Kulturë
Llesh Ndoj: Kur rrëfimi artistik të ngërthen në shtjellën e vet
E enjte, 19.06.2025, 06:53 PM
Analizë:
KUR
RRËFIMI ARTISTIK TË NGËRTHEN NË SHTJELLËN E VET
- Rreth romanit “Velloja e Kryqëzuar” e autorit
kosovar Prend Ndoja -
Nga
Llesh NDOJ
Shtysa
drejt leximit të një vepre letrare artistike mund të vije nga rrethana dhe
faktorë të ndryshëm, mund t’i qasesh asaj nga emri i autorit, nga ato çfarë të
tjerët kanë shkruar rreth saj, apo si një detyrim, qoftë ky shoqërorë, apo për
të realizuar një referim të caktuar ndaj saj. Rasti më fatlum është të lexuarit
e një romani, novele, drame apo poezie, realizohet për të shuar etjen e
brendshme tënden, kur leximi të bëhet një nevojë apo pjesë integrale e jetës
tënde, si dhe ushqim i përditshëm i shpirtit. Ndërsa qasja ndaj leximit të një
vepre letrare, apo hyrja në aktin sublime të leximit, mund të vije si shtysë e
një apo disa nga faktorët e sipërcituar, dhe jo vetëm ata, akti i leximit në
vetvete, rrjedha e tij dhe ajo që të mbetet në kujtesë postlexim, deri tek
qasja për t’iu rikthyer asaj në një kohë tjetër, nuk mund të jenë rastësi. Kjo
varet tërësisht nga gjuha e autorit, nga shtjella e ngjarjeve në vepër dhe nga
mesazhi që përcjell ajo. Ndërsa ka vepra që “leximi nuk ecën”, që bëhen “ilaçi”
më i sigurtë për pagjumësinë, që shpesh nuk i shkohet dot deri në fund një
vepre, e nëse i shkon, asgjë s’të mbetet në kujtesë. Por ka vepra që të
përfshinë në shtjellën e ngjarjeve që pasqyrojnë, e lexuesi noton nëpër faqet e
librit si në rrjedhën e një lumi, herë mes dallgësh e herë në vanaje më të
qeta, por duke mbetur gjithnjë pjesë e tij. Por qasja ndaj një vepre letrare të
shkruar, apo hyrja në lexim, mund të jetë edhe rastësi.
Autorin
Prend Ndoja, shkrimtarin kosovar që jeton në SHBA prej dekadash, e njoha në
rrethana të rastësishme, nga ana ime. Them nga ana ime, sepse nga ana e tij ky
takim ishte i planifikuar. Ai kishte dëgjuar për takimin letrar që u organizua
për të promovuar pjesë nga krijimtaria ime në Klinë, nën organizimin e Forumit
të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” nën kujdesin e autoriteteve komunale atje,
me 17 maj 2025, dhe kishte mbërritur aty si një dashamirës i letërsisë. U
prezantuam fizikisht, pasi virtualisht ishim miq në facebook prej kohësh dhe
kishim shkëmbyer edhe ndonje koment reciprokisht ndaj postimeve të njëri -
tjetrit, sidomos atyre letrare, por kurrë nuk ishim takuar më parë. Shkëmbyem
në takimin e Klinës përshëndetje dhe konsiderata reciproke, por dhuruam edhe
libra. Veç librave të tjerave ai më dhuroi edhe romanin e tij të parë, botuar
në vitin 2024 nga “Lena Grafik” Prishtinë, të titulliar “Velloja e Kryqëzuar”.
Romani “Velloja e Kryqëzuar”, ishte një botim simpatik për nga paraqitja,
lidhja e pamja, që nuk iu desh gjatë “të presë radhën” e leximit në bibliotekën
time. Por “detyrimi” apo vetëdetyrimi im do të përfundonte këtu, nëse rrjedha e
ngjarjeve të shtjelluara bukur nga autori nuk do të më “rrëmbente” si pa e
kuptuar, nuk di kur do t’a përfundoja leximin, e nuk di a do më kishte mbetur
gjë në mendje për t’i shkruar këto radhë. Me një renditje gati lineare të
ngjarjeve të trajtuara, me personazhe që vetiu të bëhen të dashur, romani
“Velloja e Kryqëzuar” e autorit Prend Ndoja, të jep përshtypjen se kemi të
bëjmë me një romancier të sprovuar, ndonëse ky është romani i tij i parë.
Lexuesi e ndjen veten “në lëkurën” e personazheve të librit, rritet bashkë me
ta, qesh e gëzon me ta, por edhe loton me ta, gjë që e mban atë të lidhur me
rrëfimin, e ai rrëshqet pa asnjë vështirësi nga faqja në faqe, nga ngjarja në
ngjarje. Ngjarjet zhvillohen në dy vende ekstremisht të largëta fizikisht, sa
në Kosovën e martirizuar, aq edhe në Amerikën e bekuar, vende që i lidh jo
vetem emigracioni i hershëm dhe i vonë, por edhe ndihma e pakufizuar e
shpëtimtare e SHBA ndaj Kosovës, duke e nxjerr atë përfundimisht nga kthetrat
sllavo – komunisto - shoviniste të Milosheviçit. Gjithë vepra, sjellë situatën
në Kosovë, kryesisht në vitet e nëntëdhjeta, kohë kur shtypja serbe e genocidi
ndaj shqiptarëve atje arriti kulmin e vet, gjë që solli edhe rritjen e revoltës
së tyre e vetëdijen e lartë se rruga e vetme e shpëtimit ishte heqja qafe e
regjimit millosheviçjan me të gjitha mënyrat e pavarësisht sakrificave që kjo
do të kërkonte. Autori, për t’a bërë rrëfimin të bukur dhe të ndjeshëm, por
edhe për të nxjerr në pah më mirë dhunën serbe, ka vënë në qendër të subjektit
të romanit dy të rinj, Lisin dhe Erën, që rriten e shkollohen dhe dashurohen
bashkë, por që dashurinë e tyre nuk mund t’a shijojnë dhe konsumojnë lirisht,
pasi regjimi vë në shenjestër Lisin - student për t’a arrestuar, thjesht dhe
për shkak se ai kishte shfaqur përkrahje të hapur ndaj Naimit, mësuesit të
letërsisë, që rregjimi e kishte diferencuar si person me rrezikshmëri të lartë.
Personazhet
e librit vijnë nga nje fshat malor e tradicional Kosovar, ku “Çdo njeri e
kishte frikë turpin,…” (faqe 12), ku dy të rinjtë bien në dashuri pa faj,
ndonëse për vite të tëra udhëtonin bashkë nga shtëpia në shkollë, si dy shokë thuajse
të pa ndarë dhe ku Lisi ishte edhe mbrojtësi më i madh i Erës. Momenti i
ndjesisë ndryshe mes tyre, vjen përpara mbrëmbjes së matures, kur dy të rinjtë
ishin ulur në një lëndinë buzë lumit për të pushuar dhe si padashur syri i
djalit rrok gjinjtë e harlisur të vajzës dh si të zënë në faj, që të dy skuqen…
Tëk të dy sundonte dëshira për t’i propozuar njëri – tjetrit, por këtë e
shtyjnë për në mbrëmbjen e maturës, duke lundruar në mëdyshje, se a duhet t’i
besojnë zemrës apo traditës, e cila mund t’a merrte këtë ngjsrje edhe si
besëprerje, megjithatë kjo nuk ndodhi as aty. Familjet e tyre njiheshin me kohë
e të rinjtë i mundonte fakti, në se dashuria e tyre mund të quhej edhe si një
besëprerje. Por ndjenjat bëjnë të tyren e dashuria tejkalon pengesat psikologjike
e familjare pasi prindërit e tyre, Mali - babai i Lisit, i shtyrë në moshë dhe
i sëmurë, e ëma Eliza dhe prindërit e Erës, Shkëmbi e Liria, e pranojnë
dashurinë e tyre. Zoti e kishte bekuar lindjen e saj, prindërit gjithashtu, të
rinjtë duheshin, por regjimi shovinist, nuk e lejon atë të rrjedhë normalisht
në udhën e bekuar prej perëndisë… Të rinjtë vazhdojnë universitetin, ndihmojnë
njëri - tjetrin, diplomohen, duhen pa masë, por edhe porositin fustanin e bukur
të nusërisë.
Në
këtë moment ngjarjet rrokullisen trishtueshëm. Lisi kishte propozuar që në
lëndën e letërsisë në shkollë, të futej humori si pjesë e studimit të saj, duke
e ilustruar me një gojëdhënë: Takohen në një urë të ngushtë një gjarman, i cili
mbante në dorë “Kapitalin” e Karl Marksit dhe një Italian, që mban në dorë
Biblën. Gjermani i thotë italjanit, se “Proletariati është varrmihësi i
borgjezisë”, duke iu referuar Kapitalit, ndërsa italiani i tregon Biblën dhe i
thotë: - Kush i hap varrin tjetrit bie vetë brenda! Mësues Naimi e qoi
propozimin në drejtori, por ai propozim u refuzua nga drejtori, pasi “përbënte
rrezik” për rendin e vetë mësuesi u bë pjesë e regjistrit të gjatë të
strukturave të UDB - së dhe kanaleve të errëta të sigurimit. Kaq mjaftoi që
mësues Naimi të largohej nga puna e t’i nënshtrohej procedurave kriminale
policore. Në prezantimin e mësueses së re Liljanës, drejtori e mbyll me
sentencën: “Kujdes nga humori”, duke parë drejt në sy Lisin. Ky ishte sinjali,
që edhe Lisi si mësues Naimi do të bëhej kontigjent syrvejimi i organeve të
Sigurimit, si irredentist e nxitës i revoltave antisistem. Por Lisi i shton
akoma më shumë “të keqes”. Ai shkon t’a takojë mësues Naimin në qeli, ku nuk e
lejojnë, e prej aty shkon të kërkojë leje takimi në gjykatë, në emër edhe të
një grupi nxënësisht të tjerë. Në gjykatë i kërkojnë listën e emrave të
nxënësve që donin t’a takonin mësuesin e tyre, por intuita e tij e shpëton nga
një veprim i tillë. Edhe në mbrëmbjen e maturës ai thotë se “ishin me fat që në
mbrëmbjen e maturës kishin edhe policë të ftuar”, duke bërë me shenjë nga një
grumbull sish në fund të sallës. Fati e deshi që Bilbili, një ndër shokët e tij
më besnikë, përmes një njeriut të vet, të bjerë në gjurmët e dokumentit
policorë e të hetuesisë, ku urdhërohej arrestimi i të dyve, duke përcaktuar
edhe datën e mënyrën e veprimit për secilin. Ja thotë këtë Lisit dhe i propozon
largimin e përkohëshem drejt SHBA - ve, duke marrë përsipër edhe shpenzimet,
dokumentet fallso për kalimet kufitare, pritjen atje etj.
Këtu
bota e Lisit përmbyset. Priste fillimin e punës qe t’u gjendej pranë prindërve
të vjetër e të sëmurë, ëndërronte Erën me vello nusërie në ditën e caktuar të
dasmës, e tash i duhej ose t’i linte të gjitha, ose të pranonte burgun. Më së
shumti e mundonte Besa. E ndjente se mund të merrej si besëprerje dashuria me
Erën, e tash duhej t’a “priste në besë” edhe atë, duke e lënë, atëherë kur të
dy pritsnin kurorëzimin e dashurisë së tyre. Momentet më kulmore vijnë, kur mes
këtyre dilemave Lisi vendos të pranojë propozimin e Bilbilit dhe kur këtë i
duhet t’ia thoshte Erës. Tronditja e tyre kalon në ndërgjegjësim e të dy
bashkë, me këmbënguljen e Erës, “konsumojnë” edhe natën e parë të martesës, aty
në lëndinën buzë lumit, ku kishin përjetuar shkëndijën e parë të dashurisë.
Vjen kjo si një monent e premtim i Erës, që prej atëherë jo vetëm shpirti, por
edhe trupi i përkisnin përjetësisht atij. Jo vetëm lotë e dashuri dallohen këtë
mbrëmbje, por edhe besim se “regjimi shovinist i Beogradit do të bjerë së
shpejti”, e ata do t’a vishnin vellon e nusërisë e kostumin e dhëndërrisë.
Ndërsa prindërit e përcollën djalin natën “…si dy shtatore druri, që as
lëviznin e as flisnin”, por që i urojnë fat të birit.
Kjo
është në vija të përgjithshme shtjella e ngjarjeve e pasqyruar në pjesën e parë
të romanit që titullohet “Aromë dashurie”, ndërsa në pjesën e tij të dytë,
titulluar “Ëndërr amerikane”, bie në dy solideariteti i Danielit, dajës
shqiptaro - amerikan të Bilbilit nga njëra anë, hapat e sigurtë të Lisit, që
nga punëtorë që ditën e parë të punës merr shpërblim pagën e një jave, deri tek
momenti i afërt, kur ai hedh hapa të shpejtë karriere e ngrihet nga punëtorë në
përgjegjës reparti dhe pastaj drejt biznesit të tij privat, që e zhvillon me
sukses, por e gjitha kjo kalon përmes peripecive të panumërta të ndarjes me
pronarin Calabrese, një mafioz e thyrës i ligjit, i cili e përndjek atë përmes
njerëzve të vet ose të paguarëve prej tij, duke e detyruar edhe të bëj aksident
me makinë, po aq tek lidhja me Kosovën e ngjarjet atje, që rrokullisen me shpejtësi
drejt dhunës shumëplanëshe e genocidit, por edhe me familjen e tij e të Erës,
që nis t’i ndihmojë financiarisht. Përgjithësisht, ai ndoshta si shumica e
emigrantëve, fizikisht ishte në Amerikë, ku lodhej e shijonte suksesin e
rritjen e shpejtë, ndërsa shpirtërisht vuante në Kosovë.
Bie
në sy fakti, që autori përmes ngjarjeve e historive individuale të tij e
familjes, apo personazheve rreth tij, ka arritur të sjell për lexuesin
atmosferën e tmerrshme e hijen e frikës e të terrorit, që sundonte në Kosovë.
Tamam të premten, një ditë pasi mbërrinë Lisi në New York, forcat policore
rrethojnë e kontrollojnë shtëpinë e prindërve të tij. Përgjigjes se babës Malë,
se nuk e dinte ku ishte i biri, se ai “ishte zog i lirë” që fluturonte s’di se
ku, i kundërballancohen kërcënimet policore, se “do t’a gjejmë atë” edhe në
vrimë të miut, derisa në një nga kontrollet e radhës, e hedhin atë nga krevati
ku dergjej i sëmurë në katin e dytë drejt oborrit, ku plaku i moshuar bie i
vdekur, vetëm sepse u përmendi atyre shqiponjën, simbolin shqiptar të
qëndresës, që i tmerronte serbët. Për ironi të fatit, as varrimin nuk e lejuan
familjen t’ia bëjnë si njeri e nën përcjelljen e bashkëfshatarëve, por vetëm
nga e shoqja e ndihmuar nga Era, natën e në një qoshe të maskuar të kopshtit.
Përshkallëzimi i dhunës jepet bukur në gjykimin e mësues Naimit, ku ai qëndroi
stoic, sepse i vetmi faj që kishte bërë, ishte se ai kishte kombësi shqiptare,
se aktakuza s’kishte asnjë bazë, se aty nuk po gjykoheshin faktet, por gjyqtari
do të lexonte “vendimin e shkruar diku gjetkë”, jashtë sallës së gjyqit, nga
sigurimi etj. Kulmor paraqitet momenti kur studentët e pranishëm në sallën e
gjyqit, shpërthejnë në duartrokitje në mbështetje të mësuesit të tyre duke
valvitur parulla për liri e demokraci, por rrethohen dhe arrestohen dhunshëm
nga policia serbe, e cila kërkon edhe forca shtesë sepse studëntët u pasuan në
revoltën e tyre nga mbështetja e pjesmarrësve të tjerë dhe e popullit mbarë,
duke marrë përmasa të pa parashikueshme. Vijnë bukur në focus të shkrimtarit
fillesat e UÇK - s, ndihma financiare që diaspora u dërgon atyre për blerje
armësh, arratisja e mësues Naimit nga burgu e dalja në mal, kthimi i shtëpisë
së Lisit të mbetur vetëm me Elizën në bazë të UÇK - s, vrasja e saj mbi varrin
e të shoqit e djegja e shtëpisë për këtë shkak nga ushtria serbe, e plot
ngjarje të tjera dhune nga njëra anë, por edhe qëndresa e heroizmi nga ana
tjetër. Në ditën e Pashkëve në fshatin Bec, polici i armatosur hyn në meshë, e
kur nuk mundi t’a ndalë priftin të predikonte në gjuhën shqipe, as të ndante
fshatarët nga njëri - tjetri, urdhëroi bastisjen e fshatit, ose vrasjen e
kujtdo që do të gjendej në shtëpi, duke u dhënë atyre vetëm 4 - 5 orë kohë. Nis
kështu shpërngulja masive e kosovarëve “…si në kohën e eksodit biblik,”, eksod
që alarmoi botën e gjeti reagim të fuqishëm ndërkombëtarë.
Në
planin e brendshëm, atë shpirtërorë e psikologjik, personazhet kryesore, Lisi
dhe Era, mbeten fizikisht larg, njëri në Amerikë e tjetri në Kosovë,
shpirtërisht duke vuajtur mungesën e njëri - tjetrit, vuajtje e shtuar edhe nga
mungesa e komunikimeve për shkak të përshkallëzimit të luftës e represionit
serb, por në mes tyre shpresa mbetet e plotë, e ajo qëndron e varur tek velloja
e porositur në një dyqan në Prishtinë. Në këtë plan vjen edhe ngjarja makabre
kur forcat serbe afrohen tek shtëpia e Erës dhe dialogu i saj me nënë Lirien
është mjaft prekës: “E zeza unë. Ne jemi të moshuar e nuk kanë çfarë të na
bëjnë. Po kam hallin tënd. Ata janë katilë e me vajzat e reja sillen si kafshë”,
i kishte thënë ajo, kur Era i kishte treguar se forcat militare serbe kishin
mbërritur deri në lagjen fqinje. “Unë e kam vendosur, nënë. Nuk bie e gjallë në
duart e tyre. Qënia ime i përket Lisit dhe vetëm Lisit.” Ashtu siç dinë
kafshët, forcat serbe hynë të kontrollojnë shtëpinë e Shkëmbit. Era ishte
veshur si plakë, e Shkëmbi e prezantoi si nënën e tij. Oficeri urdhëroi
bastisjen e pastaj djegien e shtëpisë, por në oborr dyshoi tek ajo “plaka” e
veshur me rroba të zeza e fytyrën gjysëm të mbuluar dhe e ndaloi për kontroll.
E njohu Erën dhe e ktheu atë mbrapsht duke e kaluar në katin e sipërm me qëllim
përdhunimin e saj e shfryrjen e epsheve kafshërore, siç ishin mësuar të
vepronin ata në ekspeditat e tyre të dhunshme. Oficeri urdhëroi ushtarët të
ndalojnë vënien e zjarrit shtëpisë dhe aty të mos futej askush. Një dramë vërtete e brendshme zhvillohet tek Era në ato
çaste, e cila kurrë nuk e harronte premtimin hyjnor, se i përkiste vetëm Lisit.
Ashtu e lakuriqëzuar forcërisht prej serbëve, e gjakosur në gjoks me thikën e
katilit që ia preu rrobat e shtatit, mes dorëzimit e poshtëruar apo vdekjes si
burrneshë, zgjedh të dytën: gjuan rastin e i fut një shqelm oficerit serb mes
shalëve dhe hidhet nga dritarja e katit të dytë e bie e vdekur, lakuriq në
oborrin e saj. Gjatë rënies Erës i zënë sytë këmbanoren e kishës së fshatit e
një si re të bardhë që ngjante me vellon e saj të nusërisë së munguar,
kryqëzuar mbi kryqin e kishës dëshmitarë.
Velloja
e kryqëzuar e Erës shënon edhe grisjen e “vellos” së regjimit millosheviçian.
Ngjarjet në vijim janë sa të gëzueshme, aq edhe të trishtueshme. Gëzim sepse
Amerika dhe NATO filluan bombardimet mbi Beograd dhe UÇK shënon fitore betejë
pas beteje, beteja që finalizohet me Kosovën e Lirë, trishtim sepse u vranë
shumë bijë e bija nënash të pafajshëm dhe vendi u shkatërrua pothuajse
tërësisht. Mes këtij dyzimi të përgjithshëm, Lisi kthehet në atdhe, puth tokën
mëmë në aeroport, lan me lotë portën e shtëpisë e cila kishte mbetur e vetmja
shenjë se aty kishte qenë dikur banesa e tij dhe e prindërve, pastaj vihet në
kërkim të fatit të trishtë të tyre dhe të Erës, që nuk e dinte nëse jetonin apo
jo. Takimi me taksistin që e shoqëron e ia lehtëson dramën Lisit, me Ramën
fshatarin që i bëhet krah, pritja në familjen e taksistit Lekë, shkuarja në
Shtabin e UÇK - s, shpalosja graduale e tragjedisë që kishte ndodhur me të
dashurit e tij e deri tek kontakti me letrën e pa nisur të Erës, që forcat e
UÇK - s ia kishin gjetur të futur në çorape, rivarrimi i prindërve dhe i Erës -
nuse e vdekur pranë tyre, marrja e vellos së parapaguar nga dyqani në Prishtinë
dhe palosja e saj në kuti, për t’a bërë pjesë të udhëtimit jetësor të Lisit pas
asaj dite, udhëtimi i kthimit drejt Amerikës dhe ëndërra me Erën nuse në avion,
paraqesin momente dramatike, që nuk t’a kursejnë as lotin. Por, edhe në këto
shtjella të ngjarjeve kaq të vështira, autori gjen shtegun për t’a nxjerrë
lexuesin nga situata herë pashere, duke shpalosur momente ku dalin në pah
tiparet më të bukura të shqiptarëve, bujaria, besa e solideariteti i tyre,
besimi se sakrifica ia ka vlejt, e se Kosova do të jetonte e lirë e sovrane dhe
djemtë e vajzat e saj do t’a bënin atë, etj… Vijnë këto momente përmes
pjesmarrësve në rivarrim dhe përshëndetjeve të disa prej tyre, përmes pritjes
së Lekës, takimit me shokët tek qebaptorja e pagesës nga ish - bashkëstudenti
Tomë, e në plot episode të tjera, të shpalosura bukur e me mjeshtri nga autori.
Këto
e të tjera ngjarje që të mbajnë “të kryqëzuar” e të lënë pa frymë, shtjellohen
në pjesën e tretë të titulluar Requiem, të librit të shkrimtarit Prend Ndoja.
Natyrshëm në fund të leximit të këtij romani të bukur, ku të rrëmben gjithnjë
emocioni i veçantë në çdo faqe të tij, lexuesi shtron pyetjet:
-
A e veshi Kosova e Re “vellon e grisur” që nuk e veshi dot Era e shumë vajza
shqiptare si ajo?
-
A përfaqëson emri shqiptar tiparet e virtutet më të larta të rracës njerëzore?
-
A duhet të ndjehemi krenar me këtë emër? Dhe më tej: A duhet të ndjehemi të
detyruar kudo e kurdoherë që të japim nga vetja edhe për t’a nderuar këtë emër?
-
A ka romani “Velloja e Kryqëzuar” e shkrimtarit Prend Ndoja edhe elemente
autobiografikë në rrëfimin e tij të bukur artistik? Lexuesi sigurisht që do t’i
shpalosë edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve gjysëmëretorike gjatë leximit të romanit,
por unë i shtrova ato thjesht si një nxitje, apo ftesë për lexim.
***
Sido
që të konsiderohet kjo vepër, roman historik, roman dashurie, apo roman me
ngjarje reale apo fiksion i autorit, fatet e Lisit dhe të Erës janë dhe mbeten
përfaqësuese tipike të fatit të të mijëra të rinjve kosovarë të kohës, madje
dhe fatet e të gjitha personazheve të këtij libri, flasin me gjuhën e lotit, të
dhimbjes, të sakrificës sublime e të heroizmit të gjithë shqiptarëve atje,
ashtu siç përfaqësojnë bukur traditën, vitalitetin, qëndrueshmërinë e
papërkulshmërinë e shqiptarit ndaj së keqes dhe mbijetesën e triumfin e tyre në
çdo situatë, sado e vështirë të paraqitet ajo.
Situata
që kanë kaluar kosovarët nën regjimin barbarë të Millosheviçit, heroizmi e
mbijetesa e tyre, përbën lirisht subjektin e një romani, të një drame a të një
filmi, për shumicën e familjeve kosovare atje, por që t’a shkruash një vepër të
tillë duhet të zotërosh aftësi të spikatura, siç i ka zotëruar shkrimtari i
njohur Prend Ndoja, për të mos e lënë lexuesin “të notojë” vetëm mes dhimbjesh
e lotësh, duke i dhënë atij sy të shohë nga e nesërmja, duke përdorur një stil
të veçantë rrëfimi, që “të gozhdon” me librin nga faqja e parë deri tek e
fundit. Libri shoqërohet me një parathënie nga shkrimtari Ndue Lazri, pasuar
edhe nga disa recensa, opinione e reagime të pasqyruara në pjesën e fundit, si
nga Dr. Migena Arllati, Dr. Besim Muhadëri, Dr. Pashko R. Camaj, Msc. Enver
Sulaj, Msc. Marjan Ndoja, Msc. Kosovar Alija, nga Mimoza Meço - Lazri, Sokol
Paja dhe Fadil Hadërgjoni, të cilat personalisht do të doja të mos ishin pjesë
e librit (unë as që i lexova derisa i përfundova edhe këto shënime!), jo se ato
nuk kanë vlera, pasi secila prej tyre është një analizë e bukur e autorëve me
vlera të spikatura, por për t’a lejuar lexuesin të konkludoje natyrshëm vetë
dhe i pa ndikuar prej tyre, rreth vlerave artistike të romanit, thjesht duke
lexuar tri pjesët e rrugëtimit të suksesshëm të rrëfimit artistik të
shkrimtarit.
Prend
Ndoja vjen me këtë roman pas dy vëllimeve me poezi: “Lot mbi oqean”, “Përtej
valës” si dhe një libri me ese e shënime udhëtimi, titulluar “Udhës së
mërgimtarit”, por ai prezantohet si një prozator i regjur e profesionist i
vërtetë dhe meriton vlerësimet maksimale për këtë roman të bukur dhe me subjekt
interesant. Ai është një libër që duhet lexuar nga të gjithë, në Kosovë e
Shqipëri, por që meriton edhe “udhëtim” në gjuhë të huaja, me qëllim që bota
t’a njohë edhe artistikisht vitalitetin e popullit shqiptar të Kosovës dhe
“vellon e grisur” të regjimit serb, që edhe sot ëndërron “martesën” me hirushen
e bukur e të ëndërruar Kosovë.
Lezhë, më 17 qershor
2025