Kulturë
Llesh Ndoj: Një endoskopi e trupit në kalbëzim të shoqërisë ish-jugosllave
E diele, 15.06.2025, 11:51 AM
NJË ENDOSKOPI E TRUPIT NË KALBËZIM TË SHOQËRISË ISH - JUGOSLLAVE
-
Shënime leximi nga romanet e shkrimtarit Ibrahim Kadriu: “Pengu” (2020) dhe
“Loja e Fundit” (Botim i dytë i plotësuar, 2022, botimi i parë 1993) –
Nga
Llesh NDOJ
Sa
herë bie në kontakt me letërsinë kosovare, kontakte që fatmirësisht janë shtuar
kohëve të fundit, falë edhe hapjes së kufijve të dy vendeve tona, aq herë
bindem në vetvete se ajo është një letërsi cilësore dhe se pak e njohim në
Shqipëri, ndoshta për shkak të atij gjysëmshekulli ndarje të imponuar, ndoshta
për shkak të këtij fillimshekulli ku letërsi prodhohet shumë, por “konsumohet”
pak, ndoshta për shkak të një lloj megallomanie që shfaqet disa herë e që
tenton të mos e thotë plotësisht të vërtetën krahasuese midis letërsisë shqipe
andej e këndej kufirit absurd, apo edhe nga mungesa e kritikës së mirëfilltë
letrare, sidomos në Shqipërinë postkomuniste. Them sidomos në Shqipërinë
postkomuniste, pasi në krahun tjetër të atdheut tonë të përbashkët konstatohen
më shumë përpjekje për të shkruar rreth autorëve shqiptarë të Shqipërisë dhe të
Kosovës, ka më shumë vlerësime pozitive prej shkrimtarëve, studiuesve e
kritikëve letrarë andej, jo vetëm ndaj plejadës së shkrimtarëve me emër të madh
që i tejkalojnë kufijtë si Kadare, Agolli, Lera, Poradeci, Tozaj etj, por edhe
për vepra e shkrimtarë në ardhje, ndoshta akoma pa emër edhe në trojet
shqiptare. Kjo qasje ndaj krijimtarisë letrare në Kosovë nga kritika letrare e
Shqipërisë dhe anasjelltas, e kritikës kosovare ndaj veprave e shkrimtarëve të
Shqipërisë, është një nevojë e domosdoshmëri që përmes njohjes së dyanshme të
bëhet edhe përafrimi e unifikimi kulturor i popullit, të cilin asgjë nuk e
ndanë veç dashakeqësisë, që nuk u përket atyre dhe është injektuar tinëzisht
nga koha e gjatë e ndarjes së dhunshme midis vëllezërve dhe imponuar nga ata që
nuk e kanë dashur e nuk e duan kombin shqiptar.
Ibrahim
Kadriu është njëri nga shkrimtarët më të njohur në Kosovë. Aktiviteti i tij
krijues shtrihet në një periudhë kohore që daton që nga viti i largët 1969 dhe
fatmirësisht vazhdon të prodhojë kryevepra edhe sot në ditët tona. Ai ka
lëvruar letërsinë për të rritur, por edhe atë për fëmijë, ka lëvruar kryesisht
prozën, por edhe poezinë, vepra e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja,
si serbokroatisht rumanisht, norvegjisht, në gjuhën malazeze, në italisht, në
greqisht, suedisht, turqisht e arabisht, ndërsa disa vepra të këtij autori të
njohur si drama e komedi edhe janë ekranizuar. Njëkohësisht Ibrahim Kadriu ka
kryer në vijimësi edhe punën e redaktorit si në gazetën “Rilindja” e “Zëri”, në
revistën “Plejada” e atë të kryredaktorit të revistës “Hareja” etj. Për veprën
e shkrimtarit Ibrahim Kadriu, natyrshëm janë bërë plot shkrime e vlerësime nga
kolegët e tij, nga institucionet e Prishtinës etj, dhe vepra e tij është
vlerësuar me shumë çmime e vlerësime
rajonale, kombëtare e ndërkombëtare. Rreth veprës së tij janë shkruar libra të
plotë si nga prof. dr. Anton Nikë Berisha, nga prof. asoc. dr. Labinot Berisha,
nga prof. dr. Mahmut Hysa, nga Mr. Sc. Arsim Halili e Fatmire Duraku, por sa më
shumë të flasësh rreth tyre, aq më shumë vlera mund të shpalosen për lexuesin e
shumtë, ndaj asnjëherë nuk është e tepërt të shkruash për të. Kjo sepse Ibrahim
Kadriu në veprën e tij rrok shumësi temash e tematikash që e bëjnë atë të
larmishme e të vlershme në çdo kohë, por edhe sepse stili i tij i rrëfimit
artistik është shumë i veçantë e i personalizuar, i tillë që, siç konstaton
prof. dr. Mahmut Hysa “…është ndër të rrallët në letërsinë tonë bashkëkohore që
e ka ndërtuar identitetin e vet letrar,…”1, gjë që e bën lexuesin të mbetet i
lidhur me veprën e tij edhe për këtë shkak, krahas anës përmbajtësore që sjell
në rrëfimet e tij. Dy romanet që kam marrë kohët e fundit në shqyrtim, për të
cilët dua të shpalos mendimin tim thjesht si lexues, jo si specialist letërsie
(edhe pse nuk jam i tillë, por edhe se me këto cilësi kanë shkruar vepra të
tëra kritikë e studiues të njohur që edhe i ceka diku më lart), “Loja e Fundit”
dhe “Pengu”, që në dukje nuk i lidh asgjë me njëri - tjetrin, madje as koha e
të shkruarit të tyre, pasi i pari është botuar për herë të parë në vitin 1993
dhe ribotuar në vitin 2022, kurse i dyti është botuar në vitin 2020, por me një
lexim të vemendshëm ato kanë plot anë të përbashkëta.
Cilat
janë disa prej tyre?
Pavarësisht
tematikave të shumta në dukje që rrokin të dyja këto romane dhe që vijnë tek
lexuesi përmes shpalosjes së një shumësi ngjarjesh, të dyja romanet kanë një
temë e një qëllim: të shpalosin artistikisht bukur, pa zmadhime e zvogëlime,
represionin e regjimit serbo - jugosllav ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.
Nuk do të ishte ndonjë veçanti e madhe kjo tematikë, në se ajo do të vinte në
librat e Ibrahim Kadriut me pamje policore, që pushtojnë sheshet e Prishtinës,
me reparte ushtarake të armatosura deri në dhëmbë që shtrihen në të gjithë
teritorin e Kosovës, duke tejkaluar edhe dendësinë e popullsisë atje, me burgje
e dhunë të hapur, me sigurimsa e represion të fshehur, por të pranishëm në çdo
qelizë të jetës së shqiptarëve nën Serbi, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim, t’i
lexojmë e dëgjojmë të gjithë, por fakti se autori e referon atë situatë
dramatike tek lexuesi përmes paraqitjes së dramës së brendshme të personazheve
të tij, e bën rrëfimin sa rrënqethës, po aq edhe të bukur dhe emocional.
Autori, ka vënë në qendër të rrëfimit të tij, në të dyja këto romane të bukura,
nga njëra anë gazetarët e kohës, kronikanët, njerëzit që pasqyrojnë realitetin
e zhvillimeve në shoqërinë komuniste jugosllave të kohës në tërësi, e atë
kosovare në veçanti, e nga ana tjetër përshkruan përpjekjet e regjimit
shovinist serb, që në plan të parë e mbi të gjitha të goditej pa mëshirë fjala
e lirë, arti e kultura në tërësi, gjuha shqipe, si rruga më e lehtë për t’i
xhveshur shqiptarët nga identiteti i tyre i vërtetë dhe për të lehtësuar rrugën
e asimilimit të tyre. Tek romani “Loja e Fundit” ngjarjet shtjellohen të
alternuara, të cilat autori i sjell si “shënime të kronistit”, po aq edhe
përmes zhvillimeve të tjera interesante të cilat pasqyrohen në këto vepra, aq
edhe përmes psikologjisë e ndërgjegjësimit në rritje të shqiptarëve për të
reaguar masivisht përmes rritjes së vetëdijes, apo “dalja e narkozës”, siç e
quan ai diku, po aq edhe përmes manovrave të pushtetit për t’i ndaluar që të
vërtetat të dalin në publik. Ndërsa tek “Pengu” i gjithë rrëfimi vërtitet rreth
një gazetari, Bekim Përroni, që udhëton drejt Beogradit për të përgatitur një
shkrim rreth një shqiptari “që nuk flet shqip”, si dhe një mundësi të
talentuar, Lirik Dashi, me të cilin e pati bashkuar rastësia në tren dhe që
pësojnë edhe fatin e survejimit e ndalimit policorë, thjeshtë sepse “flasin
shqip”. Më tej autori sjell në vemendje një personazh të quajtur “trashaluqi”
shqiptar që flet e kupton shqip, por “fle gjumë” e regjistron bisedën e tyre,
për t’a përkthyer në serbisht duke i përplasur ata në polici, sa tek urrejta e
milicëve serb, aq edhe tek marrëdhëniet njerëzore që nuk njohin etni. Është e
kuptueshme kjo zgjedhje e autorit edhe për shkak të përvojës personale e të
punës që ka bërë në organet e shtypit për një kohë të gjatë.
Nga
ana tjetër, për arësye përzgjedhje personale dhe për të qenë korrekt me
realitetin e atkohëshëm, që ai i referohet në romanet e tij, sidomos vitet e
tetëdhjeta e në vijim, autori ka një qasje krejt të veçantë në vështrimin dhe
përshkrimin e realitetit. Ai nuk do të sillte asgjë të re në se do të fliste
për mbledhje qeveritare në Beograd, ku gjithshka flitej serbisht, për polici e
ushtri serbe, për sigurim serbo - sllav etj, pasi këto ishin gjëra të zakonshme
në atë regjim dhe në kronikat e kohës, por e sjell dhunën e represionin serb
përmes gjuhës shqipe. Kur e them këtë, nuk kam parasyshë gjuhën e shkrimtarit,
por faktin se personazhet e këtyre romaneve flasin shqip edhe kur bëhet fjalë
për dhunë e represion. Është fakt i njohur botërisht se asnjë regjim i huaj nuk
mund t’i realizojë qëllimet e veta pa bashkëpunimin e sejmenëve vendas, e
kështu ka ndodhur realisht edhe në Kosovë, e po ashtu e sjell edhe autori, me
një frymë realiste, nisur “…jo nga entropia (zmadhimi) i ngjarjeve pse e ka
sensin e masës për të treguar, aq sa lejon dhe ashtu si e lejon teksti
letrar…”2.
Sidomos
tek “Loja e Fundit”, gjithë materiali letrar vjen sa përmes kronikës së
gazetarit, aq edhe përmes zhvillimeve tek
“kukullat kosovare” në qeverisjen rajonale, si zgjatime, apo tentakula
dhune të qeverisjes së Beogradit. Në qendër të tij janë vënë personazhe si
“trashaluqi” tek romani “Pengu”, apo Surratan Molori, Zymryt Veroni, Florin
Rezbiu etj, tek “Loja e Fundit”, të cilët përfaqësojnë zyrtarin tipik servil,
zëdhënës të regjimit, që kurrë s’folën me zërin e tyre të brendshëm, por u bënë
megafonë të Beogradit prej të cilit i merrnin të gjitha urdhërat, duke rënë pre
e orekseve të tyre për pushtet, për jetë ndryshe nga të tjerët, për darka,
dreka, vetura e femra. Bile ata shisnin edhe familjet e tyre, vetëm për t’u
ngritur në karierë e këtë karierë e shfrytëzonin për t’i bërë keq çdokujt që
nuk lëviz në të njejtët “binarë” me ta në “trenin” e regjimit dhe që nuk kishin
të njejtat mendime si ata. Mbledhjet e nivelit të lartë, që pasqyron shkrimtari
herë pas here në rrëfimin e tij artistik, dënimet e gazetarëve thjesht për
“ngjyrën blu” të kronikës së tyre, pasi ajo (e vërtetë kjo) pasqyronte
represionin e policisë serbe, darka e Surratan Molorit tek shtëpia e Zymrytit
(deri atëherë një nëpunës më pak se i rëndomtë në kryeqendër), hiret e së
shoqes, Hajries, dehja, fjetja në një kravat me të e Surratanit, e ngritja në
karierë e menjëhershme e Zymrytit pas asaj nate “të magjishme” në kasollen e
vjetër të lagjes pa plan urbanistik e rrethuar me llamarina, siç e paraqet
autori, e përshkruajnë bukur gjithë situatën, dhe e gjitha kjo vjen përmes depërtimit
në psikologjinë e personazheve që ka zgjedhur autori për t’ia rrëfyer lexuesit.
“Procesi i diferencimit” i nxitur nga Beogradi, ushtrimi i ndikimit të
sigurimit të shtetit dhe diktimi i gjthçkaje prej tij, veprimet e Zymryt
Veronit në shërbim të kësaj çështje e bëjnë gjithçka të duket se po shpaloset
para syve tuaj sikur të kishte ndodh dje e lexuesi të kishte qenë vetë aktor në
ato skena sa makabër, aq edhe të turpshme.
Përkundër
këtyre personazheve dhe ngjarjeve të dhunshme e të turpshme njëkohësisht,
autori ka ditur të vejë gjithnjë elementin pozitiv, gjykimin e tyre të
kthjelltë, ndjenjën patriotike e dashurinë njerëzore që vijnë kurdoherë
triumfuese. Kjo ndodh kudo në romane e vepra letrare, por autori Ibrahim Kadriu
i ka sjellë me një gjuhë kaq realiste e pa teprime, sa njeriu jo vetëm i kupton
e nxjerr konkluzione të shëndosha mbi to, por edhe i duket vetja se “lundron”
edhe ai në të njejtin shtrat ku autori i ka vënë ngjarjet. Bukur shpaloset tek
“Pengu” personazhi i quajtur mixha Azem, shqiptari i marrë peng nga regjimi i
huaj që fëmijë, vetëm pse i ati kishte qenë luftëtar e kundërshtar i vendosur e
për shkak të përndjekjes nga të huajt, kishte dalë kaçak, i cili edhe pse nuk
fliste shqip, mbetej një shqiptar i mirë e i vlonte shpirti e malli për
atdheun, ashtu siç vijnë bukur episode nga emigracioni politik, si në rastin e
Erblin Kurexhës që kishte lënë nënën, gruan e fëmijët e ishte arratisur nga
represioni e dhuna, apo Sulo Bardhi që kishte edhe një rrugë me emrin e tij në
Zvicër, por që në atdhe e burgosën etj. Interesant është edhe akti i dhunës nga një serb ndaj një serbeje, vetëm
sepse e kishte diktuar se kishte folur me një shqiptar, gazetarin Bekim
Përroni, përkundër të cilit qëndronte vetë serbja, studente - kamariere e familja
e saj që lidhin miqësi me gazetarin, apo sportelisti i hotelit në Beograd që e
përkrah atë, e plot raste të tjera, rrëfyer natyrshëm, me vërtetësi e bukuri
artistike nga autori i këtyre romaneve. Gazetarët e kronikanët kosovarë
paragjykoheshin nga regjimi e përndiqeshin, thjesht sepse punonin në organet
shqiptare të masmedias. Shkrimet e tyre kalonin në një skanër të shumëfishtë e
në rast se zbulohej diçka në to edhe gazetari edhe redaktori rrezikonin jo
vetëm vendin e punës, por edhe burgun. Nga kjo situatë, tek shumë syresh mori
udhë autocensura, apo fshehja e të vërtetës edhe ndaj vetes, por gjithnjë
përballë kësaj triumfoi puna e tyre e palodhur që ishte zëri i vërtetë i
vuajtjeve të shqiptarëve e ndërgjegja e tyre e ringjallur. Një gazetari ishte dënuar
vetëm se kishte shkruar diku “Energjia e vetëdijes, çlirim nga narkoza…”, që
nënkuptonte çlirim nga frika e represioni, por në ndërgjegjen e tyre
profesionale sundonte mendësia: “Do të jemi mëkatarë në se nuk i shkruajmë të
gjitha, në se shkruajmë me maska…”. Ishte kjo devizë që i bëri ata zëdhënës të
revoltës e pararendës të zhvillimeve historike që e pasuan atë.
Shpesh
autori e sjell rrëfimin e tij përmes dialogjeve që bëjnë vetë personazhet, e
kjo i jep jo vetëm bukuri rrëfimit, por edhe natyrshmëri atij e lehtësi
lexuesit në të lexuarit e të kuptuarit të thelbit të rrëfimit. Janë të shumta
këto dialogje, prej të cilave do të veçoja atë mes gazetarit Guri Zhuja e
kronistit, pasi kanë dalë nga një vizitë tek një shkrimtar “që kishte influencë
politike” e ku zhgënjimi i tyre ishte i madh: “E po, eja në vete djalë. Njëherë
e përgjithmonë shlyeji konsideratat ndaj njerëzve të cilët, anipse mbajnë farë
posti, asnjëherë nuk kanë arritur të ecin me kokë të vet…”, gjë që e
portretizon bukur atë për të cilën folëm edhe më lart, për sejmënët që flitnin
shqip e që shërbenin serbisht, më tej ai vazhdon e shpjegon fjalët që ai
(shkrimtari me influencë politike) u kishte përsëritur disa herë për të
ashtuquajturën “procedurë normale”, gjë që për ata nënkuptonte arrestim – dhunë
- harrime në qeli - dënime pa gjyq e pa fakte. Ndërsa dialogjet në darkat e
qefet e pushtetarëve të lartë dhe zonjave të tyre, kryesisht nën avujt e dendur
të alkoolit, janë një kapitull më vete i gjetjeve për t’a portretizuar të keqen
nga brenda tyre, gjë që e bën rrëfimin mjeshtror të autorit si nje endoskopi të
personazheve vetë, por edhe të regjimit serbo - sllav. Reagimin e shqiptarëve,
autori e sjell jo vetëm përmes demostratave e tubimeve në shesh, me portretin e
nënë Razijes, plakë që e marrin studentët në krahë, me ngujimin e minatorëve të
xeherorit, siç i quan autori, por edhe me reagimin e shoqërisë shqiptare ndaj
pushtetarëve sejmenë e familjeve të tyre. Të mbetet në kujtesë rasti i familjes
Rezbiu, ku vajza studente në mjekësi ndjehej e harruar nga shoqëria, e
diferencuar prej saj, urrejtje që vjen me tavolinën ku studjonte ajo të
pështyrë në çdo cep dhe e shoqja që ndjehej keq, e që e kërkon shkakun tek
doktori Florin Rezbiu për shkak të qëndrimeve të tij pro së keqes, apo rasti i
babait të Zymryt Veronit, Malë Veronit, që i sjell të birit në shtëpi thesin me
215 kapuça bashkëfshatarësh, që nënkuptonte 215 gjaqe borgj, debati mes Hajries
e Zymrytit, apo kundërshtimi i Durak Gorës ndaj Surratanit në një mbledhje
diferencimi, që ishte puna më e zakonshme e atyre kohërave.
Kosova,
dihet që ka patur (edhe ka) emigracion të vazhdueshëm, pasojë e kushteve të
rënda ekonomike e kryesisht politike pararendëse, por edhe si një “derë e
hapur” për shkombtarizimin e tyre, e si një “valvul shkarkuese” e tensioneve në
rritje të popullsisë shqiptare atje. Të dyja romanet e trajtojnë bukur këtë
temë dhe e sjellin edhe dramën e tij, fenomen që ka ndarë prindërit nga
fëmijët, burrat nga gratë, djemtë nga nënat e nga shoqëria. Veçanërisht tema e
emigracionit politik gjenë trajtim në përputhje me temën kryesore që ka
përzgjedh autori, për të shpalosur dhunën e represionin e huaj, gjithnjë në
rritje në Kosovën e atyre viteve.
Dy
fjalë për stilin e të rrëfyerit të shkrimtarit, së paku në këto dy romane dhe
nga këndvështrimi i lexuesit. Bie në sy menjëherë se autori e ka ndërtuar
rrëfimin e tij, jo siç ndodh zakonisht në romane, ku rrëfimi bëhet i
tejzgjatur, i pashkëputur nga fillimi deri në fund të tij dhe ku, në se e
ndërpret leximin, zor të orientohesh lehtë kur do të duhet t’i rikthehesh
përseri, por me një shumësi nëndarjesh e ngjarjesh të trajtuara në to. Ndonëse
në pamje të parë duket sikur autori trajton tema të ndryshme në secilën
nëndarje, por në fakt ai e ruan bukur linjën ideore të rrëfimit, duke sjellë
për lexuesit vepra cilësore, ku lexuesi lehtësisht e me pak vëmendje e fikson
shtjellën e ngjarjeve, temën kryesore apo idenë e autorit në shumësinë e
ngjarjeve që trajton, kulminacionin e zgjidhjen apo mesazhin, që është gjithnjë
motivues. Tek romani “Loja e Fundit”, natyrshëm mesazhi vjen nga ballafaqimi i
tipeve të ndryshme të personazheve të zgjedhura prej tij, vënia e atdheut,
gjuhës, kulturës, lirisë mbi të gjitha përfitimet e tjera që rezultojnë të
çastit e kalimtare, por edhe thirrja për reflektim i të gjithë atyre që për një
apo disa arësye kanë “rrëshqitur” në udhëtimin e tyre, përmes zhvillimit të
fundit të ngjarjeve e metamorfozës së disa personazheve tipikë, kur
ndërgjegjësohen për rrugën që duhert të ndjekin.
Jo
vetëm paraqitja e shumë ngjarjeve apo rrokja e disa nëntemave brenda tekstit
romanor, paraqitet interesante në këto romane të Ibrahim Kadriut, por edhe
mbajtja e lexuesit në “ankth” të vazhdueshëm mbi ndodhitë që pasojnë njëra -
tjetrën, e bën më të bukur rrëfimin, më të lexueshëm e të këndshëm të gjithë
materialin. Lexuesi nuk arrinë të kuptojë deri në fund të veprave, as shkakun e
përzgjedhjes së titullit përkatës nga autori, por e “kërkon” atë faqe pas
faqeje duke i shfletuar ato. Vetëm në fund të romanit mëson se “Pengu” është
mixha Azem, shqiptari i marr peng për të bërë të mundur dorëzimin e të atit
kaçak, që kishte emigruar në Shqipëri, i cili edhe pse nuk e fliste shqipen,
mendonte e vepronte shqiptarisht. Edhe tek romani “Loja e Fundit”, vetëm në fund
të shtjellimit të ngjarjeve kuptohet pse është përzgjedhur ky titull, gjë që
lidhet me zhvillimet psiqike të brendshme të disa personazheve të librit,
njerëz që vetëm kur ngjarjet marrin trajta dramatike, kur disa syresh
“strehohen” në Beograd, e kur sheshet mbushen me demostrues, kryesisht
studentë, dhe ata e familjet e tyre veçohen nga shoqëria, vetëm atëherë ata
marrin kthesën e madhe, e kjo ishte edhe “Loja e fundit” e tyre.
Janë
dy romane, që jo vetëm nuk e humbin aktualitetin, por janë edhe pasqyrë nga
brenda e vetë zhvillimeve historike në trevën dardane në periudhën kohore të
cilës i referohet shtjella e ngjarjeve që ka sjellë autori Ibrahim Kadriu.
Sigurisht që vepra e tij është e gjerë dhe e thellë dhe se reflektimi ndaj saj
është punë e specialistëve e kritikëve të letërsisë, por këto shënime vijnë si
një ftesë për njohje e nxitje për lexim të krijimtarisë së këtij autori, e cila
udhëhiqet nga vlerat e principet ndërgjegjësuese kombëtare shqiptare.
Lezhë, më 12 qershor
2025