Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Aktrojnë
E marte, 10.06.2025, 06:53 PM
Aktrojnë
Nga
Edison Ypi
Takova
Hasanin. O Hasan, i thashë, si ke qënë me shëndet o burridheut, gruan,
kalamajtë, farefisin, miqtë, mirë i ke pasur ? Mirë, tha Hasani, mirë i kam
pasur. Po ja, me halle. Duke filluar nga bota në prag shkatërrimi me akullnaja
që shkrihen dhe tempreratura që ngrihen. Pastaj me Shqipërinë që më është
mërzit në kulm si është katandisur dhe çthurur për ibret. Papunësi, krim,
pasiguri, fukarallëk gjithandej. Asnjë progres, asnjë shpresë. Sidomos për
brezat e rinj që po rriten të çthuruar, të paditur, të paedukuar, pa sjellje
normale në familje, në shoqëri. Nuk e di si do i vejë halli vendit tim. Me këto
çmime pas pak do vdesim urie. Sa më tepër të punosh, aq më pak paguhesh. Të
jesh budalla, të ngrenë në detyrë, të nderojnë, të përulen. Të jeshë i squt
s'dunë me të pa me sy, të hapin nam të keq, të shpifin, të intrigojnë Sa më i ndershëm të jesh, aq më pisk i ke
punët. Sa më hajdut të jesh, aq më kollaj i zgjidh hallet, problemet. Ke të
drejtë që duke më dëgjuar çfarë po them po habitesh, po skuqesh, po zverdhesh e
po nxihesh, një fytyrë të vjen, tjetra të shkon. S'je mësu me më dëgju të flas
në këtë mënyrë, kaq mohuese, kaq pesimiste, kaq negativiste, kaq të zezë.
Qetsohu-qetsohu. S'ka vend për shumë shqetsim. Madje s'ka vend për asnjë
shqetsim. Ka ca kohë, për të qënë në ekuilibër me veten dhe të tjerët, pra për
të mos luajtur mendsh, duke dëgjuar ç'bëhet rretheqark, arrita në përfundimin
se që të kuptoj si bota dhe jeta funksionojnë, duhet t'i njoh sa më mirë, sa më
thellë. Sekreti i këtij kuptimi është të mos shpreh kurrë atë që më zjen në
tru, atë që më lëvrin në gjoks, por vetëm të kundërtën e asaj që ndjej, shikoj,
dëgjoj, prek. E bardha duhet bërë e zezë, e zeza e bardhë, e kështu me rradhë
me të gjitha ngjyrat dhe ngjarjet. Pra, e kundërta e atyre që të thashë është e
vërtetë. Kot u mërzite. Nuk kam ndryshuar aspak. Jam ai që gjithmonë kam qënë.
S'besoj se një mënyrë e kundërt të foluri i sjell ndonjë dëm. Përkundrazi,
sjell çlirim të brendshëm, individit dhe shoqërisë. Ore kam shpëtuar, po të
them. Po më vete mbarë çdo gjë. Desh u çmenda kur thoja atë që mendoja. Tani që
aktroj ndjehem i qetë. Aktrimi kishte qënë zgjidhja.
Nga
Hasani vajta te Hyseni.
Hyseni
më priti shendeverë. E pyeta si i kishte punët, hallet etj. Më mirë dhe më
bukur as në Parajsë nuk është e mundur, tha Hyseni. Shkrirja e Poleve,
Inteligjenca artificiale, fundi i botës, janë llafe pazari. Asgjë e keqe nuk po
ndodh. Bota nuk është euklidiane, newtoniane, ajnshtajniane, darviniane. Bota
është bota. Vend qefi. Ha e pi, vishu e mbathu, dashuro e dashurohu. S'kemi
qënë kurrë më të pasur dhe më të lumtur se sot. Shqipëria ka hedhur festen mbi
sy. U lodh ca, por më së fundi ja mori dorën kompeticionit, Kapitalizmit.
Kombinatet, fabrikat, metalurgjitë, hekurishtat, ishin kot. Turizmi or' ta
marrsha, turizmi do na nxjerri në selamet. Sapo ka nisur. Merre me ment kur të
kemi hyrë mirë në shina. Ultësira perëndimore, pothuaj gjysma e sipërfaqes me
mbi 80 përqind të popullsisë ka tejkaluar ekonomikisht rajonin. Vetëm vila,
serra, hotele, restorante, plazhe, ullishta, vreshta, rrugë të asfaltuara.
Rendi si kurrkund në Europë. Anglezë, amerikanë, italianë, zvicerianë,
hispanikë, nordikë, mahniten me gjithë këtë qetësi, gjithkëtë siguri kur shohin
se edhe kalamajtë mund të marrin taksi ditën dhe natën të ikin e vinë kur të
duan, e asgjë s'i gjen. S'bëhet fjalë të
vjedhin celularin. Vjedhja e xhepave që bën kërrdinë nëpër botë, këtu është
harruar, i përket historisë, ka shekuj që s'ndodh. Mishin, pilafin, tavën e
dhesë, sallatrat, ëmbëlsirat, që ha nëpër restorantet tona s'i harron sa të
jesh gjallë. S'ka më fukarallëk këtu. Ha e pi sa të pëlcasësh. Vishu e mbathu
si ta kesh qefin. Udhëto ku të dojë Noci (Rroku). Po të duash, punon nga pak.
Por edhe po s'punove, jeton për bukuri me thërrime. Po i rrudhos turiçkat.
Ndoshta dhe po trembesh. Të kuptoj. Eja në vete. Mos i merr aq seriozisht këto
që po të them. Janë e kundërta e atyre që mendoj. Nuk po rrej. Po aktroj. Është
aktrim, është vlerë e Njerëzimit, diçka që ekziston përtej meje dhe teje. Si i
tillë, s'ka rëndësi nëse aktrimi im të pëlqen apo s'të pëlqen, e aprovon apo
s'e aprovon, të bën për të qarë apo për të vjellë. E kundërta e asaj që mendoj
tashmë është Modë e këndëshme, e lezeçme, zbavitëse. Po të thosha ato që ndjej,
do ishte e vrazhdë, e mërzitëshme, e lodhëshme, për mua dhe ata që më dëgjojnë.
Thënia e të kundërtës së asaj që mendoj pa i prishur kuj' punë, është
variacionale për mua dhe për gjithkend. Rrofshin aktorët, aktrimi,
teatraliteti. Rroftë Shqipëria plot me hasanër dhe hysenër që nuk ndjejnë, nuk
flasin, nuk mendojnë, por aktrojnë. Do e provosh zotrote atë modë ?
-Kurrë.