Kulturë
Armela Hysi: Lufta e Kosovës dhe Nënat Bijë-vrarë shpërndajnë emocione në zemër të Athinës
E diele, 15.06.2025, 02:58 PM
Lufta e Kosovës dhe Nënat Bijë-vrarë shpërndajnë emocione në zemër të Athinës
Teatri për Luftën e Kosovës “Gratë e Luftës”
bënë bujë në Athinë
Nga
Armela Hysi
Në flasim për teatrin, të gjithë të
pranishmit - e “urtësuar” me këtë term si zhanër të artit (të lashtë sa vetë
njerëzimi) - nënkuptojmë një përbërje komponentësh që kërkon tri elementë bazë
për t’u aplikuar:
- Kumti
– Mesazhi, pra Skenari, (ose më saktë subjekti, për derisa kemi parë tanimë
edhe shfaqe ku nuk ekziston një tekst me fjalë (sa herë kemi thënë se fjalët
përbëjnë vetëm 7% të komunikimit njerëzor, përgjatë një dialogu - siç padyshim
është përherë, e në çdo formë arti). Ndonëse duhet thënë se ekziston në këtë
rast kufizim i lehtë i mundësive të kuptimit të plotë të “kumtit” nga
shikuesit, por edhe të vetë vëllimit të spektatorëve.
- Aktori
– Përçuesi i kumtit, pra ajo hallkë e ndërmjetme ndërmjet kumtit dhe
marrësit të tij.
- Spektatori
– Objektivi ku dërgohet historia, kumti i përgatitur, mesazhi pra – që
sipas përcaktimit thelbësor filozofik është dhe arsyeja përse ekziston teatri.
Fatlumë jemi të themi se me gjithë përvojat
shekullore të njerëzimit në këtë zhanër, ja që kemi ende prej kombinimeve që na
befasojnë akoma edhe në këtë treshe bazike dhe kjo vërtetë mund të quhet një
fitore e madhe dhe e rëndësishme në ditët e sotme. Përgjithësisht për teatrin,
mirësisht për teatrin shqiptar, veçanërisht atij jashtë rrethinave shqiptare, e
përsaktësisht në Greqi, ku kohët e fundit kemi një vërshim të veprave shqiptare
nga Shqipëria e Kosova, jo vetëm në gjuhën shqipe a angleze, por tanimë përherë
e më tepër produksione zyrtare e me sqimë për t’u pasur zili, në gjuhën greke. Pra për spektatorin vendas që largohet nga
sallat e magjisë me një copëz më të kultivuar shqiptarie brenda tij, pak më tepër mirëkuptim, simpati, empatizëm
për popullin tonë, kulturën, historinë, dhe vëmendje. Të gjithë element
pozitivë për të shijuar dashurinë e përkrahjen që na përket. Një fitore e
paimagjinueshme e të dy popujve që gdhendin ndjenjat e miqësisë së tyre përherë
e me më tepër dritësim.
Pjesa teatrale e radhës, që bëri të
përmbushen sërish me mallëngjim artistik e historik shikuesit e vëmendshëm të
kryeqytetit helen është e përgatitur me shumë dashuri e estetikë të lartë tanimë
jo nga një bashkëkombës, por nga skenaristja e regjisorja greke me ndjeshmëri
esenciale, Jota Kunduraki e cila përshtati si skenar teatral librin e shkrimtarit dhe studiuesit Ag
Apolloni “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.
Jota Kunduraki është aktore, skenariste e regjisore e njohur greke. Një përçapje në stacionet e krijimtarisë së saj dëfton
se është një artiste e ndjeshme në të tilla tema siç dhe vepra e saj më e re
“Gratë e luftës” ku është bazuar në një histori sa të vërtetë aq edhe krejt
pranë në rajonin gjeografik të gadishullit tonë, por edhe atë kohor, përderisa
bëhet fjalë për luftën siç e mbajmë kaq mirë mend ta përjetonim të gjithë dhe
pasojat e saj janë plagët e mëdha ende të pambyllura të Evropës, që vazhdon
fatkeqësisht të rrjedhë gjak. Me anë të thirrjes së nënave, ndjeshmërinë që ajo
vuri në çdo rresht të skenarit, në çdo frazë të përzgjedhur e të ardhur nga
shqipja e Apollonit në gjuhën e Koeforeve, Ifigjeniës, Antigonit a Niobes, Jota
Kunduraki diti të tejdukshmëroi distancat, mendësitë dhe muret personale ku
shpesh hyjmë të përhumbur e të afrojë një grua kosovare me moshataret e saj në
botën moderne. Gra që lindin e rriten në shoqëri me zakonet e doket analoge, që
ëndërrojnë për princin fisnik, dashurojnë, krijojnë familje, që bëhen nëna dhe
pak më pas, një symbyllje më pas - ndoshta dhe gjyshe, apo e ëndërrojnë
vagëllueshëm çasteve të dashurisë familjare. Të gjitha këto, që veç një faqe e
zarit të ndryshkur që kullon gjakëtirë të fatit, të rrotullohet e të bjerë
tmerrshëm mbi cohën e nderur të historisë e befas jeta të ngjajë me një
këlthitje llahtare. Nëna që nuk i pyeti njeri nëse duan luftën, as i sqaroi
njeri në duan të ushqejnë me gjakun dhe mishin e mitrës së tyre frontet e
çnjerëzuar të planetit. Duke bërë të dëgjohet Nëna e Hekurt Ferdonije Qerkezi,
ky mit i gjallë mes nesh - që nderoi madje duke qenë prezentë në ditën e
premierës së “Gratë e Luftës” në Teatrin Eler, ndonëse artistja Kunduraki
kishte realizuar edhe më parë takime të dhembshura me personazhen e saj reale,
duke udhëtuar për në Kosovë, gjatë fillimit të këtij viti, teksa përgatiste
skenarin dhe regjinë e këtij teatri - si dhe duke i dhënë sërish jetë nënë
Pashkës, heroinës tjetër reale, personazh i kësaj drame, të cilën dëshpërimi
asfisues i mori dëshirën instinktive të çdo gjallese për të mbetur gjallë, Jota
Kunduraki krijon vibrimin e oshëtimës e gulçit të përvuajtjes gjoks-tharë të
nënave kundër luftës. Kudo e në çfardolloj trajte, në të gjithë botën.
Dy personazhet kryesore të Kundurakit, të
lozur mjeshtërisht nga Marsela Lena e Katerina Haska, dhe roli simbolik i
krijuar pothuajse si një objekt i sfondit, i vënë në jetë nga aktori Oresti
Ziogkas, - e gjitha një kastë profesionale
që s’mund të ishte gjithashtu veçse një penelatë krenarie më vete, për
shikuesit shqiptarë, ishin dhe shtyllat e fuqishme të kësaj strukture të rëndë
prej historie dhe dhimbjeje.
Të gjendur në mes të dy kulturave, dy
mendësive, dy gjuhëve, e përherë një historie të përbashkët që na përket
totalisht dhe vllazërisht, protagonistet Marsela Lena dhe Katerina Haska, (po
ashtu edhe aktori Oresti Ziogkas), sjellin në skenë dy karaktere me tragjedi të
njëjtë, dy mëma kosovare me zhuritje shpirtërore të njëjtë, ndërkohë që mund të
themi se me reagim të ndryshme personale, ndaj tragjedisë së pamëshirëshme dhe
pritjes së gjatë të një amulltie akoma më shkatërruese.
Kështu pra njëra nga nënat e nderuara premton
të qëndrojë gjerë në fund, e përtej tij, për të thirrur kundër luftërave deri
sa të ketë frymë, dhe jo thjeshtë të pres të pamundurën por të bëhet vetë
mundësia e pamundur hyjnore e gjallnimit të bijve të saj, në çdo çast të kësaj
jete, duke i mbajtur gjallë me mishin, dhe gjakun, dhe trupin, dhe shpirtin,
dhe frymën, dhe fjalën, dhe veprën, dhe kohën e saj – me të gjitha, ato
thërrmijat hyjnore, pra, që kemi në këto dimensione, për t'u identifikuar si
qenie humane, duke i sjellë si balancë të çnjerëzores që përjetoi, për të
dëftuar tashmë tek ne të gjithë dhe brezat që vijnë, se si e ka trajtën e
vërtetë një mbinjeri.
Ndërkohë që tjetra vendos të shuhet një herë
e mirë, së bashku me kujtimet e bijve të saj, të mohojë ekzistencën e tyre dhe
përgjithësisht këtë jetë, si revolta më e madhe që mund të bëjë njeriu mbi vetë
jetë-vdekjen duke mohuar t’i jap rol, rëndësi, ndjesi, pushtet. Duke e mohuar
të jetë. Dhe kjo në një nga sekuencat me gjetjet më të bukura regjisoriale që
kam parë ndonjë herë të luhet në skenë. Qoftë si një përndritje figurative, qoftë
si realizim tekniko-artistik, qoftë aktrimi i vetë Katerina Haskës, me artin e
saj të epërm, e cila mishëron nënë Pashkën dhe e përcjellë aq bukur të vërtetën
e shformuar e të shpërfytyruar të ndjenjave njerëzore të personazhes, prej
çnjerëzores që shpërndan gjendja e luftës tek njerëzit.
Ndonëse në kufijtë e minimalistikës, esenca e
kostumeve dhe skenografisë realizojnë detaje domethënëse të cilat ngrenë dozën
e përçimit të veprës. Sjellin larmi figurash, që i shton koloritin peshës së
fjalës, vë në dukje edhe më tepër gjuhën e trupit të performancës së secilit
dhe përforcon rolet e aktorëve, krijon mundësi komunikimi të shumtrajtë e
shumplantë me shikuesin. Peshën kryesore në këtë harmoni të çartur, të sjellë
me mjeshtëri për të krijuar dromca sekuencash prej momenteve, kohë-hapësirës dhe
përjetimin e historisë, që përfshijnë tërë varietetin e spektrit emocional të
jetës së lumtur e të begatë që provon befas skëterrën e luftës, e mban
prozhektori me videot ose efektet emocionale. Të gjitha me gjetje shumë të
zgjuara dhe efikase krijojnë një bashkëpunim të rrallë të narrativit të
ngjarjes në skenë me atë në ekranin e improvizuar nga gjithçka që përfshihet në
skenë, duke u dhënë bashkëveprim reciprok, që së bashku me kombinimin e
ndriçimit skenik i bëjnë spektatorët të ndjejnë, të trishtohen, të revoltohen,
por çuditërisht dhe të qeshin, dhe të kuptojnë, dhe të shijojnë romancën, dhe
të afrohen e të njehsohen me këto figura, krejt të panjohura për shumicën, deri
në momentin që u ulën në ndenjësen e kadifenjtë, të teatrit (me sigurinë e një
njeriu të thjeshtë, banor të një vendi në paqe dhe njëkohësisht delikatshmërinë
e saj subjektive - vetëm disa kilometra larg ndodhive, që përshkruhen, vetëm
disa kilometra larg luftërave aktuale në rreze veprimi). Larmishmëria e
ndjenjave, bënë që këto personazhe të ndihen më thellë, më intimisht nga
publiku, të shijohet loja e aktorëve dhe përgjithshmëria e nuancave në
realizimin e plotë.
Teksti i Ag Apollonit dhe skenari i Jota
Kundurakit e sjellë nga loja e aktorëve, bëjnë që skenë pas skene spektatori të
zbulojë se ka gjithmonë e më tepër ngjashmëri me personazhet, sesa mund ta
kishte menduar ndonjëherë. Vrojton se identiteti i tyre është ajo çfarë
identifikojnë çdo ditë në vazhdën e jetës, tek vetja e tyre vetë. Marrëdhëniet
e dashurisë që kanë personazhet me jetën që frymojnë, me shoqërinë ku
kontribuojnë, me familjen ku biologjikisht përkitën e atë që krijuan dhe u
dedikuan me tërë misionin e tyre, është po ashtu e përditshmja e tyre, familja
e tyre, perceptimi i tyre. Dhe ja që koha mbi këtë “pikë të kaltër varur
gjithësisë së pa fund” nuk qenka kaq e ndryshme, as kaq e pa-“rol-të”, në
bekimin e të gjithë shoqërisë njerëzore, por vetëm duke u shëruar kudo, një
organizëm mund të shijojë ndjenjat hyjnore të bekimit.
Duke paraqitur jetën e personazheve, aktorët
Marsela Lena, Katerina Haska e Oresti Ziogkas, me tërë elokuencën e nevojshme
të shprehur dritësisht, e ndërthurur në mënyrë optimale, gjithë ato stacione të
nevojshëm të jetës së tyre, atë mallëngjim kolektiv të një gjuhe të përbashkët,
për fëmijët, familjet, jetën, politikën, përshkrimin fizik, natyror e social,
për të bërë të kuptohet sa e vyer është jeta e tyre, dhe përmasat e humbjes në
vazhdim. Aktorët nuk ndalojnë së dhuruari grimca të pasqyruar nga jeta e
secilit ne, nga përshtypjet e secilit ne, dëshirat dhe ëndrrat e secilit me një
natyrshmëri subjektive, por dhe koncentrat aktiv të lojës së tyre virtuoze.
Personazhi më i gjallë në skenë, nënë Ferdonia, mishëruar në rol prej aktores
së vlerësuar me çmime nderi Marsela Lena, që shpalos me mjeshtëri faqe të
ndryshme të të njëjtit trup gjeometrik ngjyer sa me dhimbje aq edhe me jetë,
nënkuptojnë jo një personazh që vuan pikëllimin dhe dëshpërimin e humbjes, as
një publik të sfiduar nga lufta dhe rrethanat, por përkundrazi, se si njeriu
arrin të bëhet mit.
Ky teatër, një nga disa projekte të tjera mbi Kosovën, në Greqi, tërë këto
vitet e fundit dhe jehona që bënë tek kritika e publiku i Athinës, tek opinioni
i gjerë, e dëshmojnë më së miri përafërsinë e dukshme që ka nisur të vihet re
tek të dy popujt. Vendasit shprehen se sa pak paskan ditur përgjithësisht për
Kosovën e për më tepër për luftën, sesa ndryshe ndihen tani dhe më të
vëllazëruar. Dhe arti që bashkon na tregon sesi në mitet e reja shqipëtare nga
Kosova, që i shtohen Evropës e Botës, Niobe ri-shkrihet nga guri, në njeri, për
t’u bërë zë dhe ndërgjegje kolektive. Për t’i thirrur botës atë që demonstrojnë
fuqishëm të tre personazhet e “Gra të Luftës” dhe tërë ata që u morën me këtë
produksion cilësor, mbështetur nga Zyra
Për Interesat e Kosovës e personalisht të drejtuesit të saj, zotit Fitim
Gllareva, siç thuhet dhe në kurorëzimin e pjesës teatrale: se të gjallët e
paepur, e të ikurit e pafajshëm do vazhdojnë të flasin!
Armela Hysi
Athinë
Qershor 2025