Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Farefis
E hene, 23.06.2025, 06:55 PM
Farefis
Nga
Edison Ypi
Një
dhëndërr nga të farefisit ka në pronësi një hotel me tre kate në dalje të
qytetit. Me anë të disa dallavereve e ndihmuam dhëndërrin që klientat e hotelit
të tij të vijnë kryesisht nga nevojat e zyrave të shtetit për akomodimin e
pjesmarrësve në takime, konferenca, dreka, darka, qoka.
Kunati
i dhëndërrit të hotelit me tre kate ka një restorant tradicional tip bujtine
ngritur me gurë dhe drunj të mëdhenj që ngjan si kështjellë mesjetare ku është
martuar Skënderbeu. Furnizimi i bujtinës me produkte bujqësore gjoja bio dhe
skarcitete ushqimore që vijnë nga jashtë bëhet me anë të një licence të veçantë
që pronari i bujtinës, me anë të një xhaxhait të tij në ministri, ka arritur ta
marri me kusht që dhënësit e licencës të hanë e të pinë gratis te bujtina sa të
shqepen.
Vajza
e njërit prej xhaxhallarëve të farefisit ka një agjenci udhëtimesh dhe
autobuzët e vet. I ikën djersa çurg për ulluk të kurrizit gocës duke punuar me
kontrata shtetërore për transport të nxënësve të shkollave në udhëtime
kulturore, në Kosovë, Greqi, Maqedoni, Mali i zi. Fiton mirë çupa e
xhaxhallarëve. Ndihmon dhe farefisin. Të shohëm nëse do i heci a do i ngeci.
Një
nipçe drejtori i urbanistikës në bashki, na firmos lejet e ndërtimit që i duhen
farefisit, dhe tek-tuk ndonjë leje që e shesim. Mezi ja gjetëm atë vend pune.
Por nuk jemi të sigurtë nëse do dijë të vazhdojë ta mbaje. Është tepër i dhënë
pas femrave. Sidomos atyre që trashin buzët me mishin e bythës.
Dajua
i njërës prej nuseve që kemi marrë në farefis me ndihmën e pakursyer të farefisit
natyrisht, u bë më së fundi shef i sektorit të antidrogës në komisariat. Ky na
informon paraprakisht dhe rregullisht për çdo kontroll të policisë në parcelat
kudo ku i kemi nëpër male dhe pyje.
Dajua
i komisariatit nuk na ndihmon kot, për sevap, se ashtu ju tek. Na ndihmon sepse
djalin e tij e bëmë përgjegjës të një pike doganore. Ku dendet duke vjedh. Ku
s'bën gjë tjetër veçse ul traun për ata që nuk paguajnë, ngre traun për ata që
paguajnë për interesat e farefisit. U harxhuam goxha për ta sistemuar atë
djalë. Por ja vlejti. Se nga ai dajko, ai djalë dhe ai tra, tashmë paret nuk i
numurojmë as nuk i peshojmë, por i mbedhim me fshesë.
E
kemi dhe një drejtor te tatimet. E ka mësuar mirë zanatin e të bërit një sy
qorr, një vesh shurdh, ndonjëherë dhe ca dërrasa mangut. Por nuk ja kemi fort
besën. Ka shumë llafe. Ka qef rakinë. Dhe çeku tymos nga pak. Jo duhanin, atë
tjetrin. Prite kur të na marrë më qafë ndonjë ditë me ndonjë llaf lëshur pa
kujdes.
Një
mbeskë që mbaroi të lartën e bëmë drejtoreshë të shkollës së mesme. S'është
ndonjë vend që siguron kushedi se çë të ardhura. E bëmë që, sa pa u marrë vesh
sa tru ka në kokë, të gjejë ndonjë cop burrë. Për tja lehtësuar gjetjen e
burrit, kemi hapur fjalë se burri që do marrë nuse mbeskën tonë, do marrë në pajë
një OJQ. Nga ato që xhvatin fonde të majme për gjoja "Zhvillimin kulturor
të zonave malore" me shkresurina false që i qepëm për merak ne njerëzit e
farefisit.
Një
tjetër, po nga farefisi ynë, njëri që e kemi blinduar shef në drejtorinë
arsimore, po na sjell goxha të ardhura duke xhvatur nga emërimet dhe
qarkullimet nëpër shkolla. E bën aq mjeshtërisht këtë dallaver, sa s'ka shans
të zbulohet.
Me
anë të ca manovrimeve, një tjetër mbesë nga shtatë a tetë që kemi në farefis,
arritëm ta bëjmë specialiste në drejtorinë rajonale të shëndetësisë. Mbesa na
ndihmon në sigurimin e licencave për farmacitë dhe qendrat shëndetësore të
lidhura me ne të farefisit.
Vëllai
i kësaj mbese punon si magazinier në një qëndër farmaceutike në sektorin e
pajisjeve mjekësore si: paterica, bastuna, karroca për handikapatë etj. të
cilat më vonë i shesim në tregun e zi. Na polli gjeli flori me mbesën dhe
vëllain e saj që në fakt s'e ka tamam vëlla se janë nga dy barqe.
Një
djalë halloje e kemi sistemuar prokuror në një qark të jugut ku kemi ca prona.
E plotëson më së miri detyrën djali i hallos. Nuk merr kurrë në shqyrtim asnjë
dosje që prek pronat e farefisit. E bën aq mirë këtë punë, sa tashmë i vetmi të
cilit i frigemi mos na vjedhi ësht vetë djali i hallos te i cili po dyshojmë.
Një
nipçe si gjysëm budallai që kemi, e ndihmuam të ngrinte një portal në internet.
U muarëm vesh që në këmbim të heshtjes së portalit të nipçes për lajme negative
nga bashkia, nipçja të marri fonde publike për të paguar bashkëpuntorët dhe
zgjeruar portalin që ëndërron ta bëjë television.
Si
farefis i madh dhe me nam të mirë që jemi garantojmë deri 400 vota asaj partie
që na i grasaton më mirë rrotat e qerres.
Kemi
në farefis dhe një si shkrimtar. Në fakt ësht një llapaqen i ndyrë që lëpin
kockat që i hedhim. Nuk kemi asnjë në farefis që ka ide nga librat dhe
Letërsia. Legenin në fjalë e mbajmë për vetrinë, demek ne farefisi hajdut, jemi
farefis i lartë, jemi mecenatë, ndihmojmë Artin, artistat.
Ça
s'kemi në farefis. Plot kazani, shyqyr Zotit.
Kemi
që shesin, që blejnë, që vjedhin, që qajnë, që qeshin, që lehin, që kafshojnë,
që vrasin,
Kemi
demokratë por kemi dhe komunista. Nuk i përjashtojnë as nuk i harrojmë, as këta
as ata. Partitë vinë e ikin. Farefisi nuk vjen as nuk ikën. Vetëm mbijeton,
komandon, sundon.