të angazhuar në punë qeveritare, që gëzojnë të gjitha të drejtat civile dhe që i paguajnë shtetit të paktën 15 korona në taksa dhe detyrime çdo vit, ose detyrime dhe taksa të kombinuara. Përveç deputetëve të zgjedhur nga njësitë zgjedhore, një numër deputetësh erdhën në Kuvend sipas pozicionit - të ashtuquajturit,  deputetë virilë.

Zgjedhjet u mbajtën më 27 shtator , ndërsa  Kuvendi Popullor  u mblodh për herë të parë në Cetinë, më 31 tetor 1906. Kjo ishte mbledhja e parë e Kuvendit dhe ajo datë llogaritet si data e fillimit të parlamentarizmit në Mal të Zi.

Siç shkruan “ Glas Crnogorca”,   revistë javore për politikë dhe letërsi, organi zyrtar i Principatës së Malit të Zi, 19 nëntor 1905 në zgjedhjet e para për Kuvendin Popullor  të mbajtura më 27 nëntor 1905, u zgjodhën katër shqiptarë: Dedë Lekë Gjelosheviq ( kapitenia e Trieshit, Mehmed beg Resulbegoviqi,  qyteti i Ulqinit, Brahim Bet Likoviq, ( kapitenia e Krajës)  dhe Osman Can Oxhiq ( kapitenia e Shestanit). Meqenëse disa deputetë u zgjodhën në dy vende zgjedhore, si dhe procesi zgjedhor nuk u përfundua në disa vende,  në zgjedhjet e përsëritura më 20 nëntor (3 dhjetor)  zgjedhja e Dedë Lekë Gjelosheviq ( kapitenia e Trieshit) u anulua. Në vend të tij u zgjodh brigadieri Velisha Llazoviq, shkruan  “Glas Crnogorca”, 26 nëntor 1905.

E njëjta revistë, që mbanë datën  16 shtator 1906, shkruan  se i vetmi deputet me kombësi shqiptare në parlamentin malazez ishte Adem Brahim Koliqi (kapitenia i Krajës).

Referuar revistës së përmendur, të datës 20 tetor 1907,   deputet  i Ulqinit  u zgjodh tregtari Jusuf Resulbegoviqi , Petar Lekë Dobrecoviq  (bujk) në kapiteninë e Ulqinit dhe Adem Koliqi në kapiteninë e Krajinës.

Po ashtu në “Glas Crnogorca”, 17 shtator 1911  thuhet se Jusuf Resulbegoviqi   dhe Petar Lekë Dobrecoviq u zgjodhën deputetë në Komunën e Ulqinit.

E njëjta revistë, më  4 janar 1914 shkruan : “Në zgjedhjet e mbajtura më 29 dhjetor 1913 (11 janar 1914), i vetmi shqiptar në parlament ishte Dr. Filip Dobreçiq, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme (kapitenia e  Ulqinit)”.

Nga ajo që thamë  dhe dokumenteve të tjera arkivore që posedojmë rezulton se në  Kuvendin Popullor të Malit të Zi ( 1906-1914) janë zgjedhur 7 deputetë shqiptarë.

Në zgjedhjet e para parlamentare në Mal të Zi, të mbajtura më 14 dhjetor (27), 1906, u zgjodh një shqiptar midis deputetëve të Kuvendit Popullor   të Malit të Zi.

Vitin pasardhës (1907), në zgjedhjet e parakohshme për parlamentin malazez, u zgjodhën tre deputetë me kombësi shqiptare.

Në zgjedhjet për përbërjen e tretë    Kuvendit Popullor,  të cilat u mbajtën më 27 shtator 1911,  u zgjodhën  dy deputetë shqiptarë.

Në zgjedhjet e fundit në Mbretërinë e Malit të Zi, të mbajtura më 11 janar 1914, vetëm një shqiptar u zgjodh në Kuvendin Popullor. (K.J)

Kuvendi Popullor i kësaj përbërjeje u mblodh për herë të fundit më 25 dhjetor 1915 dhe i përfundoi punimet më 4 janar 1916, duke mos  u mbledhur më.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx