Kulturë
Cikël me poezi nga Anton Marku
E hene, 09.06.2025, 06:52 PM
Anton Marku
nën bar
së pari zbritën
ëndrrat e tij
pastaj ai
NGJYRA E FATIT
Në luftën e fundit
as nuk më vranë
as nuk i vrava
Plumbat qorr
nuk kanë sy
Trupi im
ende nuk ishte
gati
për tu derdhur në
bronz
As për këngë rapsodësh
nuk kishte lindur
Kur vdekja
t’i hyjë jetës në
shtrat
qëllofsha aty
Në shtratin
tjetër.
FIONGU I ZI
Një e vejë
barkfryrë
u zhvesh deri në
gjysmë të trupit
e u lut
për gjysmën tjetër
Gjithë natën e end
pa e ditur
se pse kishte dalë
nga shtëpia
Askush nuk e
përfilli
atë hije
lëkurdjegur
derisa nuk iu shua
hukama
lutjes
Nuk e dinte
se sa herë duhet
të këndonte gjeli
para se të mohohet
ai që ende
nuk i kishte rënë
brisk fytyrës
Jeta
asnjë fundi
nuk i vë pikë
Veç syve
iu ndërron ngjyrë.
PEZULL
Nga majat e degëve
të jetës zbriti
me njërën dorë
shkokloi vitet
Në përkohshmërinë
e tij
i kishte ndodhur
shpesh
të mbathte këpucët
e gabuara
Kur ecja u ndal
e gjurmët nuk po e
ndiqnin më
vetja iu duk
si një duhanpirës
që tymos cigaren e
fundit
të mbetur në
tavolinë
I duhej të bënte
vetëm edhe një hap
aq të madh
sa nuk bëhej këmbë
Nën bar
së pari zbritën
ëndrrat e tij
Pastaj ai.
URATA
Në det do i gjej
të gjithë lumenjtë
e ëndrrave të mia
Me këmbët e
groposura në kripë
me ujin e tyre
shpërlaj fytyrën
tash e sa vite
Në trup ruaj jetën
kohën e zbrazë në
gotë
Një ditë
gjithçka do të
derdhet në qiell
Deri atëherë
le të mos vdesim.
PËRTEJ
Kur atdheut
t’i rriten thonjtë
rapsodët ia thonë
këngëve të moçme
Varrmihësit
përvjelin mëngët
e luten
të mos bjerë shi
Vashat shkulin
flokët
për djemtë
që nuk arritën të
bëhen burra
Diku në qiell
është një tokë
që na pret
t’i shkojmë si
njerëz
Jo si dhe.
Anton Marku, 09.06.2025