E enjte, 24.07.2025, 09:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Kundërshtoni shumë dhe binduni pak për shëndetin tuaj

E marte, 24.06.2025, 04:54 PM


Kundërshtoni shumë dhe binduni pak për shëndetin tuaj

Nga Shyqyri Fejzo

Që kur ndërroi jetë babai im, xhaxhain e kam pasur si idhull. Kurikuli im i punës e jetës është plot befasi e të pa pritura, ndaj po kapem në vitet e fundit kur u ktheva nga emigracioni prej Greqisë. Kur erdha xhaxhain e gjeta të rrudhur, të thinjur dhe i ishin kumbisur disa sëmundje që e bënë të vuante.

-Ty  të kam pritur. Le të tjerat po më ka ardhur edhe një shejtan diabeti dhe më është bërë “xhandar” i gjithë jetës time.--

-A je vizituar te mjeku dhe a merr mjekim?-e pyeta.

-Po. Jam vizituar. Kam marrë një kofin me ilace. Po asgjë nuk po shikoj.-

-Ato mbase e bëjnë efektin ngadalë, xhaxha.

-Nuk kam besim më tek ilaçet. Kam 6 muaj, unë pi kokrra dy herë në ditë, ajo djall glicemie vetëm rritet. Çfarë emisione nuk kam parë e libra nuk kam shfletuar për diabetin. Kohët e fundit po flitet për një doktor në qytetin fqinjë që ka zbuluar një ilaç që e zhduk shumë shpejt diabetin. Të kam pritur dhe mendoj që nesër të nisemi së bashku ta provojmë dhe atje. Një ditë në një kronikë në television ne që marrim metforminë për mjekim, na bëri budallenj. Thoshin se ishte dhe doktor, pale! Ksisoj në këtë rast ai bëri budallenj dhe shokët e tij doktorë, se ata na i dhanë ilaçet.-Kur e pashë që xhaxhai e kishte mbushur mendjen top, për atje, nuk ja prisha.

Dhe ashtu bëmë. Të nesërmen në terminalin e autobusave hipëm në atë që të çonte në qytetin ku ishte doktori. Rrugës në autobus, xhaxhai më tregonte. “, Kështu, a e pate dëgjuar për Zeqon e Ferrasit? E kisha mik. Atë e kishte “shkelur”keq diabeti. Doktor Polena në Korçë, kur ishte vizituar, e kishte këshilluar “se këtë diabetin tinzar e shërojnë ilaçet dhe goja. Duhet të hash këtë e atë, të mos hash keto ushqime. Një listë e tërë me prodhime të arave,pemëve e blegtorisë. Merr pi dhe këto kokrrat çdo ditë…” Kur erdhi në fshat Zeqoja, vetëm një javë mbajti dietë. Më pas filloi të hajë çdo gjë. Kur e këshillonin pjestarë të familjes, përgjigjej:”Nuk dinë gjë doktorët. Unë do vazhdoj të ha çdo gje edhe mjaltin nga bletër e mia. Dhe mua mirë do më bëjë mjalti. Mjalti është ilaç i të gjithave” Nuk u mbush muaji dhe Zeqoja ndërroi jetë. Shkova në varrimin e tij. Kishte ardhur dhe e bija që jetonte në Gjermani. “Kam sjellë një flutur të bukur nga Gjermania që e ka pikturuar një piktor i mirë. Në Gjermani fluturat i vënë në pllakën kryesore. Ta vëmë në pllakën e varrit” foli e bija.”Jo moj vajzë,jo! Të kishe piukturuar një bletë, se ajo ja preu bilten për në atë botë” foli e shoqja e Zeqos pikë e vrer. Që atëhere mora frikë dhe po kërkoj ta sikterris këtë djall diabet..Se, o nipçe po vdiqe, nuk është se shkon në dasëm në fshatin fqinjë dhe kthehesh shëndoshë e mirë. Asnjë nga ata që kanë ndërruar jetë nuk janë kthyer të shmalleshin me njerëzi qoftë dhe një copë herë. -fliste gjithë pasion dhe urrejtje për sëmundjen xhaxhaj.

Me njëherë në mendje më shkoi mendimi se njeriu kur e prek ndonjë sëmundje, me vështirësi e pranon gjendjen e re. Pacienti, ndërsa ka pranuar (kuptohet me pak vështirësi) faktin se sëmundja e ka prekur, dhe ai tani ka parë ecurinë e jetës e dinamikën e zhvillimit kundër sëmundjes vetëm shtrimin në rregjim shtrati në spital, tashmë ai “bluan” të tjera mendime të lidhura me shpresën e mjekimin që do i nënshtrohet. Të gjitha këto zhvillohen në një koshiencë të turbulltë ku “lulja e shpresës”është personeli mjeksor, mjeku, që do të merret me pacientin. Por tani xhaxhaj, me që kishte humbur besimin për shërimin nga diabeti,e kulloste mendimin kudo, në ndonjë bisedë me shokë, në njerëz që vuanin nga e njëjta sëmundje, duke lexuar libra e shkrime për dibetin e vesanrisht kohë e fundit portalet që transmetonin kanale të ndryshme televizive dhe shtypi i përditshëm. Ja. Tani ja kishte bërë mendjen ujem një mjek që….Në dy rrugët tani duhej zgjedhur njëra….Xhaxhai në këtë mes këtë rradhë, me sa dukej, mua më kishtë llogaritur “furkaçe” për të mbështëtur mendimet e tij.

Me të mbrritur në atë qytet, na ra në  sy një kafene,e cila veç tabelës kryesore “Kafeja Juaj” ishte e rrethuar me një dekor gjelbërimi të zgjedhur me kujdes. Për një njeri që kërkon diçka me rëndësi, si puna jonë, këto objekte veç çlodhjes, krijojnë dhe mundësi të një informacioni të plotë për atë që po lodhnim këmbët dhe xhepin. Është me vend ajo thënia që "njeriut të qeshur i hapet çdo portë.” Xhaxhai im nga kjo anë kishte shok veten. Që nga përshëndetja, shikimi i ëmbël dhe përgjigja që i dha kamarieres për pyetjen “çfarë urdhëroni zotrinj?”.Xhaxhai hazërxhevap me fytyrë të qeshur vesh më vesh me një zë melodioz e ton pak të lartë të dëgjohej lehtë nga tavolinat e tjera, u përgjigj:”Jemi pak të lodhur nga udhëtimi dhe duam dy kafe nga ato që pihen.”Kamarierja simpatike, si mori porosinë, e qeshur e gjithë gas u nis nga banaku. E qeshura u ishte ngjitur dhe shpërndarë në klientët e tavolinave të tjera. Një moshatar afërsisht sa mosha e xhaxhait na  u drejtua në koefidencë:”Ju mirëse ardhët në qytetin tonë. Ju lumshin të dyja këmbët!” Kështu nisi njohja jonë, që nga fillimi e vazhdimi, na dukej se kishim ardhur në një vend të njohurt prej kohësh. Nuk vonoi shumë dhe personi që na uroi mirëseardhjen dhe shoku i tij, muarën filxhanat e kafesë kërkuan leje dhe u ulën në tavolinën tonë. Pas fjalëve të njohjes, ne  i a hoqëm lëveren qëllimit të ardhjes tonë në këtë qytet.

-Kemi dëgjuar se këtu jeton e punon një mjek që bëka dhe shitka një ilaç që mjekon diabetin…”nisa unë thekun e bisedës. “Kam këtë xhaxhain që vuan nga ajo sëmundje dhe erdhëm të shikojmë se çfarë mund të bëjmë.”Ata shikuan njëri tjetrin. Më i moshuari u mbush mirë e mirë me frymë, krojti me gishtin tregues rrëzën e veshit dhe vazhdoi: -Nuk di a e përdor zona juaj fjalën “ Kur thonë se sivjet qershitë kanë shumë prodhim, merr shportën e vogël.” Ashtu është dhe puna e doktorit pa diplomë, në qytetin tonë, doktor Selamiut. Këta që lindin dhe fëmijërinë e kalojnë me probleme, nga një herë çoç dalin. Selamiu kur ishte vetëm 7 vjet u ngrit në këmbë. Kur u bë 9 vjet hyri për herë të parë në shkollë. Shkollën thonë se e sosi andej nga kryeqyteti. Kur erdhi përsëri në vendlindje hapi një dyqan ku blinte bimë medicinale që bëhen shumë në krahinën tonë. Më pas filloi të bëjë e shesë një ilaç që thuhej se shëronte diabetin. Të sëmurët e qytetit tonë e rrethinat fërkuan duart se “shpëtuan njëherë e mirë nga diabeti.” Por Selamiu atyre nuk ua shiste ilaçin duke i përcjellë se “Ju jini të ambjentuar me ujin e klimën e këtij vendi dhe tek ju ilaçi im nuk vepron”.

Në dyqanin ku doktori shiste ilaçin, përditë vinin njerëz si puna juaj. Reklama që bëri dy e tri herë në një kanal televiziv vepronte. Po edhe njerzit që blinin “Çalikun” (kështu i pati vënë emrin doktori) flisnin për personin që bënte dhe shiste këto ilaçe. Qytetarët tanë, veçanrisht të sëmurët me diabet dhe të afërmit e tyre bëheshin shumë kuriozë “se si ishte ky ilaç dhe si e përgatiste Selamiu. Pas shumë përpjekjesh, tani po dilte në dritë sekreti. Fruti i vogël,rrumbullak me ngjyrë të zezë i shtogut ishte i pari. Pastaj vinte fruit i shpendrës,i ngjashëm  me frutin e shtogut.Përzjeres thuhet se valla i hidhte rrënjë të grirë të kungullit të egër. Këtë e vendoste në frigorifer. Pas 10 ditësh aty hidhte eshkë të marrë nga kërcunjtë e thanave të bluar imët. Pastaj…ah! Pastaj!-Ja tregojmë o Lipe?-I u drejtua shokut të vet duke mbyllur paq dhe syrin e majtë e ngacmuar tek bryli. “Dhe po nuk ia treguam ne, këta do e marrin vesh”foli shoku i tij duke gjerbur kafenë.”Tregoja, tregoja.-“ Pastaj ore miq ai i hedh një lëng me ngjyrë të kuqe, që thuhet se i vjen nga Hindia. Dhe e fundit fare në të hedh dhe dy filxhanë kafeje mbushur plot e përplot me urinë të një qeni të zi. Për kollaj dhe siguri ka zgjedhur qenin e zi të Veselit që e ka shtëpinë pak jashtë qytetit, se ai qen e bënte lehtë-lehtë urinën pa ngritur ndonjë këmbë.  - Këtu miku misterioz i ardhur në tavolinë, u mbush me frymë se mbaroi të treguari për sa dinin për ilaçin që shëron diabetin dhe doktorin misterioz.

Kur kthej kokën nga xhaxhaj, dallova se në fytyrë ishte bërë kartë e bardhë dhe fjalën nuk e nxirte dot nga goja. Më bëri shenjë me duar mua që demek të ikim e të kthehemi në shtëpitë tona. Kështu doja vinim ferrën pazarit me doktorin. Xhaxhai im qeshte me mollën e kuqe  si qibar e jo të provonte këtë lëng magjik ku thuhej se dominonte aroma e urinës të qenit të Veselit.

Të dy po mateshim të ngrihemi,të ndaheshim me dy bashkëbiseduesit e rinj dhe të ktheheshim tek terminali i autobusëve. Por nuk ishte e thëne.  Më i riu nga miqtë e ardhur në tavolinë, ai që quhej Lipe po afronte një karrike se aty kishte ardhur një goxha burrë, mjekrosh pa ndonjë shenjë kleriku në kokë apo gjetiu.

-Qëndroni edhe pak. Nga ky miku im do mësoni gjëra të bukura. Ka mbetur ajo fjala:”Më mirë pyet të vuajturin se të diturin. E për të vuajtur ky miku e di vetë ç’i ka hequr kurrizi…..U ulëm përsëri dhe me përtesë po dëgjonim për bëmat e të sapoardhurit. Ai nuk fliste, vetëm dëgjonte. Rolin e ciceronit e mori Temja, shoku i Lipes.

“Ta merni vesh dhe ju, ore miq, ky kapedani një ditë vendosi të bëhej klerik dhe të predikonte për një fe. Ksisoj, bleu disa veshmbathje që të dallohej, bleu libra për këtë punë, la edhe mjekër. Koha rridhte. dhe ky zotria herë pas here i bënte  një pyetje fatale vetes: ”Çfarë po fitoj?” Përgjigjen kjo pyetje e kishte tepër delicate, ndaj një ditë vendosi të hidhej në veprimtari praktike. Bleu veglat e berberit, si bluzën e bardhë dhe kapele, gërshërë, krëher e brisqe,solucione disinfektuese aromë mbajtëse. Pa harruar detyrën e klerikut, filloi dhe punën e berberit. Po edhe berberët qënkan dënuar të mbajnë e përdorin kuleta të holla. Ksisoj e çoi mendjen tek synetllëku. “Ky zanat është vëllai I bereberit” e ngriu me të tijën. Nga numurimi me mend i çunave të vegjël që mund të bënte synet, i delnin pak, por kënaqej kur mendonte dhuratat që bënin njerzia për synetllik. Dhe gjithë merak e duke i u dridh duart, i bëri plot 11 synete. Mirpo tamam, në të 12-tin i plasi sherri në mes të ahirit. Shkoi në një familje “baballëk” fshati që do bënin synet djalin. Ishin mbledhur të afërm, gjitonë etj.kishin sjellë dhurata të kohës, veshje, ëmbëlsira si dhe një goxha dash dhuratë për xherahun. Djali që do të bëhej synet nuk dinte gjë. Kur e kapën, e afruan mezor tek xherahu dhe i mbyllën sytë, ai tentoi të ikte dhe xherahut i shpetoi dora e brisku, dhe ja preu shumë poshtë.(Kësmeti i maçokut).Shpërtheu indinjatë për këtë skandal dhe xherahu jo vetëm nuk mori dashin si dhuratë, po ia hodhën veglat në një arë me nisër dhe e shoqëruan me një hu gardhi në shpinë, deri sa i dolën në mbrojtje dy-tre burra. Nuk e lanë me kaq. E paditën në gjyq ku u dënua tre vjet burg se kishte bërë synet pa liçensë e diplomë. A  ka ndodhur kështu o xherah?-pyeti duke qeshur Lipja. –Kjo kështu ka ndodhur. Po tu tregoj se me cilin e kam bërë burgun, do çuditeshit. Po të mos shikoje afër teje me keq, do të luaje mendësh. Në lagjen tjetër, ku kishte disa familje armenë e thirrën një klerik (si unë)se djali i një komshie kishte hipur në një arrë të madhe dhe nuk donte të zbriste. Ai, kolegu im i burgut merrte përsipër çdo punë, mjafton tia bëje me sy e të lëvizje dy gishtat e së djathtës që gëzojnë kuletat. Djali që kishte hipur në arrë  ishte pak i metë dhe bënte veprime të pa kontrolluara. “E zbres unë” tha kleriku,” Bëni gati 3000 lek dhe  më gjeni një litar mushke.”  Me sytë nga babai i djalit që po numuronte paratë, i sollën dhe litarin. I lidhi një gur litarit dhe ftoi një nga të rinjtë ta hedhë sa më lart e ta kapë ai që nuk zbriste nga arra.”Tërhiqeni fort tani.”tha kleriku. Ashtu bënë dy tre djem të fortë dhe djali që kishte hipur në arrë tani përpëlitej në tokë, duke renkuar e dhënë shpirt. “Po ç’na bëre more zotni!” ju turrën njerzia. “Of.E martë djalli. Po unë në fshatin fqinjë me të tërhequr e nxora një nga pusi po ai jo vetëm nuk vdiq, po tani është shëndosh si molla.” kishte thënë kleriku duke fërkuar mjekrën. Atë koleg xherah atje e gjeta dhe në burg e lashë.”

Me vështirësi u shkëputëm nga lokali “Kafeja Juaj”. Kur mësuam se xhaxhaj duhet të pinte ilaç që kishte dhe urinë të qenit të zi të Veselit të linte lamtumirën diabetit, vrapin e lamë tek terminalii autobusave të ktheheshim në shtëpi sa më parë. Xhahai përpara unë pas tij si “furkaçja e bindur.”

Kishin kaluar nja dhjetë ditë që kur na ndodhi kjo ngjarje. Mua m’u desh të shkoj ca ditë nga kryeqyteti për të takuar time motër dhe të shikoja për ndonjë punë. Sapo u ktheva, trokita në portën e xhaxhait. Sa më pa, u ngrit nga lap-topi dhe po më përqafonte me mall. Si këmbyem fjalët e rastit për shëndetin e diabetin, buzëqeshi si thartë dhe po kërkonte në togun e letrave mbi tavolinë. E gjeti. Ishte një letërt e printuar, të cilën nuk po e lexoj por u ftoj ta lexoni, ashtu si e kishte printuar xhaxhaj. Shpikjeve të fundit që ishin printuar xhaxhai u kishte vënë dhe një bisht prapa.

Mira kulix- Kjo është nga shpikjet më të mëdhaja të shekullit, mbasi kush përdor këtë ilaç, të gjejë vend ku të futet diabeti e tipit 1 dhe tipit 2.Pagjumësia, lodhja, humbje e oreksit nuk është ndonjë problem kur i turret pacientit në krahasim me dobitë që sjell.

-         Doni të eliminoni plotësisht sëmundjet e zemrës dhe hypertensionin? Turruni e merrni Cardin-Cure me shumicë e pakicë dhe ja po nuk  ju morën mendët. Kjo bëhet mirë se shëron sëmundjen dhe vërteton se pacienti ka akoma mend.

-Cancer Free; Ky ilaç, Po.Ai është i gatshëm të bëjë duel me të gjitha llojet e kancerit dhe të fitojë. Pa ç’ka se e ngre nja dy tre gradë temperaturën e pacientit, sjell të përziera e dobësi.Këto janë voglina.

-Neuro Heal-Merre këtë ilaç dhe sëmundjet  neurodegjenerative  (Alzhemerin e Parkinsonin) marrin arratinë. Epo pacienti do të ketë ca lëkundje gjashtë ballëshe të humorit, do të mbetet pa gjumë dhe nuk do njohë të afërmit nga përqëndrimi i dobët.Shëndet, shëndet, pa mbahet pacienti.

-Immun e Boost.-Pretendohet forcon imunitetin, eliminon të gjitha infeksionet virale dhe bakteriale. Po ra ajo në gojën e njeriut, mjerë mikrobet. Të gjejnë vend ku të futen. Nuk ka rëndësi se ke dhimbje koke, skuqje lëkure, puçrra, si ato të murtajës së dhive.

Ta dinte Hua Tou mjeku i famshëm i Kinës së lashtë si punojnë mjekët e sotëm, si  e ku lindi koviti, do i kishte djegur hiroglifet e tij shkruar për mjeksinë. Çhuraka në Hindi, kur të mësonte se çfarë bëhet sot  me fallsifikimin, ndërrimin e afateve të skadimeve të barnave, nuk do jepte asnjë lloj ilaçi përgatitur nga ky mjek i famshëm. Avicena (Ibn Sina) do  e digjte në shkretëtirën arabike veprën e tij madhore”Kanuni i Mjeksisë” kurse Hipokrati të dëgjonte për betimin e kodit të tij nga disa mjekë shqiptarë, kulmorë në spitalin onkologjik, apo për aventurat dashurore të disave deri me pacientet, duke u ndodhur “rastësisht” në krevatin e pacientes, do tentonte të vriste veten pa arrirë moshën mbishekullore. Kjo puna e betimit me sa duket, qënka mjaft delikate.  Se rrëfenja thotë që një ditë paria e vuri në be qenin të mos hante nga ai i nevojtoreve. Kaluan ditë dhe qenin e diktuan syveriuesit se po hante e nginjej duke thyer betimin.

-Po çfarë bën ashtu? Ti je betuar se nuk do të haje asnjëherë nga ky inevojtoreve.-po ja futnin katër këmbët në dy këpucë qenit.

-Unë u betova të mos haja nga ai i  freskëti. Ky që po haja tani ju betohem se ishte i thatë”-u përgjigj qeni. Bela e madhe betimi i thyer. Po thyerja e betimit të Hipokratit, është më tepër se bela për disa doktore.

Po të lexosh reklamat ku përdoren për të rritur besimin edhe nga mjekë të njohur dalin disa paradokse. Po të mbledhësh peshën e krimbave që bashkëjetuakan me njeriun, peshën e fekaleve që mbahen në stomak e zorrë, dhjamit,të kolesterolit te keq, gjakut etj. del se pesha e të gjorit njeri paska mbetur sa pesha e një kaposhi.E kujt i duhen këto?   Pacentëve?  Njerëzve që vuajnë e nuk i kanë mundësitë e mjekimit. Ku është vlera e slloganit “fjala shëron?”Pa le në këto kushte të përmendësh parrullën e ndryshkur “mjeksia falas.”

Shëndetësia private e kafshon shëndetësinë publike. Këtu nuk bëhet fjalë ti heqë ndonjë copë dhe kaq, mbaroi kafshimi. E keqja është se po e sakatos aq rëndë sa po e bën krejt të pa aftë të mbijetojë. Specializimi dhe shërbimi shëndetësor privat është cilësisht më i  mirë,  por humanizmi aty po vdes. Se sot kudo po lulëzon pjesa materiale, se pjesa shpirtërore ka vdekur. Bisnesmenë, menaxherë e pronarë të këtyre institucioneve e spitale private, nga ana profesionale nuk kanë asnjë lidhje me mjeksinë, por vetëm me fitimin material.

Kohët e fundt një nga lajmet më të lakuar është edhe ai që bën fjalë për intelegjenën artificiale e cila dashka vend dhe sinor edhe në shëndetësi. Kur vjen fjala rrotull e rrotull për këtë risi bashkëkohore dhe të saktë disa mjekë hungurojnë pa nxjerrë zë se I. A. ua pret rriskun e vizitave dhe gëzimit të portofoleve të tyre. Por mjekët me humanizzëm  e profesionalizëm të lartë gëzohen për këtë arritje, se në fund të fundit, kjo çon në bankoprovën e kohës njohuritë e sakta e bashkëkohore të tyre.

Nuk më thoni unë çfarë ti  them xhaxhait? Ai shkon te doktori i diabetit, merr një grusht ilaçe me recetën e tij. Vjen në shtëpi, hap televizorin  dhe degjon se  një doktor në emisionin e tij thotë: “Ata që përdorin Metforminën për mjekimin e diabetit janë budallenj…”  Iso për këtë tam-tame po mbajnë dhe artistë, aktorë e personalitete të tjera për bindur “të pabindurit” se diabetit i paska ardhur fundi. Në këtë rast fjala shpërdorohet dhe kthehet helm që infekton.A ka gjë më të ndyrë që me fjalën manipulohet dhe ajo shitet për interes! Si tia ndriçoj unë mendjen xhaxhait që të mos errësohet e vërteta për diabetin e më tej?

Shyqyri Fejzo

Qershor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx