Kulturë
Beqir Meta: Eshref Ymeri - 'Rezonanca magnetike” për Rusinë dhe rusët'
E shtune, 07.06.2025, 02:55 PM
Vlerësime dhe refleksione rreth librit të
Prof.dr. Eshref Ymerit
''Rezonanca
magnetike” për Rusinë dhe rusët''
Nga
Akademik Prof. Dr. Beqir Meta
Profesor
Eshref Ymeri na sjell një botim të ri jashtëzakonisht interesant për botën
shqiptare, i cili mban një titull shumë domethënës. Ky botim që përmban
vlerësime dhe refleksione të mbi 400 personaliteteve ruse dhe të huaja lidhur
me historinë dhe karakteristikat psikosociale, strukturën shoqërore,
ndërgjegjen politike, identitetin kulturor dhe racial të popullit rus nga kohët
më të largëta e deri në ditët e sotme, ka një vlerë të jashtëzakonshme për
lexuesin shqiptar. Madje do të thoja pa asnjë mëdyshje se jo vetëm kombit
shqiptar, që ka qenë historikisht dhe mbetet aktualisht në rreshtin e parë të
viktimave, mbi të cilin është vërvitur aq dhunshëm kamxhiku rus dhe i
shërbëtorëve e beniaminëve të tij ballkanikë, por edhe evropianëve të tjerë, të
cilët janë ndier apo ndihen ende më të mbrojtur nga ky xhandar i egër dhe i
pafre, është e nevojshme t’u bëhet me dije se përballë çfarë rreziku ndodhen
nëse ata nuk bashkohen e nuk e kundërshtojnë me forcë e vendosmëri këtë të keqe
të madhe dhe nuk kuptojnë sot gabimin e rëndë që kanë bërë gjatë këtyre
dekadave të fundit, por edhe më parë në histori, duke e trajtuar këtë shtet dhe
popull sikur të ishte një popull normal i qytetëruar evropian.
Lidhur
me rrezikun që përbën shteti rus për kombin tonë, unë nuk pretendoj të them
ndonjë gjë specifike, përveç atyre fakteve të dhimbshme dhe plotësisht të
argumentuara, të cilat historiografia e re shqiptare, e çliruar nga gënjeshtrat
dhe dogmat e komunizmit, i ka shtjelluar gjerësisht. Ato flasin për sfidat madhore
që Rusia ka përbërë ndaj kombit shqiptar qysh nga fillesat e Lëvizjes sonë
Kombëtare e deri në ditët e sotme. Por vlen të nënvizohet se përcaktimet e
jashtëzakonshme të personaliteteve ruse dhe të huaja, të cilat Profesori i
nderuar Eshref Ymeri na i sjell për të na paralajmëruar se qenia dhe liria jonë
kanë qenë dhe mbeten të kërcënuara nga ky shtet imperialist dhe ekspansionist
në plot kuptimin e fjalës dhe, mbi të gjitha, në të gjithë historinë e
ekzistencës së tij. Nga analizat, faktet dhe argumentet që paraqiten në këtë
botim, lexuesi mund të nxjerrë një sërë përfundimesh për karakteristikat e
Rusisë së sotme dhe të djeshme, si dhe të kuptojë shumë më mirë tendencat e
politikës së saj ndaj kombeve të tjera. Lidhur me këtë më ka bërë përshtypje të
jashtëzakonshme analiza e mprehtë, e sinqertë dhe tërësisht e argumentuar dhe e
thukët e Aleksandër Braillovskit (1959), shkrimtar dhe përkthyes gjeorgjian që
sillet në këtë botim, i cili shkruan:
“Ngjarjet
e paradokohshme në Gjeorgji treguan se Rusia nuk ka ndryshuar, se ajo, ashtu si
edhe më parë, vazhdon të mbetet perandori, e cila nuk ka dëshirë të ndahet me
plaçkën e saj dhe se ato arsyetime, të cilat më patën detyruar, ashtu si edhe
shumë të tjerë, për ta braktisur këtë vend në kohën e duhur, nuk e kanë humbur
aktualitetin absolutisht… E keqja nuk është se rusët kishin frikë nga Stalini,
por se atë e donin. Dhe vazhdojnë ta duan edhe tani. Popullariteti krejtësisht
real, i pamanipuluar i Vladimir Putinit në Rusi, dëshmon pikërisht për një gjë
të tillë. Dhe nuk duhen ushqyer iluzione: sapo Rusia ta ndiejë veten mjaft të
fuqishme, ajo do të synojë përsëri t’i shtypë të gjithë, kë të mundet. Populli
rus e ka mbështetur gjithmonë dhe do ta mbështetë qeverinë e vet në çdolloj
lufte që kjo qeveri do të ndërmarrë. Kurse ata të paktë, që nuk do ta
përkrahin, do të shpallen tradhtarë dhe do të shfarosen, - përsëri me
mbështetjen e plotë dhe tërësisht të çiltër të shumicës së popullsisë,
domethënë të popullit. Dhe nëse Perëndimi nuk dëshiron që tanket ruse, në një
ditë të bukur, të shfaqen në rrugën Shamps Elize (Champs-Élysées), ai duhet të
përgatitet shumë seriozisht, në mënyrë që të bëjë si të bëjë pa lëndën djegëse
ruse dhe të jetë në gjendje të kuvendojë me Rusinë nga pozitat e forcës”.
Ky
përcaktim gjithpërfshirës përsëritet shpesh e madje herë-herë edhe në forma
edhe më therëse nga shumë personalitete të tjera, shumë prej të cilëve janë
rusë. Sigurisht që përgjithësimet janë të rrezikëshme në historiografi, por kur
argumentet janë të shumta dhe, mbi të gjitha, në një vazhdimësi të pandërprerë
historike, që shtrihet në periudha të gjata disashekullore, atëherë këto fakte
të detyrojnë në mënyrë të hekurt të dalësh në përfundime, të cilat mund të bien
ndesh edhe me klishetë e derisotme sunduese në analizat shkencore historike,
politologjike, gjeopolitike, sociologjike, etj. Dhe ky është rasti i Rusisë dhe
i popullit rus, për të cilët mjaft argumente historike që sillen në këtë botim
janë vërtet therëse. Ne dhe, besoj, si ne edhe qindra milionë evropianë të tjerë,
jemi edukuar me konceptin gati të padiskutueshëm dhe aksiomatik se popujt janë
të pafajshën, se në shpirtin dhe ndërgjegjen e tyre ka vetëm fisnikëri, mirësi,
paqedashësi, humanizëm, zgjuarsi e plot virtyte të tjera. Dhe, sigurisht, në të
gjithë popujt e botës fatmirësisht ndeshen qindra miliona njerëz me këto
virtyte, të cilat përbëjnë edhe një vlerë dhe trashëgimi të çmuar, si për
kombet e tyre, ashtu edhe për gjithë shoqërinë njerëzore. Por ngjarjet e
pafundme historike na detyrojnë të vemë në dukje se ka dhe qindra miliona të
tjerë që nuk janë të mbrujtur me këto virtyte dhe, përkundrazi, kanë defiçenca
botëkuptimore e shpirtërore të ndryshme, të cilat shfaqen në momente të
caktuara dhe nganjëherë përsëriten edhe shpesh. Prandaj mendoj se më e saktë dhe
korrekte për të gjykuar për një popull, qoftë ky edhe i madh, siç është populli
rus, duhet parë se si është sjellë ai në histori.
Në
këto çaste kur po shkruaj këto rreshta për të vlerësuar me sa më shumë
objektivitet botimin e profesorit dhe mikut tim të nderuar, lind detyrimisht
pyetja se cila është atëherë masa që ne duhet të gjykjojmë për karakterin e një
populli të caktuar? Dhe pas kësaj - pyetja tjetër edhe më e vështirë - a janë
popujt krijues të historisë apo produkt i saj? Lidhur me pyetjen e parë, unë
mendoj se popujt, në një fazë të caktuar të historisë, duhen vlerësuar me
veprimet, arritjet ose dështimet që ata kanë njohur gjatë asaj periudhe.
Kuptohet se, në tërësi, ata duhen vlerësuar me rezultatet historike dhe
veprimet që kanë kryer gjatë tërë historisë së tyre ose shumicës dërmuese të
kohës kur ata kanë ekzistuar dhe vepruar. Në këtë kontekst, vjen edhe
përcaktimi sasior i diferencës kritike midis negatives dhe pozitives në
sjelljen e tyre. Përgjithësisht, nëse shumica e një populli nuk është ngritur
ende në nivelin e idealeve politike, sociale, humane, kulturore, që sot i mbron
dhe vlerëson njerëzimi, atëherë kjo do të bëhet përcaktuese edhe për sjelljet
dhe veprimet e atij populli dhe të shtetit që e përfaqëson atë. Madje edhe kur
pushteti nuk ka dalë si rezultat i një vullneti popullor të shprehur në liri,
edhe atëherë ai reflekton dobësi dhe mangësi të caktuara dhe thelbësore të asaj
shoqërie. Prandaj shumica kritike përcaktuese duhet parë si thelbi i pushtetit
dhe i veprimeve të një shteti. Kështu është i qëndrueshëm argumentimi i
intelektualit të lartpërmendur gjeorgjian, i cili pohon se “në Rusi, në radhët
e popullit të saj, në mënyrën e të menduarit dhe në mënyrën e jetesës së vetë
atij populli, mangësitë nuk janë të veçanta, siç patën menduar shumë njerëz,
por janë thelbi i atij vendi dhe i atij populli. Po, është fjala pikërisht për
popullin, sepse vendi përfaqëson pikërisht popullin. Se është e pamundur që
jeta brenda vendit të jetë rregulluar në një mënyrë normale, kurse populli, në
këto kushte, të jetë dembel, inatçor dhe i poshtër. Por edhe ndryshe është e
pamundur që populli të jetë i zgjuar, punëtor, zemërmirë dhe i drejtë, kurse
jeta e tij në vendin ku jetuaka ky popull i mrekullueshëm, të jetë e rëndë, e
pistë dhe e padurueshme... Po, po, e di që nuk është mirë të shashë një popull
të tërë. Në çdo popull ka njerëz të ndryshëm - të mirë dhe të këqinj, të dashur
dhe inatçorë, të edukuar dhe vulgarë, të ndershëm dhe hajdutë, punëtorë dhe
parazitë. Por pikërisht aty është gjithë meseleja, se mënyra e jetesës së çdo
populli lidhet me pyetjen se çfarë njerëzish e përbëjnë shumicën në radhët e
tij. Pyetja tjetër po kaq domethënëse dhe e rëndësishme është - mos vallë
popujt janë thjesht viktima të historisë? Po nga ana tjetër ne shpesh themi se
ata e bëjnë vetë historinë e tyre. Mendoj se në këtë botim Prof. Ymeri na jep
një shpegim mjaft bindës, duke na sugjeruar jo në mënyrë deklarative, por
përmes pohimeve dhe argumenteve të shumta, se popujt janë njësoj sa përgjegjës
për historinë e tyre, aq edhe viktima ose fitimtarë dhe të nderuar prej saj. Ky
është edhe rasti i popullit rus. Por a ka qenë dhe është sot kjo sjellje e
Rusisë një rast i izoluar? Mos ndoshta vetëm komunistët ishin ata që e
përçudnuan aq keq mënyrën e të menduarit dhe të jetesës së këtij populli
fatkeq, saqë ai deri tani nuk është në gjendje ta marrë veten? Pra, a është ky
rast një aksident në histori? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjemi me korrektësi -
Jo. Sepse është e pamundur që një bandë maskarenjsh të qëndrojë në pushtet për
70 vjet, nëse populli, domethënë shumica e popullsisë së vendit nuk e pranon
një gjë të tillë. Përmes shkrimeve që botohen në këtë libër, theksohet se jo
një herë, por në mënyrë të vazhdueshme në histori ky popull ka qenë baza e
krijimit të regjimeve të përgjakshme, tiranike, imperialiste dhe agresive, prej
të cilave kanë vuajtur shumë edhe popujt e tjerë. Prandaj është i saktë pohimi
që bëhet në këtë botim se popuj të tërë, shtete të tëra, që përfshiheshin në
përbërje të Perandorisë Ruse (të quajtur Bashkim Sovjetik që prej vitit 1922),
kanë pasë ëndërruar të shkëputen nga Rusia. Dhe ata që nuk arritën të
shkëputen, Rusia nuk i lë të qetë edhe sot e kësaj dite. Madje shumë ka vuajtur
edhe populli shqiptar që nuk ka qenë në përbërje të kësaj Perandorie.
Së
pari, ngaqë ky shtet i madh ekspansionist diktoi me vendosmëri dhe në mënyrë të
vazhdueshme copëtimin e thellë të kombit shqiptar dhe më tej dobësimin dhe
asgjësimin edhe të atij shteti të dobët që u krijua.
Së
dyti, Rusia ka kundërshtuar me forcë dhe vazhdimisht përpjekjet e kombit tonë
për të fituar lirinë nga sundimi serb, politikë, e cila vijon edhe sot me
ashpërsinë më të madhe, duke nxitur Serbinë të asgjësojë pavarësinë e Kosovës
dhe duke nxitur përçarje dhe tensione midis shqiptarëve dhe maqedonëve e
shqiptarëve dhe malazezëve në këto dy shtete fqinje.
Së
treti, gjatë dhe pas Luftës së dytë botërore, duke ndërhyrë në punët e
brendshmë të kombit shqiptar përmes agjentëve të tij sllavë dhe Partisë
Komuniste Jugosllave, Stalini nxiti përçarjen e brendshme në Shqipëri dhe
sponsorizoi e mbështeti me forcë vendosjen e një regjimi diktatorial, gjakatar
dhe antikombëtar, të nënshtruar plotësisht dhe në shërbim të pansllavizmit.
Ky
botim ka vlera të veçanta për faktin se shpjegon me argumente serioze shkencore
edhe arsyet apo faktorët që kanë ndikuar në fizionominë psiko-sociale,
politike, shpirtërore, kulturore etj. të popullit rus nga kohët e largëta e
deri në ditët e sotme. Duke analizuar shkaqet e regjimeve jetëgjata totalitare
dhe diktatoriale që kanë dominuar gjithë historinë e Rusisë, pohohet me të
drejtë se komunistët e patën sunduar Rusinë për një kohë të gjatë pikërisht
sepse regjimi i tyre përputhej me aspiratat e popullit rus. Sepse minimumi i
lirisë është edhe minimumi i përgjegjësisë. Për ty le të vendosë dikush tjetër.
A mund të identifikohet vallë pushteti sovjetik me Rusinë dhe me popullin rus?
Mundet. Sepse kushdo që të ishin nga prejardhja nismëtarët e këtij pushteti, ky
regjim do të shartohej dhe do të lëshonte rrënjë vetëm në Rusi, nëse,
sigurisht, nuk do të flitet për vende të tilla, si Kina, Kuba dhe Koreja e
Veriut, të cilat kanë një konstrukt të ngjashëm politikosocial me Rusinë. Po
nuk ishin vetëm komunistët që ndërtuan një diktaturë gjakatare në Rusi,
diktatura të tilla ka pasur plot gjatë gjithë historisë së saj, ashtu si në
ditët e sotme regjimi i Putinit është një diktaturë e egër dhe gjakatare. Shumë
personalitete nënvizojnë faktin se populli rus nuk ka shprehur asnjëherë
pendesë ose keqardhje për pushtimet dhe krimet që ka bërë ndaj popujve të
tjerë. Ndryshe nga gjermanët që e kanë pranuar përgjegjësinë e tyre për atë çka
bënë në Luftën e dytë botërore, populli
rus nuk e ka pranuar ndonjëherë përgjegjësinë e vet për gjësend. Fajtorë
gjithmonë dhe për gjithçka kanë qenë të tjerët. Për më tepër, rusët janë të
bindur (këtë ua kanë edukuar për një kohë të gjatë dhe një gjë e tillë iu
pëlqen shumë), se ata të gjithë të tjerët i kanë shpëtuar, i kanë mbrojtur, i
kanë ushqyer, u patën sjellë të gjithëve dritë dhe ngrohtësi. Dhe,
përgjithësisht, të gjithë kanë një borxh të pashlyer ndaj tyre. Ky është një
element i tërësisë psikopolitike të popullit rus, i formuar në shekuj nga
propaganda dhe letërsia e tyre. Dhe është e kuptueshme se çfarë rreziku buron
prej këtij mentaliteti.
Ne
shqiptarët shohim këtu një përputhshmëri të plotë me mentalitetin e fqinjëve
tanë ballkanikë, sllavë e grekë, të cilët, gjithashtu, nuk kanë shprehur
asnjëherë kurrfarë pendese për pushtimet e trojeve shqiptare, krimet dhe
spastrimin e dhunshëm etnik që kryen ndaj kombit tonë. Prandaj ne duhet të jemi
vigjilent, pasi historia, kur nuk reflektohet ndaj saj, mund të përsëritet. Një
konkluzion që arrijnë gati të gjithë autorët e këtyre vlerësimeve, është se
populli rus është i zhveshur krejtësisht nga të menduarit në mënyrë kritike.
Këtu ai ngjason plotësisht edhe me fqinjët tanë serbë e grekë. Megjithëse u ka
bërë keq në histori shumë popujve, dhe ka kryer pushtime e aneksime pa fund të
popujve të tjerë, tek ky popull është ngulitur mendimi se Rusia i pati bërë
këto vetëm për shkak të mirësisë që i buronte nga shpirti. Në njërin nga
tekstet sovjetike të historisë hasej madje një frazë e tillë: “Rusia asnjëherë
nuk ka pasë zhvilluar luftëra pushtuese”, megjithëse një përqasje e thjeshtë e
territorit të Rusisë Kieviane me atë të Perandorisë Ruse (apo të Bashkimit
Sovjetik), e hidhte poshtë tërësisht një postulat të tillë. Pra. te mungesa e
të menduarit kritik të inteligjencies dhe popullit e ka burimin rehatia
kolosale për sundimtarët e Rusisë dhe lehtësia me të cilën ata e hedhin
popullin e tyre në luftëra pushtuese. Mjaft personalitete provojnë se për
sundimtarët rusë nuk ka pasur vlerë jeta e njeriut rus dhe se ky popull është
pajtuar gjithmonë me këtë monstruozitet gjatë historisë.
Çmimi
i përbindshëm që pagoi Bashkimi Sovjetik për fitoren, ku pati 27 milionë
viktima, u bë shkak për krenari, paçka se duhej të kishte ngjallur indinjatë
dhe një ndjenjë turpi. Përveç egërsisë së gjermanëve, kjo lidhej më së shumti
me paaftësinë e udhëheqjes sovjetike, me në krye Josif Stalinin. Por këtu është
gjithë meseleja, se problemi i çmimit, i flijimit të njerëzve, për popullin
shumëmilionësh rus, asnjëherë nuk ka përbërë ndonjë shqetësim. Në botim sillet
si shembull tjetër fati i marinarëve, që patën përfunduar në fund të detit në
nëndetsen e fundosur “Kursk”. Asokohe, presidenti rus Vladimir Putin madje nuk
i pati ndërprerë pushimet e veta, kur diçka duhej të kishte bërë, qoftë edhe sa
për sy e faqe. Qëndrimi i tij pati revoltuar vetëm Perëndimin dhe një pjesë të
inteligjencies ruse, por jo shumicën e popullit të tij. Sepse, në kundërshtim
me ato që pohonin shkrimtarët e mëdhenj rusë, Rusia është një vend, ku jeta e
njeriut nuk vlen asnjë kopejkë. Kjo mendësi agresive dhe flijimi pa masë e
shpesh edhe pa kuptim, siç është edhe lufta sot në Ukainë, është një veçori dhe
faktor tjetër negativ i sjelljes së këtij populli të madh. Njerëzit normalë nuk
mund të mburren kurrësesi me vuajtjet e mëdha të popullit të vet dhe viktimat
kolosale njerëzore. A pati ngjallur vallë indinjatë dhe urrejtje në radhët e
shumicës së popullit rus terrori i viteve ’30 dhe organizatori i tij “gjenial”
Stalini? Gjasat janë që jo, pasi reagimet e atëhershme dhe të mëvonshme të
shoqërisë ruse kanë qenë shumë të vakta. Fakti që në Rusi rekomandohen tekste
historie, në të cilat rehabilitohet Stalini, kurse represionet masive,
domethënë shfarosja masive e dhjetra milionë njerëzve krejtësisht të pafajshëm,
justifikohen, se shteti kështu e quaka të domosdoshme, flet mjaft për këtë.
Këto janë fakte që flasin se jeta e njeriut ka pasë pak vlerë në Rusi, ndryshe nga vendet e
qytetëruara. Jo vetëm e kaluara, por edhe e sotmja dëshmojnë se ajo nuk ka
pasur. Ky është një tjetër elemet i psikikës së këtij populli, i cili shfrytëzohet
nga diktatorët gjithfarësh për ta sunduar me lehtësi atë dhe për ta hedhur në
agresione kundër popujve të tjerë. Edhe Putini bën dhe thotë atë që i siguron
përkrahjen e shumicës së popullsisë së vendit të tij.
Nga
shumë intelektualë e studiues në këtë botim, nënvizohet fakti tjetër se
shkrimtarët rusë janë fajtorë, pasi ata patën krijuar legjendën për Rusinë e
Shenjtë, për popullin, si zëdhënës i Zotit, për shenjtërinë e madhe të popullit
rus, nisur, sipas gjasave, nga fakti që vetëm shenjtëria e veçantë mund të
sjellë si pasojë një përbuzje të tillë ndaj jetës së përditshme dhe të
shpjegojë pikësynimin dhe aftësinë për të jetuar mes mjerimit dhe dhunës. Në
ndërgjegjen e popullit rus ka zënë rrënjë thellë mentaliteti i kultivuar nga
propaganda qindravjeçare e diktaturave të ndryshme, se gjithmonë kanë qenë të
kërcënuar nga armiku. Edhe sot për të është i domosdoshëm një armik (NATO dhe
Perëndimi). Është e domosdoshme ndjesia sikur ata ndodhen në një kështjellë të
rrethuar. Kjo, së pari, forcon unitetin. Ky popull, së dyti, ende nuk e kupton
të vërtetën se as NATO, as Perëndimi nuk mund ta kërcënojnë kurrë dhe në asnjë
rrethanë atë për një mijë arsye të forta e të kuptueshme për gjithë njerëzit
normalë. Prandaj Putini e ka kaq të lehtë t’i çojë bijtë e popullit të tij në
thertore për një arsye të tillë krejt absurde. Faqe të errëta ka pasur edhe në
historinë e vendeve dhe të popujve të tjerë, ka edhe tani, por, së pari, vendet
dhe popujt e përparuar i patën kapërcyer gradualisht problemet e veta dhe, së
dyti, e kanë pasë pranuar se diçka nuk e kanë pasur në rregull, ndërsa në Rusi
nuk vërehet një frymë e tillë. Në këtë botim me kaq vlerë shkencore spikat edhe
analiza e shkencëtarit të njohur,
profesorit të Universitetit të Kolumbias në Nju Jork, Mark Lipovecki, një
ekspert i shquar jo vetëm i kulturës së re ruse, por edhe i asaj të këtyre
viteve më të fundit mbi rashizmin që është sot ideologjia e regjimit putinist.
Ai argumenton se rashizmi nuk është ideologji, por është një rrëfenjë e rreme
ideologjike. Duke argumentuar se në thëniet e përkrahësve të luftës në Ukrainë,
përgjithësisht, nuk ka kurrfarë realiteti, ky është shmangur plotësisht, këtu
përplasen gjykime të kundërta, të prodhuara po nga e njëjta makinë ideologjike.
Para nesh shfaqet një botë e errët, e krijuar artistikisht. Një membranë e
tillë nuk krijohet brenda një nate. Atë e përgatitën me dhjetëvjeçarë. Prandaj
ai sugjeron që të mos sulmohet krejt kultura ruse në tërësi, por duhet
analizuar qartësisht se cilët janë burimet konkrete të rashizmit në gjendjen e
sotme të kulturës ruse. Ai veçon në këtë drejtim pikërisht kulturën
postsovjetike, por pohon se në listën e burimeve të rashizmit duhet të
përfshihet edhe kultura e epokës sovjetike, përderisa fijet që të lidhin me të,
nënkuptohet, nuk ndërpriten. Shovinizmi, vetëbesimi i tepruar, ishin formuluar
nga kultura staliniste e pasluftës. Ai, gjithashtu, sjell argumente se
ideologjia e shovinizmit rus, e protofashizmit rus apo edhe thjesht fashizmit,
pati hyrë në ndërgjegjen e elitave sovjetike - komsomolase, partiake, kulturore
dhe qe bërë flamur i lëvizjes aktive dhe ndikuese shoviniste në radhët e
letrarëve, piktorëve, regjisorëve. Ai shpegon se megaprojekti “Nostalgjia për
Bashkimin Sovjetik”, që pati lindur si punë parodie, nga refrenet shakatare,
nga ekzekutimet e reja të këngëve sovjetike dhe nga filmat sovjetikë, ka
ndikimin e vet, pasi me kalimin e kohës nostalgjia vjen e bëhet një projekt i
rëndësishëm komercial, dhe kështu me radhë, derisa një gjë e tillë u ngrit deri
në një rrëfenjë të rreme ideologjike - në një përfytyrim të nënvetëdijshëm
sikur në Bashkimin Sovjetik gjithçka ishte më e mirë, më e fortë, më cilësore,
më madhështore etj. (Fatkeqësisht, ky fenomen me përmasa të mëdha, por me
mesazhe lilipute vihet re sot edhe në Shqipërinë e ”rilindasve ramistë”.
Sigurisht kjo në rastin e Shqipërisë lilipute, që po mpaket e shpërbëhet,
vështirë se mund t’i bëjë dëm ndonjë kombi tjetër, por vetëm vetë shqiptarëve.
Ndërsa për Rusinë puna qëndron ndryshe, prej saj po e pësojnë popuj të tjerë).
Lipovecki shquan se tipari kryesor i shoqërisë postsovjetike është cinizmi dhe
se cinizmi postsovjetik është cinizëm sovjetik, i cili është shndërruar në një
masë demonstrative, të tepruar, të formalizuar përmes veprimeve konkrete.
Një
përcaktim shumë të spikatur për ideologjinë shoviniste ruse - rusizmin - bën
edhe Xhohar Dudajevi (1944-1996), ish-Presidenti i parë i Republikës Çeçene, i
cili thekson:
“Rusët
janë të sëmurë nga rusizmi. Madje duhet theksuar se kjo është një sëmundje
kronike shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme. Rusizmi është më i tmerrshëm se
fashizmi, se nazizmi, se të gjitha ideologjitë e urrejtjes së njeriut për
njeriun”.
Një
burim tjetër për lindjen dhe ushqimin e rashizmit është, para së gjithash,
demonizimi inatçor i “Perëndimit kolektiv”, si përqendrim i cinizmit më të
lartë, të ngritur në sistem, në krahasim me të cilin cinizmi rus është një
imitim mjeran. Lipovecki pohon se “Diskreditimi i motivimeve morale dhe
idealiste përcillet si mbrojtje e misionit historik unikal të Rusisë, së cilës
na i qenka ngarkuar si detyrë të rivendosë vlerat universaliste dhe morale, të
braktisura nga Perëndimi. Një kombinim i tillë mund të përcaktohet si cinizëm
mesianik”.
Kuptohet,
ajka e çdo populli është inteligjencia dhe kur ajo nuk është në nivelin dhe
misionin e saj të duhur, edhe kombi do të shfaqë mangësi të mëdha. Prandaj disa
personalitete ruse shprehen:
“Problemi
është se ne edhe inteligjencien po të tillë e kemi, përgjithësisht, pa tru në
kokë dhe të neveritshme, si edhe çdo gjë tjetër. Ajo, po ashtu, është e
infektuar nga kotashpresa idiote, është injorante, e infektuar nga virusi i
perandorisë, i patriotizmit. Ajo është e ngarkuar kryesisht me komplekse
fetare, çka dëshmon më së miri për nivelin e zhvillimit të saj”.
Prof.
Ymeri ka sjellë në këtë botim në mënyrë të spikatur gjithashtu pohimet
tingëlluese dhe therëse të shkrimtarëve më të mëdhenj rusë, ndonëse edhe ata
shpesh kanë shfaqur ndjenja shoviniste. Ata, bashkërisht, nënvizojnë
moskokçarjen e popullsisë për drejtësinë, mungesën e ndjenjës së lirisë dhe
sakrificës për afirmimin e saj, korrupsionin masiv në shoqëri, etj. Kështu,
Aleksandër Pushkini (1799-1837) pohon se “Rusët janë një popull kaq
moskokëçarës deri në detyrën më të vogël, deri në drejtësinë më të vogël, deri
në të vërtetën më të vogël, saqë nuk duan t’ia dijnë as për njeriun e lirë, as
për mendimin e lirë”. Ai, si dhe shumë të tjerë, nënvizojnë edhe korrupsionin e
thellë dhe të gjerë në popull dhe shkruan: “Meqenëse
në Rusi gjithçka shitet e blihet, atëherë edhe provimi është shndërruar në një
degë të re të industrisë për profesorët”.
Ndërsa
Aleksandër Sollzhenjicini (1918-2008) pohon:
“Thuhet
se një popull të tërë nuk mund ta shtypësh pa fund. Gënjeshtër! Mundet! Se ne
po vërejmë se si populli ynë është zhveshur moralisht, është egërsuar dhe e ka
pllakosur mospërfillja tashmë jo vetëm ndaj fateve të vendit, tashmë jo vetëm
ndaj fatit të fqinjit, por madje ndaj fatit të vet dhe fatit të fëmijëve.
Mospërfillja, ky reagim i fundit shpëtimtar i organizmit, është bërë tipari ynë
përcaktues. Këtu e ka burimin edhe popullariteti i vodkës - i paparë madje
sipas përmasave ruse”.
Nga
ky botim mësojmë se korrupsioni masiv, shthurja morale, prapambetja shoqërore,
ashpërsia e sjelljes, degradimi moral, gënjeshtra, arbitrariteti janë fenomene
që ndeshen gjerësisht në shoqërinë e sotme ruse. Artjom Troicki (1955), gazetar
rus, vë në spikamë shthurjen morale,
pijanecërinë dhe korrupsionin tepër masiv. Por, nga sa lexohet në këtë libër,
ky është mendimi i përbashkët i dhjetra e dhjetra intelektualëve, shkrimtarëve,
studiuesve dhe personaliteteve të tjera politike ruse dhe jo ruse. Kurse Lev
Trocki (1879-1940), revolucionar rus, shprehet, se nuk ka njeri më injorant dhe
më hipokrit, sesa muzhiku rus…Rusia është e dënuar nga natyra e saj për të qenë
e prapambetur për një kohë të gjatë. Nuk mungon edhe Maksim Gorki (1868-1936),
shkrimtar i madh rus, i cili shkruan:
“Tipari
shumë më i rëndësishëm i suksesit të popullit rus, është egërsia e tij prej
sadisti… Ne rusët jemi anarkistë nga natyra, egërsira, në damarët tanë vazhdon
ende të rrjedhë gjaku i errët dhe inatçor i skllavit, një trashëgimi
helmatisëse kjo e zgjedhës tatare dhe e bujkrobërisë…Eh, sa e vështirë është
jeta në Rusi, në këtë qendër të fëlliqur të degjenerimit fizik dhe moral, të
poshtërsisë së gënjeshtrës dhe të krimit. Në Rusi domosdoshmëria e vuajtjes
predikohet si mjet për “shpëtimin e shpirtit”.
Vladimir
Pastuhovi (1963), politolog, publicist dhe jurist (avokat) rus, doktor i
shkencave politike, pohon se “arbitrariteti dhe korrupsioni janë kategori
jashtëkohore për kulturën ruse, këto janë konstantet tona historike”. Shumë
personalitete kanë nënvizuar ndikimin negativ që shekujt e shtypjes perandorake
apo të diktaturave kanë lënë mbi psikikën dhe botëkuptimin e popullit rus,
veçanërisht në kultivimin masiv të nënshtrimit dhe servilizmit ndaj pushtetit. Boris Njemcov (1959-2015), personalitet
politik dhe shtetëror rus, reformator, kritik aktiv i regjimit politik të
Putinit, që u pushkatua jo larg Kremlinit më 27 duke u gdhirë 28 shkurti i
vitit 2015, pohon:
“Problem
i Rusisë janë rusët. Armiku kryesor i Rusisë jemi vetë ne, skllavëria jonë
shumëshekullore, servilizmi, nderimi për ata që janë me pozitë, pasardhës të
bujkrobërve, njerëz me vetëdije të skllavëruar”.
Pikërisht
të njëjtën argument vërteton edhe Daniel Rankur-Laferrier (1943), kritik
letrar-rusist dhe kulturolog amerikan, specialist për studimin e kulturës ruse
me metodat e psikanalizës. Nga ana tjetër, ata kanë vënë në dukje edhe
psikologjinë e turmave, që është shoqëruar herë-herë me ngjarje tragjike
tronditëse. Kështu, Artjom Kreçetnjikovi (1984), gazetar, analist rus i
Shërbimit rus të BBC, jep një informacion të panjohur, që flet shumë për
mentalitetin e turmave të popullit rus. Ai shkruan se më 8 mars 1953, para
zhvillimit të ceremonisë së varrimit të Josif Stalinit, ngaqë dyndja e njerëzve
u shtua tej mase, dhe ngaqë autoritetet e patën rrethuar ngushtësisht marshimin
nëpër rrugët qendrore, kurse rrugët anësore i kishin bllokuar me kamionë ushtarakë,
si rezultat i ardhjes së njerëzve nga pas që vazhdonin të shtyheshin, një mori
njerëzish, që u gjendën në grackë, vdiqën nga thyerja e kafazit të kraharorit
ose qenë shtypur nën këmbët e turmës. Askush nga udhëheqja e vendit dhe e
kryeqytetit nuk qe përkujdesur për t’u dhënë urdhër trupave ushtarake dhe
policisë për të ndryshuar taktikën dhe për të rregulluar disi dendësinë e
turmës.
Një
tragjedi e ngjashme pati ndodhur në Moskë, në fushën Hodinskoje, më 18 maj
1896, gjatë kurorëzimit të carit të fundit rus.
Një
përfundim tjetër mjaft rrënqethës, por i vërtetë që del nga ky botim, është
edhe ai se njerëzit më të vetdijshëm, të kualifikuar dhe liridashës, në
pamundësi për ta ndryshuar shoqërinë ruse, e kanë braktisur atë. Arsyet dhe
argumentimi që i bëhet këtij fenomeni në botim janë të sakta dhe të prekëshme.
Aleksandër Vojlloshnjikov (1926-2012), nënvizon se “Miliona rusë, nga më të
talentuarit, e kanë braktisur Rusinë, duke mallkuar atdheun e tyre të poshtër!
Një njeri i ndershëm dhe punëtor e ka të pamundur të jetojë në një Rusi
skllevërish. Një filtër i tillë, i cili lë në Rusi skllevër frikacakë dhe
dembelë, është në funksionim prej qindra vjetësh... Sepse një njeri i ndershëm
e ka të vështirë të jetojë mes hajdutëve të vrazhdë e ziliqarë dhe skllevërve
inatçorë e agresivë, të edukuar nga ortodoksia në një vend skllevërish”. Kurse
Dhimitër Bëjkov (1967), shkrimtar dhe publicist rus, nënvizon aksiomën se në
Rusi populli është i zënë me mbijetesën e vetvetes, shteti është i zënë me
sfilitjen e popullit dhe nuk kanë kurrfarë rruge të përbashkët, nuk kanë
kurrfarë qëllimi të përbashkët. Dhe Emanuel Makron, President i Francës,
deklaron se “Rusia nuk është vend, por mafie... Kjo do të thotë se Rusia është
një shtet i zakonshëm mafioz”.
I
dashur lexues, edhe unë guxoj t’ju pyes: në këtë pikë, a nuk ngjasojmë ca si
shumë edhe ne shqiptarët me këto qenie, të cilat vetëm respekt nuk mund të të
ngjallin? Prandaj libri që boton profesori i nderuar duhet të na shërbejë neve,
përveç të tjerash, edhe për vetëreflektim. Nuk është asnjëherë e pamundur për
këtë, por sa më vonë ta bëjmë, aq më shumë do t’i kemi shkaktuar plagë dhe
dhembje vetvetes. Besoj se fatmirësisht nuk kemi fuqi dhe dimensione t’u
shkaktojmë fatkeqësi të tjerëve, ashtu si rusët kanë bërë për shekuj me radhë.
Nga ky botim mësojmë se fryma antiperëndimore është sot dhe ka qenë në të
shkuarën një veçori tjetër negative e popullit rus. Përmes analizave dhe
pohimeve të disa intelektualëve dhe studiuesve, Prof. Ymeri sjell fakte se si
dhe përse ajo është rrënjosur në ndërgjegjen ruse, duke argumentuar se ajo ka
dominuar vazhdimisht propagandën, arsimin dhe kulturën ruse prej shekujsh dhe
pa ndërprerje.
Shkrimtari
rus Aleksej Tolstoj (1883-1945) pohon: “Kjo Rusi moskovite, që në lashtësi, ka
qenë, është dhe do të jetë mohimi më i plotë i gjithçkaje evropiane dhe një
armike e tërbuar e Evropës”. Po kështu, Glenn Donovan (1962), shkrimtar
amerikan, shkruan për Putinin:
“Mua
nuk më pati shkuar kurrë ndër mend që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i
nënshtrohen vetëkënaqësisë së pamoralshme të një batakçiu të KGB-së, i cili çdo
ditë na fyen dhe na provokon dhe qeveris popullin rus. Ky batakçi, që ka një
pushtet total, drejton një popullsi analfabete, raciste, inatçore dhe
antiliberale”.
Lev
Tolstoj (1828-1910), njëri nga shkrimtarët dhe mendimtarët më të njohur rusë, e
ve theksin tek edukata e vazhdueshme nacional-shoviniste ruse. Ai shkruan:
“Derisa
ne do të vazhdojmë të lëvdojmë patriotizmin dhe të edukojmë brezin e ri në këtë
frymë, atëherë do të kemi armatime, të cilat marrin në qafë edhe jetën fizike,
edhe jetën shpirtërore të popujve, do të kemi luftëra, luftëra të tmerrshme, të
frikshme, si ato, për të cilat po përgatitemi dhe në vorbullën e të cilave po i
futim ata popuj, duke i degjeneruar me patriotizmin tonë... Kjo është
indiferenca jonë ruse - të mos interesohemi për detyrat që na takojnë sipas të
drejtave tona dhe prandaj t’i mohojmë ato”.
Edhe
Sergej Ivanenko (1953), personalitet fetar rus, doktor i shkencave filozofike,
e vë theksin tek edukata nacional-fashiste që jep shkolla ruse. Ai shkruan:
“Shpërthimin
e fashizmit në vendin tonë, para së gjithash, e ka përgatitur shkolla jonë. Ajo
nuk u mëson nxënësve humanizmin, tolerancën, të kuptuarit e vlerës së larmisë
së kulturave. Për më tepër, për mendësinë tonë, çka është mjaft e trishtueshme,
është karakteristik heroizimi dhe romantizimi i terrorit dhe i dhunës”.
Në
këtë botim argumentohet se një plagë tjetër e shtetit dhe kombit rus, siç
zbulon Alfred Koh (1961), ish-zëvendëskryeministër i Federatës Ruse, është
fakti se “Rusia ekziston si një shtet i unifikuar vetëm me forcë. Vetëm duke i
zënë frymën çdolloj lirie. Vetëm me dhunë dhe me imponimin e një uniteti
mendimi të sajuar paraprakisht. Kombi nuk i ka lidhjet e brendshme, arsyet e veta
dhe dëshirën për të jetuar së bashku. Prandaj për një jetë të përbashkët ka
nevojë për sfida dhe kërcënime nga jashtë, të trilluara posaçërisht nga ana e
pushtetit qendror, pikërisht për qëllimet e ruajtjes së një uniteti që nuk i
duhet askujt”.
Me
këtë mjaft autorë shpegojnë edhe natyrën tepër agresive të Rusisë. Juri
Nesterenko (1972), shkrimtar amerikan me prejardhje ruse, që e braktisi Rusinë
në vitin 2010, shprehet:
“Sa
qindravjeçarë (Rusia) ka vrarë pa pushim, e megjithatë patën mbetur gjallë njerëz
që nuk pranojnë të rrinë nën zgjedhën e saj. Nuk mundi t’i shfaroste tatarët,
polakët, ukrainasit, gjeorgjianët, çeçenët, finlandezët, lituanezët. Zoti e di,
se sa popujve u pati shkaktuar fatkeqësi në vatrat e tyre kjo fëlliqësirë e
poshtër. Rusia është perandoria më e poshtër dhe më gjakatarja në historinë e
njerëzimit”.
Madje
ka edhe analiza të tilla si ajo e Arkadi Babçenkos (1977), gazetar opozitar rus
që shkruan për luftën kundër Ukrainës, se kjo do të jetë lufta e fundit për
Rusinë, sepse procesi i shpërbërjes së etnosit praktikisht tashmë ka
përfunduar. Shteti thjesht nuk është i aftë ta qeverisë ndryshe këtë territor,
veçse të vendosë kufoma, si traversa. Edhe të huaja, por kryesorja - të veta.
Në
këtë botim vjen edhe vlerësimi i papritur dhe befasues i politologut të famshëm
amerikan Zbigniev Bzhezinski (Zbigniev Brzezi?ski - 1928-2017) i cili, teksa
paralajmëron se “Nëse rusët do të jenë kaq të marrë, që të provojnë të
ringjallin perandorinë e vet, ata do të përplasen në të tilla konflikte, saqë
Çeçenia dhe Afganistani do t’u duken si piknik”. Ai, gjithashtu, pohon se
“Rusia është një egërsirë e sëmurë dhe infektuese. Zhdukja e kësaj plage në
trupin e planetit është detyrë e çdo njeriu me mendje të shëndoshë”.
Një
nga fenomenet e shoqërisë së sotme ruse që mund të hulumtohen në këtë libër,
është edhe mungesa apo dobësia e theksuar e shoqërisë civile. Kështu, Andron
Konçallovski (1937), artist i njohur rus, Pjetër Çaadajevi (1794-1856), filozof
dhe publicist rus, si dhe mjaft të tjerë, nënvizojnë faktin se në Rusi nuk
ekziston shoqëria civile. Kurse Mihail Jampolski (1949), historian
ruso-amerikan, përkrah tezën e vetëhelmimit psikologjik të popullit rus. Duke
nënvizuar si faktor madhor vdekjen graduale të iniciativës private dhe varësinë
shumë të madhe të njerëzve nga buxheti i shtetit, ai shkruan se këtu e ka
zanafillën qëndrimi prej skllavi i intelektualëve. Ai shton se “atmosfera që po
e bren sot Rusinë është intoleranca ndaj lirisë, ndaj iniciativës krijuese, çka
është gjë e rrezikshme”
Në
këtë botim bëhet edhe një rivlerësim interesant i historisë më të re ruse, ku
evidentohen ngjarje dhe fakte të fshehura më parë, që flasin për veprime
antihumane, për natyrën agresive të shtetit rus. Kështu flitet mbi planet e
Stalinit për të sulmuar Evropën Perëndimore para se të sulmohej prej Gjermanisë
naziste dhe për projektin tjetër të tij në fillim të viteve ’50 për të sulmuar
Evropën Perëndimore. Po kështu janë tronditëse dëshmitë dhe të dhënat që
paraqiten në këtë botim lidhur me përdhunimet masive që kreu ushtria sovjetike
në Gjermani në fund të Luftës së Dytë Botërore. Dhe unë që po nënvizoj këto
përfundime rrënqethëse që dalin nga goja e gjithë këtyre personaliteteve
të hulumtuara dhe të sjella në librin e
Prof. Eshref Ymerit, shtroj pyetjen:
Të
dashur lexues, e ku do t’i kishim gjetur të gjitha këto argumente që na japin
një panoramë të plotë, ndonëse të frikshme, të shoqërisë së sotme ruse, gjëndja
e së cilës është produkt i dhimbshëm i historisë së saj? Prandaj, në përfundim
dëshiroj të ritheksoj se ky është një libër shumë i nevojshëm për lexuesin
shqiptar, që na sjell një informacion, i cili krijon një panoramë të shoqërisë
ruse. Ai u shërben lexuesve të thjeshtë, studentëve, politikëbërësve,
politologëve, historianëve, sociologëve, shkrimtarëve, filozofëve,
publicistëve, gazetarëve, etj. për të njohur këtë shtet dhe popull, si dhe për
të kuptuar më mirë tendencat e ndikimit të tij në të ardhmen tonë evropiane.
Por, gjithashtu, siç e kam pohuar edhe më lart, ai na shërben edhe për të parë
mirë edhe veten tonë në pasqyrë, për të analizuar në mënyrë kritike të metat
tona, të cilat, gjithashtu, vijnë kryesisht nga historia jonë, nga e kaluara
jonë e gjatë nën regjime shtypëse e diktatoriale. Të tilla janë indiferenca
ndaj pushtetit, servilizmi ndaj tij, indiferenca ndaj korrupsionit, shtypjes
dhe krimeve që kryejnë sistematikisht qeveritarët tanë në të gjitha nivelet,
paaftësia për të reaguar ndaj tyre dhe pët t’i ndëshkuar me votë, moskuptimi i
thelbit të demokracisë se çdo qytetar duhet të bëjë detyrën e tij, paaftësia
jonë për ta bërë demokracinë dhe përgjegjësinë për ndërtimin e saj dhe të
shtetit ligjor pjesë thelbësore të ndërgjegjes, botëkuptimit, mendimit dhe
shpirtit tonë, etj. Prandaj në fund vetëm dua të përgëzoj nga zemra profesorin
e nderuar Eshref Ymeri për këtë botim të shkëqyer me vlera të paçmueshme për ne
shqiptarët.
Tiranë, 12 shkurt 2025