Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Ferri im
E hene, 09.06.2025, 06:56 PM
Ferri
im
Nga
Edison Ypi
Jam
i sëmurë me grip. Unë dy metra burrë po ndeshem dhëmbë për dhëmbë me një virus
që mezi duket me mikroskop. Ja në shesh të burrave, ja në arenë, ja mbi
tavolinë, armët që po përdor në këtë luftë:
Telekomandë.
Asnjë sëmundje nuk shërohet pa efektin çudibërës të shetitjes kanal më kanal,
banak më banak, surrat më surrat, rrenë më rrenë.
Banane
që e kafshoj ndonjëherë, në atë mënyrë, që, deri ditën kur të lindem, çdo ditë
të bëhem me kalama se një ditë më parë.
Thikë,
armë e ftohtë për çdo rast, po erdhi ndonjë të më thotë se bota është e
sheshtë.
Lëng
portokalli, lëng limoni, ujë i gazuar, që i kthej her njërin her tjetrin për ta
ftohur sadopak vullkanin e gurrmazit.
Një
sprite kundër acarimit të gjuhës dhe qellzës virusin nuk e vret, por të paktën
e plagos.
Kuti
e madhe me vegla shpëtimtare për kohë lufte gripale, si ngjitëse, tableta,
bustina, tuba, kablla.
Ibupropfen.
E provova tre ditë rrjesht, s'më bëri asnjë efekt.
Tylolhot.
E ka fal Zoti. Bëri efekt menjëherë.
Dy
termometra, që po të thyhet njëri, vazhdon tjetri. Si heronjtë. Njëri bie,
mijëra ngrihen.
Lupë
për të lexuar gërmat e vogla të manualeve paisjeve elektro shtëpiake si thekse
buke, tenxhere me presion, frulator etj.
Kuti
e vogël kartoni me vegla të domosdoshme brenda, prerës thonjsh, lapustile, etj.
Telekomandë
Nvidia Shield Pro, shpikja kaurreske më fantastike për të parë rrjedhshëm filma
me cilësi të lartë.
Celular
Android pa të cilin s'mund të jetoj.
Tabletë
Android, pa të të cilën s'mund të ekzistoj
Libër
me poezi të përkthyera nga Petraq Kolvica. Mes tyre, këto vargje nga Anna
Ahmatova:
"Ka
fjalë që nuk thuhen për së dyti
I
the, përsëritja është kot i kotit
Të
pambarim janë vetëm kaltërsitë
e
qiellit...
dhe
përdëllesa e Zotit".
Copë
letër mbi të cilën kam shkrojtur "Grace Quigley". Është titulli i
filmit ndoshta më të bukur që ekziston. Një grua ka mbetur e vetme. Shkon i
troket në derë një vrasësi me pagesë. I lutet që, kundrejt një shume modeste,
ta vrasë edhe atë, gruan e vetmuar pra. Llaf e muhabet, ai për të vrarë, ajo
për të vdekur, pasi këmbejnë hallet, vijnë në vete, nisin të ngjallen.
Kuti
qelqi që nuk e di ça ka brenda. Kur ta hap nëse gripi do vazhdojë gjatë, jam i
bindur se nuk do më zhgënjejë.
Ca
pare që nuk duken mirë, por aty janë.
Disk
SSD 500 Giga ku mbaj filma të zgjedhur për tu zbavit nga pak. Dy nga këta filma
janë, i pari "Il mio migliore amico", me një biznesmen të bindur se
kishte miq të ngushtë të panumurt, por në fakt s'kishte asnjë, dhe i dyti
"The way back", himn vendosmërisë njerëzore për të jetur i lirë,
bazuar në ngjarje të vërtetë, me disa të burgosur që u arratisen nga një gulag
stalinist në Siberi, bëjnë pesë mijë kilometra rrugë në kushte të skëterrshme,
kalojnë Himalajat, mbërrijnë në Indi.
Kufje
me nigju muzikë me Spotify kur çohem me përgatit noi gjë të thjeshtë për të
ngrënë, noi ushqim biblik tip buk e krypë.
Laptop
që për tre a katër vjet se kam zënë me dorë. Ndoshta një ditë do më vlejë,
prandaj s'e hedh.
Diku
në hortizont të ferrit tim, një divan si dudum, pastaj diku më afër ku i bi me
qen karavastaja, ku dielli në perëndim është një top i zjarrtë dhe i frohtë,
një si bunker cilindrik atomik prej llamarine me diametër nja dhjetë centimetra
me brenda ca paramanta, gjilpëra, kopsa, rri e pret kot si karakoll, si ajo
ambulanca pranë një feste ku vetëm vallzohet, por ndoshta edhe plagoset dikush.
Pak
më tëhu, një abazhur ka zgjatur kokën kurioze po orienton miun e laptopit që ka
humbur rrugën.
Më
tutje, ku Ferri im mbaron, fillojnë ferret e të tjerëve: ferri i komshiut me
pesqint halle matanë murit, ferri komshies poshtë e cila prej vitesh ka ikur
nëpër botë, ferri i komshiut sipër që ende nuk e di se kryeqyteti dhe fshati i
Kuksit prejnga u rrokullis, nuk janë e njëjta gjë, dhe vazhdon të bëjë zhurmë
si me e pas shtëpinë gurore.
Rashë
në Ferrin tim ditën kur isha nisur në Parajsën time. Plloçë, Osnat, Niçë e
tatëpjetë, deri në Lozhan. Ku çdo shtëpi është vend i shenjtë, Xhami ose Kishë.
Çdo shkëmb është tempull. Çdo banor është fisnik. Çdo livadh është sofër. Çdo
ujë është i bekuar. Çdo bimë është mjekësore. Çdo pyll është Farmaci pa lek.