Kulturë
Kristaq Turtulli: Sytë e virgjëreshës
E hene, 23.06.2025, 06:54 PM
SYTË
E VIRGJËRESHËS
TREGIM NGA KRISTAQ TURTULLI
Kur nëna më shoqëroi tek stacioni i autobusit ora ish dy e gjysmë pas mesit të natës. Stacioni qe i shkretë, mbështjellë me cipën e hollë të dëborës. SYRAutobusët e udhëtimeve të gjata qenë parkuar anës trotuareve dhe ngjanin si breshka të mërdhira. Në cipën e hollë të dëborës që mbulonte asfaltin dalloheshin shkoqur gjurmët tona. Nëna donte të më shoqëronte në kryeqytet por s'na mjaftonin hollat të shkonin së bashku. Nëna mbërtheu kopsën e parë të fustanit, ngriti jakën e xhaketës, më mbështolli mua me shallin
e
saj të leshtë.
Nëna
kish ditë që nuk ndjehej mirë, i shponte si me thikë shpatulla e majtë dhe e
mundonte një kollë e thatë. Në javë më parë bëri mot të ngrohtë. Prilli e
gënjeu nënën si pemët, ajo për të përzënë dimrin dhe prurë mbarësi, lau
jorganët, çarçafët dhe kuvertat
e
pambukta në çezmën me ujë të ftohtë të Kondës. Doktori i lagjes e këshilloi të
merrte antibiotikë.
Bënte
ftohtë, binte dëborë e imët si e situr në sitë. U shtymë drejt kthinës së vogël
në të djathtë të stacionit të autobusëve, ku era ndjehej më pak dhe dëbora
shkiste rrëshqanthi. Hukatëm duart të ngroheshin dhe mbështetëm supet tek njëri
tjetri. Pritja në
të
ftohtë është më e lodhshme se ecja. Shyqyr shalli prej leshi i nënës ish i madh
dhe i trashë.
-Më
fal biro, të zgjoj nëna herët. Kështu është kur nuk ke orë,- murmuriti nëna. Na
duhej sikur ngroheshim me frymëmarrjet e njëri tjetrit
Fërkova
mjekrën pas thekëve të shallit të nënës, s'fola. Isha zgjuar kur nëna më beri
zë të ngrihesha dhe të vishesha. A mund të flija gjatë kur isha përpara
konkursit, shpresës në realizimin e ëndrrën së madhe? 'Bëhu piktor i mirë biri
im, nuk të mungon talenti.'
më
tha babai përpara se të vdiste. Dola i pari në konkursin e pikturës që u
zhvillua në qytetin e lindjes. Tani më duhej të konkurroja në konkursin e madh
në kryeqytet të fitoja të drejtën e shkollimit për pikturë në liceun artistik.
Shoferi
i autobusit të linjës për në kryeqytet erdhi me vonesë dhe nisi të bërtiste:
-Kush
është për në kryeqytet të luajë këmbët.
Udhëtarët
e përgjumur hynë me ngutje në autobusin e ftohtë akull dhe fërkonin duart e këmbët
të ngroheshin. Përqafova nënën dhe hyra në autobus. Makina u nis dhe nëna mbeti
pas e mbështjellë me mugëtirë dhe dëborë të imët si miell.
Më
rrihte zemra prej emocionit dhe një copë herë qëndrova në shkallinën e parë të
godinës tre katesh të liceut artistik për tu qetësuar dhe rregulluar
frymëmarrjen. Vendosa dorën në stomak dhe ndjeva një prerje të lehtë. Përgjatë
udhëtimit volla dy herë dhe
stomakun
e ndjeja akoma të trazuar prej kthesave të forta, ngjitjeve - zbritjeve, në
rrugët e përdredhura në faqet e maleve dhe prej karburantit të rëndë të
makinës. Ish rrugëtimi i im i parë për në kryeqytet, por nuk ish koha për
qullosje dhe plogështi, duhej
të
shkoja në sekretari të regjistrohesha.
Në
sekretarinë shkollës më priti ftohtë një grua e re me flokë korb të zeza, me
vetulla si shtizë, të mbërthyera mbi hundë dhe me vështrim te vëngër. Banaku
ish i lartë, u ngrita në majat e gishtërinjve dhe i thashë emrin. Sekretarja
duke kthyer fletët me zhurmë
kërkoi
me bezdi emrin e tim në listën e pjesëmarrësve në konkurs dhe pa e pa ngritur
kokën i tha:
-Salla
e konkursit është në katin e dytë nga e majta, lëviz këmbët, je me vonesë.
U
shkunda, dola me të shpejtë nga sekretaria dhe ngjita shkallët me vrap. Në krye
të shkallëve qëndrova, u përpoqa të rregulloja frymëmarrjen dhe eca drejt derës
së hapur të sallës së konkursit.
Gjëja
e parë që më ra në sy ish bashkëqytetasi Maliq Susta, i cili qëndronte i
krekosur në karrige, me kavaletën përpara dhe lëvizte si rosak kokën katrore me
veshë llapushë.
'Hëm!
Çdo Maliq Susta këtu!' gati sa nuk fola me zë. Ai u kthye ballas nga unë dhe u
zgërdhi. Maliqi doli më i dobëti në konkursin lokal, në vend të krijonte hije
me laps e nxiu vizatimin me leckë, e bëri skëterrë.' Kryetari i jurisë më uroi
me dashamirësi.
Emri
im ish në krye të listës së konkurruesve dhe fitova të drejtën për të
konkurruar në kryeqytet, hyrë në liceun artistik.
U
ula në stolin bosh në krah të Maliqit. Nxora prej xhepit lapsin dhe fshirësin
dhe i përhumbur vështrova modelin, një plak i shukët, ballin e rrudhur, hundën
si shkabë, mjekrën çekiç dhe me pellgore të vogël poshtë syrit. E kisha në
gjysmë profili. Më tërhoqi
qysh
në fillim portreti interesant i plakut të imët dhe mu bë për një moment sikur
çapitesha në rrudhat e thella si monopate të modelit.
-Nuk
gjetën ndonjë model allçie por na sollën këtë plak të shpifur,- mërmëriti zë
grindur Maliqi dhe kafshoi lapsin me dhëmbë.
U
dha shenja fillimit e konkurrimit. Qysh në fillim më bëri për vete
portreti i veçantë i plakut flokëbardhë
me kapelë të zbardhëllyer dhe me vështrim të lodhur, të hutuar, ardhur
rastësisht në këtë sallë të madhe konkurrimi pas një udhëtimi të gjatë. Rrëza
qafës
së modelit qëndronte e mbledhur e rrudhosur, por kur çlirohej, syri i
shkëndijonte dhe mjekra çekiç i dridhej lehtë. Punoja i përqendruar dhe nuk
vija re pjesëtarët e jurisë që na vinin vërdallë për të ndjekur vizatimet tona.
Vizatoja, fshija, vizatoja
përsëri
pa ngritur kokën të vështroja përreth. Në sallën e konkurrimit ishin vetën dy
veta, unë dhe modeli, që më dukej sikur në sytë e tij fshihej një brengë e
madhe. Dikush më vuri butë dorën në shpinë. U drodha dhe ngrita kokën me vrull.
Fare pranë meje
pashë
një trup të hollë të gjatë plaku me buzëqeshje të ëmbël.
-Si
quhesh ti bir?-më pyeti ai.
-Adrian
Belushi.
-Mirë,
vazhdo, se je në karakter,- më tha ai dhe shkoi më tej.
Maliqi
u ndeh nga ana ime dhe më pëshpëriti.
-E
njeh këtë plak që të foli?
-Jo.
-Është
Abdurahim Buza, piktori më i mirë.- më tha Maliqi gjithë zili.
Ngrita
supet pa ditur çfarë të thosha. Vazhdova të punoja. Më dukej sikur plaku model
ngjante diçka gjyshin që vdiq para një viti, disa muaj pasi doli nga burgu.
Pothuajse e njëjta hundë, i njëjti vështrim i përhumbur me pellgoren e lotit
poshtë syrit të rrudhosur
me
të pathënën e madhe në shpirt. Gjyshi ish njeri i dashur, i pëlqente të shkonte
në pyll dhe të qëndronte aty symbyllur. Koha ikte me nxitim dhe nuk dëgjova kur
thanë, koha e caktuar përfundoi.
-Mos
harroni të shënoni emrin dhe mbiemrin në fund të punës tuaj. Nesër në mëngjes
do të merrni rezultatet e konkurrimit,- foli njëri nga drejtuesit e komisionit.
Shënova
në fund të vizatimit me shkrim të kujdesshëm emrin, mbiemrin dhe adresën. U
ngrita, gjyshi i pikturuar përpara meje më dukej sikur më përshëndeste. Maliqi
fshiu duart e nxira pas pantallonave dhe shtyu stolin me zhurmë. Vështrova nga
puna e tij, kish
bërë
një llahtarë.
Në
mëngjes u ngrita herët dhe dola me vrap jashtë. Koha ish e vrenjtur dhe frynte
një erë e lagësht. Ngjita me vrap shkallët e liceut artistik dhe pyeta
sekretaren nursëze se ku ish afishuar lista e fituesve të konkursit.
-Në
stendën e murit përballë, s'e pe?- foli ajo ftohtë.
Dola
në korridor dhe sakaq u gjenda përpara stendës. Zemra më rrihte me vrull dhe
sytë me veshën me avull. Fshiva sytë me shpinën e dorës dhe përqendrova
vëmendjen. Kërkova me padurim emrin tim. Lista mu duk tejet e gjatë dhe me
germa të përdredhura. Trupi
më
mpihej dhe ballin ma mbulonin djersët. Në rreshtin e tretë ish shënuar emri i
Maliq Sustës dhe emri im nuk dukej askund. Nuk u besoja syve të mia e lexova
sërish. Emri im nuk figuronte në listën e fituesve. Germat nisën të shkisnin
nëpër fletë dhe binin
përdhe.
U mbështeta në mur, këmbët nuk më mbanin, shpina më shkau dhe u lëshova si thes
në pllakat e ftohta të korridorit. Fshiva sytë, u ngrita në këmbë dhe nisa të
zbrisja shkallët ngadalë. Befas pashë që po ngjiste shkallët piktori plak
Abdurahim Buza.
Ai
ndaloi në mes të shkallëve, fytyra i
qeshi dhe më foli që larg.
-Hajt
bir, të uroj se e meriton,-dhe priti të afrohesha.
Ula
kokën, lotët rrodhën prej syve të mi. Fytyra e plakut u zverdh:
-Nuk
është e mundur, more djalë i lexove emrat me kujdes?- pyeti dhe vështroi
përreth i menduar.
Më
ish mbledhur një lëmsh në gjoks dhe nuk mund të flisja. Piktori plak Abdurahim
Buza më mori për dore dhe ngjitëm shkallët së bashku. U drejtuam nga stenda ku
ishin afishuar emrat e fituesve. Vuri syzet, lexoi njëherë dy herë, tre herë,
mblodhi buzët me inat.
Më
porositi të prisja dhe hyri me nxitim në zyrën e drejtorit të shkollës. Pas pak
doli nga zyra e drejtorit i menduar dhe u drejtua nga unë me hapa të ngadalta.
Më vuri dorën në shpatull dhe u përpoq të vinte buzët në gaz.
-Mos
u mërzit bir, je shumë i ri, i talentuar dhe jam i sigurt se do fitosh një ditë,- më tha.
Doja ti thosha, e kisha fituar konkursin, por
është tjetër gjë të fitosh një konkurs dhe tjetër të japin të drejtën të
ndjekësh shkollën, sepse e kisha një kleçkë dhe kjo ish biografia. Ai si të më
kish blerë mendimet, më shpupurishi flokët, më ktheu shpinën
dhe
iku me të shpejtë. Dola jashtë, sytë më zunë Maliq Sustën, i cili ish
kapardisur në ndenjësen e parë në makinën e të atit, Melvud Sustës, drejtorit
të bankës së qytetit tonë. Maliqi zgjati kokën nga dritarja e makinës u zgërdhi
dhe më nxori gjuhën...
-Adrian,
burri i gjatë, prej vendit tënd me emrin Majkëll, akoma jashtë, në errësirë, në
shi, pret te takoje, duket si i mjerë,- më shkundi zëri i hollë i murgut
rrumbullak Oshma.
Doja
të bërtisja: Hej murg, ai nuk është Majkëll por një pusht me emrin Maliq Susta,
vite pa i parë fytyrën.
Ndjehesha
i lodhur, kish muaj që punoja jashtë orarit. Me përtesë brodha shikimin
përreth. Murgu Oshma i kish ndezur të gjitha dritat e abazhurët dhe katedralja
rrëzëllente. U përqendrova në sytë e përfunduara të Virgjëreshës Shën Mëri.
Sytë i realizova me
ngjyrat,
koloritin dhe ekspresivitetin e duhur por se pse më dukej sikur në vështrimin e
saj endej një tis i lehtë dyshimi dhe mendimi, më shkaktoi një pështjellim të
turbullt...
Cuditerisht
Syte e Virgjereshes me ngjanin aq shume me syte e Nenes...
KRISTAQ TURTULLI
LITARI I MALLIT, novela dhe tregime Tiranë 2020