Kulturë
Nikoleta Kovaçi: Në emën të gjakut...
E premte, 20.06.2025, 06:56 PM
Në
emën të gjakut...
Nga
Nikoleta Kovaçi
...asht
nji libër i ri, asht nji ftesë e re, asht nji shteg i veçantë, asht nji gur i
randë...sa e si i Sizifit! Por ka nji ndryshim; varet kush mundet me e marrë e
me e mbajt mbi krahë, mbi qafë e krye, e varet kush thotë; mue s`më përket e
nuk kam pse ta bajë... Ahmet Prençi duket se nuk e ka lshue prej 28 vjetësh, e
tash ka vendos me e nda ktë peshë me ata që e ndjejnë, ata që s`duen me harrue,
se plagët që krijojnë ndodhitë e mbrapshta s`janë për këdo; fundja ne na
ndodhën, e na ua lamë derën hapun! Tash le të vuajnë ata që kanë kujtesë, të
tjerët, ata që hodhën benzinë në zarmin e madh që dogji Shqipninë në vitin
1997, thjesht bajnë sikur janë pjesë e kalvarit të atyne që iu dhembi Shqipnia,
që iu dhemb e ka me iu dhimb edhe nesër...
Të
hysh në dëshmitë-rrëfim të këtij libri, asht si të kalosh nga nji portë ferri
në tjetrën; kudo me protagonistë në dukje rastësor, të atypëratyshëm, si të
dalun nga nji tokë monstër, e jo kjo e Jona, që ne na kanë mësue me e dashtë pa
kushte. Por autori me mjeshtri kësaj kategorie të çmendurish me armë e ligj në
duar, iu kundërvë një armatë me njerëz, nga ata të vërtetët, ata që ruajtën
shpirtin, frymën e idealin që mos të bjerrnin në qorrsokakun ku ishte përgatit
gjella e prishun prej nga shumë anë...
“Në
emën të gjakut” asht sfida që Ahmet Prençi ban me të vërtetën që e ka rujt
thellë, që e ka kurue ndër vite të vetat e rrugëtimit të tij, e po aq e ka
mbështjellë me mirësinë që ai di të kurojë çdo fjalë që flet, jo ma ato që
shkruen. Asht fat kur njerëzit e mirë bajnë edhe letërsi; na kena nevojë, për
ne asht domosdoshmëri... Çdo ngjarje në këtë libër asht copëz e kujtdo që u
gjend në atë lukuni e që guxoi të ruante një grimë Shqipni të paprekun, të
padjegun, të papërçudnueme. Libri asht jo vetëm dëshmi e asaj që ndodhi, që u
duk, që u pa, por një himn për të gjithë ata që banë betejën e tyne në heshtje,
larg famës e lavdisë, që në kulmin e dëshpërimit pyetën njani-tjetrin: Nëse
vritena sonte, a do shkruajë kush për ne? e
dikush nga kulmi tjetër i nevojës me qëndrue do t`i përgjigjej: Po, kur
Shqipnia të jetë gati...
Shqipnia
në fakt gjithmonë asht kanë gati, por tashma duhet pyet; shqiptarët a janë
gati...?!
“Në
emën të gjakut” asht libër për çdo emën, për çdo mendje e për çdo zemër,
çfarëdo lloj roli të ketë pas atëherë, ma herët e ma vonë, ky libër ka me i
shërbye për diçka, e madje për shumëçka...