E marte, 03.06.2025, 10:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Hamdi Hysuka: Kështu Shqipëri... s'më jep... nder!

E diele, 01.06.2025, 06:55 PM


Kështu Shqipëri... s'më jep... nderë!

Nga Hamdi Hysuka*

Për njeriun ka festa e festa, të dashura dhe shumë të dashura. Por njera prej tyre, 25 Maji, është më shumë se festë. Se të tillë e përjetojmë këtë datë, ditëlindja e poetit kombëtar, Naim Frashëri, shenjtor vargu, atdhetar i palodhur për kombin. Ç'të jetë më shumë, kur Përmeti dhe gjithë Shqipëria ia festojnë ditëlindjen, bashkë me të dy vëllezërve, Abdyl e Sami.

Historikisht, pas Skënderbeut vëllezërit Frashëri krijuan epokë, Rilindjen Kombëtare, që kombit i dhanë dritë e dituri. Më 28 Nëntor 1912, me ngritjen e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, objektivi parësorë i frëshërlinjve u arrit, se atdheut iu hapën rrugët e qytetërimit evropian.

Jo rastësisht, çdo 25 Maj, Shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare "Vëllezërit Frashëri" fton në Frashër të Përmetit, përballë vargmalit Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, anëtarë dhe mysafirë nga të gjitha trevat shqiptare, me objektiv festimin e ditëlindjes së Naimit, poet, mendimtar dhe talent i fuqishëm i kulturës shqiptare. Në atë ditë naimiane brezat e sotëm dhe të ardhshëm njihen me historinë e ndritur të kombit shqiptar, kontributin dhe trashëgiminë e Vëllezërve Frashëri.

Edhe unë më 25 maj 2025, me ftesë të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve "Naim Frashëri" Përmet për të marrë pjesë në Festivalin e Dhjetë të Poezisë "Në gjurmët naimiane", udhëtova drejt Frashërit. Rrugës nacionale për të arritur në Përmet, qytet i trëndafilave, kaluam nëpër grykën e Këlcyrës, drejt vendlindjes së vëllezërve Frashëri. Bashkë me poetët Agim Bajrami dhe Trandafile Molla (Baja), kryetarë të Shoqatave të Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës e Novara të Italisë, iu ngjita malores së Bredhit të Hotovës, me rrugë të paasfaltuar e të pamirëmbajtur. Megjithkëtë, edhe pse shumicë e braktisur, njësia gjeografike Frashër priti vizitorë.

Me të sapoardhurit ndaluam para Shtëpisë Muze, e stolisur si për ditë feste. Shtëpi dykatëshe, me oborr para dhe bustet e tre vëllezërve në të majtë, me pllakatin "Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri". Hymë brenda pa komandë. Detyrën e ciceronit e bëmë vetë, ku mësuam se në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX Frashëri u bë qendër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare.

Nëpër dhomat takuam mënyrën e jetesës së kohës, me histori të pasur. Pamë fotografi, disa portrete e fotokopje dokumentesh, të përthyera nga drita e diellit dhe të venitura.

-S'e meritojnë frashërllinjtë që shtëpia e tyre të lihet në këtë gjendje, -thashë me vete, mëse i revoltuar.

Në një stendë të vjetëruar lexuam bisedën e prindit të vëllezërve Frashëri, baba Halitit, me bejlerët e atëhershëm, sipas të cilit: "Gjer më sot kemi jetuar dhe jemi mbajtur si ushtarë mercenarë në sherbimin e perandorisë otomane. Ne, po nuk mësuam djemtë tonë në gjuhërat e huaja e nëpër shkolla të larta, do të humbasim. Krejt vendi do të varfërohet, Shqipëria nuk do të ketë asnjë rëndësi në Ballkan. Prandaj unë vendosa që të shes çiflikun, të vete në Janinë e të gjej mënyrën që të mësoj djemtë e mi. E gjej të aresyeshme që edhe ju kështu të bëni."

Ishte Naim Frashëri, që ndjenjën e krenarisë kombëtare e shpalli me vargjet:

Ti Shqipëri më ep nderë,

më ep emërin shqipëtar

zemërnë ti ma gatove

plot me dëshirë dhe me zjarr...

*      *      *

Si çdo vit, veprimtaria "Dita naimiane" shënoi Konferencën shkencore "Rilindja Kombëtare dhe kontributi i Vëllezërve Frashëri", të cilën e hapi prof. dr. Ethem Ruka, president i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Pas ligjëratës së tij mbi idetë e Vëllezërve Frashëri për identitetin kombëtar, duke e vendosur veprimtarinë në një kuadër të gjerë historik dhe ideologjik, prof. dr. Pëllumb Xhufi u ndal te profili politik dhe diplomatik i Abdyl Frashërit. Ndërsa prof. dr. Paskal Milo në kumtesën e tij solli një analizë të thelluar të shtetformimit modern shqiptar në veprën e Sami Frashërit.

Sipas folësve të konferencës, Frashëri duhet trajtuar si qendër kombëtare kujtese dhe pelegrinazhi historik, ku identiteti dhe kultura shqiptare marrin formë konkrete.

Siç shkruan poeti Xhevahir Spahiu, qershor 2005, "Vëllezërit Frashëri i dhanë frymë Shqipërisë, kur Shqipëria po jepte frymën e fundit. Në vatrën frashëriote prushëroi një zjarr që do të ngrohte damarët e ngrirë të jetës nën pushtim. Abdyli, Naimi, Samiu farkëtuan Zgjimin e Madh, i cili s'ishte zgjim i një njeriu a një katundi të shkretë, po zgjim i përflakur dhe dramatik i një kombi të tërë. Ardhmëria do të ketë fytyrën e ëndrrës së tyre".

Prandaj është detyrim atdhetar që, për vlerat e veçanta historike kombëtare, Frashëri i sotëm malor, qendër e Njësisë Administrative të Dangëllisë, mos të zhduket nga harta gjeografike, por të rigjallërohet. Se kushti themelor është rregullimi i rrugës automobilistike Përmet-Frashër, të cilin e thotë dhe parimi i njohur në historinë e ekonominë botërore: "Shteti ka për detyrë të ndërtojë rrugët, të tjerat vijnë vetë".

Sipas statistikave, mësuam se në vitin 2008 ish-komuna Frashër kishte 1555 banorë, ndërsa më 22 korrik 2012 numëroheshin 7 shtëpi me 32 banorë... Mjaftuan këto tregues, që të besoj se themelet e identitetit tonë kombëtar janë tronditur. Këtë e vërteton shpopullimi i vendbanimit Frashër dhe degradimi i shtëpisë muze të Vëllezërve Frashëri.

Gjatë vizitës, për një moment s'e desha veten... Nën zë pëshpërita vargjet naimiane: "Zemra ime vjen ndër viset e tua", "Në pyjet e gjelbëruara, atje rrinë perenditë", të cilat dhe i "mohova". Fuqishëm, me zë të dridhur, përplasa fjalët: "Kështu Shqipëri... s'më jep... nderë!" Dikush, i panjohur, më futi krahët dhe u tregua i gatshëm të më qetësonte. Por refrenin "Kështu Shqipëri... s'më jep... nderë!" e thashë prapë...

*      *      *

Për poetin, Janaq Jano, rrënimi fillon nga majat e maleve, pastaj mbushen lumenjtë. Njerëzit atje gjejnë ngrohtësinë, ngrohtësi materiale, jo shpirtërore. Se ngrohtësia shpirtërore është këtu në Frashër, në Përmet, në Shqipëri. Pastaj është në Amerikë. Sipas një fjale të urtë, në qoftë se njeriu edhe në pleqërinë e tij harron të kthehet në vendlindje, i humb nocioni njeri.

Në këtë ditë pelegrinazhi duket sikur vëllezërit Frashëri akoma jetojnë dhe shkruajnë për ne, për brezin tonë. Të tre: Abdyli, Naimi dhe Samiu, ngelen korifej, se kanë rilindur kombin, i cili ishte në asimilin e sipër.

Që nga koha e Skënderbeut e derisa dolën këta korifej rilindas kombi shqiptar përpëlitej në arkivolin e tij. Vëllezërit Frashëri janë drita e Shqipërisë, të cilët në kohën e tyre ndezën shpirtat e shqiptarisë.

Koha e Frashërit të viteve 1885 e në vazhdim, është e pakrahasueshme me vitin 2025, se Frashëri i parë ka qënë qytezë, qytet që lëshoi prozhektorët e Rilindjes, të cilët ndizeshin anekënd shqiptarizmës dhe kombit shqiptar. Siç shihet, Frashëri i sotëm është shkretëtirë e plotë, se të tillë pamje, me këtë nivel e status fshati, qeveria e ka lënë, edhe pse ishte një nga dritat e Shqipërisë.

Dikur në Frashër kishte veprimtari maksimale, me jetë sociale, shoqërore e kulturore, jetë ekonomike, ku prodhohej. Mbi të gjitha shtëpia përballë lëshonte rreze, rrezatonte kulturë. Është mëkat ta lësh Frashërin në pikë të hallit. Më duket sikur Naimi na thotë: "Unë jam këtu, po juve ku jeni?! Keni mërguar, jeni larguar". Pra, ne jemi larg kulturës së vëllezërve Frashëri.

-Është për të të ardhur keq, -u shpreh poeti Agim Bajrami, -se me përjashtim të shtëpisë muze e busteve të tre vëllezërve Frashëri, gjithçka tjetër këtu është lënë në mëshirë të fatit. Frashëri i sotëm, ky "kryeqytet" i Rilindjes kombëtare, në të cilin u lindën tre nga lidershipët kryesorë, ndjehet i vetmuar, i braktisur. S'është problemi për t'i takuar një herë në vit, por mjafton asfaltimi i rrugës nga erdhëm, tmerrësisht e dëmtuar. Askush s've dorë për ta rregulluar, për të tërhequr njerëzit që e duan historinë tonë kombëtare, apo dhe turistë të shumtë. Gjithçka është lënë në mëshirë të fatit. A nuk flet kjo për indiferencën e madhe ndaj kulturës dhe historisë kombëtare? Ne harrojmë se nuk mund të ecësh përpara, qoftë dhe një hap, nëse nuk njeh të shkuarën. Ka një indiferencë vrastare, e cila të bën të medohesh.

Ish-banori i Frashërit, Amardo Hasani, thotë se ka kohë që është larguar nga vendlindja e tij. Si i zënë në "faj", tha:

-Dita e sotme është ngjarje e rëndësishme për të rikthyer vemendjen se si mund të rikuperohet. Për Frashërin kam nostalgji si fëmijë, se këtu kam bërë vitet e para të arsimimit tim. Braktisja nga këtu është bërë shpejt, për një kohë të shkurtër. Arsyet dihen, mungesa graduale e shkollave, e rrugës, e qendrës shëndetsore. Por arsyeja kryesore se pse njerëzit u larguan, ishte që të investonin për fëmijët e vet.

-Është hera e parë që vij këtu, -theksoi poeti kosovar, Dan Ibrahimi, -dhe më duket sikur u ktheva në kohën e frashërlinjve, sikur pashë përpjekjet e tyre për të na bërë komb. Sigurisht vëllezërit Frashëri e të tjerë rilindas janë ata që na treguan rrugëtimin drejt konsolidimit të kombit tonë, komb me traditat më të lashta në Ballkan. Gjatë rrugëtimit për të ardhur në Frashër, po mendoja për rrugën automobilistike, aspak e denjë për këtë vend të shenjtë. Me vetëdije e them se qëllimisht vende të tilla të bukura, aq më tepër edhe të shenjta, lihen anash në infrastrukturë.

-Në konceptimin tim, -u shpreh historiani Paskal Milo, -Frashërin e kam konsideruar dhe e konsideroj thesar kombëtar. Se që ta vlerësosh sot, duhet të mendosh se kush ka qënë Frashëri dje. Këtu ka patur jetë intensive kombëtare, për faktin se nga këtu kanë dalë shumë figura të shquara të së shkuarës së brezave. Ky fshat nuk ka nxjerrë vetëm vëllazërinë Frashëri, për të cilët ne krenohemi e mblidhemi këtu, por dhe një numër shumë herë më të madh veprimtarësh të shquar, burra e gra, të cilët kanë dhënë kontribute të mëdha në të gjitha fushat e ndërtimit kombëtar. Pikërisht Frashëri duhet respektuar e nderuar për të gjitha kontributet ndër breza që kanë dhënë. Ndaj sot është mëse urgjnte që ky tempull i madh i shqiptarisë të bëhet siç e meriton, një vend pelegrinazhi. S'janë asgjë disa dhjetëra milionë lekë për të rregulluar rrugën, përballë vlerave të mëdha që ka ky vend dhe përballë mesazheve shumë të mëdha që jepen.

Braktisja, për fat të keq, është fenomen kombëtar, rrjedhojë e globalizmit, që vendet e vogla prek më shumë. Pra, këto vende, jo vetëm Shqipëria, ndodhen në trysninë e vendeve më të mëdha, më të pasura, të cilët tërheqin fuqinë punëtore, por dhe fuqinë e mendjes. Kjo do të thotë që nuk mund t'i mbash njerëzit me zor. Në përgjithësi duhet që sot teknologjia dhe modernizimi njerëzve t'u vijnë në ndihmë.

I drejtpërdrejtë poeti i shquar përmetar, Lumo Kolleshi, u shpreh:

-Frashëri, sa na zgjon ëndrra, aq na zgjon edhe dhimbje. Këtë gjendje që është sot, me këtë rrënim, nuk e meriton, sepse i ka shërbyer kombit dhe Rilindjes. Ndërsa kombi ende është i pa aftë për t'i shërbyer Frashërit. Lëvizja demografike ka bërë të vetën, ka braktisje totale. E ka të pamundur t'i ketë edhe këto qendra që dikur Frashërit i kanë dhënë jetë. Konkretisht, të gjitha veprimtaritë në Frashër janë bërë për të sensibilizuar qeveritë njera pas tjetrës, të cilat kanë drejtuar Shqipërinë. Ç'është e vërteta këtu kanë ardhur presidentë e ministra, kanë thënë fjalë të mira, por kur kanë ikur, vetëm hijen e tyre kanë lënë. Kjo është shumë e dhimbshme, se për një zonë të tillë, për një emblemë të vetë kombit tonë, në çdo pikëpamje të shumëfishohen energjitë dhe forcat, që përmes infrastrukturës ta kthejmë në jetë normale. Jam mëse i bindur që nëse investohet në rrugën e Frashërit, banorët do të kthehen, por dhe njerëz të tjerë për ta bërë Frashërin qendër të banuar që ta ketë zili vetë Shqipëria.

*      *      *

E si të mos jetë i shenjtë fshati Frashër, vendi ku u lind bilbili i gjuhës shqipe, ky zë i ëmbël që i këndoi Shqipërisë me flakën e atdhedashurisë, me notat më harmonike e patriotike! Rron Naimi ynë i madh në çdo trevë shqiptare, në çdo qytet e fshat, ku shqiptarët jetojnë me shekuj, sepse dje, sot, nesër e gjithnjë, në qenien buçasin fuqishëm vargjet:

Nga gjithë bota më parë,

të nderojmë Shqipërinë,

të duam shqipëtarët

dhe shqipen si perëndinë.

Njeriu po s'deshi kombin e tija

e mëmëdhenë,

nuk ka pjesë nga njerëzia,

s'do as vetëhenë.

*Kryetar i Klubit letrar "Pjetër Budi", Mat



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx