Kulturë
Marenglen Spiro: Ide nga Frashëri dhe një mesazh kombëtar
E merkure, 11.06.2025, 04:57 PM
Ide nga Frashëri dhe një mesazh kombëtar
Nga
Marenglen SPIRO - Sekretar Shkencor
i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Cilido që gjendet në Frashër të
Përmetit, përjeton përfytyrime dhe imagjinata të shumëllojta, frymëzime kombëtare,
gjithashtu poetike e patriotike. Frashër – emër fshati (“fshati im - qytet i vogël” në
përfytyrimin e Sami Frashërit në shekullin e XIX), por, mbi të tëra, emër
i një familje të atyre që kanë zgjuar e gjallëruar ndërgjegjen kombëtare
shqiptare, që kanë shpëtuar gjuhën shqipe nga zvetënimi, që i kanë lënë Shqipërisë
dhe kulturës e shkollës kombëtare vepra madhore, që kanë paraparë e e mbështetur
shpresën e një populli të tërë për ringjalljen e Shqipërisë, mëvetësinë e përjetëshme
dhe përparimin e saj, tre korifej të gjuhës letrare shqipe, kulturës shqiptare
dhe mendimit politik shqiptar. Aktiviteti përkoi dhe me ditën e lindje së Naim
Frashërit.
Përpos që njeriu përjeton, atje, një
natyrë të veçantë, me bukuri, hijeshi, ngjyra e jetë, mes refleksionesh e
kujtimesh, lidhur ngushtë me historinë e dinjitetin kombëtar. Dhe ndodhet në
lirishten e mrekullueshme ku spikasin bustet e të paharruarve vëllezërve Frashëri;
ndodhet përballë shtëpisë së tyre (ngritur më 1974 mbi themelet e shtëpisë së
herëshme, ku kanë lindur frashërllinjtë e përmendur); por, kur hyn brenda “ngrin”
nga pamja e mosmirëmbajtjes e mungesës së plotë të kujdesit, sheh një mjedis
banimi, thuajse, të rënuar, vetëm me gjurmë të mbetura nga një shtëpi – muze e
dikurshme … Që nga viti 1978, kur u përkujtua 100 vjetori i Lidhjes së
Prizrenit, për të cilën Abdyl Frashëri ishte ideologu qendror dhe organizatori i
përkryer, në atë shtëpi nuk është realizuar asnjë aktivitet i rëndësishëm; edhe
vizitorë të apasionuar, nuk gjejnë pritjen e duhur, veçse të kërkojnë çelësin e
shtëpisë tek banorët e pakët vendas, që kanë mbetur atje.
Mbi gjithë këto refleksione e përshtypje
të përmbledhura e shumëdiskutuara, Akademia
Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, zgjoi në vetvete, me vullnetin e shprehur
të gjithë anëtarëve të saj, motivacionin dhe angazhimin për një veprimtari, në
bazë shkencore, por edhe sensibilizuese për opinion gjithëshqiptar dhe
ngacmuese e vërejtëse për strukturat qeverisëse të vendit, emocionuar, njëkohësisht,
nga gjurmët e pashlyeshme, që ai bart, të patriotëve më në zë të lëvizjes sonë
kombëtare, të vëllezërve Frashëri, si stoli të përjetëshme ….. A do të mund të
ripërtërijmë këtë qendër të kujtesës patriotike e të vlerësimit njerëzor e kombëtar
të veprimtarisë së vëllezërve Frashëri në Shqipëri?
Forumi i Akademisë “Idetë dhe mesazhet
kombëtarë të Frashërit“, u mbajt në Frashër, gjë që barti simbolikën e vet të menduar,
tek shtëpia muze e vëllezërve Frashëri, në vendin ku ata kanë lindur e kanë
jetuar bashkërisht, deri sa u zhvendosën për shkollime, filluar nga 1882.
Kumtesat shkencore të paraqitura nga intelektualë nga më të spikatur të vendit
dhe studjues të krahinës, pasqyruan një mendim filosofik e shkencor të
referuesve, në raport me aktivitetin e tyre dhe rëndësinë e veprimtarisë së
tyre për kombin shqiptar si dhe me veprimtarinë e tyre filosofike e letrare
botuese.
Presidenti i Akademisë, Prof. E.Ruka
shprehu në mënyrë analitike idetë e vëllezërve Frashëri për identitetin kombëtar
shqiptar, duke komentuar vlerën e tyre për epokën e rilindjes kombëtare dhe
formimin e shtetit shqiptar. Historianët tanë, Prof. P.Xhufi dhe Prof. P.Milo
kumtuan mbi profilin politik si ideolog dhe atë diplomatik mjeshtëror të Abdyl
Frashërit dhe principet e ndërtimit të
shetit shqiptar, formuluar e shtjelluar nga Sami Frashëri; lidhur me
veprimtarinë shtetformuese në kuadrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe
strukturimit etatik të saj, komentoi gjerësisht Prof. K.Krisafi në Forum. Një
analizë politike të mendimit të vëllezërve Frashëri, në kuadrin e Shqipërisë
post-osmane, e përvijoi në mënyrë estetike e domethënëse Prof. Fatos Tarifa.
Intelektualë të zonës së Përmetit, Kastriot
Bezati, Mjeshtër i Madh dhe Lumo Kolleshi poet e shkrimtar, trajtuan çështjet
mbi kuvendet kombëtarë të Frashërit dhe mbi rolin e Naim Frashërit si mësues i
populllit nëpërmjet veprave të tij letrare. Aspektet themelore të analizave të
veprës së Naim Frashërit nga Rexhet Qosja, u sollën në një dritë analitike dhe
bashkëkohore nga studjuesi dhe shkrimtari Agim Vinca. Një botim i plotë i
veprës së Sami Frashërit, nën kujdesin e veçantë të Prof. Xhevat Lloshi, u
suall në Forum nga vetë inisiatori e realizuesi, duke i dhënë asaj vepre një
kuptueshmëri të qartë në funksion në interesit kombëtar. Në fund, Prof. Sherif
Bundo, formuloi principet e imazhit të një vendi të pelegrinazhit turistik e kulturor
të Frashërit, nisur nga konsiderata kulturore, historike dhe të perspektivave
të zhvillimeve ekonomike të zonës.
Vajtëm në Frashëri. Një rrugë e vështirë,
pa përkujdesje, e pashtruar dhe paniveluar askund, shiu e kish mbuluar me baltë,
as rrugë karrocësh nuk mund të ishte … Dhe fundi i saj, të çon në një vend me
natyrë të mrekullueshme e mundësi të jashtëzakonëshme për pelegrinazh
patriotik, turizëm natyror, biznes familjar, aktivitet që thërret e strehon të
ikurit, të cilët mund të ndërtojnë një jetë aktive mes një natyre të
pakrahasueshme, pyjesh të pasur, pa fund, ajër i shëndetshëm.
Bëjmë, me këtë
rast, një apel, së pari për pushtetin lokal, më tej për atë qendror, për kujdes
e vëmendje për këtë vend thuajse “të harruar”, me histori të paharruar të frashërllinjve
të mëdhej e natyrë të dëshëruar për të gjithë. Me forcë e ngremë zërin për një
vëmendje të veçantë e të motivuar, për këto organizma dhe drejtuesit e tyre,
duke shprehur, njëkohësisht, habinë tonë për mungesën e saj të deritanishme.
Bashkohemi me përpjekjet e shoqatave patriotike të krahinës dhe të tjera njësi
të shoqërisë civile, që nuk rreshtin së bëri thirje për kujtesë e kujdesje për
këtë vënd; urojmë të dëgjohemi, së bashku me ‘ta, dhe të zgjojmë administratat
e pushteteve si dhe kërkojmë përkrahjen, anë-mbanë, të opinionit publik e shoqërisë!
Frashëri jep mesazhe kombëtare, që
kumbojnë në ndërgjegjen e shqiptarëve, përcillen nga historia nga historianë
shkencëtarë të mirëfilltë, që duhet të mbeten të gjalla ndër ne dhe të
dukëshme, të kuptueshme e pasqyruese nga vizitorë turistë, të pasionuar të
kulturës apo kuriozë të interesuar…..